Mësuesit e diturisë, dija rreth Zotit dhe dialogu

Në idetë e Gylenit, mësuesi është tejet i rëndësishëm për arsye se ai përgatit individin dhe shoqërinë e së ardhmes. Tradicionalisht, mësuesit ishin bartësit e shenjtë të bashkësisë myslimane. Ata u rraskapitën nën barrët shoqërore dhe njerëzore të çdo lloji, kështu që pushteti dhe respekti i tyre shoqëror ishin pjesë e identitetit të tyre social. Prishja e sistemit edukativ së pari preku mësuesit. Meqenëse ata e humbën cilësinë dhe ndikimin e tyre shoqëror, bashkë me ta ra edhe cilësia e njerëzve. Këtu, mënyrat e të vepruarit që përcakton Gyleni, kanë për qëllim të nderojnë profesionin e mësuesit dhe të lehtësojnë rishfaqjen e tij në etapat e historisë. Vizioni i Gylenit është i fuqishëm dhe i gjerë në qëllimin e tij; vizioni i tij për mësuesin është ai i një personi të pajisur me një baraspeshë të shëndoshë ndërmjet dëshirave materiale dhe shpirtërore, si dhe ai i një personi që posedon një identitet të sinqertë dhe sakrifikues. Për Gylenin, një mësues i tillë, nuk ka qenë kurrë kaq i nevojshëm në ndonjë periudhë të historisë.

Në një farë mënyre, Gyleni ka zgjuar një vigan të fjetur. Mund të themi se është e pamundur të analizojmë lëvizjen Gylen derisa të arrijmë të kuptojmë siç duhet gjerësinë e fushatës edukative dhe cilësinë e personelit që qëndron pas saj. Mësuesi ka ndërmarrë mbi vete një rol qendror në këtë sistem. Mësuesit janë edhe përçues të vlerave të një shoqërie të virtytshme, edhe shembuj të individëve të devotshëm të cilët aspirojnë për dialog dhe tolerancë. Siç e kemi theksuar më lart, Gyleni ka frymëzuar një sistem të ri edukativ, njëkohësisht edhe një shembull të ri devotshmërie. Kjo përvojë e re dhe e gjerë, gjendet tek gërshetimi i aspekteve Sufi, dhe konceptit humanist dhe universalist të Gylenit. Përkushtimi i këtyre mësuesve i ka bazat në dashurinë e tyre për njerëzimin dhe aftësinë e tyre përshtatëse me kulturat dhe gjeografitë e tjera. Le t’u hedhim një sy pikëpamjeve të Gylenit në lidhje me karakteristikat dhe domethënien e mësuesve të cilët kanë përhapur vlerat humane, përkushtimin dhe guximin nëpër botë:

Që nga lindja e deri në vdekje, mësuesi përbën një mjeshtër të bekuar që i jep jetë botës nëpërmjet formësimit të jetës së njerëzve. Nuk ka të barabartë me të mbi tokë, përsa i përket udhëheqjes së popullit drejt fatit të tij, rishikimin e etikës dhe karakteristikave të saj si dhe mbushjen e popullit me ndjenjën e vetëdijes për pafundësinë.

Ndikimi i mësuesve mbi individët e tejkalon ndikimin e prindërve dhe të shoqërisë mbi ta. Në fakt, është mësuesi ai i cili gatuan nënën, babain dhe të gjithë anëtarët e shoqërisë së të ardhmes. Në qoftë se ai nuk përfshihet në gatimin e ndonjë pjese të brumit të individit, atëherë ky individ mbetet tërë jetën i paformuar.

Mësuesi është një dorë dhe një gjuhë që Zoti përdor për ta vlerësuar apo përulur njerëzimin. Po, një bashkësi endacake e cila e gjeti mësuesin e saj, u lartësua në të njëjtin nivel me engjëjt duke bërë që pjesëtarët e kësaj bashkësie të arrinin shkallën e mësuesve të njerëzimit.[1] Nëpërmjet një mësuesi të mirë, Maqedonia rriti një komandant të madh; Anadolli pati epokën e vet të përparimit dhe njerëz si Fatihu (Mehmeti II) hapën një epokë të re falë mësuesve të tyre. Javuzi (Selimi I), një njeri me disiplinë dhe rregulla të forta, ashtu si edhe qindra të tjerë si ai, ishin nxënësit fatlumë të mësuesve të shquar.

Në duar e një mësuesi, metalet pastrohen duke u shndërruar në ar të pastër dhe argjend të shndritshëm. Në këto duar mistike, edhe gjërat më të papërpunuara dhe më të paçmueshme, shndërrohen në diamante të vlefshme. Asnjë fabrikë nuk mund të punojë aq shpejt dhe aq sistematikisht sa mësuesi. Askush përveç mësuesit nuk mund t’u rrëfejë gjerësinë e spektrit emocional njerëzve rreth tij dhe të bëhet pjesë e ekzistencës së tyre.

Mësuesi është interpretuesi i çdo substance që kullon nga sita e pakalueshme e botës së sekreteve. Ai është zëri dhe fjala e lëvizjeve të padallueshme të botës së ekzistencës. Nëpërmjet tij, njerëzit ngrihen si retë dhe bien si bekime.

Besniku më i madh i botëve përtejqiellore, ishte një mjeshtër (Xhebraili) dhe shpirti që hapi kraharorin e tij për mesazhin e këtij mjeshtri, ishte më i madhi i mësuesve (Profeti). Ai ishte instruktori i individit dhe bashkësisë dhe ne të gjithë i jemi borxhlinj atij dhe profesionit të mësuesit... Sot, çdo gjë që dimë dhe gjithçka që është e njohur, vjen prej tij. Pjesa tjetër është thjesht zhurmë...

Mësuesit e shfaqën vetveten herë si filozofë e herë si asketë dhe nganjëherë edhe si dervishë, duke lënë kështu gjurmë me prezencën e tyre në çdo kohë. Megjithatë, secili prej tyre mori trajtë të ndryshme në përputhje me shkallën e tyre të përfitimit nga “e vërteta.” Në periudhat e hershme, dashuruesit e dijes, përsërisnin meloditë të cilat u përkisnin Profetëve. Shkencëtarët skolastikë dhe mësuesit e mesjetës ia shtuan “pozitivizmin” himneve të tyre. Në të njëjtën epokë, mësuesit e lindjes ishin në gjurmë të zbulimit të natyrës së qenieve njerëzore dhe ndërgjegjësimit të tyre rreth realitetit të ndihmuar edhe nga urdhëresat hyjnore që ata mbanin në duart e tyre.

Pas Rilindjes, ashtu si çdo gjë tjetër, edhe mësuesi ndryshoi. Ai u shndërrua në një dashnor të papjekur që e humbiste vetveten qorrazi brenda vorbullës së ngjarjeve. Objektivi i vetëm ishte interesi vetjak, duke iu përkushtuar me pasion, askujt tjetër, veç zbulimeve të reja dhe shpikjeve, ndërsa vraponin nga tryezat e punës në shtëpi dhe nga seminaret në treg. Gjatë kësaj periudhe, udhëheqësit nuk u shndërruan kurrë në mësues të shoqërive të tyre. Në këtë epokë, masat e njerëzve ndiqnin drejtime të caktuara sipas gënjeshtrave të udhëheqësve, nëpërmjet formave të ndryshme të teatralitetit, ndaj ata kurrë nuk i panë udhëheqësit e tyre si mësues e as mësuesit si udhëheqës. Është fakt se qysh në natën e parë të kësaj rilindjeje, zemrat e njerëzve ishin të skllavëruara nga Mefistofeli.

Më vonë dolën në pah mësuesit banalë të materializmit, të cilët përpiqeshin të shpjegonin gjithçka në funksion të lëndës duke e përdorur atë për qëllimet teknike. Që nga teleskopi deri tek mikroskopi, këto teknologji u bënë mjetet me anë të të cilave njerëzimi përkufizonte retë kozmike dhe depërtonte me anë të rrezeve X në qeliza. Në atë epokë, asgjë nuk bëhej më në emër të sublimes, prandaj është e vështirë t’i shikojmë këta mësues me një sy pozitiv. Megjithatë, fatmirësisht, kjo periudhë tejet e errët dhe e vështirë nuk zgjati shumë dhe tani ka filluar një erë e re kurioziteti dhe eksplorimi.

Pasi një grusht banditësh kryen krime serioze kundër njerëzimit, ushtria e sotme e dijes, ngre pikëpyetje rreth së shkuarës së afërme. Këta dijetarë, përpiqen të gjejnë shkaqet dhe efektet e përdorimit të dijes për qëllime negative si dhe të rikthejnë profesionin e mësuesit në pozitën e lartë që ai meriton. Këta mësues do t’i nxisin zemrat dhe do t’i japin formë vullnetit të shoqërisë nëpërmjet ndriçimit të mendjes dhe forcimit të zemrave. Nën udhëheqjen e mësuesve të tillë, do të bëhet e mundur që studentët të jenë në kontakt me botën e përtejme. Falë mesazheve të tyre që vijnë nga pjesa sublime e shpirtit, studentët do të frymëzohen në atë shkallë sa shpeshherë ai do të jetë përtej perceptimit të tyre. Në fakt, shkenca e cila nuk i ndihmon studentët të jenë në kontakt me “Absoluten”, nuk përhap dot dritë përsa i përket çështjes të formimit të këtyre sintezave sublime. Një shkencë e tillë i çon zemrat drejt dyshimit dhe i mbush ato me pasiguri. Nëse mësuesi i vendos studentët në këtë situatë, ai nuk mund të quhet më një mësues; në këtë rast ai është ose jobesimtar ose një njeri skeptik.

Për këtë arsye, për një kohë të gjatë, leksioni më i pastër dhe më i besueshëm është paraqitur nëpërmjet bashkësisë së Profetëve, të cilët as nuk kanë mashtruar e as nuk janë mashtruar ndonjëherë. Shkolla e Profetëve është e hapur për çdo njeri të çdo moshe dhe mbulon të gjitha fushat e jetës. Klasa e kësaj shkolle mund të jetë kudo dhe çdo njeri ka potencialin për të qenë ose mësues ose një nxënës fatlum i cili pi nga ky lloj uji i bekuar i dijes.

Shteti është një akademi ku kryetari jep dhe shpjegon leksione. Në këtë shkollë të madhe të hapur për çdo njeri, shtetarët e mëdhenj posedojnë shpirtin dhe vetëdijen e liderit. Ky shtet nuk i ngjan shtetit të Platonit, të qeverisur nga filozofët, as shtetit të Bodinit që është një formë e kundërt e shtetit të Platonit. Ky lloj shteti është një shtet i përgjithshëm. Prandaj, detyra parësore që udhëheqësit e këtij shteti kanë në plan të parë, në çdo hap të ecjes së tyre përpara, që nga stazhi e deri në momentin kur këta udhëheqës shndërrohen në autoritete drejtues, është të mësuarit e bollshëm nga çdo fushë e jetës dhe nga çdo ndodhi. Nëse këta shtetarë nuk kalojnë nëpërmjet këtyre niveleve pa u bashkuar me kuptimin e universit, rezultatet do të jenë qesharake sikurse dëshira për të komanduar që nga pozicioni i jetës private apo zënia e vendit të komandantit të përgjithshëm. Një situatë e tillë do të përbënte fatkeqësinë më të madhe për një vend.

Me ndjenjat e tij sublime, Brahmani qe një mësues i pavdekshëm për zemrat e pasuesve të tij, Buda në rrugën e tij të vështirë drejt Nirvanës përbën një shembull tjetër të spikatur të mësuesit me ndjenja të pastra, Konfuci qe një mësues i etikës, Hormizdi ishte një mësues që synonte të zbulonte sekretet e përjetësisë. Ndërsa Omerët, të cilët ishin të kristalizuar me ekzistencën sublime, u bënë mësues falë mjeshtrit të tyre. Koha nuk i rrëzoi ata dhe trazirat sociale nuk do të na lejojnë t’i harrojmë këta mësues të mëdhenj të cilët janë ende të gjallë në zemrat e njerëzve. Kushedi, mbase një ditë njerëzimi do të arrijë më në fund në këtë kuptim të përjetshëm.

Detyra madhore e njerëzve tanë është të riorganizojnë vetveten me anë të gjetjes së mjeshtërve dhe mësuesve të tyre të vërtetë. Kjo sigurisht do të sillte rezultate surprizuese. Shpresohet që mësuesit e sotëm do të kenë shpirtin e ngadhënjimtarëve dhe zbuluesve të dikurshëm. Nëpërmjet ndjekjes së ideve dhe parimeve të shenjta, një mësues duhet të përmbushë detyrën e tij, në sintezë të plotë, si në rastin e marrjes në konsideratë sëbashku, të Nizamu Mulkut dhe Alp Arslanit; duke vënë krah për krah Fatihun dhe Akshemsedinin; duke mos i ndarë Zenbiliun nga Javuzi; duke mos harruar Paskalin dhe Qiejt e Ndriçuar të Gazaliut. E ndërsa rrotullohet në botën magjike të Rumiut, ai nuk duhet të neglizhojë një vizitë në laboratorët shkencore, në mënyrë që t’i çojë përshëndetjet e tij Pasterit. Shkurt, ai duhet ta pranojë tërësinë e trupit dhe të shpirtit si një emblemë.

Përshëndetje të pafundme këtyre mësuesve të cilët vuajnë me qëllim që të edukojnë dhe të rrisin brezat e tyre të rinj![2]

Gyleni thekson kontributin pozitiv të mësuesve në historinë e qytetërimit njerëzor. Duket qartë se ky koncept i tij për mësuesin shkon përtej konceptit tonë për të. Për Gylenin mësuesi është historia. Gylen duket sikur i përmbledh të gjitha historitë njerëzore, bazuar në këndvështrimin e një mësuesi. Në mendjen e tij, mësuesit simbolizojnë një armatë dijeje që shtrihet që nga endacakëria e deri tek shoqëria civile, që nga filozofia e deri tek asketizmi dhe që nga dervishët deri tek burrat e shtetit. Gyleni shpjegon gjithashtu rolin historik të mësuesve që nga filozofia e lashtë greke, deri tek Budizmi kinez, që nga tradita kristiano-hebreje,deri tek Rilindja evropiane dhe që nga qytetërimi ynë deri tek pikëpamjet moderne pozitiviste, për të rishkruar historinë nëpërmjet këndvështrimit të një mësuesi. Sipas Gylenit, vetëm një armatë kureshtarësh dhe sintetizuesish mund të ndryshojnë rrjedhën e një qytetërimi të prishur njerëzor i cili është i sëmurë nga një lloj prishje ekuilibrash në shoqëri. Mësuesi sipas këtij vizioni përbën një element qendror. Duke i hedhur një sy rolit që i atribuohet mësuesit, mendja jonë, në mënyrë spontane, bën një paralelizëm me të shenjtën. Imagjinata e Gylenit trazohet kaq shpejt dhe kaq lirisht, saqë kthesat e historisë njerëzore shihen si shenjtërim i këtij koncepti. Sipas tij, mësuesi në kuptimin e vërtetë të fjalës, përbën një njeri të shenjtë. Meqenëse mësuesit kanë marrë një hise shumë domethënëse nga roli i Profetëve, atëherë mësuesi zë një pozitë të shenjtë. Përgjithësisht, një shoqëri dhe një qytetërim i ri mund të bëhet realitet vetëm nëpërmjet përpjekjeve të një armate serioze edukatorësh, të mbështetur fort në bazat e profesionit të mësuesit. Për këtë arsye, Gylen flet vazhdimisht për domosdoshmërinë e një stafi të tillë erudit.

Sigurisht ekzistojnë dy elementë të nevojshëm për ta mundësuar këtë ideal: shkolla dhe mësuesi. Gyleni e konsideron shkollën si një vend që ndërthur përvojat e ndryshme të njerëzimit brenda një njësie të vetme, ndaj, në këtë mënyrë, shkolla përbën një vend që e mbron njerëzimin nga çrregullimet e ndryshme mendore dhe praktike. Kjo pamje, pasqyron kësisoj tablonë e shkollës në mendjen e tij. Ai ka një vizion që i përngjet një laboratori të vërtetë për shkollën. Në sytë e tij, shkolla nuk përbën thjesht një vend ku mësuesit dhe nxënësit bëjnë një vizitë dhe qëndrojnë aty për një pjesë të konsiderueshme të jetës së tyre. Shkolla është një vend që i bën mësuesit dhe nxënësit subjekte të një transformimi të madh kimik. Është një laborator që i përgatit ata të zgjidhin çdo problem të njerëzimit dhe të qytetërimit. Shkolla është një institucion që bën të mundur edhe formimin e fëmijës ashtu dhe të mësuesit dhe që i jep formë mjedisit social dhe ekologjik:

Në fillim të çdo viti shkollor, ne nuk mund të mos mendojmë për shkollën dhe mësuesit. E si të mos e bëjmë atë? Shkolla është një laborator esencial, kurset e saj janë ilaçi i jetës dhe mësuesit janë dijetarët heroikë të kësaj infermierie mistike që shëron njerëzit nga sëmundjet shoqërore.

Shkolla është vendi i të mësuarit ku ne mund të mësojmë si rreth kësaj bote ashtu dhe rreth botës tjetër. Është fakt që vetë jeta është një shkollë. Por ne mësojmë rreth jetës në shkollës.

Shkolla ndriçon ngjarjet kryesore të historisë duke hedhur rreze drite mbi to dhe duke aftësuar studentët të perceptojnë mjedisin e tyre. Në të njëjtën kohë, ajo na ndihmon të kuptojmë sekretin e ekzistencës dhe të ngjarjeve. Ajo i shfaq njerëzimit idetë e shenjta dhe pavarësinë e përgjërimit. Ajo na ndihmon të vërejmë unitetin brenda shumëllojshmërisë. Në këtë kuptim, shkolla i ngjan më shumë një tempulli dhe shenjtorët e këtij tempulli janë mësuesit.

Një shkollë e mirë, e tillë që i bën individët të zhvillojnë ndjenjat e tyre të virtytit, përbën një pavion engjëllor që i pajis të pranishmit me sublimitet shpirtëror. Megjithatë, jo të gjitha shkollat janë njëlloj. Disa ndërtesa shkollore u ngjajnë mbeturinave dhe studentët e tyre bëhen të ashpër dhe të pagdhendur. Disa prej tyre madje mund të shndërrohen në përbindësha dhe produkte të strofullave me njëqind dalje të mashtrimit. Njerëzit, për pasojë, janë prishur nga pikëpamja karakteriale për shkak të këtyre foleve gjarpërinjsh dhe akrepash për shumë shekuj me radhë.

Një mësues i vërtetë e mbron farën e pastër dhe të shëndoshë. Detyra e tij është të kujdeset për të mirën dhe të shëndetshmen, për shfaqjen e idealeve dhe për orientimin e tij drejt përballimit dhe zhvillimeve dhe fatkeqësive të reja.

Ashtu si një lumë që rrjedh në të gjitha drejtimet, jeta e merr kuptimin e saj në shkollë. Në mënyrë të ngjashme, edhe fëmijët i zbulojnë sekretet rreth vetes në shkollë. Ashtu si një lumë i çrregullt por që përmblidhet në një vendkalim të ngushtë, duke u shndërruar kështu në madhështor për shkak të efektit që jep lëngu i pastër jetësor, i kristalizuar, që bie në kontakt me rrezet e diellit, edhe fëmija, në të njëjtën mënyrë arrin të shfaqë unitetin brenda shumëllojshmërisë në të njëjtën mënyrë sikurse frytet që janë të shpërndara në çdo pjesë të pemës.

Mendohet se shkolla zë vetëm një vend të vogël në jetën e një qenieje njerëzore. Në fakt, ajo përbën një shtëpi që ka për detyrë shfaqjen e çdo gjëje joharmonike në shkollën e universit. Ajo përbën një shtëpi që u ofron studentëve mundësinë e të studiuarit në çdo kohë, është një shtëpi që flet edhe kur hesht. Për këtë arsye, megjithëse duket sikur zë një vend të vogël në jetën e një njeriu, përbën megjithatë një shtëpi simbolike e cila mbizotëron mbi kohën dhe i detyron të gjitha përjetimet ta dëgjojnë atë. Çdo nxënës që e ndjek shkollën me vëmendjen e nxënësit të devotshëm, do ta artikulojë mësimin e marrë në shkollë gjatë gjithë jetës. Gjërat e adoptuara atje mund të ketë qenë produkte të imagjinatës, ëndrrave, apo realitetit të dikujt, ose mund të kenë qenë një aftësi e përjetuar nga dikush. Çështja themelore qëndron në faktin se çfarëdolloj arritjeje e mëparshme është pjesë e një çelësi mistik që mund të hapë dyer të mbyllura dhe mund të shpjerë drejt rrugës së virtytit.

Në shkollë, shkenca përthithet brenda vetes; nëpërmjet kësaj, studentët kapërcejnë kufijtë e botës së ngurtë materiale dhe në njëfarë mënyre ngrihen drejt kufijve të pafundësisë. Shkenca që nuk është e integruar brenda vetes, përbën një barrë mbi shpinën e qenieve njerëzore, një diçka shqetësuese. Një dije e tillë mbart mbi vete përgjegjësi të caktuara; shkenca mund t’i ngjajë djallit, i cili i mban ndërgjegjet në turbulli. Çdo mësim i cungët dhe që nuk premton ecjen e shpirtit drejt rrugës së ndriçimit përbën një ingranazh të konsumuar dhe një element me dhëmbë të ngrënë në zemrën e njeriut.

Sistemi më i mirë edukativ është një shkollë që e vë theksin njëkohësisht në ndodhitë e jashtme ashtu dhe në dijet e brendshme. Në këtë shkollë, mësuesi përbën një udhëheqës të jashtëm, por ai është gjithashtu edhe një përvojë në shpirtin tonë. Është e sigurt se shkenca e madhe, e pandryshueshme dhe thënia e saktë e mësimit përbëjnë vetë jetën. Megjithatë, për ata të cilët nuk dinë si të mësojnë nga ajo, mësuesit duhet të shërbejnë si ndërmjetës që lidhin sëbashku jetën dhe vetveten dhe të cilët shpjegojnë dallimin e errësirës nga drita.

Gazetat, librat, televizioni dhe radioja, të gjitha këto, u mësojnë njerëzve diçka. Por ato nuk janë kurrë në gjendje t’u shpjegojnë qenieve njerëzore jetën e vërtetë dhe përvojën jetësore. Nëpërmjet fitimit të zemrave të studentëve çdo ditë, nëpërmjet mjeteve të ndryshme, duke përballuar çdo dhembje dhe kokëçarje, si dhe duke lënë gjurmë të pashlyeshme në mendjet e tyre, si nëpërmjet leksioneve ashtu edhe nëpërmjet sjelljes së tij, mësuesi zë një vend të tillë që nuk mund të zëvendësohet me asgjë tjetër dhe me asnjë person tjetër. Është kjo arsyeja përse nxënësit mësojnë diçka edhe falë metodave lehtësuese të Perëndimit, asnjë qëllim i shkencës nuk mund të mësohet dhe asnjë objektiv nuk mund të arrihet nëse vetë mësuesi nuk jep shembuj të virtytit. Këto elemente mund të shpjegohen vetëm prej një mësuesi të tillë, fytyra e të cilit shndrit nga e vërteta, vështrimi i të cilit është pafundësisht i thellë dhe i cili zbukuron gjithçka që jep nga zemra e tij.

Nëse Apostujt nuk do ta shikonin Isain (Krishtin) duke shpjeguar fenë, pavarësisht rrezikut të kryqëzimit, si mund të buzëqeshnin ata në momentin kur ishin duke i hedhur në strofullën e luanëve? Nëse ata nuk do të shihnin udhëheqësin më të madh të të gjithë kohërave, duke i lutur të tjerët të jenë zemërbutë edhe kur ai ishte i plagosur dhe i gjakosur, si mund të arrinin që të gjenin freskinë dhe paqen kur gjendeshin brenda flakëve?

Një mësim i mirë është ai që mësohet në shkollë përpara syve të mësuesit. Një kurs i tillë jo vetëm bën që nxënësi të përfitojë diçka të vlefshme, por gjithashtu e lartëson atë në praninë e të panjohurës dhe hedh mbi të bekime pafundësisht. Për studentët e kësaj lloj klase, çdo ngjarje përbën një sipërmarrje të botës së padukshme. Këta nxënës janë vëzhgues të të vërtetave që shtrihen përtej kallëpeve të lëvizshëm.

Në një shkollë të tillë askush nuk mund të vërë në dyshim domosdoshmërinë e mësuesit. E si mund të ndodhë një gjë e tillë? Mësuesit i ngrenë studentët në nivelin e yjeve dhe u japin frymë atyre; mësuesit i çojnë nxënësit përtej kufijve të jetës.

Mësuesi i vërtetë është një person i cili mund të shikojë përtej vellove të fenomeneve natyrore dhe që mund të vendosë një lidhje ndërmjet jetës dhe ndërgjegjes, si një përcjellës që shkarkon energjinë e tij tek një marrës energjie, duke dëgjuar zërin e së vërtetës jashtë çdo ndikimi, duke u përpjekur ta interpretojë atë në çdo gjuhë dhe t’ua shpjegojë të tjerëve.

Mësuesi i Rusoit ishte ndërgjegjja. Për Kantin ishte ndërthurja e ndërgjegjes dhe e arsyes. Në shkollën e Mevlanës dhe Junus Emresë, mësuesi është Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të... Kurani është një antologji thëniesh dhe himnesh që burojnë nga ky leksion hyjnor, një koleksion i fjalëve misterioze të cilat i bëjnë të heshtin të gjitha botët e tjera dhe të cilat shfaqin Njësinë brenda shumëllojshmërisë.

...

Ah, sikur të mund ta kishim mësuar popullin tonë, si të shprehte kriticizmin e ndritur dhe konstruktiv!

Ah, sikur të kishim marrë mësim nga e shkuara dhe nga ngjarjet e përjetuara gjatë historisë!..

Derisa mësuesi të mos jetë bamirës, derisa shkolla të mos shpjegojë mësime të domosdoshme dhe derisa librat të mos pasqyrojnë misteret e kristalizuara në zemër të universit, mësuesi do të jetë i mjerë, shkolla do të jetë në errësirë dhe ata që ndjekin këtë lloj shkolle do të jenë fatkeqë. Dhe nëse mësuesi, nga ana e tij, do të studiojë fenomenet natyrore dhe materiale me lente në duart e tij, nëse librat do të emetojnë rrezatim dhe do të funksionojnë si një mikroskop elektronik dhe nëse shkolla do të funksionojë si një laborator i këtij kujdesi misterioz, atëherë mësuesi do të jetë i lumtur, shkolla do të jetë një vend i ndriçuar dhe studentët do të jenë shumë fatlumë.

Tani, unë shtroj pyetjen: a kanë qenë në gjendje mësuesit ta kryejnë detyrën e tyre në të shkuarën tonë të afërt? A kanë mundur t’i sjellin ndriçim shpirtrave të studentëve të tyre dhe a kanë mundur të bëjnë simbiozën me universin? A kanë arritur të rrezatojnë në zemrat e tyre dhe t’i pajisin ata me ideale të larta? A kanë mundur t’u shpjegojnë nxënësve jetën, në çdo aspekt të saj dhe të shpëtojnë shpirtrat e tyre nga poshtërimi? A kanë mundur t’i bëjnë nxënësit që ta duan librin dhe shkollën dhe t’u shpjegojnë atyre synimet madhore të shkencës?[3]

Për ne, mësuesi dhe udhërrëfyesi i vërtetë është një person fatlum i cili me aftësinë dhe prirjen për t’u bërë gjithçka, u shpjegon të vërtetat të gjithë njerëzve që lindin në këtë botë, duke i bërë të tjerët të mendojnë pozitivisht, duke i nxitur zemrat e tyre dhe duke u dhënë krahë shpirtrave të tyre, duke larguar errësirën penguese dhe duke i çuar ata drejt zonave të ndriçuara.

Sa i bekuar është mësuesi i cili është i përkushtuar ndaj nxënësve, i cili i ndjek ata hap pas hapi, në çdo stacion të jetës së tyre dhe i cili ndjehet i ekzaltuar kur ata ngrihen në nivelet e larta njerëzore. Vetëm një mësues i tillë është në gjendje t’u tregojë atyre të vërtetat absolute nëpërmjet lenteve të shkencës, shpesh i ngarkuar si rrufe, por i aftë të ndriçojë zemrat e studentëve të tij dhe të zbutë shpirtrat e tyre![4]

Një person nuk mund të quhet mësues në qoftë se ai, në emër të shkencës, i lë nxënësit e tij në dyshim; edhe një shkollë nuk mund të quhet vërtet shkollë në qoftë se studentët me solemnitetin e laborantëve, orientohen drejt rezultateve të rreme.[5]

Kjo detyre sublime, mund të kryhet me kujdes në çdo institucion kombëtar, që nga shkolla e deri tek tempujt dhe sa më larg që të jetë e mundur duke ua transmetuar atë çdo shpirti intelektual dhe vullnetar i cili ka arritur njësimin midis mendjes dhe zemrës. Është detyrë që i takon mësuesit arritja e këtyre objektivave për arsye se mësuesi dhe udhëheqësi është një person i pjekur, i cili në radhë të parë, e ka arritur të vërtetën brenda shpirtit të tij. Vetëm në këtë rast ai mund të shkarkojë barrën e së vërtetës nga supet e tij te zemrat e nxënësve. Shpirtrat, të cilët nuk janë të ndriçuar nga rrezet hyjnore që vijnë nga çdo cep i universit, kanë shanse të pakta për ngritjen e masave në nivelin e njerëzve të përkryer. Po kështu, mendjet konfuze, të cilat u janë dorëzuar dyshimeve të tyre kanë shumë pak shanse t’u japin një edukim të përshtatshëm studentëve të tyre. Më së shumti, njerëzit në ato institucione ku pushteti përfaqësohet, mund të gjejnë ngushëllim në epikat e vjetra dhe këngët folklorike. Ata gjejnë strehë tek folklori dhe ceremonitë në emër të fesë si dhe mund të çirren me legjendat e të tjerëve, në lidhje me marrëdhëniet e qenieve njerëzore me Krijuesin. Ata i dalldisin nxënësit me këto lloj legjendash, por nuk mund të bëhen kurrë njerëz të cilët nxisin frymëzim, të cilët ngrenë lart botën shpirtërore dhe të cilët inkurajojnë zemrat.[6]

Ne jemi të ngarkuar me përgjegjësinë e stolisjes së botës sonë përmes një shpirti të ri dhe të freskët që rrjedh nga dashuria për vëllezërit tanë kudo nëpër botë si dhe nga dashuria për lirinë. Ne na është ngarkuar gjithashtu edhe përgjegjësia e të qenurit vetvetja, e të lidhurit me parimet e këtyre tre dashurive si dhe përgatitja e terrenit për mbjelljen e fidanëve me rrënjë të pastra të pemës së bekuar të parajsës, në mënyrë që ajo të ushqehet dhe të rritet në tokën e këtyre dashurive. Kjo sigurisht varet nga ekzistenca e heronjve të cilët do të marrin mbi vete përgjegjësinë për mbrojtjen e historisë dhe fatit të vendit, fesë, traditave, kulturës dhe çdo gjëje të shenjtë që i përket popullit. Kjo do të varet nga ata heronj që janë tërësisht të mbushur me dashuri për shkencën dhe dijen, të stolisur me idetë e përmirësimit dhe të ndërtimit; të cilët janë të devotshëm përtej çdo caku, që janë patriotë dhe të përgjegjshëm e për rrjedhojë për herë të ndërgjegjshëm në punë ose në detyrë. Falë këtyre heronjve dhe përpjekjeve të tyre të sinqerta, sistemi ynë i mendimit dhe i botëkuptimit dhe frytet që burojnë prej tij, do të dalin në pah tek njerëzit tanë. Sensi i përkushtimit ndaj të tjerëve dhe ndaj bashkësisë do të marrë përparësi, kuptimi i ndarjes së punës, administrimit të kohës dhe ndihmës dhe lidhjes me njëri-tjetrin do të rigjallërohet. Çdo marrëdhënie autoritet-subjekt, punëdhënës-i punësuar, pronar-punëtor, çifligar-argat, artist-admirues, avokat-klient, mësues-nxënës, do të përbëjnë aspekte të ndryshme të unitetit të së tërës; dhe e gjitha kjo do të ndodhë përsëri, ashtu siç ne shpresojmë dhe të gjitha këto do të bëhen realitet një e nga një. Ne tani jetojmë në një epokë në të cilën ëndrrat tona po realizohem, ndaj ne besojmë se, me ndihmën e Zotit, secila prej detyrave të kësaj epoke do të përmbushet kur t’i vijë dita.[7]

... Nga ky këndvështrim, qëllimi ynë më themelor është të hedhë dritë mbi konceptin që “t’i bësh të tjerët të jetojnë” në zemrat e vëllezërve tanë bashkatdhetarë, në mënyrë që të davarisin mendimet e huaja të cilat bëhen pengesë ndërmjet tyre dhe idealeve të tyre. Atëherë duhet të aktivizojmë energjinë e tyre të fjetur dhe me anë të motivimit dhe aktivitetit të disiplinuar t’i bëjmë ata të ecin drejt idealeve të tyre historike. Gjatë një mobilizimi të tillë është nevojë e domosdoshme të takojmë njerëz nga çdo fushë e jetës - intelektualë, artizanë, bujq, banorë të qyteteve, mësues, predikues fetarë etj - me qëllim gjetjen e një emëruesi të përbashkët që do të shërbejë si orbitë për këtë lëvizje kolektive. Ndërmjet këtyre emëruesve të përbashkët mund të rendisim lartësimin e vendit tonë në një pozitë të tillë ai të mund të luajë një rol balancues mes shteteve të tjera si dhe të ushqyerin e shoqërisë sonë me kuptimin dhe idenë se dashuria për të vërtetën dhe dëshira për dije dhe kërkim shkencor, mund të jenë mjete që do ta shpien atë drejt Hyjnores...[8]


[1] Komuniteti endacak ka të bëjë me Sahabet e Profetit Muhammed paqja qoftë mbi të.

[2] Gülen, Çağ ve Nesil, f. 110-114.

[3] Gülen, Yitirilmiş Cennete Doğru, f. 125.

[4]  Gülen, Buuhranlar Anaforunda Insan, f. 101.

[5] Gülen, Çağ ve Nesil, f. 107..

[6] Gülen, Buuhranlar Anaforunda Insan, f. 88.

[7] Gülen, Statuja e Shpirtrave Tanë, f. 101-2.

[8] Gülen, Kendi Dünyamıza Dğru, f. 58.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.