Intervistë e gazetës “Daily Nation”

Pyetje: Cili është misioni i jetës tuaj dhe çfarë mesazhi do t’u jepnit njerëzve?

Nuk besoj se unë si person përfaqësoj ose jam një mision më vete. Mundohem të jem një njeri si gjithë të tjerët. Mua më mjafton nderimi që Zoti më ka dhënë duke më krijuar si “njeri”. Sigurisht që njeriu është një krijesë që kërkon të kuptohet. Njeriu i ngjan asaj farës së vogël që mbillet, rritet dhe kërkon të arrijë fazën e pjekurisë. Fuqia hyjnore i ka dhuruar farës mundësi zhvillimi dhe për t’ia arritur këtij qëllimi ajo mbillet në tokë. Nëse ajo nuk gjen një ambient të tillë ose pengohet nga ndonjë gjë e dëmshme, mbetet aty ku hidhet dhe nuk lulëzon, por kalbet. Nga ana tjetër, nëse kjo farë gjen kushtet e përshtatshme për t’u zhvilluar, i shpëton kalbjes dhe arrin të bëhet një pemë që jep fruta të mrekullueshëm. Pra, nga një farë aq e vogël, ajo fiton përfaqësimin e një tërësie.

Po kështu, Dora e të Plotfuqishmit, edhe njeriut i ka dhënë mundësi të pafundme. Nga këto mundësi, fara e vogël e hedhur në tokën shpirtërore gjelbërohet me ujin e besimit dhe adhurimit, dhe nëse aspektet shpirtërore i përdorim në drejtim të qëllimit të të krijuarit, degët e tyre zgjaten deri në pafundësi duke u kthyer në pemë me fruta të mrekullueshme që të japin lumturi në këtë botë, e begati në botën tjetër dhe mirësi të pafundme në parajsë.

Pra, ne si njerëz, jemi dërguar në këtë botë që me anë të dijes dhe besimit, të kuptojmë atë që është e vërtetë. Duke vënë re ndryshimin që ne kemi me krijesat e tjera dhe duke parë mundësitë që na janë dhënë, ne si njerëz na takon që me anë të rrugës së dijes dhe besimit të ndërtojmë botën dhe të vendosim paqen dhe ky qëllim na ngarkon me përgjegjësi të ndryshme përkundrejt Krijuesit të gjithësisë dhe krijesave të tjera. Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të! thotë “Njeriu më i lartësuar tek Allahu është ai që i beson vetëm atij duke mos i vënë shok dhe ai që u shërben të tjerëve”. Pra, mbret i një populli është ai që i shërben atij. Duke u bazuar në këto pika, besoj se kjo është detyra ime në këtë botë.

Si mund të përfitojmë nga feja për vendosjen e demokracisë, mirëkuptimit të dyanshëm dhe të drejtave të njeriut në botë? Cili mund të jetë roli i fesë për vënien në jetë të këtyre çështjeve?

Feja apo roli i saj nuk mund të kufizohet vetëm me këto aspekte që ju përmendët, gjithashtu ajo i garanton këto vlera. Zoti e ka dërguar fenë për lumturinë individuale dhe kolektive. Feja bazohet në besimin dhe adhurimin e Zotit. Besimi dhe adhurimi i një Zoti të vetëm bën që besimtarët të jenë më të afrueshëm me të gjithë krijesat e tjera. Sa më e lartë të jetë shkalla e besimit të njeriut tek Zoti, aq më e lartë është konsiderata e tij ndaj qenieve të tjera. Feja, e cila është një ndërmjetëse midis Zotit dhe njerëzimit, bazohet gjithashtu edhe në krijesat e tjera që i përulen sistemit hyjnor. Pra, së bashku me botën ku ne jetojmë, i gjithë universi i bindet rregullave të vendosura nga Zoti, duke formuar kështu një bashkim, rregull dhe harmoni. Ndryshimi i bindjes së njeriut ndaj Zotit me krijesat e tjera është se ne na është dhënë vullneti dhe logjika. Ky vullnet dhe detyrimet që sjell, e shtyjnë njeriun të ndjehet në harmoni me qeniet e tjera dhe nxit etikën e lartë dhe zhvillimin njerëzor. Zotit kurrsesi nuk i pëlqejnë padrejtësitë dhe mashtrimet. Ai kërkon që ne të jetojmë në paqe dhe brenda kufijve të drejtësisë. Si rrjedhim, ajo që pritet nga besimtarët, nga ata që i besojnë dhe adhurojnë vetëm Zotin, është përpjekja për nxitjen e paqes, vëllazërisë dhe drejtësisë.

Në vijë të përgjithshme, feja tregon njohuri, disiplinë, të drejtat dhe detyrimet e njeriut. Ajo është një sistem hyjnor që i tregon individit dhe kolektivit atë që është e drejtë dhe e gabuar. Në këtë mënyrë, sipas fesë, jeta është një përmbledhje e një sërë detyrash dhe të drejtash që besimtarët gëzojnë dhe janë të detyruar që t’i kryejnë. Në këtë drejtim, feja e sheh jetën si marrëdhëniet e individit me vetveten, me Zotin, me kolektivin si dhe me mjedisin që e rrethon. Si përfundim, pavarësisht se si besimtarët i ushtrojnë detyrimet fetare brenda dritës, sot, ata që pranohen si dashuri, respekt, mirënjohje, të drejta njeriut, falje, mëshirë, paqe, vëllazëri dhe liri, janë vlera që feja i përmban dhe i predikon. Sipas fesë, të gjithë njerëzit janë të barabartë dhe të njëjtë ashtu siç janë dhëmbët e një krehri. Ajo nuk pranon asnjë lloj dallimi racor, ngjyre, moshe, kombësie apo të meta fizike. Feja thotë “Të gjithë keni ardhur nga Ademi, kurse ai është nga toka. Prandaj dhe ju njerëz bëhuni vëllezër!”

Feja ka sjellë këto disiplina bazë:

  • Fuqia gjendet tek e drejta, në të kundërt e drejta nuk përkon me forcën.
  • Drejtësia dhe ligji janë baza mbizotëruese.
  • Nuk mund të cenohen në asnjë mënyrë besimi, liria e mendimit, jeta, pasuria personale, e drejta për krijimin e familjes, mendja dhe shëndeti trupor tek njeriu.
  • Mbrojtja e të fshehtës dhe paprekshmërisë individuale.
  • Askush nuk ka të drejtë të fajësojë tjetrin pa patur prova dhe askush nuk ka të drejtë të mos dënojë tjetrin për arsye afrimiteti.
  • Me qëllim të jetës në kolektiv, individët janë në gjendje që të bashkëpunojnë së bashku në paqe.

Duke iu bazuar fesë, në jetën sociale si bazë njihet e drejta dhe jo fuqia. Armiqësia është e papranueshme. Marrëdhëniet midis njerëzve duhet të krijohen duke u bazuar në besim, dashuri, ndihmë, mirëkuptim, respekt reciprok dhe jo mbi mosmarrëveshje, zënka apo interes. E drejta sjell bashkim, rritjen e vlerave njerëzore, ndihmë dhe konsulencë. Kurse besimi është burim i vëllazërimit. Gjithashtu, sipas fesë, të gjithë njerëzit janë krijesa të Zotit dhe askush nuk është më i lartë se tjetri përsa i përket vetive që janë jashtë vullnetit të njeriut si raca, ngjyra apo familja. Për këtë arsye, mbizotërojnë ligjet dhe askush nuk mund të jetë më sipër se ata. Ligjet zbatohen në mënyrë të barabartë për këdo dhe gjykatat punojnë sipas rregullave juridike. Feja e llogarit pasurinë e kolektivit dhe thesarin e shtetit si diçka amanet. Gjithçka që del nga ky thesar bazohet mbi të drejtën dhe rregullat ligjore. Marrëdhëniet që çdo individ drejtues ka me thesarin është e njëjtë me atë person që i dorëzohet me amanet të përkohshëm.

Vjedhja, grabitja, cenimi dhe dhuna janë ndër mëkatet më të mëdha te Zoti. Feja urdhëron drejtësi, mirësjellje ndaj prindërve, të afërmve, të varfërve si dhe ndihmesë që mund t’i jepet rrugëtarëve. Ajo ndalon abuzimet seksuale, padrejtësitë që mund t’u bëhen të varfërve dhe jetimëve si dhe hilet në peshore. Ajo urdhëron në këtë mënyrë: “Mos flisni në ato tema që nuk i dini, flisni me gjuhë të ëmbël ndaj njëri tjetrit, mos mbani inat dhe mos i flisni me tone të ashpra njëri tjetrit, jini zotërues të veprimeve që bëni, askush s’ka të drejtë të tallet me tjetrin dhe ti ngjisë nofka të këqija, largohuni nga mendimi i keq dhe i gabuar për të tjerët, mos gjykoni dhe mos kërkoni mëkate tek të tjerët, mos hiqni dorë nga dëshira mbi të vërtetën qoftë kjo dhe në dënimin tuaj, të prindërve apo të afërmve tuaj, dhe në çdo veprim tuajin të mbizotërojë drejtësia, mëria që mund të keni ndaj një personi apo kolektivi të mos ju nxisë juve për padrejtësi ndaj tyre. Përmbahuni zemërimit tuaj dhe falini të tjerët, silluni me të mirë ndaj të keqes; bëhuni të arsyeshëm dhe të falshëm; mos përdorni pije alkoolike dhe mos luani kumar.” Gjithashtu lajmërohet në këtë mënyrë: “Ju të gjithë jeni njerëz dhe para Zotit jeni të barabartë. Por ata që i frikësohen Zotit, ata që janë besimtarë të vërtetë dhe me fjalë dhe me sjelljet e tyre përfaqësojnë të vërtetën, nderohen dhe lartësohen. Lindja, ngjyra apo raca nuk mund të jenë gradë madhësie. Të gjithë do të vdisni dhe do të përballeni me një gjykim madhështor ku do të jepni llogari për ato që keni bërë në këtë botë. Ato ditë korrupsioni dhe mirësia nuk do të kenë vlerë; e vetmja gjë e pranueshme do të jetë besimi i vërtetë dhe vepra e pastër.” Shkurtimisht, feja, nëse mësohet dhe jetohet me të vërtetë ashtu siç është, me të gjithë të drejtat dhe liritë e njeriut, do të jetë çelësi dhe garancia e lumturisë për këtë jetë dhe për jetën e amshuar.

A shpresoni për arritjen e paqes në botë, ndërkohë që çdo ditë e më shumë vërejmë shtimin e krimit dhe të këqijave sociale?

Njeriu është fëmijë i shpresës dhe jeton aq sa shpreson; ai, në momentin që humb shpresën, edhe pse fizikisht duket sikur jeton, do të thotë që zjarri i jetës i është shuar. Shpresa është në përpjesëtim të drejtë me besimin. Për këtë arsye, besoj dhe shpresoj që bota e së ardhmes do të jetë më e lumtur, më e pastër dhe më e mëshirshme. Një zhvillim dhe një e vërtetë që na shton këtë shpresë, që ndoshta tani është akoma në fazat e para të saj, është afrimiteti midis krerëve myslimanë, të krishterëve dhe çifutëve. Unë personalisht kam pritur dhe pres një botë parajsë ku njerëzimi të jetojë në lumturi dhe paqe. Tashmë kjo botë e vjetruar duhet të jetë mërzitur nga luftërat dhe përplasjet e shumta. Për këtë arsye, ajo tashmë nuk ka nevojë vetëm për ajër, ujë dhe bukë, por edhe për mëshirë, mirësi, qetësi shpirtërore dhe paqe. Duke u bazuar në këtë, mendoj se të gjithë popujt e shteteve të ndryshme janë të gatshëm për një botë të tillë. Pra, njerëzit tani do të ndjejnë nevojën e ndihmës dhe bashkëpunimit me njëri-tjetrin; sot, bota jonë sa vjen e globalizohet çdo ditë e më shumë duke u shndërruar në një fshat ku informacioni dhe udhëtimet e shumta po rriten gjithmonë e më shumë dhe ne si njerëz ndihemi si të mbyllur mes katër mureve të shtëpisë.

Gjeneratat e mëparshme kanë përjetuar një përplasje që nuk duhet të ekzistonte: atë midis fesë dhe shkencës. Kjo përplasje lindi shkencën materialiste dhe kjo industrinë gjigante të armëve, duke i hapur udhë kështu armatosjes në përmasa kolosale dhe ndotjes së mjedisit në përmasa të frikshme. Ndërkohë që shkenca studion njeriun dhe natyrën që janë vepër e Diturisë, Vullnetit dhe Fuqisë së Zotit, s’ka se si të përplaset me fenë, e cila është urdhër i Zotit që mund ta gjeni në tre librat e shenjtë Kuran, Bibël dhe Teurat. Por, si rezultat i përpjekjeve të shumë dijetarëve dhe shkencëtarëve myslimanë dhe të krishterë, ka nisur të kuptohet se konflikti disashekullor fe-shkencë, më së paku është i panevojshëm. Shpresoj që një botëkuptim i tillë do ta parandalojë ose të paktën do ta kufizojë shkencën përsa i përket ndotjes dhe shkatërrimit të “natyrës”.

Fundi i konfliktit fe-shkencë, do të sjellë afrimin e fesë me shkencën dhe përkrah saj një sistem arsimor ku të përmbahen vlera të larta shpirtërore dhe etike. Dhe si përfundim, do të edukohen gjenerata me mendje të ndritur e me zemër të mbushur me besim.

Kjo stinë do të jetë ajo ku do të marrë fund ose do të zvogëlohet çdolloj shfrytëzimi, ngushtimi sa më i madh i dallimit i varfër - i pasur, do të arrihet ekuilibri punë - kapital - nevojë; do të jetë një stinë ku do të marrë fund dallimi racor, i ngjyrës, i gjuhës dhe i pikëpamjeve mbi botën si dhe stina ku do të njihen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Sipas jush, cilat janë problemet e Afrikës dhe si mund të zgjidhen ato?

Për popujt e Azisë dhe Afrikës tre janë armiqtë kryesorë: injoranca, varfëria dhe përçarja. Kundrejt këtyre duhet të luftohet me dinamikat e dijes, punës dhe bashkimit. Me dituri mund të sfidosh injorancën, me punë dhe kapital sfidon varfërinë ndërsa kundër përçarjes nevojitet dialogu, mirëkuptimi dhe respekti ndaj të tjerëve. Nuk dua të lë pa përmendur dhe diçka, në burim të çdo problemi gjendet njeriu vetë, si rrjedhim, njeriut i duhet të largohet nga të qenit problem dhe rruga për arritjen e lumturisë së vet dhe botës së tij kalon nga arsimimi. Shkaku më i madh i përçarjes sot, janë dallimet etniko-racore. Sot, në një botë që po zvogëlohet nga dita në ditë dhe po krijohen aleanca mes vendesh të ndryshme dhe kur njerëzit për qëllime të ndryshme po afrohen gjithmonë e më shumë, është e vështirë të kuptosh këto ndarje të panevojshme dhe shumë të dëmshme.

Si shkaqe të përçarjes mund të përmendim disekuilibrin në fushën ekonomike, mosshpërndarja e drejtë e të ardhurave në shoqëri të ndryshme si dhe mungesa e institucioneve që luajnë rolin e urës midis individit dhe kolektivit. Gjithashtu mosvendosja në vendin e duhur e forcave në mekanizmin drejtues, moszbatimi i mënyrave demokratike në zgjidhjen e problemeve si dhe mosekuilibrimi i lidhjes ligj - forcë - urtësi, janë të tjera shkaqe që mund t’i shtohen. Çështje të tjera mund të përmendim edhe fanatizmat, dëshirat, emërimi dhe përcaktimi i shumë gjërave sipas iniciativës së disa individëve të veçantë, problemet ekzistuese që ekzistojnë në fushën politike dhe administrative. Një tjetër rrezik që rrezikon popujt aziatikë dhe afrikanë, është prishja që ka filluar në kulturë dhe moral që po përhapet si sëmundja e verdhëzës. Ky demoralizim po trondit të gjithë vlerat që mbajnë këta kombësi në këmbë. Si përfundim mosbesimi dhe demoralizimi po depërton thellë në mosrespektimin e atyre që janë të shenjta për këto kombe.

Ashtu siç është nevoja për një fokusim mbi ato pika që janë të përbashkëta dhe kërkimi i zgjidhjeve në mënyrë logjike, po ashtu, të domosdoshme janë edhe paqja, bashkimi dhe bashkëpunimi, aktorë këta që përbëjnë bazën e lumturisë në kolektiv. Për këtë gjë është e domosdoshme largimi dhe paragjykimi ndaj të tjerëve dhe duhet që njeriu të drejtën dhe të bukurën të mos e shohë vetëm në vetvete. Duhet të këmbëngulet mbi dallimet që po ndodhin përsa i përket racës, ngjyrës, përkatësisë etnike, etj, faktorë këta që ndikojnë në përçarjen midis individëve. Ne duhet të sillemi në mënyrë të tillë që të respektojmë rregullat sociale të shoqërisë duke mos cenuar askënd. Të gjitha këto do të arrihen duke parë pikat e përbashkëta dhe faktorët jetikë që na shoqërojnë gjithmonë.

Vazhdimësia dhe fuqizimi i popujve dhe kombeve Afrikane do të arrihet së pari me aleancat me vendet fqinjë dhe më pas me ato shtete që kanë pika të përbashkëta, por që në asnjë mënyrë nuk duhet nxitur armiqësi me ndonjë shtet tjetër. Krijimi i këtyre aleancave është i nevojshëm dhe i domosdoshëm dhe ky duhet jetë një ndër detyrat e para të këtyre vendeve. Në vend të armiqësive duhet të përqafohen miqësitë.

Çështja Izrael - Palestinë ka kohë që vazhdon. Myslimanët dhe të krishterët e lindjes së mesme nuk i besojnë njëri-tjetrit. Si mendoni se mund të zgjidhet kjo çështje dhe cila është mënyra që njerëzit e kësaj pozite gjeografike do të kuptojnë dhe arrijnë paqe dhe lumturi?

Çështja Izrael - Palestinë tanimë nuk i intereson vetëm këtyre dy shteteve, por të gjithë kësaj hapësire gjeografike, madje ka arritur në një çështje që i përket paqes botërore. Personalisht, aktet që disa grupe palestineze ndërmarrin në emër të fesë Islame, i shoh me dyshim. Ushtria Çlirimtare e Palestinës që në fillim ka ndjekur një rrugë me ulje dhe ngritje. Për këtë arsye, nuk jam i sigurt nëse kjo lëvizje po i sjell apo do t’i sjellë ndonjë përfitim popullit palestinez. Për më tepër, nëse çështjen e shohim në mënyrë të vetëdijshme, duke parë kushtet dhe gjendjen ku ky vend ka përfunduar, duket hapur se rezultati nuk është shumë i kënaqshëm. Me këto kushte, të paktën momentalisht, nuk duhet të gjykohet si një çështje fetare. Pasi në një terren kaq konfuz, feja mund të keqkuptohet dhe të keqpërdoret. Së dyti, feja edhe në këtë zonë, edhe në botë, duhet t’i shërbejë paqes.

Gjithashtu nuk duhet të neglizhojmë edhe aspektin psikologjik të çështjes. Pra, zona për të cilën flasim, është e shenjtë si për myslimanët, ashtu dhe për të krishterët e çifutët. Historia tregon se të gjithë profetët kanë predikuar në këtë vend. T’i besosh profetëve që Zoti u ka dërguar bijve të Izraelit dhe profetëve të tjerë është një kusht themelor i besimit Islam. Myslimanët, të krishterët dhe çifutët i pranojnë këta profetë. Për më tepër, pikat e përbashkëta që ekzistojnë midis këtyre tri feve nuk janë më të pakta se kontradiktat. Për këtë arsye, të gjitha këto ngjashmëri, që normalisht duhet të stimulojnë bashkëjetesën në paqe, fatkeqësisht, për disa arsye politike, u hapet rrugë konflikteve dhe kontradiktave. Pra, çështja Izrael- Palestinë, duhet të gjykohet sipas rregullave ndërkombëtare duke gjetur zgjidhje të tillë që kënaqen të gjithë palët dhe të garantojë liritë, sigurinë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Ka nga ata që barazojnë Islamin me terrorizëm dhe terrorizmin me Islamin. Ç`mendoni mbi këtë?

Së pari dua të theksoj diçka; Një fe e dërguar nga Zoti, sido që ajo të quhet, qoftë feja islame, qoftë ajo çifute apo e krishterë, jo vetëm që nuk e urdhëron terrorin, por ç’është më e rëndësishme, as që nuk e lejon atë. Në radhë të parë, jeta e njeriut është shumë e rëndësishme për Zotin. Në këtë drejtim, Zoti me fenë që ka dërguar, e ka konsideruar atë si një nga vlerat më kryesore. Kështu që Islami e sheh jetën e një individi si një të tërë, pra, vrasjen e një personi, e njëson me vrasjen e të gjithë njerëzve dhe shpëtimin e një personi e pranon si shpëtimin e të gjithëve. Përsa i përket të drejtës, duke deklaruar “se nuk ka të drejtë të vogël apo të madhe”, e ka konsideruar të njëjtë të drejtën e një individi me atë të një kolektivi, dhe asnjërën prej tyre nuk e ka sakrifikuar për tjetrën.

Së dyti, Islami i urdhëron besimtarët që në aktivitetet e tyre të kenë për qëllim të drejtën dhe atë që është legale dhe thekson se mjetet për të arritur këtë qëllim duhet të jenë domosdoshmërisht legale, si dhe u kujton atyre që veprojnë apo mundohen që të arrijnë qëllimet e tyre me mjete jolegale se do të ndëshkohen me të kundërtën e asaj që synojnë të arrijnë. Nga kjo pikëpamje, mund të themi se terrori s’mund të jetë kurrsesi mjet për të realizuar qëllime në emër të fesë Islame. Edhe luftën që është një realitet njerëzor dhe dukuria që bie më shumë në sy, Islami nuk e ka konsideruar kurrë si të pëlqyeshme, fillimisht e ka lejuar vetëm me qëllim mbrojtje e, pastaj, sipas parimit të përmendur në Kuran “fitneja (fitme) është më e keqe se vrasja”, e ka lejuar luftën me qëllimin e parandalimit të luftës, ose parandalimin e shkaqeve që çojnë drejt luftës si ngatërresat, dhuna, çekuilibrit etj,. Bashkë me këtë, për herë të parë në historinë e njerëzimit, solli mbi këtë çështje kufizime tepër të rëndësishme dhe në një periudhë shumë të hershme predikoi rregullat juridike ndërkombëtare. Kësaj fushe i është dhënë aq rëndësi, saqë dijetarët myslimanë mbi këtë çështje kanë shkruar libra 13 shekuj më parë. “Mos largoni nga zemra juaj frikën ndaj Zotit. Mos harroni se nuk bëni dot asgjë pa ekzistuar dëshira e Allahut. Kujtoni gjithmonë se Islami është feja e lumturisë dhe dashurisë. Rruga, guximi dhe trimëria e Profetit (a.s) le të jenë një model për ju. Mos shkelni nëpër vreshta dhe nëpër fusha të mbjella. Mos lëndoni murgjit, priftërinjtë apo besimtarët që janë mbyllur nëpër faltore dhe jetën e tyre ua dedikojnë Zotit. Mos qëlloni mbi civilë, mos u sillni në mënyrë imorale përkundrejt femrave dhe mos lëndoni ndjenjat e të humburve. Mos pranoni dhurata nga popullsia vendase. Mos strehoni ushtarët tuaj nëpër shtëpitë e vendasve. Në asnjë mënyrë mos braktisni asnjë nga namazet. Frikësojuni Zotit dhe mos harroni se vdekja mund t’iu gjejë në çdo kohë, qoftë edhe mijëra kilometra larg fushëbetejës. Pra, gjithmonë jini të gatshëm për vdekjen që mund t’iu vijë.” Këto pra janë principet që krerët e shteteve islame u kanë kujtuar komandantëve në kohë lufte. Lufta mund të ndërmerret vetëm nga shteti dhe kjo kur nuk ka zgjidhje tjetër. Ashtu siç nuk kanë të drejtë për hapje lufte individë dhe organizata të ndryshme, po ashtu, edhe aktet terroriste që cenojnë njerëzimin nuk mund të kenë vend në fenë Islame. Kështu që, nëse në botën Islame apo gjetkë, nëse sot ekzistojnë këto fenomene, së pari ,duhet të gjendet sëmundja dhe më pas të mendohet për kurimin e saj me mënyrat më të përshtatshme.

A mund të jenë shkollat burim i paqes në një shoqëri? Çfarë sugjeroni për sistemin arsimor për të arritur këtë qëllim?

Njeriu nuk është një qenie e cila përbëhet vetëm nga trupi, vetëm nga mendja, vetëm nga ndjenjat apo vetëm nga shpirti. Trupi i tij vazhdimisht rrotullohet në rrjetën e nevojave; mendja e shtyn të mendojë për nevoja akoma më të thella që ka, për të kaluarën e tij e për dyshimet ndaj të ardhmes dhe e nxit të pyesë veten: “Çfarë jam unë? Ç’është dhe kujt i përket kjo botë? Çfarë kërkon jeta dhe vdekja nga unë? Kush dhe me ç’qëllim më dërgoi mua në këtë botë? Ku po shkoj dhe cili është qëllimi i kësaj jete? Kush është udhëzuesi im në këtë botë?”; përtej mendjes, ndjenjat kërkojnë kënaqësi më të madhe dhe shpirti që i jep identifikimin thelbësor njerëzor, pra me të gjitha këto, njeriu është një qenie e kompletuar. Sipas meje, njeriu do ta arrijë lumturinë e vërtetë vetëm atëherë kur t’i plotësohen të gjitha nevojat dhe të vlerësohet me të gjithë aspektet e tij. Në këtë pikë, zhvillimi dhe përparimi i tij në aspektin qenësor mund të arrihet vetëm me arsim.

Njeriu vjen në këtë botë me nevojën për të mësuar gjithçka. Detyra e vërtetë që i takon të kryejë në këtë botë kalimtare është marrja e patentës për të kaluar në botën tjetër duke përdorur mendjen, logjikën, sjelljen e mirë; duke qenë drejtues dhe kontrollues i zemrës dhe shpirtit; duke aktivizuar të gjithë fakultetet shpirtërore; duke kuptuar të gjitha misteret e të fshehtat që ekzistojnë, duke kuptuar kuptimin e qenies së tij dhe kështu kuptimin e plotë të të qenit njeri. Për këtë arsye, megjithëse deri tani nuk ka qenë e mundur, duhet që tani, sistemi arsimor të jetë i tillë që të përfshijë ndriçimin e mendjes me dituri dhe mbushjen e zemrës dhe shpirtit me besim e virtyte. Një botëkuptim i tillë që e lartëson nxënësin mbi krahët e dijes dhe besimit dhe e shtyn atë të fitojë pëlqimin e Zotit duke i shërbyer shoqërisë e njerëzimit, do të jetë shumë i vlefshëm për brezat e ardhshëm. Të paktën, duke e përdorur dijen për qëllime të mira, do ta shpëtojë atë nga aspektet e dëmshme dhe nga materializmi që e përdor atë si një armë asgjësuese. Pra, një pikëpamje e tillë, do të parandalojë fenë të jetë e çalë dhe shkencën të verbër. Atëherë, dhe feja nuk do të jetë larg mendjes, e shkëputur nga jeta dhe shkenca dhe nuk do të jetë një institucion fanatizmi që vendos mure mes njerëzve dhe popujve.

Shpeshherë flasim për globalizmin si rezultat i zhvillimit të telekomunikacionit dhe zvogëlimit të distancave. Tanimë, popujt, sado larg që të jenë, po bëhen fqinjë. Por kjo nuk do të thotë se popujt do të humbasin traditat kombëtare të tyre. Përkundrazi, këta do të vijojnë duke mos i hapur rrugë konfliktit, por duke mbetur si faktorë që do të shtojnë e zbukurojnë mozaikun e këtyre popujve dhe shteteve. Tek ne ka një fjalë të urtë “njeriu ka nevojë edhe për hirin e fqinjit”. Nëse ju nuk keni as hi për t’i dhënë fqinjit, atëherë mos prit asnjë vlerësim nga të tjerët. Ndërkohë, çdo popull ka ç`të japë dhe ç`të marrë nga popujt e tjerë. E ndër mjetet më tepër efikase në këtë bashkëveprim patjetër që janë shkollat dhe institucionet arsimore.

Kur folëm për Afrikën, thamë se tre armiqtë kryesorë ishin injoranca, varfëria dhe përçarja. Injoranca mund të marrë fund me dituri, varfëria me punë, kurse përçarja me bashkëpunim, dialog dhe mirëkuptim. Për këtë arsye, meqenëse të gjithë problemet bien mbi njeriun, rruga e parë për të kapërcyer këtë është arsimi. Arsimi është rruga më e mirë për t’i shërbyer njerëzimit. Meqë sot po jetojmë në një botë globale, edhe shërbimi ndaj njerëzimit dhe dialogu midis qytetërimeve do të arrihet pikësëpari me arsimim.

Ne na takon që të rrisim një gjeneratë të tillë e cila përkrah mendjes dhe eksperiencës, i jep rëndësi edhe ndërgjegjes dhe botës së brendshme. Kjo gjeneratë do të kërkojë perfekten në gjithçka, do të vendosë ekuilibrin midis kësaj bote dhe asaj që na pret si dhe do të forcojë lidhjen mendje-zemër. Po ashtu, ky brez do të mendojë, besojë, studiojë dhe do të pajiset me vlerat më të larta morale. Nuk do të braktisë kurrë vlerat morale kur të përdorë të gjithë këto kushte moderne. Kjo gjeneratë e dashuruar pas së drejtës dhe përfaqësuese e sigurisë, nuk do t’i kushtojë rëndësi jetës materiale, rehatisë dhe luksit. Të gjithë këto mirësi që u ka dhuruar Zoti do t’i përdorin për të mirën e njerëzimit.

Gjenerata e re do të jetë e tillë që do të luftojë vazhdimisht për rritjen e dijeve, do të edukohet me vlerat më të larta morale, me fushat më të gjera të zhvillimit, me mendimin e drejtë dhe nuk do të mjaftohet me atë që zotëron. Kjo gjeneratë e pajisur pra me vlerat më të larta njerëzore, do të parapëlqejë të tjerët në vend të vetvetes, në vend të jetës së tij do të zgjedhë atë të të tjerëve dhe do të dijë të sakrifikojë lumturinë e vet për atë të të tjerëve.

Sot thuhet se roli i fesë nuk është bashkues por përçarës. Cili është shkaku i kësaj?

Në vijim të përgjigjeve që dhashë më lart, mund të themi se: Feja, dikotominë e konsideruar fatkeqësisht antagoniste te konceptet fe-shkencë, kjo botë-bota tjetër, natyrë-Libër i Shenjtë, materie-kuptim, shpirt-trup, e përjashton dhe parandalon shkencën materialiste që është shkak i rrënimeve. Feja dhe dispozitat e Zotit do jetë ajo që do e vendosë shkencën në vendin e merituar dhe që do t’i japë fund konflikteve disashekullore ndërmjet popujve dhe shteteve.

Ne si myslimanë i pranojmë dhe e kemi si kusht të besimit besimin e profetëve dhe librave hyjnorë të dërguar popujve të ndryshëm në kohë të ndryshme: Një mysliman është ndjekës i rrugës së Ibrahimit, Musait, Davudit dhe Isait dhe gjithë profetëve të tjerë. Njeriu nuk mund të quhet mysliman në atë çast kur nuk pranon një profet ose njërin nga librat e shenjtë. Rrjedhimisht, duket fare qartë unifikimi themelor i fesë që është si një simfoni e pasqyrimeve të mëshirës së Zotit dhe mirësive të Tij dhe universaliteti i besimit fetar. Në këtë mënyrë, feja është një sistem që përqafon të gjitha racat dhe besimet dhe një rrugë që mbledh gjithkënd në mënyrë vëllazërore.

Sidoqë ndjekësit e fesë i zbatojnë ritualet gjatë ditës, dashuria, respekti, mirëkuptimi, falja, të drejtat e njeriut, paqja, vëllazërimi dhe liria janë vlera që feja i lartëson. Nuk mund të mohohet se në të kaluarën ka pasur persona që e kanë përdorur fenë për qëllime përçarjeje. Por në këtë moment, faji nuk i përket fesë, por personit përkatës. Së bashku me këtë, tanimë, pothuajse nga shumica është kuptuar që faktori fe ndikon në bashkimin e njerëzve. Për këtë qëllim, ajo patjetër që ka një funksion dhe rrjedhimisht që duhet të vendosë dialogun dhe mirëkuptimin ndërmjet anëtarëve të saj.

Dialogu ndërmjet anëtarëve të fesë është i domosdoshëm. Si hap i parë i kësaj, mund të përmendet harrimi i së kaluarës dhe siç ka theksuar një dijetar i madh mysliman bashkëkohor, duhet të lihen mënjanë polemikat e ndryshme midis feve të ndryshme dhe të vihen në plan të parë anët e përbashkëta. Ashtu siç thotë dhe Mevlana Xhelaledin Rumi “Një këmbë e kam në qendër kurse tjetra shëtit ndër 72 popuj”, na duhet të vizatojmë një rreth të gjerë ku të përfshihen jo vetëm anëtarët e feve, por i gjithë njerëzimi. Nuk duhet të harrojmë se tani ka mbaruar ajo kohë kur çështjet zgjidheshin me forcë dhe me luftë, por nevojitet rruga e dialogut dhe mirëkuptimit. Zgjidhjet që duhet ndërmarrim duhet të bazohen në fe dhe në ideologjinë e saj dhe ajo nuk duhet të keqpërdoret për qëllime politike. Feja nuk mund të përdoret për realizimin e dëshirave personale. Kur të realizohen të gjitha këto atëherë do të duket dhe imazhi i vërtetë i fesë.

Cili është mesazhi që do t’i dërgonit njerëzimit?

Personalisht nuk e shoh veten që mund të jap mesazhe për të tjerët. Por, për të sotmen dhe të nesërmen e njerëzimit, mund të them këto gjëra:

Duhet të përpiqemi që të zbulojmë vlerat e larta që fshihen tek vetë njeriu për një të ardhme sa më të mirë. Duhet të rikujtojmë edhe njëherë se për t’i shpëtuar stresit që ekziston tek njerëzit, qoftë ky stres psikologjik apo shpirtëror, si dhe për të shpëtuar nga konfliktet masive, duhet të mbështetemi tek vlerat e besimit, tek dashuria, morali i lartë, mendimi i pastër, tek dituria dhe edukimi shpirtëror.

Të besosh do të thotë të njohësh të vërtetën, të dish se si dhe çfarë është ajo; nëse është dëshirë apo dashuri, kjo duhet të jetohet në këtë jetë. Ata që nuk duan dhe nuk besojnë, nuk janë gjë tjetër veçse një trup i privuar nga jeta e vërtetë. Besimi është rruga e përqafimit të gjithë krijesave, është burim më i rëndësishëm i aksionit; kurse dashuria është faktori bazë dhe dimensioni më i lartë i mendimit njerëzor. Për këtë arsye, ata që duan ta ngrenë botën e re mbi këto virtyte të larta, së pari duhet të arrijnë majat e besimit, pastaj të ngjiten në skenën e dashurisë dhe që atje të predikojnë mesazhet e besimit dhe dashurisë. Dhe për të arritur këtë, nuk duhet harruar që duhet ndjekur rruga e drejtë dhe e moralshme.

E ardhmja e botës do përcaktohet nga ata që janë të mbushur me dashuri. Kjo e ardhme u përket atyre që vetëm buzëqeshin me dashuri, që zemrat i kanë të mbushura me dashuri, atyre në sytë e të cilëve lexohet mëshirë dhe atyre që digjen me ndjenjat e moralit të pastër human.

Ata që kërkojnë të rregullojnë botën, së pari u duhet të ndryshojnë vetë. Nëse ata kërkojnë që të tjerëve t’u dhurojnë një botë më të mirë, duhet që së pari të pastrojnë botën e tyre të brendshme nga urrejtja, inati dhe xhelozia dhe botën e tyre të jashtme ta zbukurojnë me virtyte. Fjalët e tyre që nuk kontrollojnë dhe disiplinojnë dot vetveten, edhe pse në fillim mund të duken tërheqës,e në një kohë shumë të shkurtër mund të humbin vlerën dhe t’i marrë era. Së fundi, po e përsëris edhe një herë, nuk duhet të humbim shpresën për asnjë çast. Mirësia, bukuria dhe e vërteta përbëjnë bazën e të qenit njeri. Si rrjedhojë, njerëzimi do ta zbulojë thelbin e vet, dhe në bazë të vlerave si besimi, dashuria, mëshira, dialogu, pranimi i të tjerëve, respekti reciprok, drejtësia dhe të drejtat, do të ndërtohet me siguri një botë e re.

* E përditshme që botohet në Kenia dhe në Afrikën Lindore me një tirazh ditor prej 3.5 milionë kopjesh.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.