• Home
  • Artikuj
  • Deklaratë e Fethullah Gylenit në lidhje me fjalimin e Papa Benediktit XVI

Deklaratë e Fethullah Gylenit në lidhje me fjalimin e Papa Benediktit XVI

Dijetari i famshëm musliman Fethullah Gylen, ka bërë një deklaratë në lidhje me komentet e ditëve të fundit të Papës gjatë fjalimit të këtij të fundit në Universitetin e Regensburgut.

Gyleni e quajti të padenjë gjuhën e përdorur nga Papa në një kohë kur toleranca dhe mirëkuptimi duhet te predikohen nga njerëzit fetarë.

Më poshtë po japim deklaratën e plotë të Gylenit:

Deklaratat ofenduese të Papa Benediktit XVI nuk mund të gjenden në asnjë prej mesazheve të predikuara nga profeti dhe njeriu i parë Ademi, e deri tek Muhamedi (a.s.), e as të dijetarëve të mëdhenj muslimanë. Sa për ndryshimet, grindjet dhe mosmarrëveshjet ndërmjet besimeve të mëdha Abrahamike, ato nuk kanë qenë grindje në fe dhe besim, të cilat janë edhe mesazhet origjinale të dërguara nga Zoti. Por ndryshimi i vlerave fetare dhe principeve të fesë gjatë kohës është bërë prej atyre të cilët e përdorin fenë si një mjet për të arritur ambiciet vetjake dhe për të përparuar në interesat e tyre personale, ndërkohë që zemrat i kanë të mbushura me mëri dhe urrejtje për të tjerët.

Ata të cilët i referohen Islamit si ideologji politike, herë të ndikuar nga paragjykime dhe herë nga sjelljet e këqija të atyre që duken si muslimanë, nuk kanë mundur ta shpëtojnë vetveten nga këndvështrimi i tyre se Islami është fe e dhunës dhe urrejtjes. Ta thjeshtosh Islamin me një sistem dhune dhe barbarizmi, rrjedh nga të njëjtat shkaqe të asaj injorance dhe paragjykimi. Është shumë fatkeqësi të shikosh liderin fetar të më shumë se një miliard besimtarëve Katolikë të lëshojë deklarata të tilla provokuese, moralprishëse dhe të pabaza rreth fesë së Zotit.

Mesazhi i Islamit është një mesazh melodik i paqes, një muzikë e harmonisë shoqërore, fllad i tolerancës dhe dialogut. Rëndomësia, vrazhdësia dhe ashpërsia, janë pasqyrime të shpirtrave të atyre që bartin paragjykime dhe të ithtarëve injorantë.

Në një zemër ku ka zënë vend besimi islam, nuk ka gjë tjetër veçse dashuri, mirëkuptim dhe tolerancë për jetën që buron direkt nga dashuria e Allahut.

Nga ana tjetër, bota jonë e lodhur nga luftërat dhe betejat e shumta prej shekujsh, po tregon edhe njëherë shenja për konflikte të reja për shkak të oreksit të pangopur për përfitime materiale. Në një kohë kur gjëja më e përgjegjshme për t'u bërë duhet të jetë thirrja për tolerancë dhe mirëkuptim, deklaratat indiferente të shkëlqesisë, janë akoma më të dëmshme dhe fatkeqe. Pak kohë më parë, për shkak të deklaratave të tilla dhe veprimeve të bëra në të shkuarën si dhe për rolin e saj në kryqëzata, Vatikani ndjeu nevojën për të kërkuar falje. Por fatkeqësia më e madhe është se fjalimi i Papa Benediktit XVI në Universitetin e Regensburgut, u kuptua se ishte e marrë nga një faqe prej kohës së Perandorit Bizantin Michael Paleologos, kohë e cila nuk përshtatet me pozicionin ku duhet të gjendet Papa në botën e sotshme.

Urimi im i sinqertë është që sjellja aktuale e Papës të mos hapë dyer vërshimi drejt një vale trazirash në botë, sepse së bashku me ndikimin e postit të tij, ai me fjalimin e bërë, duke nëpërkëmbur besimin hyjnor të Islamit dhe duke përdorur fraza ofenduese për Profetin Muhamed (a.s.), ka ofenduar dhe ka thyer zemrat e besimtarëve muslimanë.

Përdorimi i fjalëve të tilla nga lideri i botës Katolike me më shumë se një miliard njerëz, vetëm ka inkurajuar grupet radikale me mentalitet kryqëzatori për të shkaktuar kaos në botë.

Unë uroj përzemërsisht që muslimanët, duke pritur të paktën një kërkim faljeje nga papa - gjë e cila është e drejta e tyre e natyrshme - do të reagojnë për këtë ngjarje fatkeqe në mënyra të civilizuara, duke ndjekur principet e Islamit të mësuara nga profeti i paqes, që ne të parandalojmë ngjarjet e ngjashme të karikaturave, të cilat nuk kanë shumë që kanë ndodhur.

Episodi i fjalimit të Papës na rikujton edhe njëherë se familja njerëzore sot ka nevojë më shumë se kurrë për tolerancën dhe mirëkuptimin. Gjëja më e rëndësishme në një botë globale është që ne të lëmë mënjanë ndryshimet tona ideologjike, kulturore, fetare e politike dhe të provojmë të jetojmë së bashku me principet e pandara - të cilat janë në përputhje me natyrën njerëzore - të sjella nga i dërguari i Zotit për lumturinë e njerëzimit.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2021 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.