Martirizimi-Një përkufizim: A mund të jetë martir (Shehid) një terrorist?

Për të kuptuar dhe për të zgjidhur një problem të çfarëdolloji, gjëja e parë që duhet bërë është identifikimi i shkaqeve që kanë çuar në lindjen e këtij problemi. Në të kundërt të gjitha analizat, komentet dhe mënyrat e zgjidhjeve janë të destinuara të dështojnë. Nëse një gjë e lavdishme siç është martirizimi është subjekt i veprimeve të gabuara, atëherë ka nevojë të ngutshme që të diskutohet kjo çështje gjatë e gjerë dhe të bazohen analizat mbi vlerësimet që nxirren. Megjithatë qëllimi ynë këtu nuk është të fokusohemi në këto vlerësime, por në kërkimin e përgjegjësive në lidhje me çështjen se cili është vendi që zë martiri dhe se cilët janë martirët në Islam.

Njerëzit idealë

Ka katër lloje njerëzish të cilët janë dhënë si shembuj “njerëzish idealë” në Kur’an dhe Sunet. Ato janë profetët, siddikët (besimtarët e shquar), shehidët (martirët) dhe salihët (njerëzit e drejtë) (4:69). Personat e kategorisë së parë, pra profetët, përfaqësojnë kulmin e avancimit dhe perfeksionimit që njerëzimi mund të arrijë. Por ky objektiv nuk mund të arrihet nëpërmjet përpjekjeve, sepse është vetë Zoti ai i Cili e pajis atë me virtytet e nevojshme. Rruga për arritjen e këtij qëllimi u mbyll përfundimisht pas Profetit të fundit Muhamedit (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të), meqenëse nuk do të ketë profet tjetër pas tij. Tre statuset e tjera janë besimi i plotë në zemra (siddikijet), martirizimi (shehadet) dhe drejtësia (salahat).

Faktori kryesor i të qenurit martir është dëshmimi i së vërtetës në të gjitha aspektet e jetës dhe në gjithë qenien e një personi. Madje martirizimi kërkon dëshmimin e së vërtetës së gajbit (e fshehtës) përmes një perceptimi të brendshëm në një mënyrë e cila është e ngjashme me mënyrën e perceptimit të botës fizike nga qeniet njerëzore: Në këtë sens, janë të përdorura në Kur’an fjalët shehid (martir) dhe shehadet (martirizim). Kështu që quajtja e atyre të cilët kanë dhënë jetët e tyre për kauzën e Zotit, martirë apo dëshmues është metaforë. Ata quhen dëshmues dhe martirë sepse ata bartin me vete dëshminë e së vërtetës në të cilën ato besojnë aq thellë, saqë ata janë të gatshëm ta vënë jetën e tyre në rrezik për të.

Përgjatë gjithë historisë, martirizimi ka qenë gjithmonë një nga synimet më sublime që një musliman aspironte të arrijë. Në njëfarë mënyre martirizimi u bë burimi më i rëndësishëm i fuqisë, i cili i udhëhiqte muslimanët drejt fitoreve kundër armiqve të cilët ishin fizikisht më të fortë, apo në numër më të madh. Në raste të tjera, kur muslimanët kanë dyshuar rreth arritjes së martirizimit, rezultati ishte disfatë. P.sh. pasqyra që ushtria e Timurit, e cila ishte gjithashtu muslimane i shkaktoi humbjen ushtrisë Osmane në luftën e Ankarasë, ishte se ushtarët osmanë mendonin se të qenurit hero ose martir nuk do të bëhej e mundshme në këtë luftë.

Martirizimi nuk është thjesht rënia në luftë nga duart e një ushtrie jomuslimane; një veprim i tillë nuk garanton martirizimin. Vdekja nga duart e një jomuslimani mund të vijë nga shumë arsye të cilat nuk janë pjesë e luftës. Edhe ata të cilët vdesin nga brutaliteti i një besimtari, apo ata që vdesin nga mbytja apo helmimi ose nga shkaqe të tjera të ngjashme, mund të bëhen martirë gjithashtu. Martirizimi është një rang shpirtëror në të cilin qëllimi i dëshiruar i individit konsiderohet si gjëja kryesore. Nëse nuk do të ishte kështu, besimtarët do të kërkonin të vriteshin nga jomuslimanët me qëllim që të arrijnë martirizimin. Në Islam dëshira për të vdekur është e ndaluar. Besimtarët duhet të luftojnë për mbijetesë dhe për fitimin e luftës në vend që të zgjedhin vdekjen. Ata bëhen martirë vetëm nëse bien të vdekur pasi kanë bërë përpjekjet maksimale për të mbijetuar në luftë. Prandaj edhe nëse një person ka për qëllim martirizimin, nëse zgjedh një mënyrë tjetër vdekjeje nga vdekja e bërë për hir të Zotit, kjo mund të konsiderohet vetëvrasje e cila është diçka e ndaluar në Islam. Siç dihet, Profeti (a.s.) dhe shokët e tij merrnin masa për parandalimin e vdekjes, ata nuk e kërkonin atë. Ata mbanin parzmore dhe mburojë gjatë betejave dhe gjithashtu tërhiqeshin apo hapnin transhe në raste nevoje. Me fjalë të tjera, ata përpiqeshin të mbijetonin dhe të fitonin luftën. Vdekja në luftë nuk është një qëllim për muslimanët dhe të hedhurit në luftë për të gjetur këtë fund mund ta çojë në dështimin e të arriturit të martirizimit.

Cilat kategori njerëzish konsiderohen martirë?

Martirë janë ata të cilët kanë ndjekur rrugën që Zoti ka përcaktuar për besimtarët, një rrugë e cila të çon tek besimi i Zotit. Ata të cilët kanë vdekur apo janë vrarë në përpjekje për të plotësuar kërkesat e kësaj rruge, apo ata që kanë vdekur ndërsa mbronin vlerat të cilat Zoti ka udhëzuar të mbronin; këta njerëz janë ngritur në qiell dhe quhen martirë (shehidë).

Literatura Islame në përgjithësi u bën tre klasifikime martirëve: martirë perfektë; martirët e kësaj bote dhe martirët e botës tjetër.

Martirët perfektë

Martirizimi perfekt është i një lloji të tillë që plotëson të gjitha kushtet e martirizimit në emër të Zotit dhe në të cilën ndiqen rregullat e mëposhtme të varrimit të atij që flijohet. Gjatë varrimit të martirit perfekt:

1. Nuk bëhet larja e trupit;
2. Trupi me plagë mbështillet me qefin;
3. Në rast të një mosmarrëveshjeje (ligjore Islame) nuk i falet xhenazja.

Ekzistojnë gjashtë kushte për një martir që të klasifikohet si “martir perfekt”:

1) Të qenurit musliman: kushti bazë është martiri të jetë besimtar musliman. Është e përcaktuar se jomuslimanët nuk mund të përfitojnë bekimin shpirtëror që rrjedh nga Islami; kjo përfshin edhe rrugën e martirizimit.

2) Të jetë i përgjegjshëm: Sipas parimeve islame që një person të ketë përgjegjshmëri në Islam, duhet që ai ose ajo të jetë i aftë mendërisht dhe të ketë arritur moshën e pubertitetit. Prandaj fëmijët dhe të sëmurët mendorë nuk mund të jenë të përgjegjshëm, kështu që ata janë të privuar nga mundësia e të qenurit “martirë perfekt”. Kjo sipas Imam Ebu Hanifes, kurse dijetarët të cilët e kundërshtojnë këtë pikëpamje theksojnë se “si ata që e kanë arritur moshën e pubertetit ashtu edhe ata që nuk e kanë arritur atë, janë në të njëjtën shkallë përsa i përket kushteve të martirizimit. Meqë edhe ata që nuk e kanë arritur këtë moshë konsiderohen muslimanë dhe nëse ata vdesin duke luftuar të pafetë, atëherë edhe ata kanë vepruar njëlloj si ata të cilët e kanë arritur pubertetin. Prandaj drejtësia kërkon që ata të trajtohen njëlloj. Në fakt konsiderimi i Profetit si martirë për ata që ranë Luftën e Uhudit mbështet këtë pikëpamje, sepse kishte shumë persona me moshë shumë të re në mes tyre (Zuhajdi 3:105).

3) Pastërtia: martiri duhet të jetë i pastër dhe të tregojë vëmendje ndaj asaj që quhet pastërtia sipas rregullores. Sipas këtij kushti, personi që nuk ka gusël dhe gruaja që është në periudhën menstruale apo në periudhën e paslindjes, janë të përjashtuar nga përfitimi i trajtimit gjatë varrimit si “martirë perfektë”. Është për t’u theksuar se atyre që vriten në këto kondita, i lahet trupi, kjo gjithmonë sipas Ebu Hanifes. Nga ana tjetër, dijetarë të tjerë si Imam Muhamedi, Ebu Jusufi, Shafiu, Ahmed ibn Hanbeli dhe Imam Maliku argumentojnë se martirizimi në vetvete pastron papastërtitë, kështu që nuk është e nevojshme të lahen personat që janë në këto rrethana. Këta dijetarë sjellin për ilustrim shembullin e Hanzales (r.a.), i cili luftoi dhe u vra në Luftën e Uhudit. Ai ishte martuar një ditë më parë dhe kishte vrapuar për në luftë pa patur mundësi të marri gusël. Edhe pse e shoqja e njoftoi Profetin (a.s.) se ai nuk ishte i pastër sipas rregullave kur vdiq, Profeti tha se ai është pastruar nga engjëjt dhe e varrosi atë pa e larë (si martirët e tjerë) (Ibn Abidin 3:154)

4) Vrasja pa ndonjë arsye: Ata të cilët nuk janë vrarë si rezultat i një ndëshkimi me vdekje për një krim të kryer, siç është kisas (shpagimi për një vrasje), por janë vrarë padrejtësisht, konsiderohen si “martirë perfektë”.

5) Të mos jetë murtes (një person i plagosur në luftë dhe i transportuar në një vend tjetër). Kjo fjalë me kuptimin e mësipërm përfshin ata të cilët i nënshtrohen trajtimit mjekësor, të cilët hanë, pinë, flenë, kanë bashkëbisedime të gjata, ata të cilët shprehin dëshirën e fundit dhe bëjnë gjëra të tjera të kësaj natyre ndërsa janë duke vdekur. Nëse këto gjëra të cilat konsiderohen si çështje të kësaj bote, ndodhin pasi personi është goditur fatalisht dhe është çuar në një vend tjetër, atëherë personi konsiderohet si murtes. Nëse këto veprime kryhen në atë vend ku ai është goditur dhe në të cilën lufta vazhdon, atëherë ai i plotëson kushtet për të qenë “martir perfekt”. Çështja e Omerit, Aliut dhe Osmanit (kalifi i dytë, i tretë dhe i katërt) janë shembuj perfektë për këto kushte. Omeri dhe Aliu u transportuan në një vend tjetër pasi që u goditën për vdekje, prandaj trupat e tyre u lanë. Ndërsa Osmani i cili vdiq në vendin ku u godit, nuk u la dhe iu nënshtrua proçedurës të të qenurit “martir perfekt”.

6) Përtej qëllimit të parave të gjakut: Në ligjin Islam vrasësi ndëshkohet me kisas (shpagim në të njëjtën mënyrë nga ana e shtetit). Megjithatë nëse vrasja kryhet pa qëllim apo gabimisht, nuk aplikohet kisas. P.sh., nëse akti është kryer në një qytet gjatë ditës, nga një goditje jo e fortë ose një goditje me ndonjë armë apo mjet i cili nuk është i bërë me qëllim që të vrasë njerëz, siç është p.sh., kamxhiku (përdorimi i një mjeti të tillë krijon dyshime mbi paramënjanimin e vrasjeve), atëherë nuk kryhet shpagimi me vrasje. Shkurt, sipas ligjit Islam, ata të cilët janë viktima të një vrasësi (domethënë kur fajtorët dënohen me vdekje) konsiderohen si martirë, ndërsa ata të cilët janë vrarë në rrethana të tjera (pra atëherë kur vrasësi nuk dënohet me vdekje), nuk konsiderohen martirë. (el Kasani 1/321). Ata që vriten duke luftuar kundër jomuslimanëve, shkelësve të ligjit dhe rebelëve, konsiderohen martirë, pavarësisht se si vdesin. Ata që nuk plotësojnë ndonjërin prej këtyre kushteve, nuk e kanë statusin e “martirit perfekt” në ritualet e funeralit të tyre (Yüce, 32-36).

Një besimtar i vrarë pa të drejtë i nënshtrohet rregullave të të qenurit “martir perfekt”. Në fushën e betejës, ata që bien të vdekur ndërsa janë duke luftuar ballë për ballë me armikun janë martirë. Ata të cilët e qëllojnë vetëm aksidentalisht me armën e tyre, apo ata të cilët qëllohen nga një shok, ata që bien nga kali i vet dhe goditen nga ai, ata që shtypen nga këmbët e kuajve si të muslimanëve ashtu edhe të jomuslimanëve ose ata që goditen nga një shigjetë e rastësishme apo ata që gjenden të vdekur për shkaqe të panjohura në fund të luftës (edhe nëse nuk kanë plagë), trajtohen sipas riteve të martirizimit. Armët dhe pajisjet e së shkuarës si kuajt, shigjetat etj. që përmendëm më lart, mund të zëvendësohen pajisjet e sotme duke zbatuar të njëjtat rregulla.

Ata të cilët vdesin nga një sulm armik në një fshat, ata që vriten nga kriminelët ordinerë, ata që vriten ndërsa janë duke kryer shërbime të dorës së dytë (ndihmëse), ata që vriten nga një sulm i kryer në shtëpinë apo vendin e tyre të punës, apo ata që vriten nga i ati qëllimisht, janë gjithashtu martirë (Serahsi, 2:52). Nëse një grup bën luftë kundër një grupi tjetër edhe nëse e dinë që grupi tjetër përbëhet nga muslimanë, ata të cilët janë duke u mbrojtur dhe vriten janë martirë. Kjo sepse ata të cilët vriten duke u mbrojtur, kanë vdekur duke mbrojtur veten dhe bashkësinë muslimane (Ajni, 3,307). Si përfundim mund të themi që nga ky rregull del se ai që vdes duke sulmuar, nuk konsiderohet martir, përkundrazi konsiderohet mëkatar mizor.

Martirët e kësaj bote

Ata të cilët bien të vdekur në luftë kundër armikut dhe trajtohen sipas ritualeve të varrimit të “martirit perfekt”, por që në fakt nuk janë martirë dhe nuk do të shpërblehen me bekimin e martirizimit, quhen “martirë të kësaj bote”. Ky grup përfshin ata që vdesin duke dezertuar apo duke plaçkitur1, si dhe ata të cilët qëllimin e vërtetë nuk e kanë patur zbatimin e urdhrave të Zotit, por të nxjerrin në pah vetveten ose të hakmerren, si dhe ata të cilët kanë luftuar për ideologji të tjera që bien në kontradikta me Islamin dhe parimet e tij si p.sh. për racizmin apo për arritjen e të mirave materiale.2 Meqenëse është e vështirë dhe e pamundur të zbulohen këto ndjenja të brendshme të tyre, ata trajtohen si martirë në këtë botë. Por gjendja e tyre në botën tjetër përshkruhet nga Profeti me këto fjalë: “Personi i parë që do të gjykohet negativisht në Ditën e Gjykimit, do të jetë martiri i rremë. Ai thirret dhe i tregohen shpërblimet që do t’i jepeshin të cilat ai i sheh. Pastaj Zoti e pyet: “Çfarë ke bërë ti për t’i fituar këto shpërblime”? Ai përgjigjet: “Luftova për çështjen Tënde derisa rashë dëshmor”. Zoti i thotë: “Ti po gënjen! Ti luftove me qëllim që njerëzit të thonë: “Sa njeri i zoti”. Kështu ndodhi vërtetë në botë(e more shpërblimin që kërkove)”. Pastaj Zoti urdhëron që ai njeri të hidhet me fytyrë në zjarr”3.

Në një hadith tjetër përdoret shprehja në vijim (për të përshkruar gjendjen e martirit të kësaj bote në botën tjetër): Profeti u pyet se çfarë do t’u ndodhte njerëzve të cilët luftojnë për prona, për famë, apo atyre që luftojnë për racizëm ose për fanatizëm dhe të cilët mendohej se kishin luftuar për kauzën e Zotit. Ai u përgjigj: “Ata që luftuan për të lartësuar emrin e Zotit konsiderohen si luftëtarë në emrin e Zotit”.4 Këtu duhet të sqarohet diçka: qëllimi kryesor është fitimi i kënaqësisë së Zotit dhe lartësimi i fesë së Zotit; një person i cili punon për këtë qëllim, mund të luftojë për çështje të tjera të cilët i shërbejnë të njëjtit objektiv. Në këtë rast kur ai vritet, ai është prapëseprapë martir i vërtetë. Megjithatë kjo kërkon angazhim të plotë, ndjenja të thella dhe vëmendje të madhe në arritjen e këtij qëllimi.

Një ditë Profeti pyeti: “Kë quani ju shehid”? Njerëzit përreth tij u përgjigjën: “Ata që vriten nga arma”. Përgjigjja e vërtetë e kësaj pyetje ishte: “Ka shumë njerëz që vriten nga arma dhe që nuk janë shehidë; ka shumë të tjerë që vdesin në shtrat por që shpërblehen me bekimi e siddikëve dhe të shehidëve”.5 Në një hadith tjetër, Profeti e përqendroi vëmendjen tek dëmet e shkaktuara nga zakonet e këqija duke thënë: “Ata të cilët u lëshojnë mallkime herë pas here njerëzve përreth tyre; nuk do të përfitojnë shefaatin (ndërmjetësimin) tim e as nuk do të konsiderohen shehidë”6. Sot ka njerëz të cilët pretendojnë se punojnë për kauzën e vlerave të shenjta por që nuk pushojnë së mallkuari ata të cilët mendojnë ndryshe, ose që nuk i durojnë ata, prandaj i akuzojnë këta njerëz si jobesimtarë dhe paganë. Megjithatë rreziku i një veprimi të tillë është i qartë. Në fakt, kur një besimtar akuzohet se është jobesimtar, është akuzuesi ai i cili e merr mbi vete këtë epitet. Kur’ani thotë:

“Kur të shkoni në luftë për çështjen e Allahut hetoni me kujdes dhe mos i thoni asnjë njeriu që ju jep selam “ti nuk je besimtar” (4:91).

Ndërsa ky ajet nuk e aprovon vrasjen e askujt nga ata që sipas përshëndetjes të kenë treguar se janë muslimanë, vrasja e muslimanëve (gjithashtu edhe jomuslimanëve) në sulme vetëvrasëse dhe mosdhënia rëndësi e kësaj çështjeje ka nevojë të diskutohet.

Shehidët e botës tjetër

Këta njerëz janë ata që janë vrarë me mënyrën e “martirit perfekt”por që nuk plotësojnë të paktën njërin nga gjashtë kushtet e rreshtuara më lart. Ata nuk klasifikohen si “martirë të kësaj bote” por si “martirë të botës tjetër”. Ata që janë quajtur martir nga Profeti dhe të cilët kanë patur vdekje natyrale janë gjithashtu të përfshirë në këtë kategori. Profeti (a.s.) dhe Ebu Bekri (r.a.) vlerësohen si të tillë sepse helmi që kishin pirë në Hajber bëri efekt. Omeri dhe Aliu gjithashtu konsiderohen si “martirë të botës tjetër” sepse ata u transportuan nga vendi ku ishin plagosur (prandaj nuk i klasifikuan si “martirë perfektë”. Si maja më e lartë e kësaj kategorie (duke përjashtuar Profetin) konsiderohet Omeri.

Dëshmorëve të botës tjetër i bëhet një funeral i rregullt me ritet e tij të zakonshme. Ata lahen, mbështillen me qefin dhe kryhet lutja e zakonshme. Kjo nuk ka qenë ndonjëherë çështje e diskutueshme në mes dijetarësh. Megjithatë në botën tjetër atyre do t’u jepen shpërblimet e martirëve dhe do të trajtohen si të tillë. Profeti në raste të ndryshme u ka kushtuar vëmendje atyre që konsiderohen martirë në radhët e komunitetit Islam. Edhe pse në këto hadithe nuk ka ndarje të tilla si “martir i kësaj bote” apo “martir i botës tjetër”, vëzhgimet që vetë Profeti bëri, krijuan bazat për diferencimin në interpretimet e dijetarëve të mëvonshëm.

Duke studiuar hadithet rreth atyre që janë specifikuar si martirë, por që nuk quhen si “martirë të botës tjetër”, sepse nuk u janë kryer ritet e një martiri, mund të vërehet se ky grup përfshin martirët e përshkruar më sipër dhe ata të cilët njihen ligjërisht si martirë. Kjo e fundit përmban vdekjet që vijnë si pasojë e një sëmundjeje serioze, vdekjet që nuk mund të evitohen ose të parandalohen, vdekjet që shkaktohen nga dhimbjet dhe vuajtjet, vdekjet nga aksidentet, në luftë kundër tiranisë, apo duke aderuar në fe me devotshmëri, duke e privuar veten nga disa të mira të kësaj bote. Zoti i cili e konsideron çdo vuajtje që një besimtar jeton, si një kompensim dhe falje mëkatesh për të, u jep shpërblimin e madh të dëshmorit atyre të cilët u duhet të vuajnë nga vuajtjet deri në vdekje. Kjo në të vërtetë është ajo që shpresohet nga Mëshira e Tij. Zoti i Madhëruar me mëshirën e Tij të madhe dëshiron të falë mëkatet e shërbëtorëve të Tij muslimanë dhe t’ua rrisë gradën atyre derisa ata të bëhen të përshtatshëm për të hyrë në Parajsë në praninë e Tij. Ai ka krijuar rrugë që të çojnë në arritjen e këtij qëllimi. Ai na ka njoftuar për këto rrugë dhe mënyra nëpërmjet fjalëve të Profetit të Mëshirës, Muhamedit (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të).

Sulmet vetëvrasëse

Bazuar në informacionin e përgjithshëm në lidhje me konceptin e martirizimit, tani mund të shkojmë në qendër të çështjes në diskutim, terrorizmit, sulmeve vetëvrasëse dhe për lidhjet e tij të mundshme me martirizimit.

Duke parë7 shembuj të ndryshëm në historinë Islame, dijetarët e jurisprudencës Islame kanë dhënë fetva (prononcime ligjore) në linjën e mëposhtme:

“Është e lejueshme për një person që të hidhet në sulm mes një grupi të forcave armik, nëse ai shpreson që në fund të shpëtojë, ose nuk e ka një shpresë të tillë në raste kur synon t’i dëmtojë sa më shumë armiqtë dhe t’i demoralizojë ata, kur kërkon të nxisë shokët e tij, nëse ai e ndjen veten shumë të fuqishëm, si dhe kur ka frikë se mund të zihet rob dhe mund të detyrohet t’u japë informacione sekrete armiqve.” (el Shejbani, 4/1512)

Një ekzaminim i kujdesshëm i kësaj fetvaje zbulon se ekzistojnë tre kushte madhore të cilat kërkohen të plotësohen për martirizimin në mënyrë që ai të jetë i vlefshëm në këto rrethana:

1. Situata në të cilën ndodhet martiri duhet të jetë një gjendje lufte. Kërkohet prezenca e dy ushtrive rivale kur luftëtarët armiq janë përgatitur dhe janë bashkuar për të luftuar.

2. Të mos jetë absolutisht e sigurtë që sulmuesi do të vdesë.

3. Vdekja duhet të ndodhë si pasojë vrasjeje nga pala tjetër.

Kërkimi i efektivitetit

Ata të cilët i konsiderojnë sulmet vetëvrasëse si diçka e lejuar, deklarojnë se nuk ka rrugëzgjidhje tjetër. Ata thonë se kundërshtari ka avantazhe të pakrahasueshme në armatime, numër, logjistikë, lehtësira, trajnime ushtarake dhe se ata janë gjithashtu të mbështetur edhe nga media. Prandaj ata deklarojnë se nuk ka rrugëzgjidhje tjetër përveç sulmeve vetëvrasëse. Kjo linjë e të menduarit çalon në dy drejtime:

Nuk bëhet dallim mes qëllimit dhe mjeteve të përdorura për arritjen e tij; këto ngatërrohen njëra me tjetrën. Për një besimtar, që të dyja bashkë, si qëllimi ashtu edhe mjeti me të cilën arrihet ky qëllim, duhet të jenë të ligjshme dhe nuk duhet të ngatërrohen. Meqë qëllimi final është fitimi i kënaqësisë së Zotit, dëshira për të arritur diçka me çdo kusht, nuk duhet ta zëvendësojë këtë shtyllë themelore të Islamit.

Nëse ndonjëri mendon se çdo mjet do të jetë i lejuar nëse çon në arritjen e këtij qëllimi, kjo do t’i hapte dyert aktiviteteve të tjera ilegale dhe johumane si p.sh.: pëlqimi i përdorimit të drogës apo i prostitucionit në gjirin e grupeve rivale me qëllim shkatërrimin e shëndetit moral dhe mendor, manipulimin me shkencën me qëllim prodhimin e medikamenteve të dëmshme të destinuara të përdoren kundër armikut, keqtrajtimi i pacientëve në spitale ose vrasja e tyre në një mënyrë apo në një tjetër për të kursyer fondet. Por feja dhe profetët të cilët u dërguan për të udhëhequr njerëzit drejt lumturisë si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër, kurrë nuk kanë përdorur metoda çnjerëzore e as nuk i kanë miratuar veprime të tilla. Martirizimi është një gradë që mund të arrihet vetëm kur mbahen parasysh parimet e fesë; ai nuk mund të arrihet me urrejtje dhe me hakmarrje. Metoda që duhet të përdorë muslimani, duhet të jenë të drejta siç është edhe qëllimi i tij.

Në mbështetje të këtij fakti, theksojmë se një musliman nuk mund t’i tejkalojë kufijtë edhe në kohë lufte.

“Lufto në rrugën e Zotit, kundër atyre që po luftojnë, (por) mos i tejkalo kufijtë sepse Zoti nuk i do ato që e teprojnë” (2:190).

Sejid Kutub shkurtimisht e komenton kështu këtë ajet:

“Tejkaluesit e kufijve mund të dallohen qartë në veprimet e tyre kundër grave, fëmijëve, të moshuarve dhe pjesëtarëve të klerit ose kundër atyre të cilët janë të zhytur në adhurim, si kundër të gjithë njerëzve të pafajshëm dhe të padëmshëm të cilët nuk janë duke marrë pjesë në luftë dhe nuk përbëjnë rrezik për përpjekjet që bëhen për përhapjen e Islamit apo për komunitetin e muslimanëve. Tejkalimi i kufijve mund të kuptohen gjithashtu si shkelje e rregullave të luftës të përcaktuara në Islam. Në fakt, Islami ka përcaktuar të tillë rregulla lufte me qëllim që të minimizojë mizoritë e luftërave të xhahilijetit (injorancës) si të kohëve të vjetra, ashtu edhe të kohëve moderne dhe t’u japë fund këtyre akteve brutale. Këto janë mizoritë të cilat Islami i urren së tepërmi dhe për të cilat ndjen neveri”.

Pasi i rendit veprimet e Profetit (a.s.) dhe të shokëve të tij Sejid Kutub e përfundon kështu komentin (2:290):

“Muslimanët e dinin se nuk do të kishin fituar luftërat falë superioritetit numerik, sepse numri i tyre ishte më i vogël se ai i armiqve. Ata e dinin gjithashtu se fitorja nuk i detyrohej superioritetit të armëve, apo pajimeve të tyre, sepse ata kishin më pak armë dhe pajisje se kundërshtarët. Ata fituan falë besimit dhe devotshmërisë ndaj Zotit, si dhe falë ndihmës që Ai iu dha atyre, prandaj, nëse ata do kishin rënë në kontradikta mbi atë se çfarë i ka udhëzuar Zoti dhe i Dërguari i Tij, ata nuk do të kishin arritur as edhe një fitore. Ata fituan sepse i zbatuan me përpikmëri rregullat e luftës dhe ishin të kujdesshëm ndaj zbatimit të tyre edhe kur bëhej fjalë për t’i zbatuar tek armiqtë, nga të cilët kishin vuajtur agoninë e zgjatur dhe i kishin vrarë disa nga shokët e tyre me anë të torturave të paimagjinueshme”.

Llojet e sulmeve vetëvrasëse

Duke ekzaminuar sulmet vetëvrasëse që janë kryer nëpër botë, ne mund të vërejmë se ato janë kryer në dy mënyra:

1. Ekzistojnë sulme vetëvrasëse të cilat kryhen sistematikisht dhe pa u lëkundur nga persona të paracaktuar nga ushtritë e dy vendeve rivale të cilat janë duke luftuar kundër njëra-tjetrës. Këto lloj sulmesh mund të kategorizohen në dy nëngrupe:

a. Sulmi nga një person apo grup i cili kryhet mbi një grup të madh armiqsh ose mbi kazermat e tyre me anë të mjeteve luftarake si p.sh., me aeroplanë, tanke, granate dore, etj. Shembujt nga historia Islame tregojnë se me akte të tilla personat që i kryejnë ato nëse vdesin konsiderohen shehidë. Por ekziston gjithmonë mundësia që ata (sulmuesit) të shpëtojnë gjallë nga këto sulme.

b. Një person apo një grup njerëzish vendosin bomba në trupin e tyre ose e lidhin makinën që janë duke drejtuar me një bombë dhe pastaj futen mes ushtarëve armiq ose në mes të fortesave armike duke shpërthyer bombën. Ky lloj sulmi mund të lejohet vetëm në rrethana shumë të kufizuara të cilat përcaktohen vetëm nga juristët Islamë dhe që janë të konceptueshme vetëm gjatë një lufte aktive. Jashtë këtyre rrethanave, sulme të tilla mund të sjellin vetëm mosmarrëveshje. Ato janë veprime të neveritshme të cilat duhet të dënohen. Disa sulme kryhen në vende të cilat nuk janë fare në luftë, vende të cilat i lejojnë këta njerëz të hyjnë aty me apo pa vizë, vende të cilat i lejojnë qytetarët të vendeve të tjera të punojnë, të edukohen, të banojnë, të hapin biznese, të martohen dhe nëse plotësohen disa kushte i lejojnë madje të bëhen edhe shtetas të atyre vendeve. Në këtë rast, vendi ndaj të cilit kryhet sulmi i ka marrë në mbrojtje duke i hapur të dy krahët për t’i pritur dhe për t’i mbrojtur këta njerëz. Dhunimi dhe shkelja ndaj mikpritjes së treguar do të thotë tradhti dhe kundërvënie ndaj ligjit të lëvizjes së lirë; kjo nuk është e lejueshme. Ibn Haxher e konsideron vrasjen e një personi me të cilin është bërë një pakt, si një nga mëkatet më të mëdha. (as-Zevaxhir, 2:153).

2. Këto sulme të drejtuara ndaj të huajve ose qytetarëve dhe ushtarëve të një vendi tjetër me të cilin agresori mund të jetë në luftë, ose në raste kur vendi i tij është i pushtuar gjithashtu, nuk mund as të mirëkuptohen as të lejohen. Krimineli nuk mund të quhet dëshmor. Personi që kryen një krim të tillë është fajtor mes të tjerave edhe për:

a. vrasjen e njerëzve të pafajshëm,
b. për tradhti dhe cënim të vendit që e ka pajisur me lejeqëndrim
c. për traumatizimin e njerëzve dhe për dëmtime psikologjike të tyre
d. për dëme të shkaktuara ndaj pronave të njerëzve të pafajshëm
e.
nëse është musliman ai është fajtor edhe për dëmtim të imazhit të Islamit
f. për poshtërim të vendit të tij të origjinës
g. për vuajtje që i shkakton familjes së tij
h. ndoshta për ndihmë të dhënë me suksesin e një organizate krimi ndërkombëtar
i. nëse agresori është musliman, ai me këtë akt i bën të lumtur armiqtë e Islamit dhe...në fund
j. për përgjegjësi që ai ka për një krim të pafalshëm.

Përgjegjësia e rëndë e kryerjes së vetvrasjes dhe marrjes së jetëve të pafajshme (muslimanëve dhe jomuslimanëve) nga pikëpamja fetare është përtej qëllimit të këtij shkrimi.

Konkluzion

Është e qartë nga korniza e parimeve të lartpërmendura që nuk ka vend për sulme vetëvrasëse në Islam dhe që konditat të cilat bëhen shkas për kryerjen e këtyre sulmeve, duhet të eliminohen.

Referencat:

Gokbilgin, M. Tayyib. Osmanli Muesseseleri, Teskilati ve Medeniyeti Tarihine Genel Bakis, Istanbul: 1977
ez-Zuhajli, Vehbi, Islam Fikhi Ansiklopedisi
Ibn Abidin, Reddu’l Muhtar
Shatibi, el Muvafakat; el Kasani, Bedaijiu’s Senaji
el Ajni, el Binaje; Yuce, A., Sehitlik ve sehitelerin Hayati, Istanbul, 2001
Imam Serahsi, el Mebsut
Mensur Ali Nasif, Gajetu’l Me’mul Sherhu’t Taxhi’l Xham’i’i Usul
Kutub, Sejid, Fi zilal el Kur’an
Naim A. –Miras K; Tecrid Tercumesi
el Isfahani, Hiljetul Evlija
Ibn Ethir, Usd el Gabe
Ibn Haxher, el- Isabe, I, 144
esh-Shejbani, Muhammed, Sijer-i Kebir
el Xhasas, Ahkamu’l Kur’an

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.