Vrasja dhe ndëshkimi i saj në Kur’an dhe Bibël

Jeta është një nga vlerësimet më të mëdha të Zotit ndaj nesh, ndaj ajo është bekimi maksimal dhe themeli i ekzistencës. Jeta është pika e fillimit dhe thelbi i çdo gjëje, ajo e bën çdo gjë të lidhur me të, më të rëndësishme se pothuajse çdo tjetër. Çdo qenie e gjallë mund të thotë se “gjithçka që ekziston është pronë e imja; bota është shtëpia ime, universi është një dhuratë e bërë nga Zoti im për mua”, prandaj është jeta ajo që na bashkoi me çdo gjë dhe e cila na lejon të përfitojmë nga çdo gjë.

Për më tepër jeta, fruti i pemë së ekzistencës, është një udhëkryq i ekzistencës. Nga ky këndvështrim (pra jeta në qendër si një objektiv drejt të cilit është drejtuar gjithçka), jeta është prova më e ndritur e njësisë së Zotit të Madhërishëm, demonstrimi më i shkëlqyer i mëshirës së Tij dhe shembulli në kompleks i artit të Tij. Shkurt, nëse nuk do të kishte jetë, ekzistenca do të humbiste kuptimin e saj dhe do të bëhej e padallueshme nga mosekzistenca.

Ja përse kjo rëndësi e jetës, veçanërisht e jetës së qenieve njerëzore, si forma më e përkryer, nuk është sasiore, por cilësore në natyrën e saj, (me fjalë të tjera nuk është e varur nga sasia e njerëzve), prandaj jeta e një personi përfaqëson jetën e të gjithëve. Për këtë arsye, në Kur’an jeta e një njeriu është e barabartë me jetën e gjithë qenieve njerëzore, prandaj vrasja e një njeriu konsiderohet e njëjtë me vrasjen e gjithë njerëzimit dhe po kështu shpëtimi i jetës së një njeriu konsiderohet i njëjtë me shpëtimin e jetës gjithë njerëzve (5:32). Në këtë kontekst vlerësimi, në Kur’an theksohet se ky ishte një urdhër i cili iu dha edhe izraelitëve, d.m.th. ky është një parim i cili ekziston edhe në Bibël.

Vrasja konsiderohet si krimi më i madh dhe një nga mëkatet kapitale, si në Kur’an ashtu edhe në Bibël. Kjo ndalesë është një nga verdiktet më konsistente që ekzistojnë në të gjitha fetë monoteiste. Nëse personi i cili merr jetën e dikujt tjetër është në kundërshtim me ligjet, nëse veprimi është i qëllimshëm dhe me pasojë vdekjen, atëherë dënimi për kriminelin është vdekja, si në Kur’an ashtu edhe në Bibël. (Bekare 2:178-179, Exodus 21:12, Leviticus 24:17-18).

Ky veprim i ndaluar nga urdhri: “Ti nuk duhet të vrasësh” në Bibël, Teurat (Exodus 20:13) është gjithashtu urdhëresa e gjashtë e Dhjetë urdhëresave. Ky rregull mbron të drejtën më themelore të qenieve njerëzore, të drejtën për të jetuar dhe vë theksin mbi rëndësinë e paprekshmërisë së jetës njerëzore. Në Judaizëm të vrasësh (katl) përkufizohet si “t’i japësh fund jetës së dikujt”. Dijetarët Islamë e kanë përkufizuar foljen të vrasësh si “një veprim i cili shkakton ikjen e shpirtit nga trupi”. Tani t’i shohim me radhë dënimet në lidhje me vrasjet, fillimisht në Bibël (Teurat), pastaj në Kur’an.

A: Vrasja në Bibël dhe institucioni i krimit

Urdhri “ti nuk duhet të vrasësh”, që theksohet në Exodus 20:13, rrjedh nga rrënja “r-ts-h” në hebraisht. Kjo fjalë sipas shpjegimeve të Rashbam dhe Bekhor Shor, mund të përdoret vetëm në kuptimin e “aktit të vrasjes së dikujt padrejtësisht”, prandaj ajo nuk mund të përdoret për të paraqitur vrasjet të cilët janë pjesë e ekzekutimeve, si pasojë e dënimeve me vdekje që jepen gjatë luftës. Gjithashtu kjo fjalë nuk përdoret për të përshkruar rastet kur subjekti i foljes, d.m.th. personi që kryen aktin e vrasjes është Zoti apo ndonjëri nga engjëjt. Kjo ndalesë justifikohet në Genesis 9:6 me fjalët “nëse ndonjëri derdh gjak, gjaku i tij duhet të derdhet nga një person tjetër, por Zoti e ka krijuar njerëzimin nga shpirti i Tij”. Kjo nënkupton se jeta e krijuar nga shpirti i vet Zotit është absolutisht e shenjtë ndaj e drejtë për ta marrë atë ashtu si edhe e drejta për të dhuruar i takon vetëm Zotit. Prandaj kushdo që merr jetë një jetë njeriu, shkel mbi këtë të drejtë me anë të këtij akti papërshkrueshmërisht të tmerrshëm që dhunon sovranitetin e Zotit. Meqenëse njerëzit janë krijuar si qenie të shenjta, një vrasës denigron gjithashtu lavdinë e Zotit. Për këtë arsye, nuk është e drejtë e qenieve njerëzore falja e vrasësit apo heqja e dënimit me vdekje dhe zëvendësimi i tij me të, dëmshpërblim monetar siç shpjegohet në “Numrat 35:31”.

E ndërsa Bibla deklaron se ata që janë fajtorë për krimin e vrasjes duhet të dënohen me vdekje, Ligji verbal (Talmudi) paraqet disa rregulla kufizuese që përcaktojnë se çfarë e përcakton këtë krim. Sipas Talmudit, vrasësi duhet të paralajmërohet përpara kryerjes së krimit nga dy dëshmitarë okularë se ky veprim që po kryen është i ndaluar dhe se do të dënohet me vdekje për të; kurse vrasësi duhet të deklarojë se është në dijeni të këtyre fakteve. Gjithashtu dëshmitarët duhet të dëshmojnë për vrasjen. Edhe pas gjithë kësaj, pavarësisht se sa evidente është ngjarja, nuk është e mjaftueshme të përcaktohet nëse është kryer krim. Çështja duhet të paraqitet përpara një Trupi Gjykues fetar i cili duhet të përbëhet nga 23 gjyqtarë. E ndërsa për shpalljen e pafajësisë së të pandehurit mjafton një shumicë e thjeshtë në diferencë prej një vote, për shpalljen fajtor të tij duhet domosdoshmërisht që të ketë të paktën dy vota diferencë. Megjithatë edhe nëse gjyqtarët e shpallin unanimisht fajtorë të pandehurin, dënimi është i vështirë që të zbatohet. R. Akiva dhe R. Tarfon kujtojnë që kanë shërbyer në një gjykatë të tillë e cila merrej me këto lloj krimesh dhe askush nuk është dënuar ndonjëherë me vdekje. Pavarësisht se gjykatat zakonisht nuk e aplikojnë dënimin me vdekje, ata që konsiderohen fajtorë, dënohen me burgime të gjata. Në Izraelin modern nuk ekziston dënimi me vdekje për krimin e vrasjes.

Vrasësi dhe dënimi i tij në Bibël

Bibla ashtu si Kur’ani bën dallim ndërmjet krimit dhe ndëshkimit të vrasësit në varësi të faktit, nëse akti ka qenë i qëllimshëm apo aksidental, duke e paraqitur këtë me ligjin e saj (kodin penal). Sipas Biblës dënimi me vrasjen e qëllimshme është ai me vdekje. (Exodus 21:12,14,23,24,25; Leviticus 24:17-18, Numrat 35:16-21; Deuteronomia 19:11-21). Studiues të njohur të Biblës na japin informacione të detajeve në lidhje me komentimin e verseteve të cilat kanë të bëjnë me këto rregulla ligjore. P.sh. sipas komentuesit të famshëm Maimonides, cilido që vret qëllimisht, shkel një nga “Dhjetë Urdhëresat” (Exodus 20:13, 21:20) dhe duhet të dënohet me vdekje. Nëse vrasësi e kryen krimin me ndonjë objekt metalik, apo me vënie zjarri, atëherë dënimi është ekzekutim me prerje koke me shpatë.

Gjithashtu sipas një komentuesi tjetër me peshë të Biblës, Hirsh-it, jeta përbën në vetvete një vlerë, e cila është superiore ndaj gjithë gjërave të tjera; ajo është fenomeni bazë që lidh gjithçka që ka në Tokë. Fjalët e mëposhtme e ilustrojnë këtë pikë:

Ai që godet një njeri për vdekje, sigurisht duhet të vdesë. Dhe nëse një njeri nuk rri në pritje, por i mbështetet Zotit, Unë do t’i krijoj atij mundësinë që t’ia mbath. (Exodus 21:12-1). Dhe ai që vret një njeri sigurisht duhet të vdesë. (Leviticus 24:17).

Në këto vargje vetëm burri duket se konsiderohet si viktimë e krimit. Dijetarët e Talmudit thonë se vrasja e grave dhe e fëmijëve nuk hyjnë tek katl-i. Akti i vrasjes është shoqëruar me veprimin e “goditjes”, në qoftë se qëllimi ishte vrasja. Për më tepër “goditja” dhe “vdekja” si pasojë e këtij veprimi, janë izoluar në mënyrë që të qartësohet ideja e paramendimit të krimit. Dënimi me vdekje këtu i detyrohet mbytjes së qëllimshme të tjetrit. Dënimet për vrasjet jo të qëllimshme shpjegohen në vargjet e tjera të Biblës. Pavarësisht faktit se Hirsh e përshkruan jetën si vlera më themelore, ai argumenton duke pasur parasysh komentin e këtyre vargjeve në të cilat vlera e jetës vihet në diskutim, se në rastet kur të vdekurit janë gra apo fëmijë, këto vargje nuk kanë vlerë; dënimi për këto raste nuk është subjekt i këtyre vargjeve. Kjo tregon se sipas disa komentuesve të Biblës, jeta e një mashkulli të rritur vlerësohet nga ajo e një gruaja apo fëmije.

Megjithatë komentuesi i mirënjohur Rashi (1040-1105) kur i komentoi të njëjtat vargje, argumentoi se shprehja nuk i diferencon burrat nga personat e tjerë në këto vargje. Ai i nënvizoi se “nëse i marrim këto dy vargje së bashku, është e qartë se theksi vihet jo në atë se çfarë përfaqëson personi, por në mënyrën sipas së cilës vepron vrasësi dhe në qëllimin e shfaqur”. Rashi adaptoi pikëpamjen se edhe nëse viktima nuk vdes pasi që është goditur duke synuar vrasjen e tij, krimineli duhet të konsiderohet përsëri si vrasës dhe duhet t’i jepet dënimi me vdekje. Dënimi me vdekje të cilën e parashikon vargu bëhet i zbatueshëm kur “një njeri qëllon një person dhe e vret atë”. Sipas Rashit ky varg nuk bën dallim mes mashkullit dhe femrës, apo viktimës në moshë të vogël prandaj kur personi i vrarë apo i planifikuar për t’u vrarë është burrë, grua apo fëmijë, vrasësi duhet të dënohet me vdekje. Vargjet e tjera të Biblës që kanë lidhje me vrasjen e qëllimshme, me ligjet penale të cilave u përkasin si dhe me komentet e dijetarëve të Judaizmit janë si më poshtë:

“Por nëse një njeri shkon në arrogancë tek fqinji i tij për t’u vrarë pabesisht, ju zbriteni nga altari im kështu që ai të mund të vdesë.” ( Exodus 21:14)

Rashi sqaron shprehjet me dy kuptime të këtij vargu. Sipas tij nuk numërohen si vdekje të qëllimshme: a) vrasja e një jobesimtari, b) vdekja e një pacienti nën trajtimin e një mjeku, c) vdekja e një fajtori gjatë ekzekutimit të “dënimit me 40 kamxhikë” në duart e oficerëve gjyqësorë, d) vdekja e një fëmije kur ndëshkohet nga babai i tij, e) vdekja e një nxënësi kur mësuesi është duke tentuar ta disiplinojë dhe f) vdekja e një personi aksidentalisht, e shkaktuar nga një gur i hedhur për të vrarë dikë tjetër. Të gjitha këto “shkaqe vdekjesh” janë të ndara nga vdekjet e tjera të cilat janë shkaktuar qëllimisht, tradhtisht dhe pabesisht. Ata të cilët vrasin një njeri duke përdorur dredhi, duhet të vriten; edhe nëse vrasësi mund të jetë një rabin në sinagogën e tij, ai duhet të zbritet nga altari i Zotit dhe të ekzekutohet.

Sipas disa komentuesve të tjerë, fjalët “një burrë” në vargjet 24:17-18 të Leviticus nënkuptojnë një person duke përfshirë edhe gratë dhe fëmijët. Përdorimi i shprehjes “shpirt për shpirt” në fund të vargut ku përfshihen edhe kafshët, interpretohet si pagesë e një vlere monetare për çdo kafshë të mbytur, si një kompensim që duhet t’i paguhet pronarit. Në të njëjtën linjë duke u nisur nga klauzola, “kushdo që vret një person, dënimi për të është ai me vdekje”, arrihet në përfundimin se verdikti duhet të aplikohet edhe në rastet kur vrasësi është grua apo fëmijë.

Dhe ai që vret një kafshë duhet ta kompensojë atë: edhe ai që vret një njeri duhet të vritet. Ju duhet të përdorni të njëjtin kriter zbatimi të ligjit si për të huajt, ashtu edhe për banorët e vendit tuaj, sepse unë jam Mbreti, Zoti juaj. (Leviticus 24: 21-22)

Vargu i mësipërm paraqet qartë dallimin midis njerëzve dhe kafshëve në Bibël. Ligji i Biblës i konsideron qeniet njerëzore si “popull” dhe kafshët si “diçka” (mall). Prandaj dënimi me vdekje kryhet për krimet ndaj qenieve njerëzore. Në fund të këtij vargu vihet theksi mbi barazinë e të drejtës për të jetuar për cilindo, të huaj apo vendas.

Fraza “ai që vret një kafshë” në vargun e lartpërmendur parashikon rastet e “shkaktimit të dëmit fatal i cili në fund në fund rezulton me ngordhjen e kafshës”. Gjithashtu ata të cilët qëllojnë fatalisht një njeri duke i shkaktuar atij ose asaj vdekjen, dënohen në mënyrë të njëjtë. Megjithatë në rastin e krimit të kryer mbi prindërit, pavarësisht nëse ata vdesin ose jo, konsiderohet sikur pasojat e këtij krimi kanë qenë vdekje. Pra edhe nëse prindi nuk vdes nga goditja që i është bërë në momentin e agresionit, fëmija që e ka sulmuar atë fatalisht duhet të dënohet me vdekje.

“Dhe nëse ai e qëllon atë me mjet hekuri duke i shkaktuar vdekjen ai është një vrasës; vrasësi patjetër duhet të vdesë. Dhe nëse ai e godet atë me një gur me qëllim që ta vrasë, duke i shkaktuar vdekjen, ai është një vrasës; vrasësi patjetër duhet të vdesë. Ose nëse ai e godet atë me një armë dore prej dore duke i shkaktuar vdekjen ai është një vrasës; vrasësi duhet të vdesë. Vetë personi që ka për të marrë gjakun duhet ta vrasë vrasësin; kur ai e takon në rrugë duhet ta vrasë. Por nëse ai e shtyn me urrejtje apo e qëllon kur është i shtrirë duke i sjellë edhe vdekjen ose nëse e mbyt me duar nga ndjenja e armiqësisë, ky është një vrasës; ai që ka për të marrë gjakun duhet ta vrasë atë kur ta takojë.” (Numrat 35: 16-21)

Këto vargje kanë të bëjnë me aktin e vrasjes dhe me kriteret e përdorura për të përcaktuar shkeljet. P.sh., informacioni i përgjithshëm i dhënë rreth aktit të vrasjes dhe mjetet e përdorura, evidencat edhe kushtet, janë që të gjitha subjekte të këtyre vargjeve. Teksti përmban bazën e trupit gjykues sidomos, ‘Numrat 35:16’, ku përmasat e armës, përbërja e saj, veçoritë, forcën që përdoruesi domethënë vrasësi ka përdorur kur ka qëlluar me të, kushtet fizike të viktimës dhe dëmi i shkaktuar mbi të; që të gjitha janë të detajuara. Në këtë varg, dënimi për vrasjen e qëllimshme të një personi tjetër, vihet në dukje me anë të frazës: “ai është një vrasës ndaj duhet të vdesë”. Prioritet i jepet metalit (të përdorur si armë), sepse nganjëherë një masë e vogël metali mund të shkaktojë më shumë dëm sesa një masë e madhe druri; nëse plaga e shkaktuar është fatale, atëherë agresori dënohet me vdekje. Theksi këtu vihet në pasojat vdekjeprurëse të armës dhe në qëllimet e atij që e përdor atë.

Më pas tek ‘Numrat 35: 17-19‘ vëmendja përqendrohet tek gurët dhe druri, të cilat nuk shkaktojnë dëmtime fatale kur dikush goditet me ta në kushte dhe përmasa normale, por të cilat mund të shkaktojnë plagë fatale nëse këto kanë përmasa të mëdha. Në fund të vargut specifikohet një mjet i përbërë nga guri ose nga druri i cili përdoret me qëllim goditjen dhe vrasjen. Në të gjitha vargjet e mësipërme, nënvizohet kushti që duhet plotësuar për këtë, domethënë mjeti apo arma e përdorur për të qëlluar një njeri duhet të jetë e përmasave të mjaftueshme për të vrarë. Dënimi për ata të cilët përdorin mjete të tilla, apo armë me qëllim vrasjen, është pa diskutim dënimi me vdekje. Edhe nëse vrasësi strehohet në një objekt kulti si p.sh. në një sinagogë, ai nuk do të jetë në gjendje t’i shpëtojë ekzekutimit. Gjithashtu theksohet se njerëzit e familjes së viktimës, kanë të drejtë ta vrasin atë kudo që ta gjejnë.

Sipas këtyre vargjeve të Biblës të shqyrtuara këtu, nëse i pandehuri gjendet fajtor për krimin edhe nëse familjarët e viktimës janë prezentë në sallën e gjyqit, atëherë trupi gjykues ua dorëzon kriminelin atyre. Nëse trupi gjykues refuzon t’ua dorëzojë të akuzuarin të afërmve të viktimës pasi është dhënë vendimi, ose nëse i akuzuari arratiset, ata kanë të drejtë ta ekzekutojnë vrasësin kudo që ta gjejnë. Shkurt, Bibla në disa raste e pranon të drejtën e një individi për të kryer një ekzekutim.

Një varg tjetër i cili bën fjalë rreth paramendimit në një akt vrasjeje dhe i cili përcakton si masë ndëshkuese dënimin me vdekje është perifrazuar me fjalët: “nëse ai e shtyn me urrejtje” në vargun 35:20 tek `Numrat`. Sipas komentuesit të Biblës, Chumash, fraza “nëse ai e shtyn” do të thotë “ta shtysh personin nga një vend i lartë duke e bërë të rrëzohet”. Kur përdoret një armë apo një mjet tjetër për ta vrarë një person, qëllimi është i qartë. Prandaj për këtë arsye këtyre akteve u është dhënë prioritet në vargjet 16-18 të `Numrave`. Më pas radhiten armë të tjera, pasojat e të cilave është vdekja. Në fakt çfarëdo metode që të përdoret, qëllimi është i njëjtë dhe rrjedhimisht edhe dënimi i dhënë është i njëjtë. Vargu “edhe pse nuk do të ndjeni kënaqësi nga ekzekutimi i një vrasësi, i cili është fajtor për vdekjen, megjithatë ai duhet të vdesë” (Numrat 35:31), e bën të qartë se dënimi për vrasjen e qëllimshme është ai me vdekje, pa alternativë ndonjë tjetër. Më këtë varg janë eliminuar qartë të gjitha alternativat e tjera si p.sh. pagesa e një kompensimi.

Verdikti i njohur si kisas (ligji i shpagimit) ekziston në Bibël. Për shembull:

“Dhe nëse ndodh ndonjë dëm, atëherë ju do të përdorni kriterin jetë për jetë, sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë, këmbë për këmbë, djegie për djegie, plagë për plagë, gërvishtje për gërvishtje.” (Exodus 21:23-25)

“Dhe syri juaj nuk do të tregojë keqardhje por jeta do të shkojë për jetën, syri për syrin, dhëmbi për dhëmbin, dora për dorën, këmba për këmbën.” (Deuteronomy 19:21)

“Të çarë për të çarë, sy për sy, dhëmb për dhëmb; nëse ai ka shkaktuar një dëmtim tek një njeri, ashtu duhet t’i bëhet edhe atij.” (Leviticius 24:20)

B: Çështja e katl-it (vrasjes) në Kur’an

Ka shumë ajete në Kur’an që e ndalojnë vrasjen. Zoti i Madhëruar urdhëron në suren Isra:

“Dhe mos e mbytni njeriun që All-llahu ka ndaluar përveçse me drejtësi. E kush mbytet pa të drejtë, kujdestarit të tij Ne i kemi dhënë të drejtë (të kërkojë drejtësinë) e ai të mos e kalojë kufirin në mbytje përderisa ai është i ndihmuar.” (17:33)

Në një ajet tjetër, Kur’ani urdhëron se vrasja pa shkak konsiderohet si një krim i kryer kundër gjithë njerëzimit:

“… kush mbyt një njeri pa mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa patur bërë ai ndonjë ai ndonjë shkatërrim në Tokë, atëherë është sikur t’i kishte mbytur të gjithë njerëzit.” (5:32)

Ka gjithashtu ajete në të cilat deklarohet se krimet nuk do të mbeten të pandëshkuara dhe kriminelët do të dënohen në përputhje me ligjin (2:178-179, 5:45)

Në Islam vrasja e paligjshme e një personi konsiderohet si krim dhe si një nga mëkatet më të mëdha. Kjo shkelje e ligjit radhitet ndër shtatë mëkatet e mëdha nga Profeti (a.s.) i cili përcakton vrasësit si vuajtës në këtë botë dhe në tjetrën, domethënë përcakton vrasjen (kisas) e tyre në këtë botë dhe dënimin e zjarrit të përhershëm në tjetrën. Marrja e jetës njerëzore është një shkelje ndaj shërbëtorëve të Zotit të cilët Ai i ka krijuar me vlera të veçanta; është një kërcënim për sigurinë publike dhe për strukturën e shoqërisë.

Termi katl ka kuptimin “vrasja e një njeriu, privimi i një qenieje të gjallë nga jeta”. Ajo përkufizohet si “veprim që shkakton ndarjen e trupit nga shpirti”. Ata njerëz të cilët vrasin një qenie tjetër, bëhen shkaktarë që trupi të ndahet nga shpirti dhe këto persona njihen si vrasës, ndërsa ai që vritet konsiderohet viktimë. Sipas Islamit, marrja e jetës së dikujt padrejtësisht është një nga mëkatet më të mëdha, i dyti pas shirkut (bërja shok Zotit). Allahu është i Vetmi i cili jep jetën, prandaj pa lejen e Tij, apo pa marrë në konsideratë rregulloren e vendosur nga Ai, askush nuk mund ta marrë atë. Jeta e çdo personi të veçantë është e shenjtë, e paprekshme dhe e mbrojtur, me përjashtim të rasteve kur dënimi me vdekje është i merituar dhe është vendosur nga një autoritet ligjor. Çdo dënim i dhënë mund të ekzekutohet vetëm nga organizma të caktuar për këtë punë, në bazë të ligjit. Gjithashtu dënimi me vdekje i cili bën të mundur marrjen e jetës së personave i është nënshtruar rregulloreve strikte. Profeti, paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të ka thënë se: “Vrasja e një muslimani i cili deklaron se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij, mund të lejohet vetëm në tre raste: si shpagim për një jetë të këputur në mes, si dënim për marrëdhënie jashtëmartesore apo si ndëshkim për dezertim nga Islami dhe për mospendesën brenda afatit të caktuar, i cili është dënim për shkeljen e kontratës së bërë më parë”.

Ekzistojnë shumë hadithe rreth kësaj çështjeje, disa prej të cilave janë: “Vrasja e një muslimani padrejtësisht është po aq e rëndë sa shfarosja e mbarë botës”. “Nëse të gjithë banorët e Qiejve dhe të Tokës do të bashkoheshin për të vrarë një musliman, Allahu do t’i hidhte që të gjithë me fytyrë në zjarr duke i poshtëruar dhe përbuzur”. “Nuk ka dyshim se gjaku dhe pronat tuaja janë të paprekshme”.

Në një hadith tjetër Profeti (a.s.) paralajmëronte për “shtatë gjërat shkatërruese” midis të cilave radhiste edhe “marrjen e jetës”, të cilën Zoti e ka bërë të shenjtë me përjashtim të rastit kur kjo bëhet për një çështje të drejtë”. Një hadith tjetër tërheq vërejtjen se “Ata që vrasin një jomusliman i cili kishte bërë marrëveshje me muslimanët ose një jomusliman i cili e ka pranuar autoritetin Islam, nuk do të hyjnë në Parajsë”.

Dijetarët islamë kanë bërë kategorizime të ndryshme të llojeve të vrasjeve. Sipas shkollës Hanefi ekzistojnë pesë kategori: vrasjet e qëllimshme, vrasjet pothuajse të qëllimshme, vrasjet aksidentale, vrasjet pothuajse aksidentale dhe vrasjet me anë të dikujt tjetër. Sipas shumicës dërrmuese të dijetarëve (gjuhësisht të njohur si xhumhur), duke përfshirë është dijetarët Hanbeli dhe Shafi, numri i kategorive është tre, ndërsa sipas dijetarëve Maliki është dy. Ne këtu do të ndjekim linjën e kategorizimit në tre tipe vrasjesh, pikërisht vrasjet e qëllimshme, vrasjet pothuajse të qëllimshme dhe vrasjet aksidentale.

Vrasja dhe dënimi për të në Kur’an

Pasi përcakton se marrja e një jete është e ndaluar nga ana fetare, Kur’ani vazhdon me caktimin e dënimit si ndëshkim për këtë vepër. Megjithatë, nëse trashëgimtarët e viktimës nuk janë të kënaqur me shpagimin në këtë botë, nxitet edhe rruga e shpagimit me anë të bamirësisë (2:178; 5:45) dhe parashtrohet si alternativë edhe zjarri i përjetshëm në botën tjetër në rast se Zoti nuk e fal (4:93, 39:5). Në fakt për ata që besojnë, dënimi i jetës tjetër është një dënim real, dënim i vërtetë, dënimi më i madh dhe më i tmerrshëm. Është për t’u theksuar se të qenurit i dënuar nga një ndëshkim në mbretërinë e përjetësisë si pasojë e vrasjes së dikujt, është një dënim tmerri i cili bën që një besimtar të dridhet nga frika dhe e ndalon atë që ta çojë madje edhe nëpër mend një veprim të tillë. Nga ky këndvështrim, dënimet që kanë të bëjnë me botën tjetër, përbëjnë një bllokadë të fuqishme etike. Për këtë arsye Zoti i Madhëruar deklaron:

“Kush mbyt një besimtar me qëllim, dënimi i tij është Xhehenemi (ferri, zjarri), në të cilën do të jetë përgjithmonë. Allahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh” (4:93)

Nuk ekziston faj tjetër në Kur’an i cili të ketë një kërcënim kaq të egër në lidhje me të.

Ajeti më i plotë në Kur’an rreth ligjeve që kanë lidhje me krimin e vrasjes dhe me dënimin për të, gjendet në suren Bekare:

“O ju që besuat, ju është bërë obligim gjurmimi për dënim për mbytje; i liri për të lirin, robi për robin, femra për femrën. Kurse atij që i falet diçka nga vëllai vet atëherë ajo le të përcillet kuptueshëm dhe shpagimi atij le t’i bëhet me të mirë. Kjo është një lehtësim dhe mëshirë prej Zotit tuaj. E kush tejkalon pas këtij (pajtimi) ai ka dënim të hidhët”. (2:178)

Ky ajet përcakton se shpagimi apo kisas-i është një kusht i cili mund të anashkalohet nëse njëri nga trashëgimtarët e të mbyturit fal dhe nëse kjo (falja) është veprimi më i mirë dhe më i favorshëm. Është e lejueshme që të arrihet një marrëveshje për një vlerë të caktuar monetare, si dëmshpërblim në vend të shpagimit me jetë. Ky ajet shpall barazinë e të gjithëve me respektimin e “të drejtës për të jetuar”.

Ai e modifikon ligjin Judaik në terma juridikë sipas të cilit falja është e papranueshme si dhe ligjin Kristian sipas të cili nuk lejohet vrasja si shpagim për vrasjen. Ai i jep prioritet dëmshpërblimit monetar në vend të shpagimin me kokë, duke i dhënë fund traditës dhe ligjeve të gjakmarrjes të arabëve, sipas të cilëve lejohej marrja e jetës njerëzore në emër të nderit, të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të cilat nuk e përfillin parimin e barazisë në të drejtën për të jetuar. Sipas dijetarëve muslimanë, në tekstin origjinal të Biblës, falje dhe dëmshpërblimi monetar nuk ekzistojnë; ekziston vetëm dënimi me vdekje. Në fakt, Profeti, paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë se: “Për bijtë e Izraelit nuk ekzistonte dëmshpërblimi, ekzistonte vetëm shpagimi me kokë”. Ky hadith mbështetet nga vargu i mëposhtëm i cili gjendet në Biblën e sotme:

“Ju nuk duhet të pranoni dëmshpërblim nga vrasësi i cili meriton vdekjen në këmbim të jetës së tij: ai patjetër duhet të vritet”. (Numrat 35:31)

Sipas Biblës nuk është e mundur t’i shpëtohet vdekjes duke paguar para.

Falja dhe dëmshpërblimi

Islami si një kod penal e lejon hakmarrjen pas dëmtimit; drejtësia kërkon reciprocitet në mbrojtjen e vlerave të pacënueshme (2:94). Megjithatë nuk kërkohet me çdo kusht hakmarrja duke vepruar në të njëjtën mënyrë për një të keqe që i është bërë dikujt. Në shumë ajete kur’anore, njerëzve u bëhet thirrje që t’i falin keqbërësit prej të cilëve kanë vuajtur, sepse kjo është sjellja më e virtytshme. P.sh.:

“Mos e harroni bamirësinë dhe tolerancën në mes jush. Vërtet Allahu e sheh atë që veproni.” (2:237)

“Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Atëherë ktheje në mënyrën më të mirë sepse atëherë ai me të cilin kishe një farë armiqësie, do të të mbetet mik i afërt.” (41:34)

“Ndëshkimi i së keqes bëhet me një të keqe të së njëjtës masë, e kush fal e bën pajtim shpërblimi i tij është tek Allahu. Vërtet Ai nuk i do keqbërësit.” (42:40)

“E kush bën durim dhe fal, s’ka dyshim që ai është virtyti më i lartë.” (42:43)

Islami gjithashtu paralajmëron që të mos tejkalohen kufijtë kur ekzekutohet dënimi si hakmarrje për një të keqe që është bërë. (17:33)

Këtu duhet të nënvizojmë se individët duhet të nxiten që të falin keqbërësit për andrallat që u kanë sjellë. Megjithatë individët nuk kanë autoritet që të falin dhunimet e bëra ndaj shoqërisë, për dhunimin e vlerave të shenjta apo për vlerat e caktuara nga Zoti. Ashtu si shoqëria dhe qeveria nuk mund të falin një dëm të shkaktuar mbi individin, edhe individi nuk ka të drejtë të ushtrojë të drejtën e faljes për një krim të kryer ndaj shoqërisë. Kur’ani gjithashtu e paralajmëron shoqërinë në lidhje me ekzekutimin e dënimeve dhe këshillon qëndrimin brenda kufijve të mëshirës:

“Kush ju sulmon juve, kthejani edhe ju në atë masë. Kini frikë nga Allahu dhe ta dini se Allahu është me të devotshmit.” (2:194)

Kur’ani vë në dukje një çështje të rëndësishme në lidhje me dënimin ndaj vrasësit, e cila nuk përmendet në Bibël; e drejta e faljes e ushtruar nga trashëgimtarët e viktimës. Kjo gjë paraqitet në ajetin e mëposhtëm:

“Atij që i falet diçka nga vëllai i vet atëherë ajo le të përcillet kuptueshëm dhe shpagimi atij le t’i bëhet me të mirë. Kjo është një lehtësim dhe mëshirë prej Zotit tuaj.” (2:178)

Këtu ka një ngushëllim për vrasësin; falja e dënimit është e mundur. Gjithashtu kjo është një ngushëllim edhe për familjen e viktimës; pranimi i kompensimit është i lejuar. Pasja në dispozicion të këtyre tre mundësive zgjedhjeje (hakmarrje, falje dhe kompensim) është një ngushëllim i Zotit mbi shoqërinë muslimane. Kjo është një dhuratë e cila kërkon mirënjohjen e muslimanëve. Ky është një mjet ligjor i cili u është dhënë muslimanëve në mënyrë që t’ua bëjë të mundur njerëzve të vazhdojë të jetojnë jetën, duke vendosur pajtimin pa marrë jetë të tjera njerëzish. Në fakt, Profeti (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të), e sqaroi këtë çështje me fjalët e mëposhtme:

“Kushdo që vritet qoftë edhe padrejtësisht, trashëgimtarët e tij kanë mundësi të zgjedhin njërin nga tre opsionet e mëposhtme: ekzekutimin, faljen ose kompensimin. Nëse ai zgjedh një alternativë të katërt pengojeni atë.”

Nëse familja e vrasësit i jep një sasi të caktuar parash familjes së viktimës, ekzekutimi anullohet menjëherë para trupit gjykues, ngaqë të dyja palët kanë arritur një marrëveshje paraprake. Pastaj të dyja palët janë të detyruara t’u përmbahen kushteve të paracaktuar në traditat, domethënë familja e viktimës duhet të tregojë mëshirë dhe falje ndërsa ajo e vrasësit nga ana e saj duhet të paguajë shumën e parashikuar të dëmshpërblimit. Nëse vrasësi është falur pa pasur më parë një marrëveshje dëmshpërblimi, atëherë familja e viktimës duhet t’i përmbahet kësaj fjale dhe nuk duhet të pretendojë tjetër gjë më vonë. Meqë shpagimi i pjesshëm nuk është i mundur, falja është absolute edhe nëse ajo është e pjesshme. Në mënyrë të ngjashme nëse një i moshuar nga familja e viktimës e fal vrasësin, ajo konsiderohet si falje absolute nga e gjithë familja.

Privimi nga e drejta e testamentit dhe trashëgimisë

Jashtë rregullave të mësipërme në Islam, ekziston një rregull tjetër i cili gjendet në Sunetin e Profetit (a.s.), i cili e ndalon një vrasës të jetë trashëgimtar i viktimës. Është e njohur gjerësisht nga dijetarët fakti se vrasja si një krim në vetvete, përbën pengesë për të drejtat në lidhje me trashëgiminë. Profeti raportohet të ketë thënë në lidhje me këtë çështje: “Nuk ka testament për vrasësin”. Në një hadith tjetër thuhet: “Një vrasës nuk mund të përfitojë asgjë si trashëgimi”. Kështu, nëse një pasardhës i një personi i cili ka të drejtë testamenti vret pasardhësin e tij, ai privohet nga testamenti dhe trashëgimia. Juristët Hanefi theksojnë se krimi duhet të kryhet direkt nga vrasësi në vend të implikimit indirekt apo të paqëllimshëm (tasabbub) në vdekjen e dikujt. Në mubasheret nuk bëhet ndonjë dallim nëse vrasësi vepron qëllimisht apo aksidentalisht.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.