Arsimi në përgjithësi

a. Rigjallërimi i shpirtit dhe i thelbit

Gyleni e konsideron problemin e arsimimit që rezulton i varfër apo i pamjaftueshëm si problemin më të madh të shekullit. Në shumicën e shkrimeve të tij ai e prek direkt apo indirekt këtë temë të rëndësishme. Kur ai flet për rigjallërinë, “ringjallje”, rilindje, rinovim, rikthim tek vlerat historike, si dhe rifreskimi i vlerave tona, ai e ka fjalën për arsimin. Për Gylenin, e vetmja rrugë për të kapërcyer këtë problem madhor është arsimimi i brezave të rinj të cilët ia kanë përkushtuar tërësisht veten të mirës së popullit të tyre dhe që janë të gatshëm të sakrifikojnë për popullin. Pa arsimuar dhe përgatitur të tillë individë me mendje të ndritur, nuk është e mundur as rigjallërimi shpirtëror as ai material.

Për Gylenin ekzistojnë barriera të caktuara që pengojnë këtë rigjallërim. Së pari, myslimanët në botën moderne janë larguar nga rrënjët e tyre shpirtërore dhe historike, gjë që i ka çuar në një krizë identiteti. Si rezultat i kësaj krize ekziston një mal me dobësi dhe me plasaritje në perceptimin e myslimanëve dhe në tejçimin e trashëgimisë ë tyre kulturore të cilat janë bërë të huaja për ta.

Çfarë e shkakton këtë proces? Padyshim, ky transformim ndodh në mënyrën se si perceptohet dhe praktikohet Islami. Imitimi i verbër i traditës dhe i trashëgimisë kulturore, i bazuar mbi riprodhimin përmendësh, në vend të të kuptuarit e saktë, përbën problemin rrënjësor që ka sjellë këtë ndryshim negativ dhe prapambetje të botës islame. Edukimi në botën myslimane i ka detyruar brezat e fundit ta ndajnë jetën e tyre kulturore dhe teknologjike nga identiteti i tyre historik, duke bërë kështu që subkoshienca e tyre të rrethohet nga ndikimi perëndimor. Imitimi i verbër dhe memorizimi i thatë i traditave, mund të vërehet në perceptimin e vlerave islame ashtu si në rastin e perceptimit të qytetërimit perëndimor.

Largimi nga këto vlera skllavëroi pothuajse të gjitha fushat intelektuale, kulturore dhe institucionale. Ky ishte një problem i zakonshëm i të gjithë njerëzve, në të gjitha vendet e pazhvilluara (apo që nuk ishin lejuar për t’u zhvilluar). E rrethuar nga qytetërimi perëndimor, bota myslimane përjetoi një krizë të thellë identiteti dhe personaliteti dhe, për rrjedhojë, përjetoi transformime politike, kulturore dhe sociale. Shoqëritë myslimane i kërkuan zgjidhjet për ta kapërcyer këtë frymë shkatërrimtare. Megjithatë ata nuk përdorën burimet tona historiko-tradicionale dhe potencialin tonë humano-shoqëror në drejtimin e duhur për të kapërcyer këtë proces. Kjo ndodhi për faktin se ky transformim fatkeq mendor, shkaktoi një të çarë në perceptimin e rrënjëve tona shpirtërore dhe të identitetit tonë historik.

Megjithatë, bota islame posedon mjaft potenciale njerëzore dhe shoqërore. Përgjatë shekujve, ajo ka zhvilluar një qytetërim të vlerësuar në mbarë botën; ajo zotëron shpalljen e shenjtë të Kuranit e cila ka nxitur forcimin e të gjitha llojeve të marrëdhënieve, si intelektuale ashtu dhe ato shpirtërore, ligjore dhe ndërkombëtare. Bota myslimane zotëron një trashëgimi të mrekullueshme të përvojës së grumbulluar historike. Por nën influencën e Perëndimit, shumë njerëz e kanë konsideruar këtë trashëgimi historike të vdekur dhe të panevojshme. Ata ngurronin të përfitonin nga pasuria e tyre kulturore dhe historike dhe ndërkohë përpiqeshin të ndërtonin identitetet e tyre bashkëkohore dhe të organizonin jetën e tyre sociale dhe bashkëkohore. Shumica mendonin se e vetmja rrugë për të arritur zhvillimin ekonomik dhe teknologjik ishte përshtatja e plotë dhe adaptimi i qytetërimit perëndimor dhe stilit perëndimor të jetesës. Për një kohë të gjatë, këto procese i detyruan myslimanët të kalojnë në një krizë për shkak të së cilës ata e ndjenin veten të huaj ndaj kulturës, historisë dhe traditave të tyre. Elita politike e përshtati menjëherë mënyrën e saj të jetesës me atë perëndimore, pa bërë shumë rezistencë. Por imitimi i verbër i qytetërimit perëndimor nuk e aftësoi botën islame të përparojë drejt lirisë politike dhe as nuk i dha asaj ndonjë shans serioz ekonomik dhe teknologjik.

Padyshim, kërkimi kulturor për identitet në botën islame, vazhdon. Ky proces i domosdoshëm, shtron nevojën e një rigjallërimi kombëtar të institucioneve shpirtërore. Gjatë dy shekujve të fundit, bota islame ka përjetuar përpjekje të ndryshme për “progres”, por këto përpjekje kurrë nuk kanë pasur një karakter përfshirës apo të vazhdueshëm. Ato u kufizuan në fusha të caktuara politike, administrative dhe teknologjike. Përvoja turke nuk ishte e ndryshme. Megjithëse Turqia kreu njëfarë përparimi teknologjik, ky përparim kurrë nuk arriti në atë nivel që të aftësonte popullin të rigjallërojë institucionet e tij shpirtërore. Gyleni, në një nga esetë e tij e prek këtë temë në vija të përgjithshme:

Për shekuj me radhë, bota islame endet nëpër rrethin vicioz të gabimeve, duke qenë e paaftë t’i drejtohet për ndihmë, në ndonjë rast, shpirtit dhe thelbit të vet. Sa herë që ajo ka arritur ta thyejë këtë mur dhe të bëjë dy hapa përpara, menjëherë është kthyer disa hapa pas, duke humbur në qerthullin e këtij rrethi vicioz. Kjo endje tekanjoze, apo shmangie e pafré, në të cilën ka më tepër dëm sesa dobi, dhe në të cilën e dëmshmja e dëbon tutje të dobishmen, përpjekjet e shoqërisë për të kërkuar dhe gjetur të vërtetën, pengohen së tepërmi, po ashtu siç pengohet edhe puna e bërë nga njerëzit për të dalë nga kjo situatë. Ne kemi parë në këtë botë të gjerë se si prishet çdo gjë pas riparimit dhe se si “tytat” e armëve të shteteve dhe kombeve të kthehen përsëri kundër vetvetes.

E prapëseprapë, ne besojmë në nevojën për ta hetuar botën islame së bashku me kuptimin e saj të besimit, pranimin dhe interpretimin e saj të Islamit, vetëdijen për hyjnoren, zellin dhe dëshirën, arsyen, logjikën, mënyrën dhe sistemin e saj të të menduarit, stilin e të shprehurit dhe të komunikuarit të vetvetes, si dhe institucionet e saj, të cilat do ta bëjnë njerëzimin që t’i fitojë këto cilësi dhe aftësi. Në këtë mënyrë, ne mund ta orientojmë botën tonë drejt një rilindjeje të vërtetë në të gjitha aspektet dhe elementet e saj.

Themelet e jetës sonë shpirtërore janë mendimi dhe botëkuptimi fetar. Ne, jo vetëm e kemi mbështetur jetën tonë në to, por kemi ndërmarrë gjithashtu veprime, duke u bazuar atje. Nëse do të shkëputeshim prej tyre, do ta gjenim veten njëmijë vjet pas. Feja nuk është vetëm një përmbledhje ritualesh dhe adhurimi. Qëllimi i saj është t’i japë kuptim njerëzimit dhe universit, të realizojë hapjen ndaj natyrës njerëzore në thelbin dhe shpirtin e vet, realizimin e dëshirave të cilat shkojnë përtej kësaj bote, si dhe të japë përgjigje ndaj shpalljes së të përjetshmes në ndërgjegjen njerëzore. Feja e përqafon tërësinë e jetës individuale dhe kolektive, ajo ndërhyn në gjithçka që ne kemi në mendje, zemër dhe në shpirt. Ajo i jep nuancën e vet çdo veprimi që bëjmë në përputhje me qëllimet tona, si dhe ngjyros gjithçka me ngjyrën e saj.

Boshti i çdo vepre të një besimtari është adhurimi, çdo përpjekje përmban një dimension beteje kundër dëshirave trupore (xhihadi i madh) dhe çdo veprim është i orientuar drejt botës së përtejme dhe kërkimit të kënaqësisë së Zotit. Në jetën e besimtarit nuk ekziston ndonjë ndarje midis kësaj bote dhe tjetrës, nuk ekzistojnë pengesat ndërmjet mendjes dhe zemrës. Ndjenjat e besimtarit janë gjithmonë të bashkuara me arsyen e tij dhe frymëzimi nuk shpërfillet nga gjykimi. Kështu, në botën e tij mendore, eksperienca i ngjan një shkalle prej drite që ngrihet sipër drejt mendjes, dija përbën një bastion të lartë të përforcuar me kuptim, mençuri dhe intuitë. Besimtari është si një shqiponjë që fluturon vazhdimisht drejt pafundësisë me anë të krahëve viganë të dashurisë. Ai është relievi që ravijëzon gjithë ekzistencën me anë të çekiçit dhe vulës së inteligjencës së këtij bastioni. Nga kjo pikëpamje, nuk mund të gjendet asnjë e metë në ndonjë vend, pra, nuk ekziston asnjë lloj shpërfilljeje ndaj njerëzimit, qoftë nga pikëpamja intelektuale, ashtu dhe nga ajo kolektive.

Ata të cilët e perceptojnë fenë si kundërshtare të shkencës dhe të arsyes, janë të sëmurë, janë të pavëmendshëm ndaj shpirtit të fesë dhe arsyes. Për më tepër, është tërësisht një mashtrim t’ia faturosh fajin fesë për përplasjen ndërmjet sektorëve të ndryshëm të shoqërisë. Konfliktet ndërmjet njerëzve të veçantë dhe grupeve të njerëzve, burojnë nga injoranca, nga ambicia për privilegje dhe përfitime personale, apo nga interesat meskine të grupeve, partive, apo klasave të veçanta. Feja as nuk i miraton e as nuk i fal të tilla cilësi dhe ambicie. Në fakt, ekzistojnë konflikte dhe përplasje ndërmjet disa individëve me orientim fetar, por megjithëse ata kanë të njëjtin shpirt, kjo ndodh për arsye se nuk kanë të njëjtën shkallë besimi, nuk arrijnë të ruajnë sinqeritetin, nganjëherë nuk mund të kapërcejnë mbi ndjenjat e tyre dhe thyhen nga to. Nga ana tjetër, njeriu i virtytshëm, i mbushur me besim, nuk mund t’i miratojë e as të rendë drejt këtyre mizorive. Prandaj, e vetmja rrugë për të shmangur rënien në këto situata jo të përshtatshme, është fuqizimi i fesë dhe i institucioneve të saj në jetën tonë të përgjithshme. Kështu shoqëria do të lulëzojë si një e tërë.

Bashkësia islame ka nevojë për një rigjallërim, për një reformë serioze nga pikëpamja mendore, shpirtërore dhe intelektuale. Në qoftë se përdorim një shprehje më pozitive, mund të themi se shoqëria ka nevojë për rigjallërim, për kryerjen e përpjekjeve serioze ku të ruhen parimet origjinale të fesë, shtrirja dhe universaliteti më i madh i mundshëm nga vetë fleksibiliteti i shpalljeve hyjnore në mënyrë që ajo t’i plotësojë nevojat e njerëzve në çdo fushë të jetës, në çdo vend dhe kohë, duke përqafuar kështu tërësinë e ekzistencës.

Që nga ardhja e Islamit - Zoti mos e dhëntë kurrë të privohemi nga mbrojtja e tij - ky sistem i bekuar ia ka hapur dyert ripërtëritjeve shumë herë dhe ka përjetuar shumë momente rilindjeje. Shkollat e doktrinave (medhhebet) në përgjithësi, në shumicën e tyre, përfaqësojnë zhvillime të reja në fushat e jurisprudencës dhe të ligjit, urdhrat fetarë sufi (tarikatet) punuan në drejtim të zemrës dhe të shpirtit duke i kthyer ato në autostrada të gjera, shkollat dhe medresetë gjatë gjithë kohës që funksionuan siç duhet, merreshin kryesisht me shpjegimin e kuptimit të universit dhe qenieve të tij. Përsa i përket rilindjes dhe rigjallërimit të dëshiruar për kohën e sotme, ai duhet të jetë një kombinim i të gjitha atyre sa thamë më sipër. Kjo do të bëhet e mundur vetëm duke i bashkuar ato, duke lënë mënjanë dallimet e vogla të secilit model, sepse parësor është rikthimi në besim, sinqeriteti në veprime dhe vetëdija për Zotin në mendime dhe ndjenja.

Sasia e akteve të adhurimit duhet të jetë e plotë dhe cilësia duhet të bëhet qëllim në vetvete, fjalët duhet të jenë mjetet e lutjes dhe shpirti e sinqeriteti janë thelbësore për këtë. Suneti duhet të jetë një udhërrëfyes dhe për këtë nevojitet ndërgjegje e pastër dhe në të gjitha këto Zoti duhet të jetë objektivi kryesor. Namazet ditore nuk janë një bashkësi ushtrimesh fizike, uljeje dhe përkuljeje. Dhënia e sadakasë nuk është thjesht pagesa e një takse të vogël në të holla, apo në sende për të ndihmuar fatkeqët e panjohur në vende të panjohura, apo për qëllime të panjohura. Agjërimi nuk është thjesht një dietë, apo heqje dorë nga ushqimet dhe pija, dhe haxhi nuk është thjesht udhëtim nga njëri qytet në tjetrin që të shpenzohen kursimet në valutë të huaj e në një vend të huaj. Në qoftë se të gjitha këto veprime nuk kryhen brenda hapësirës së tyre shpirtërore, si mund të quhen të ndryshme prej aktiviteteve mondane të ngjashme me to? Përqendrimi në sasinë e akteve të adhurimit mund të përbëjë vetëm një lojë fëminore, thirrjet, çjerrjet pa shpirt gjatë duave (lutjeve) mund t’i shërbejnë vetëm atyre të cilët orvaten të ushtrojnë kordat e tyre zanore, vajtja në haxh, pa qenë të ndërgjegjësuar për thelbin e tij, përbën vetëm një përpjekje për rehati personale me anë të përdorimit të titullit të haxhiut dhe anekdotave të udhëtimit. E si mund të quhen akte të mirëfillta adhurimi ato që kryhen në këtë mënyrë?!

Mënyra e vetme për të mos u përfshirë në rrjetën e këtyre negacioneve është mobilizimi në përgatitjen e “doktorëve të shpirtit dhe të realitetit thelbësor”. Vetëm përmes tyre mund të mbushet boshllëku brenda nesh, të ç’rrënjoset dobësia jonë, të shkëputemi nga të qenit robër të trupit dhe të dëshirave tona trupore dhe prej nga mund të shkojmë drejt niveleve më të larta të zemrës dhe të shpirtit. Ne kemi nevojë për ata doktorë të shpirtit dhe të realitetit, zemrat e të cilëve janë të hapura për çdo fushë të dijes, si: mendjemprehtësia, kultura, dija shpirtërore, frymëzimi dhe bekimi hyjnor, bollëku, përparimi dhe ndriçimi. Ne lëvizim nga fizika tek metafizika, nga matematika tek etika, nga kimia tek spiritualiteti, nga astronomia tek subjektivizmi, nga artet e bukura tek sufizmi, nga ligji tek jurisprudenca, nga politika tek trajnimi i veçantë përmes urdhrave të veçantë sufi. Ne nuk kemi nevojë për këtë, apo atë cilësi, apo aftësi të veçantë, por, përkundrazi, për mendje të plota gjithëpërfshirëse. Ashtu siç ka truri lidhjet dhe ndërlidhjet e tij me të gjitha pjesët dhe qelizat e trupit, që nga më e afërta e deri tek më e largëta, nga më e vogla deri tek më e madhja, me anë të fibrave nervorë, po kështu duhet të lidhet një kuadër i tillë mendjesh, i cili të komunikojë dhe të ndërveprojë me anë të atomeve, molekulave dhe pjesëzave të trupit të kombit. Kështu ai do të arrijë deri tek njësitë dhe organet që përbëjnë shoqërinë. Vetëm kështu duart e tij mund të prekin dhe të kontrollojnë të gjitha institucionet jetësore. Vetëm kështu ai do të arrijë të përcjellë me butësi tek çdo njeri, në çdo fushë të jetës, aspekte të caktuara të shpirtit dhe të realitetit. Të tilla, që të vijnë nga e kaluara dhe që fitojnë më tepër gjerësi në të sotmen, por edhe që shtrihen drejt së ardhmes.

Një plejadë e tillë doktorësh të shpirtit do t’i përqafojë të gjithë, që nga fëmijët e vëmendshëm dhe të sjellshëm të shkollave, deri tek ata të cilët sillen rrugëve. Me anë të mesazhit të shpallur në shpirtrat e të gjithëve, duke i ngritur ata në nivelin e njerëzve të cilët zotërojnë dije, aftësi dhe gjenialitet për të ardhmen, ata do t’i prezantojnë denjësisht këta fëmijë për të mirën e përgjithshme dhe dobinë e shoqërisë. Në të gjitha shtëpitë, konviktet, shkollat dhe universitet, po ashtu edhe në vendet e pushimit, të adhurimit dhe të ndriçimit shpirtëror, këta njerëz do të pastrojnë këdo nga të gjitha shtresat dhe nivelet e shoqërisë prej marrëzirave të moshës, duke i kanalizuar ata drejt përsosmërisë njerëzore.

Për më tepër, kjo plejadë njerëzish të kualifikuar do të humanizojë armën e fuqishme të medias, të përbërë nga revistat, gazetat, radiot dhe televizionet, duke i kthyer ato në zërin dhe frymën e jetës kombëtare dhe fetare, dhe nëpërmjet këtyre mediave, do t’u orientojnë ndjenjave, mendimeve dhe zërave më të errët, rrugët e duhura për t’u bërë njerëz të vërtetë.

Kjo plejadë njerëzish do t’i shpëtojë institucionet tona të edukimit dhe të shkollimit, të cilat tani veçse kanë ndryshuar formën dhe drejtimin, për shkak të devijimeve të brendshme dhe presionit nga jashtë, që kthehen nga fryn era, nën komandën dhe kontrollin e të tjerëve, duke i bërë ato të hapura dhe të përgjithshme, të afta për të përmbushur kërkesat e të sotmes, duke i ndrequr dhe riorganizuar në përputhje me këndvështrimet historike, duke i ngritur si nga stili, ashtu dhe nga metodologjia, në një standard mjaft të lartë dhe duke i kthyer në vende me qëllime dhe cilësi superiore.

Për ta përmbledhur gjithë sa thamë, ne do të largohemi prej vuajtjeve të formalizmit të vrazhdë dhe të zbrazët drejt kuptimit të vërtetë shkencor, nga veprimet e pavlera, të dobëta dhe jodinjitoze që njihen rëndom me fjalën “art”, drejt artit dhe estetikës së vërtetë, nga zakonet, huqet dhe obsesionet me prejardhje të panjohur, drejt vetëdijes dhe një morali të mbështetur në histori dhe fe, nga grackat e mendimeve të ndryshme torturuese që mundojnë shpirtrat tanë, tek kuptimi i vlerës së vërtetë të nënshtrimit, shërbimit, përkushtimit, dorëzimit dhe mbështetjes tek Zoti.

Bota po përjeton këtë valë reformash, megjithatë, ne, nuk besojmë se ndonjë gjë e re do të burojë nga rrënojat e kapitalizmit, nga fantazia e komunizmit, nga gërmadhat e socializmit, nga hibridet e socialdemokracisë, apo nga liberalizmi i venitur. Në qoftë se ka një botë vërtet të hapur drejt një rendi të ri, kjo është bota jonë. Brezat e ardhshëm, duke kthyer kokën pas, ndoshta do ta konsiderojnë këtë si “Rilindje.”

Kjo rilindje do t’i bëjë ndjenjat tona dhe horizontet e mendimit dhe të kuptimit të artit e të së bukurës që të arrijnë gjerësi të reja dhe ndryshimin më të madh që kanë pasur deri tani. Në këtë mënyrë, ne do të gjejmë kënaqësitë tona estetike, do të krijojmë muzikën tonë dhe do zbulojmë romanticizmin tonë. Duke vendosur popullin tonë, në themele të fuqishme në çdo fushë, nga shkenca tek arti, nga mendimi tek morali, ne do t’u garantojmë atyre të ardhmen.[1]

b. Rifreskimi i historisë dhe e ardhmja

Burimet e filozofisë së Gylenit rreth kulturës dhe edukimit janë të shënjuara me atë qëndrim të tij që e vë theksin tek historia dhe tradita. Ky qëndrim është radikalisht i kundërt prej atyre të cilët e distancojnë veten nga historia e tyre aq shumë sa të mos kenë një ndërgjegje, apo marrëdhënie të ngrohtë me traditat e tyre. Debatet konceptuale shpesh e izolojnë historinë dhe trashëgiminë tradicionale në pikën që ajo i ngjan një toke që është tharë nga konsumimi i tepërt bujqësor gjatë viteve me radhë.

“Rigjallërimi i historisë dhe e ardhmja”, padyshim përbën një temë të gjerë, ndaj nevojitet një libër i trashë për të diskutuar mbi tendencat e saj. Ne duhet të shkojmë përtej kapacitetit tonë intelektual dhe historisë sonë kulturore nëse duam të bëjmë një studim të plotë dhe të thelluar në lidhje me këtë çështje. Analizat konceptuale dhe teorike të së shkuarës dhe të së ardhmes përbëjnë një karvan të gjatë mendimesh dhe idesh që shkojnë përtej kufijve të këtij libri. Arsyeja për të cilën ne ndjejmë nevojën e trajtimit të kësaj çështjeje është se, kur Gyleni flet për problemet që kanë të bëjnë me kulturën dhe edukimin, ai normalisht i drejtohet një audience që tashmë ka një bagazh të caktuar mentaliteti dhe arsimi çka u mundëson atyre ta kuptojnë si duhet idenë për të cilën ai flet. Ai nuk është në krahun e grindjeve apo përdorimit të dialektikës si një mënyrë veprimi. Në shkrimet, esetë dhe ligjëratat e tij, stili dhe mënyra e tij e argumentimit u shmangen me kujdes dialektikave. Çdo lexues që ka hyrë në botën e Gylenit vëren prirjet e tij në lidhje me debatet rreth mentalitetit dhe mënyrave të veprimit në dy shekujt e fundit.

Nga këto prirje ne mund të nxjerrim si përfundim se në mënyrë të përgjithshme, si në botën islame ashtu dhe në Turqi, ekzistojnë dy lloj qëndrimesh ndaj historisë. Njëri fokusohet në trashëgiminë tradicionale dhe tjetri fokusohet në marrëdhëniet me Perëndimin. I pari sugjeron që rrënjët e ringjalljes gjenden vetëm në dinamikat e para në histori dhe tradita. Tjetri thotë se imitimi i vlerave dhe i mënyrës së jetesës së botës perëndimore do të na sjellë shpëtimin, pa pasur nevojë për t’u bazuar tek koncepti i ringjalljes së traditave tona. Këto dy tendenca mbijetojnë sot si dy përvoja të ndryshme. Megjithatë, të dyja këto tendenca shfaqen herë si këndvështrime konservatore, herë si moderne, përsa i përket qëndrimit në lidhje me kulturën e kohëve të shkuara dhe një bredhjeje nëpër qytetërimin perëndimor.

Në të shkuarën jo të largët, këto diskutime lanë një trashëgimi të varfër intelektuale. Pas ballafaqimit me Perëndimin, u formua një traditë e dy fushave intelektuale kundërshtare të cilat përkufizoheshin si modernia kundër konservatores, kombëtarja kundër perëndimores, të shkolluarit e medresesë kundër të shkolluarve në shkollat laike, etj. Metodat e të menduarit dhe të analizuarit si dhe konceptet materiale ndryshojnë nga njëri-tjetri në përputhje me lidhjet ideologjike të çdo personi. Për të njëjtin problem secili krah paraqet një rrugëzgjidhje të ndryshme. Nga njëra anë ishin intelektualët me tendenca perëndimore, të cilët, mbështesnin dhe organizonin një stil jetese laike, nën termat perëndimorizim, modernizim dhe përparim, nga ana tjetër, qëndronin konservatorët, të cilët, e vinin theksin mbi trashëgiminë tradicionale. Të tillët përdornin koncepte si reformim, rinovim dhe rilindje. Intelektualët me tendenca perëndimore zhvilluan një mentalitet në lidhje me trashëgiminë islame të bazuar mbi reformizmin dhe flakjen tutje të kësaj trashëgimie. Në çdo pjesë të botës myslimane, ky fenomen përsëriti vetveten.

Le të flasim pak më me hollësi rreth lidhjeve që kanë intelektualët modernë me traditën. Intelektualët modernë e ulën vlerën e traditës, duke përdorur terma modernë dhe duke futur në përdorim atë informacion dhe epistemologji që nuk ekzistonin në periudhën e hershme. Ata nuk i përdorin sistemet tradicionale të informimit, metodat tradicionale apo përvojat tradicionale të bazuara mbi këtë histori të gjatë. Krejtësisht të pavarur nga epistemologjia tradicionale, ata përdorin vetëm fjalët që kanë të bëjnë me termat moderne. Për të tilla mendje, e shkuara ka ikur dhe nuk ka asnjë mundësi apo kuptim ta sjellim edhe njëherë në kohët e sotme. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet modernizimit dhe nëpërmjet reformimit të sistemeve të informacionit. Edhe pse ky proces e dëmton traditën, intelektualët modernë nuk i ndryshojnë qëndrimet e tyre. Modernizmi dhe reformimi, kërkojnë shumë më tepër sesa thjesht një interpretim të traditës. Nëse ky interpretim nuk e trajton traditën në formën e saj interpretuese dhe metodologjike, është detyra jonë ta projektojmë dhe ta perceptojmë atë që nuk përjetohej dhe nuk perceptohej në të shkuarën. Fenomeni i historicizmit e ka origjinën nga ky qëndrim.

Është edhe një aspekt që në përgjithësi anashkalohet: ekzistojnë kufij epistemologjikë për shkak të të cilëve çdo traditë gjallërohet. Këta kufij përcaktojnë karakteristikat bazë të traditës, konturet e formimit të saj dhe mënyrat sipas të cilave ajo kuptohet, interpretohet dhe përcillet tek njerëzit. Çdo përpjekje për ta interpretuar atë dhe që nuk merr parasysh këto kufij, do të shkaktojë dëmtim serioz të traditës. Qëndrimet moderniste në përgjithësi nuk pëlqejnë të shtrëngohen brenda këtyre kufijve. Ato preferojnë që t’i tejkalojnë këto kufij përmes metodës së mendimit perëndimor duke transformuar kështu vlerat dhe sistemet e informacionit mbi të cilat është mbështetur tradita.

Kjo indiferencë ndaj traditës shkakton dëmtime edhe më serioze në fushën e kulturës, trashëgimisë dhe burimeve islame. Siç kemi shpjeguar më lart, Kurani i Shenjtë përbën shfaqjen më të rëndësishme të Islamit dhe Suneti ua transmeton këtë shpallje përfundimtare hyjnore besimtarëve sipas një rruge që i udhëheq ata dhe u tregon mënyrën si duhet praktikuar ky besim. Këto dy burime kanë ndikuar gjithmonë mbi aspektet individuale, shoqërore, shpirtërore, ontologjike dhe epistemologjike të të gjitha shoqërive myslimane. Kjo përbën karakteristikën më të rëndësishme të kulturës islame por edhe arsyen përse kjo kulturë është e ndryshme nga të gjitha kulturat e tjera. Kështu që afrimi drejt trashëgimisë kulturore dhe tradicionale të Islamit nuk është i njëjtë me afrimin drejt një trashëgimie kulturore të zakonshme. Kjo, sepse Islami duket se përbën sistemin më thelbësor që përligj prezencën e njeriut në tokë.

Duke injoruar këtë fakt intelektualët me tendenca perëndimore nuk do të arrijnë ndonjë rezultat të rëndësishëm në përpjekjet e tyre për të vendosur një lidhje të qëndrueshme me kulturën islame. Intelektualët modernë gjithmonë kanë mbajtur një qëndrim ideologjik përkundrejt trashëgimisë islame. Ndaj, bazat epistemologjike që ata prezantojnë kanë qenë gjithmonë të dobëta dhe të brishta. Veprimtaritë e dorës së dytë që këta intelektualë prezantojnë, mbështeten mbi terma të cilave u mungon përvoja dhe përdorimi praktik. Debatet gjatë këtyre dy shekujve të fundit, na japin imazhin e një toke të tharë nga përdorimi i tepërt.

Qëndrimi minimizues i intelektualëve modernë ndaj perceptimit të traditave ka shkaktuar gjithmonë një plasaritje në konceptin e tyre për historinë. Kjo ka ndodhur për shkak se kur intelektualët modernistë turq e ndërtojnë identitetin e tyre, ata priren drejt Perëndimit, jo drejt historisë dhe së shkuarës së tyre. Prandaj, sa herë që Gyleni i referohet ringjalljes dhe një rilindjeje të re, ai e vë theksin gjithmonë tek e shkuara, tradita dhe trashëgimia kulturore.[2] Gylen u sugjeron atyre të cilëve dëshirojnë të vendosin paqen në botë, të studiojnë historinë e shoqërive myslimane. Kjo histori do t’i ushqejë ata me rrëfime, qëndrime dhe tendenca pozitive të panumërta për të jetuar në harmoni dhe në kontekstin multikulturor.

c. Rinovimi, rigjallërimi dhe rilindja

Siç shpjeguam më lart, Gyleni nuk hyn në debate konceptuale në lidhje me aspektin e perëndimorizimit. Megjithatë, në mënyrë të tërthortë, kur shpjegon pikëpamjet e tij në aspekte të caktuara, ai e prezanton këtë si gur themeli të projektit të tij. Në shumicën e artikujve të tij, ndërmjet çështjeve kryesore që trajton dhe ndërmjet ravijëzimeve kryesore që bën, ai ndalet në çështjen e ringjalljes, rinovimit, rigjallërimit, rizgjimit dhe mbi karakteristikat e rilindjes së tij. Ne kemi disa shembuj në fragmentet e cituara më lart dhe siç do të vërejmë edhe në artikullin e titulluar “Drejt së nesërmes”, ku jo vetëm artikujt por edhe titulli ka të bëjë me idetë e tij rreth çështjes së rinovimit dhe rigjallërimit:

...Ne besojmë në nevojën e hetimit të botës islame përsa i përket kuptimit të saj për besimin, pranimin dhe interpretimin e saj për Islamin, vetëdijen e saj për Hyjnoren, zellin dhe dëshirën e zjarrtë për dijen, arsyen, logjikën, mënyrën dhe sistemin e saj të të menduarit, stilin e saj të të shprehurit dhe prezantimit të vetvetes si dhe të institucioneve të saj, gjëra të cilat do ta çojnë njerëzimin drejt përfitimit të këtyre cilësive dhe aftësive. Në këtë mënyrë ne mund ta orientojmë botën tonë drejt një rinovimi në të gjitha aspektet dhe elementet e saj.

Kurdo që ai përmend termat rinovim (texhdid) dhe ringjallje, Gyleni niset nga thënia se rinovimi përbën një dinamikë bazë islame. Ai beson se pa rigjallërim dhe zhvillim të botëkuptimit tonë islam në lidhje me çështjet që shtrihen që nga shtyllat e besimit e deri tek reflektimi rreth kozmosit, ringjallja për të cilën kanë nevojë shoqëritë myslimane nuk do të mund të realizohet:

Themelet e jetës sonë shpirtërore përbëhen nga idetë dhe botëkuptimi fetar. Ne jo vetëm e kemi bazuar jetën mbi to, por gjithashtu kemi ndërmarrë veprime duke u mbështetur në to.

Sipas tij, bazat e ringjalljes sonë do të gjenden në dinamikat tona fetare dhe shpirtërore:

Shkollat e doktrinave (medhhebet) në përgjithësi, në shumicën e tyre, përfaqësojnë zhvillime të reja në fushat e jurisprudencës dhe të ligjit, urdhrat fetarë sufi (tarikatet) punuan në drejtim të zemrës dhe të shpirtit duke i kthyer ato në autostrada të gjera, shkollat dhe medresetë gjatë gjithë kohës që funksionuan siç duhet, merreshin kryesisht me shpjegimin e kuptimit të universit dhe qenieve të tij.

Rinovimi dhe rigjallërimi do të përjetohet në çdo fushë vetëm atëherë kur “të lihen pas modelet e prapambetura të botës së brendshme, kur të lihen pas format e prapambetura të shpirtit, domethënë kur të rikthehemi tek siguria në besim, sinqeriteti në vepra dhe vetëdija për Zotin në mendime dhe veprime.”

Në të shkuarën, myslimanët përjetuan një rilindje domethënëse dhe me rrënjë të thella në shkencat fetare, teknologji dhe arkitekturë. Nga shkencat natyrore tek teologjia, nga Sufizmi tek logjika, nga planifikimi i qyteteve tek estetika, dolën në pah ekipe të tëra gjenish. Ata e realizuan rilindjen e kohës së tyre. Gylen thekson se kur dinamikat bazë të kësaj rilindjeje, të kuptohen siç duhet, do të bëhet e mundur që populli ynë të motivohet “nëpërmjet mobilizimit të të gjitha mendjeve dhe shpirtrave të tij të ndritur, me qëllim që të realizojnë në një kohë të shkurtër një rilindje të dytë dhe të tretë.” Në esenë e tij të titulluar “Bota për të cilën kemi mall,” Gylen thotë:

Duke filluar nga kuptimi i shpirtit dhe thelbit të Islamit dhe duke arritur në riinterpretimin e gjithë ekzistencës, duke shkuar nga zonat e pakufijshme hyjnore të rrugëve Sufi deri tek metafizika universale, nga vetëpërmbajtja dhe vetëkontrolli islam deri tek vigjilenca, maturia dhe vetëkontrolli, pra gjëra të cilat e bëjnë njeriun të fitojë vlera të çmuara, nga qytetet dhe zonat urbane në të cilat bota jonë e brendshme gjen prehje dhe ku ne mund të marrim frymë lirisht. Por edhe tek estetika e cila do të jetë pronë e të gjithëve, nga arti që qëndis esencën dhe realitetin ngado dhe që kërkon pafundësinë në çdo vepër të tij, deri tek kënaqësia e vërtetë e estetikës e cila do të bëhet gjithmonë e më tepër e tejbotshme dhe gjithmonë e më shumë e përsosur dhe e integruar me botën e përtejme, nëpërmjet të gjithë këtyre mjeteve ky komb do të mund të hapë një kapitull të ri.

Edhe pse përbën një mundësi reale, Gylen thekson se ky nuk është një proces kaq i lehtë:

Për kaq shumë vite, jeta jonë shpirtërore ka qenë e shuar në një shkallë të gjerë; bota jonë fetare ka qenë jofunksionale; gjuha e zemrave tona ka qenë e lidhur duke i bërë kështu njerëzit që të harrojnë dashurinë dhe entuziazmin intensiv. Ne i kemi zhytur mendjet tona në ide dhe lexime nga fusha e pozitivizmit të egër; fanatizmi hyri në botën tonë duke zënë vendin e qëndrueshmërisë së karakterit, fuqisë së fesë dhe kujdesit për të vërtetën ; edhe gjatë lutjeve dhe kërkimit të botës së përtejme dhe parajsës, lutësit, me një mentalitet të shtrembëruar, kanë në mendje disa lloj kënaqësish të rëndomta dhe kalimtare të kësaj bote. Prandaj është e pamundur të hapet një kapitull i ri, pa shkulur më parë nga mendjet tona ide të tilla kaq të shtrembra dhe të pabaza.

Gyleni shpjegon se shkaqet e prishjes dhe të rrënimit i dedikohen ndjenjave të lakmisë, dembelizmit, dëshirës për famë, dëshirës për post dhe pozitë të lartë, egoizmit dhe adhurimit të kësaj bote... Këto ndjenja e vrasin çdo qytetërim që në shtratin e tij të lindjes. Si kundërshtare të këtyre ndjenjave të dëmshme, Gyleni vendos idealet e arratisë nga lakmia (istigna), e kurajos, altruizmit, shpirtit dhe devotshmërisë për qëllimet hyjnore (rabbani), ideale të cilat do t’u kundërvihen ndjenjave të dëmshme. Këto përbëjnë dinamikat thelbësore të aktivizmit, të frymëzuar nga Gyleni. Shkurt, Gyleni i kërkon rrënjët e ringjalljes dhe të rilindjes në të shkuarën tonë. Nëse ne nuk e studiojmë të shkuarën tonë dhe nëse nuk i sjellim këto rrënjë në botën moderne me një entuziazëm të rigjallëruar shpirtëror, rilindja për të cilën kemi kaq shumë nevojë s’do mund të vijë. Në të gjitha esetë dhe veprat e tij, Gyleni thekson se vetëm një grup i madh që zotëron karakteristikat e mësipërme mund ta arrijë ndonjëherë këtë ringjallje. Nëpërmjet këtyre vullnetarëve në arsim, ne mund të përjetojmë një ringjallje të re dhe të mundësojmë një rilindje të re.

Megjithatë, në debatet dhe projektet gjatë dy shekujve të fundit, ka ekzistuar një konsensus i heshtur mbi faktin se rigjallërimi dhe rilindja jonë do të bëhen të mundura vetëm prej një numri të kufizuar intelektualësh dhe qarqesh elitare. Kjo përbën një nga pikat më themelore në të cilën Gylen nuk pajtohet me të tjerët. Ai beson se ringjallja do të arrihet nëpërmjet një grupi të madh arsimtarësh, përmes punës së tyre shpirtërore altruiste. Për këtë arsye ai thekson gjithmonë domethënien e arsimit dhe këmbëngul në domosdoshmërinë e mësuesve me besim dhe pa pretendime.

Padyshim bota intelektuale dhe konceptuale e Gylenit është e pajisur me një stil, përmbajtje dhe thellësi karakteristike vetëm për të. Prandaj le të thellohemi paksa mbi konceptet e rinovimit (texhdidit), reformimit[3] (islah), imitimit (taklit) dhe konvensionalizmit (shabllonxhulluk).

Këto koncepte kanë zënë axhendën e shkollave të hershme ligjore islamike e po ashtu edhe të rrymave teologjike, politike dhe filozofike. Burimet në fjalë nuk e patën fillimin e tyre me modernizmin. Ky proces vijoi përgjatë gjithë historisë islame në radhët e individëve dhe grupeve të ndryshme. Prandaj këto koncepte shtrihen në një thellësi të madhe historike dhe intelektuale. Natyrisht, ne nuk do të hyjmë në një diskutim të gjatë intelektual dhe konceptual rreth se shkuarës dhe së ardhmes së këtyre koncepteve. Ne vetëm do të bëjmë disa shënime të përgjithshme rreth shkaqeve të keqkuptimit intelektual.

Përdorimi bashkëkohor i këtyre termave është dyplanësh. Së pari, ne duhet të pyesim veten “Si e rijetojmë ne traditën?” së dyti, “Si mund të shërohemi nga prapambetja dhe të lëvizim drejt përparimit?” Padyshim, faktorët që stimuluan veprimtarinë intelektuale, në lidhje me trashëgiminë tradicionale dhe burimet themelore gjatë shekujve të dytë, të tretë dhe të pestë pas lindjes së Islamit, ishin mjaft të ndryshme nga ato të ditëve tona si: “qytetërimi, modernizmi dhe përparimi”. Megjithatë, problemet sociale dhe social-kulturore të ndryshimit, përcaktuan të gjitha veprimtaritë intelektuale të asaj kohe. Gjatë kohës që Islami zgjerohej në toka të reja, myslimanët binin në kontakt me qytetërime të huaja, në rrethana të tilla si, lufta dhe paqja, marrëdhëniet diplomatike, politike dhe kulturore si dhe tregtia. Këto ballafaqime shkaktuan ndryshime në aspektet sociale, kulturore dhe fetare të botës islame. Ballafaqimi dhe ndryshimi shoqëror i preku gjerësisht veprimtaritë intelektuale islame. Ndaj, debatet në lidhje me trashëgiminë kulturore islame përbëjnë një trashëgimi të vlefshme përgjatë historisë.

Këto debate synojnë të bëjnë dallimin midis aspekteve të pandryshueshme dhe aspekteve të ndryshueshme të Islamit në kuptimin e përgjithshëm. Kjo përpjekje i paraqiti veprimtaritë intelektuale nën flamurin e rinovimit, reformimit dhe rigjallërimit nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër dëshmoi aftësinë e traditës islame për të mbijetuar nën kushtet e ndryshimeve të vazhdueshme. Kemi theksuar më lart se manifestimi më kryesor i kulturës islame është Kurani i Shenjtë, Shpallja Hyjnore. Në mënyrë të tërthortë, kjo do të thotë se shpallja hyjnore përmban realitete të përjetshme (të cilat janë të pandryshueshme). Prandaj, çdo lëvizje e orientuar drejt trashëgimisë kulturore islame, çfarëdo forme që të marrë ajo, rinovuese, rilindase, reformuese apo ringjallëse, duhet të jetë në përputhje me thelbin e këtyre realiteteve të pandryshueshme. Me fjalë të tjera, në kulturën klasike islame është e detyrueshme që çdo veprim interpretimi (ixhtihad), të ndjekë parimet dhe metodologjinë mbi të cilët ka qenë vendosur një konsensus dijetarësh përgjatë shekujve me synim ruajtjen, kuptimin dhe praktikimin e doktrinës islame. Çdo përpjekje drejt rinovimit, ringjalljes apo reformimit, në një kuptim, përbën një ngrehinë të re, një riprodhim të trashëgimisë së shkuar kulturore në një realitet të ri social dhe politik. Kjo përbën një veprimtari humane, dhe duhet të jetë në përputhje me shpirtin e Shpalljes Hyjnore. Duke qenë një sipërmarrje njerëzore, ajo nuk mund të renditet vetëm si një subjekt ndryshimi. Ajo është gjithashtu një veprimtari kërkimi për të vërtetën. Ajo duhet të jetë e orientuar drejt kuptimit të qëllimit hyjnor, kënaqësisë së Zotit dhe Vullnetit të Tij. Megjithëse ky qëndrim duket se është tejet i kujdesshëm, është e domosdoshme të ruajmë linjat e kërkimit dhe të drejtimit të lartpërmendur, për faktin se ato e udhëheqin udhëtimin e njeriut drejt pafundësisë. Parimet e pandryshuara janë pjesë e thelbit të besimit dhe të doktrinës islame dhe të strukturës së saj normative, ndaj ato janë të bazuara në mënyrë të përkryer tek Islami.

Pavarësisht prezencës së aspekteve të pandryshueshme në trashëgiminë kulturore islame, ky besim fetar ka potencialin e mjaftueshëm për rinovim, reformim dhe ringjallje. Këto kanë përbërë gjithmonë domosdoshmëri në jetën kulturore dhe sociale dhe kanë detyruar ndryshime dhe rinovime. Çdo rinovim islam që lindi brenda konturit doktrinal, ligjor dhe epistemologjik, e ka rigjallëruar gjithashtu edhe jetën personale dhe shoqërore. Sikurse edhe në të shkuarën, rinovimi i kuptimit dhe rigjallërimi i lëvizjeve duhet të ripërsëriten edhe në ditët tona, ndaj një manifest i ri i rigjallërimit të Islamit duhet të nisë pa humbur kohë me kushtin që thelbi i tekstit hyjnor të mos bëhet objekt abuzimi. Megjithatë, një veprimtari e tillë kërkon një kuptim intelektual të përsosur dhe të gjerë. Ne duhet t’i luftojmë veprimtaritë intelektuale që synojnë zgjerimin e kulturës islame që e kanë pikënisjen nga aktivitetet reformuese që prekin burimet themelore të trashëgimisë islame. Reformimi që ka për bazë prekjen e shtyllave islame, përbën një veprim që shpie në paqëndrueshmëri për shkak se ky reformim nuk orientohet në mënyrë koherente drejt rinovimit dhe rigjallërimit (texhdid, ihja dhe islah).[4]

Texhdidi, ihja dhe islahu nuk janë asgjë më tepër sesa veprime që burojnë prej traditës. Ata duhet të qëndrojnë brenda kufijve të teksteve dhe metodave bazë islame. Reformimi gjithashtu është një thirrje për rigjallërim, megjithatë, ai përvijon një ndryshim i cili zëvendëson gurët e themelit të traditës dhe disiplinën thelbësore të nevojave. Texhdidi nuk e ndjen si detyrim ta shpjegojë veten, për arsye se ai i referohet vetëm rigjallërimit nga përbrenda; nga ana tjetër reformimi ka për detyrë t’ia shpjegojë vetveten masave të njerëzve. Për shkak se ai nuk la asnjë lidhje me traditën, si në nivelin intelektual ashtu dhe në bazat e referencave të trashëguara kolektive, ai nuk ka burime të mjaftueshme për tu shfaqur jashtë traditës me qëllim që ta legalizojë vetveten. Ndërmjet reformimit dhe traditës ekziston një çarje dhe mospërputhje e thellë epistemologjike dhe ontologjike. Reformimi ka një natyrë ideologjike më tepër sesa një natyrë epistemologjike apo metodologjike. Rryma e Reformizmit u shfaq së pari në histori, si rezultat i një periudhe të gjatë, në të cilën burimet themelore të krishtërimit kaluan nëpërmjet shumë ndryshimesh. Reformizmi, në kontekstin e tij, synonte të diskriminonte, të dallonte të vërtetën nga falsiteti në traditën kristiane. Reformizmi i krishterë dhe rilindja nisën si lëvizje që vinin në pikëpyetje burimet dhe dogmat e Krishtërimit. Këto lëvizje më vonë u përhapën edhe në fusha të tjera. Kjo në Islam nuk ndodhi kurrë. Islami aktualisht prezantohet me burimet e tij autentike dhe me traditën e vet katërmbëdhjetë shekullore. Reformizmi nuk arriti dot sukses pa prekur dogmat dhe themelet e ideologjisë zyrtare të Krishtërimit e cila kishte pushtet mbi mendimet, idetë dhe të vërtetat shkencore. Edhe përsa i përket Islamit, nëse ndodh e njëjta gjë, i njëjti veprim, do të përbënte një shkatërrim të burimeve fillestare. Prandaj reformizmi përbën një ilaç për Krishtërimin por do të ishte një helm për Islamin. Kështu që përsa i përket Islamit dhe burimeve të tij themelore mund të flasim vetëm për rigjallërim (texhdid). Siç kemi përsëritur shpesh, texhdidi është një përpjekje për të zgjeruar komentimin e teksteve fetare nga brendësia e shpirtit. Megjithëse trashëgimia kulturore e Islamit përmban elemente që janë prekur nga lidhjet e pushtetit, të autoritetit dhe të ideologjisë përgjatë shumë kohëve, metodologjia islame i ruajti vlerat themelore të Islamit të pacenuara. Ndaj mendimtarët, juristët dhe rinovuesit (muxhedidët) kanë përmendur gjithmonë rigjallërimin dhe interpretimin e ri dhe asnjëherë reformimin. Megjithatë ata e kanë trajtuar gjithmonë çështjen e reformizmit me kujdes.

Padyshim, kjo analizë dhe ky këndvështrim konceptual nuk i jep konturim dhe thellësi të mjaftueshme ligjit, teologjisë dhe metodologjisë islame. Gjuha dhe stili që unë përdor në këtë aspekt është ajo e shkencave sociale. Të tilla çështje janë trajtuar me më shumë saktësi dhe me më shumë hollësi në literaturën islame nëpërmjet termave të saj më të kuptueshëm dhe kufijve të saj epistemologjik. Qëllimi im këtu është që vetëm të orientoj vëmendjen e lexuesve tek aspektet sociale të këtij fenomeni. Shumë koncepte të përdorura për çështje të caktuara sociale dhe kulturore janë ushqyer nga metodologjia islame (usul) duke u nisur nga një prejardhje më e gjerë se në shkencat natyrore.

Kur Gyleni flet rreth rinovimit, rigjallërimit, ndryshimit dhe ringjalljes, ai përdor gjuhën e sotme ndërsa i referohet aspekteve dhe backgroundit të tyre metodologjik Islam. Megjithëse ai është i vetëdijshëm për debatet historike dhe konceptuale, kur flet për ringjalljen e një kombi, nuk hyn në të tilla debate. Kjo vërehet në ndjeshmërinë që tregon kur zgjedh fjalët si dhe në stilin e tij të kujdesshëm të të shprehurit. Ai gjithashtu beson se elementet e ringjalljes tonë si komb janë të fshehura në trashëgiminë tonë kulturore. Nëse kjo trashëgimi kulturore studiohet dhe riinterpretohet në thellësi, në përputhje me nevojat e kohës sonë, në mënyrë që zgjidhjet e problemeve moderne të jenë afatshkurtra apo afatgjata, dhe nëse këto zgjidhje vihen në praktikë me durim, sipas masterplaneve të qarta, vetëm atëherë mund të flasim për mundësinë e ringjalljes. Gyleni në mënyrë të vazhdueshme na tërheq vëmendjen për faktin që mbi gjithçka është e nevojshme lindja e një grupi njerëzish të cilët do t’i shërbejnë fesë, kombit dhe vendit të tyre pa interes. Pa edukuar një grup të tillë njerëzish altruistë, të përkushtuar ndaj shërbimit për njerëzimin, nuk mund të sigurohen mjetet për ringjalljen dhe shfrytëzimin e trashëgimisë kulturore. Vetëm një brez i tillë mund t’ia përçojë ringjalljen tonë masave të gjera të njerëzve. Kjo është arsyeja përse ai nuk hyn në diskutime të gjata rreth këtyre koncepteve magjike, përkundrazi, thekson nevojën e krijimit të një brezi të tillë njerëzish.[5]

d. Historia në mendimet e Gylenit

Interpretimi i Gylenit rreth historisë dhe së kaluarës osmane, tregon se ai ka një këndvështrim të ndryshëm. Në intervistat e tij të viteve 90’, ai nuk hyn në një analizë të detajuar të këndvështrimit të tij historik. Përkundrazi paraqet një këndvështrim të rëndësishëm në lidhje me filozofinë e tij rreth historisë, me fjali të shkurtra dhe të thjeshta. Gyleni shpjegon se nuk e konsideron historinë thjesht si një diçka që ka kaluar. Për të, historia është shumë më tepër sesa formuese e identitetit tonë, prandaj ajo nuk mund të përkufizohet vetëm në faktin se çfarë ka ndodhur më përpara. Filozofia e historisë duhet të merret gjithashtu edhe me objektiva madhorë dhe me imagjinatën e figurave historike që kanë lënë gjurmët e tyre. Ai shikon mbi ngjarjet historike nga këndvështrimi i një individi përfaqësues i cili ka pasur rolin e tij në një ngjarje të caktuar. Si shembull le t’i hedhim një sy marrjes së Stambollit nga Fatihu (Mehmeti II). Kjo nuk përbënte thjesht një ngjarje në histori; ajo mbylli një epokë dhe hapi një epokë të re. Marrja e Stambollit qe një sukses i madh dhe një produkt i mendimit dhe i një sipërmarrje të shkëlqyer. Gyleni i kushton vëmendje të imagjinuarit të heroit gjatë analizës së vet. Për të, ajo që e bëri Fatihun një njeri të madh, nuk qe marrja e Stambollit, por vizioni që ai shfaqi si një udhëheqës. Sipërmarrja e tij nuk ishte e përkufizuar vetëm në muret e qytetit të Stambollit, i cili nga këndvështrimi i sotëm ishte njëlloj si pushtimi i një fshati. Vizioni i Fatihut, arrinte shumë më tepër sesa kjo dhe në krahasim me çfarë ëndërronte, objektivat që ai kishte arritur ishin të parëndësishme:

Për ata të cilët ia kanë kushtuar zemrat e tyre idealeve të Profetit, marrja e Stambollit është po aq e parëndësishme sa pushtimi i një fshati të vogël. Fatihu ishte i madh në idealet e tij, jo për shkak të gjërave që bëri. Ne duhet ta gjykojmë madhështinë e tij nëpërmjet idealeve që mbartte në mendje. Ëndrrat e tij nuk ishin thjesht utopi. Nëse shikojmë se çfarë ka arritur, mund të kuptojmë me lehtësi se ai do t’i bënte patjetër ëndrrat realitet nëse Zoti do t’i kishte dhënë jetë më të gjatë. Ne bazohemi tek ëndrrat e Fatihut prandaj e çmojmë atë së tepërmi.[6]

Filozofët e historisë merren me atë se çfarë ka ndodhur realisht, domethënë me ngjarjet që kanë zënë vend dhe përmenden në histori. Nga kjo pikëpamje, qëndrimi i Gylenit mund të klasifikohet si subjektiv. Me mënyrat e tij të interpretimit, ai nënvizon realitetin e fshehur të historisë subjektive. Ai e kundërshton tendencën për t’iu kundërvënë historisë në rrëfim vetëm të ngjarjeve, aktiviteteve intelektuale dhe fenomeneve objektive:

Elementet objektivë duket se mbizotërojnë në histori. Megjithatë, unë do t’ju them një diçka ndryshe, parimet objektive rriten dhe zhvillohen në gjirin e subjekteve si enigma që lindin jashtë një modeli shabllon. Në veçanti, ato lindin në imagjinatën e njerëzve të cilët mund t’i zhvillojnë ide të tilla dhe t’i sistemojnë ato. Me fjalë të tjera, të menduarit historik dhe historicimi, i hodhi hapat e parë në formën e imagjinatës. Ai arriti fëmijërinë e tij në formën e përshkrimit. Përmes arsyetimit ai arriti rininë e tij kur u vu në praktikë, u shndërrua në plan apo projekt duke arritur tashmë pjekurinë. Prandaj nuk duhet t’i ngushtojmë ngjarjet nëpërmjet reduktimit të tyre thjesht si fakte objektive. Megjithëse duket ndryshe, kjo mënyrë e të menduarit është mjaft e rëndësishme për ngjarjet historike, në sensin që ajo synon të nxjerrë në pah si origjinën e tyre ashtu edhe orientimin e mëvonshëm.

Gyleni nënvizon domosdoshmërinë e të lexuarit të historisë jo vetëm duke shikuar çfarë ka ndodhur, por duke marrë në konsideratë edhe mendimet dhe idealet e figurave historike të cilat nuk kanë mundësi të dalin në sipërfaqe. Në këtë mënyrë, historia do të bëhet më e gjallë dhe më informuese.

Gyleni vazhdimisht e vë theksin mbi domethënien e së djeshmes, të sotmes dhe të nesërmes. Për të, e shkuara përbën një pranverë, e sotmja një lumë dhe e nesërmja një oqean. Për të, e djeshmja është një burim mesazhesh për njerëzimin.

Nuk është se ne e gjykojmë të sotmen duke hedhur sytë mbi të shkuarën dhe të ardhmen. E shkuara është një pranverë e rëndësishme, e sotmja është lumi i saj dhe e ardhmja është një oqean i pafund. Të gjitha këto duhet të vlerësohen në mënyrën më fitimprurëse, në këndvështrimin e tyre. Ne nuk mund të mendojmë si disa materialistë. Për shembull Omar Khajami thotë:

Mos qaj kot për të djeshmen,
Mos u lut kot për të nesërmen:
E shkuara dhe e ardhmja të gjitha janë përralla
Mendo vetëm për kënaqësinë tënde
Jetën dëm mos e ço.

Kjo përbën një situatë kontraktuese, e ngjashme me hyrjen në një kafaz. Brezat e sotëm ia kanë arritur ta thyejnë këtë kafaz, madje edhe njerëzit materialistë e kanë kuptuar se situata e sotme nuk është e kënaqshme për njerëzimin. Prandaj, disa prej tyre kërkojnë strehë tek e shkuara dhe disa të tjerë tek e ardhmja. Ata të cilët janë në gjendje të mendojnë më thellë, nuk e shohin të shkuarën si një varr. E shkuara është kapitali i paraardhësve tanë, e shkuara është lastari i pranverës dhe domethënia e së shkuarës, ndaj ajo është e mbushur me respekt për dinamikat e historisë. Ky respekt nuk është thjesht teorik. Ne i japim së shkuarës vlerat që realisht ka dhe dëshirojmë ta mbrojmë atë. Ne nuk e vendosim atë në muzeun e etnografisë. Përkundrazi, e konsiderojmë të shkuarën si një trup i gjallë që flet për ne, mendon për ne dhe na pëshpërit shumë fjalë. Ne shohim një botë që flet nëpërmjet burimeve, lumenjve, deteve, kodrave dhe pllajave. Në të vërtetë, e ardhmja është një botë ku mundësitë vinë njëra pas tjetrës.[7]


[1] Gülen, Statuja e Shpirtrave Tanë, f. 19-24.

[2] Shih Gülen, Buhranlar Anaforunda Insan, Istambul: Nil Yayınları, 2002, .53; Yeşeren Düşünceler, f. 43-44; Kendi Dünyamıza Doğru, f. 26-35; Zamanın Altın Dilimi, f. 157-160; Ruhumuzun Heykelini Dikerken, f. 31, 91; Işığın Gőründüğü Ufuk, f. 106.

[3] Reforma është një fjalë e cila duhet përdorur me mjaft kujdes. Përgjatë tekstit, ne e përdorim këtë fjalë si përkthim i Islah. Me anë të këtij përdorimi, në asnjë mënyrë nuk kemi për qëllim t’i referohemi përvojës reformuese të krishtërimit e cila kishte të bënte me elementet thelbësore të kishës. “Reforma për Islah shkruhet ashtu siç është. Kur i referohemi përpjekjeve të drejtuara drejt kuptimit të vërtetë të shtyllave të Islamit, gjë që është e papranueshme në rastin e përvojës islame, ne përdorim termin, “re-formë” me një ndarje në mes apo Reformizmi me shkronjë fillestare kapitale.

[4] Ju lutemi vini re se në këtë kontekst, “re-forma” është ngarkuar me një kuptim të ndryshëm nga “reforma” fjalë të cilën përdorim për Islah. E para nënkupton një ndryshim kolosal nëpërmjet rindërtimit të shtyllave të Islamit, megjithatë, islah shpreh çdo aktivitet social që kryhet me qëllim shumëllojshmërinë në shoqëri duke ruajtur shtyllat e burimit themelor si referencë.

[5] Shih Gülen, Buhranlar Anaforunda Insan, f 54,63; Yitirilmiş Conneye Doğru, f. 28,130; Yeşeren Düşünceler, f. 130-1, 157; Işığın Gőründüğü Ufuk, f. 20, 58, 74, 80, 107, 131, 142; Ruhunuzun Heykelini Dirkerken, f. 87, 107, 112, 115, 132; Örnekleri Kendiden Bir Hareket, f. 89, 120.

[6] Can, f. 65. Shih gjithashtu Gülen, Fasıldan Fasıla, Vol. 3, f. 190.

[7] po aty. Shih gjithashtu Gülen, Çağ ve Nesil, f. 122; Zananın Altın Dilimi, f. 29, 48, 53, 54, 68, 69; Yitirilmiş Cennete Doğrü, f. 43; Yeşeren Düşünceler, f. 88-92,57, 103; Işığın Gőründüğü Ufuk, f. 90-95, 120, 98; Beyan, f. 23; Örnekleri Kendiden Bir Hareket, f. 67, 104; “Faniliklerle Kuşatılan Ruhlar,” Sızıntı, No. 311, December 2004.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.