Drejt së nesërmes

Për shekuj me radhë, bota islame endet nëpër rrethin vicioz të gabimeve, duke qenë e paaftë t’i drejtohet për ndihmë, në ndonjë rast, shpirtit dhe thelbit të vet. Sa herë që ajo ka arritur ta thyejë këtë mur dhe të bëjë dy hapa përpara, menjëherë është kthyer disa hapa pas, duke humbur në qerthullin e këtij rrethi vicioz. Kjo endje tekanjoze, apo shmangie e pafré, në të cilën ka më tepër dëm sesa dobi, dhe në të cilën e dëmshmja e dëbon tutje të dobishmen, përpjekjet e shoqërisë për të kërkuar dhe gjetur të vërtetën, pengohen së tepërmi, po ashtu siç pengohet edhe puna e bërë nga njerëzit për të dalë nga kjo situatë. Ne kemi parë në këtë botë të gjerë që të prishet çdo gjë pas riparimit dhe “tytat” e armëve të shteteve dhe kombeve të kthehen përsëri kundër vetvetes.

E prapëseprapë, ne besojmë në nevojën për ta hetuar botën islame së bashku me kuptimin e saj të besimit, pranimin dhe interpretimin e saj të Islamit, vetëdijen për hyjnoren, zellin dhe dëshirën, arsyen, logjikën, mënyrën dhe sistemin e saj të të menduarit, stilin e të shprehurit dhe të komunikuarit të vetvetes, si dhe institucionet e saj, të cilat do ta bëjnë njerëzimin që t’i fitojë këto cilësi dhe aftësi. Në këtë mënyrë, ne mund ta orientojmë botën tonë drejt një rilindjeje të vërtetë në të gjitha aspektet dhe elementet e saj.

Themelet e jetës sonë shpirtërore janë mendimi dhe botëkuptimi fetar. Ne, jo vetëm e kemi mbështetur jetën tonë në to, por kemi ndërmarrë gjithashtu veprime, duke u bazuar atje. Nëse do të shkëputeshim prej tyre, do ta gjenim veten njëmijë vjet pas. Feja nuk është vetëm një përmbledhje ritualesh dhe adhurimi. Qëllimi i saj është t’i japë kuptim njerëzimit dhe universit, hapja ndaj natyrës njerëzore në thelbin dhe shpirtin e vet, realizimi i dëshirave të cilat shkojnë përtej kësaj bote, si dhe përgjigjja ndaj shpalljes së të përjetshmes në ndërgjegjen njerëzore. Feja e përqafon tërësinë e jetës individuale dhe kolektive, ajo ndërhyn në gjithçka që ne kemi në mendje, zemër dhe në shpirt. Ajo i jep nuancën e vet çdo veprimi që bëjmë në përputhje me qëllimet tona, si dhe ngjyros gjithçka me ngjyrën e saj.

Boshti i çdo vepre të një besimtari është adhurimi, çdo përpjekje përmban një dimension beteje kundër dëshirave trupore (xhihadi i madh) dhe çdo veprim është i orientuar drejt botës së përtejme dhe kërkimit të kënaqësisë së Zotit. Në jetën e besimtarit nuk ekziston ndonjë ndarje midis kësaj bote dhe tjetrës, nuk ekzistojnë pengesat ndërmjet mendjes dhe zemrës. Ndjenjat e besimtarit janë gjithmonë të bashkuara me arsyen e tij dhe frymëzimi nuk shpërfillet nga gjykimi. Kështu, në botën e tij mendore, eksperienca i ngjan një shkalle prej drite që ngrihet sipër drejt mendjes, dija përbën një bastion të lartë të përforcuar me kuptim, mençuri dhe intuitë. Besimtari është si një shqiponjë që fluturon vazhdimisht drejt pafundësisë me anë të krahëve viganë të dashurisë. Ai është relievi që ravijëzon gjithë ekzistencën me anë të çekiçit dhe vulës së inteligjencës së këtij bastioni. Nga kjo pikëpamje, nuk mund të gjendet asnjë e metë në ndonjë vend, pra, nuk ekziston asnjë lloj shpërfilljeje ndaj njerëzimit, qoftë nga pikëpamja intelektuale, ashtu dhe nga ajo kolektive.

Ata të cilët e perceptojnë fenë si kundërshtare të shkencës dhe të arsyes, janë të sëmurë, janë të pavëmendshëm ndaj shpirtit të fesë dhe arsyes. Për më tepër, është tërësisht një mashtrim t’ia faturosh fajin fesë për përplasjen ndërmjet sektorëve të ndryshëm të shoqërisë. Konfliktet ndërmjet njerëzve të veçantë dhe grupeve të njerëzve, burojnë nga injoranca, nga ambicia për privilegje dhe përfitime personale, apo nga interesat meskine të grupeve, partive, apo klasave të veçanta. Feja as nuk i miraton e as nuk i fal të tilla cilësi dhe ambicie. Në fakt, ekzistojnë konflikte dhe përplasje ndërmjet disa individëve me orientim fetar, por megjithëse ata kanë të njëjtin shpirt, kjo ndodh për arsye se nuk kanë të njëjtën shkallë besimi, nuk arrijnë të ruajnë sinqeritetin, nganjëherë nuk mund të kapërcejnë mbi ndjenjat e tyre dhe thyhen nga to. Nga ana tjetër, njeriu i virtytshëm, i mbushur me besim, nuk mund t’i miratojë e as të rendë drejt këtyre mizorive. Prandaj, e vetmja rrugë për të shmangur rënien në këto situata jo të përshtatshme, është fuqizimi i fesë dhe i institucioneve të saj në jetën tonë të përgjithshme. Kështu shoqëria do të lulëzojë si një e tërë.

Bashkësia islame ka nevojë për një rigjallërim, për një reformë serioze nga pikëpamja mendore, shpirtërore dhe intelektuale. Në qoftë se përdorim një shprehje më pozitive, mund të themi se shoqëria ka nevojë për rigjallërim, për kryerjen e përpjekjeve serioze që të ruhen parimet origjinale të fesë, shtrirja dhe universaliteti më i madh i mundshëm nga vetë fleksibiliteti i shpalljeve hyjnore në mënyrë që ajo t’i plotësojë nevojat e njerëzve në çdo fushë të jetës, në çdo vend dhe kohë, duke përqafuar kështu tërësinë e ekzistencës.

Që nga ardhja e Islamit - Zoti mos e dhëntë kurrë të privohemi nga mbrojtja e tij - ky sistem i bekuar ia ka hapur dyert ripërtëritjeve shumë herë dhe ka përjetuar shumë momente rilindjeje. Shkollat e doktrinave (medhhebet) në përgjithësi, në shumicën e tyre, përfaqësojnë zhvillime të reja në fushat e jurisprudencës dhe ligjit, urdhrat fetarë sufi (tarikatet) punuan në drejtim të zemrës dhe shpirtit duke i kthyer ato në autostrada të gjëra, shkollat dhe medresetë gjatë gjithë kohës që funksionuan siç duhet, merreshin kryesisht me shpjegimin e kuptimit të universit dhe qenieve të tij. Përsa i përket rilindjes dhe rigjallërimit të dëshiruar për kohën e sotme, ai duhet të jetë një kombinim i të gjitha atyre sa thamë më sipër. Kjo do të bëhet e mundur vetëm duke i bashkuar ato, duke lënë mënjanë dallimet e vogla të secilit model, sepse parësore është rikthimi në besim, sinqeriteti në veprime dhe vetëdija për Zotin në mendime dhe ndjenja.

Sasia e akteve të adhurimit duhet të jetë e plotë dhe cilësia duhet të bëhet qëllim në vetvete, fjalët duhet të jenë mjetet e lutjes dhe shpirti e sinqeriteti janë thelbësore për këtë. Suneti duhet të jetë një udhërrëfyes dhe për këtë nevojitet ndërgjegje e pastër dhe në të gjitha këto Zoti duhet të jetë objektivi kryesor. Namazet ditore nuk janë një bashkësi ushtrimesh fizike uljeje dhe përkuljeje. Dhënia e sadakasë nuk është thjesht pagesa e një takse të vogël në të holla, apo sende për të ndihmuar fatkeqët e panjohur në vende të panjohura, apo për qëllime të panjohura. Agjërimi nuk është thjesht një dietë, apo heqje dorë nga ushqimet dhe pija, dhe haxhi nuk është thjesht udhëtim nga njëri qytet në tjetrin që të shpenzohen kursimet në valutë të huaj e në një vend të huaj. Në qoftë se të gjitha këto veprime nuk kryhen brenda hapësirës së tyre shpirtërore, si mund të quhen të ndryshme prej aktiviteteve mondane të ngjashme me to? Përqendrimi në sasinë e akteve të adhurimit mund të përbëjë vetëm një lojë fëminore, thirrjet, çjerrjet pa shpirt gjatë duave (lutjeve) mund t’i shërbejnë vetëm atyre të cilët orvaten të ushtrojnë kordat e tyre zanore, vajtja në haxh pa qenë të ndërgjegjësuar për thelbin e tij, përbën vetëm një përpjekje për rehati personale me anë të përdorimit të titullit të haxhiut dhe anekdotave të udhëtimit. E si mund të quhen akte të mirëfillta adhurimi ato që kryhen në këtë mënyrë?!

Mënyra e vetme për të mos u përfshirë në rrjetën e këtyre negacioneve është mobilizimi në përgatitjen e “doktorëve të shpirtit dhe realitetit thelbësor”. Vetëm përmes tyre mund të mbushet boshllëku brenda nesh, të ç’rrënjoset dobësia jonë, të shkëputemi nga të qenit robër të trupit dhe dëshirave tona trupore dhe prej nga mund të shkojmë drejt niveleve më të larta të zemrës dhe shpirtit. Ne kemi nevojë për doktorët e shpirtit dhe të realitetit, zemrat e të cilëve janë të hapur për çdo fushë të dijes si: mendjemprehtësia, kultura, dija shpirtërore, frymëzimi dhe bekimi hyjnor, bollëku, përparimi dhe ndriçimi. Ne lëvizim nga fizika tek metafizika, nga matematika tek etika, nga kimia tek spiritualiteti, nga astronomia tek subjektivizmi, nga artet e bukura tek sufizmi, nga ligji tek jurisprudenca, nga politika tek trajnimi i veçantë, në urdhrat e veçantë sufi. Ne nuk kemi nevojë për këtë, apo atë cilësi, apo aftësi të veçantë, por, përkundrazi, për mendje të plota gjithëpërfshirëse. Ashtu siç ka truri lidhjet dhe ndërlidhjet e tij me të gjitha pjesët dhe qelizat e trupit, që nga më e afërta e deri tek më e largëta, nga më e vogla deri tek më e madhja me anë të fibrave nervorë, po kështu duhet të lidhet një kuadër i tillë mendjesh, i cili të mund të komunikojë dhe të ndërveprojë me anë të atomeve, molekulave dhe pjesëzave të trupit të kombit. Kështu ai do të arrijë deri tek njësitë dhe organet që përbëjnë shoqërinë. Vetëm kështu duart e tij mund të prekin dhe të kontrollojnë të gjitha institucionet jetësore. Vetëm kështu ai do të arrijë të përcjellë me butësi tek çdo njeri në çdo fushë të jetës aspekte të caktuara të shpirtit dhe të realitetit. Të tilla, që të vijnë nga e kaluara dhe që fitojnë më tepër gjerësi në të sotmen, por dhe që shtrihen drejt së ardhmes.

Një plejadë e tillë doktorësh të shpirtit do t’i përqafojë të gjithë, që nga fëmijët e vëmendshëm dhe të sjellshëm të shkollave, deri tek ata të cilët sillen rrugëve. Me anë të mesazhit të shpallur në shpirtrat e të gjithëve, duke i ngritur ata në nivelin e njerëzve të cilët zotërojnë dije, aftësi dhe gjenialitet për të ardhmen, ata do t’i prezantojnë denjësisht këta fëmijë për të mirën e përgjithshme dhe dobinë e shoqërisë. Në të gjitha shtëpitë, konviktet, shkollat dhe universitet, po ashtu edhe në vendet e pushimit, adhurimit dhe ndriçimit shpirtëror, këta njerëz do të pastrojnë këdo nga të gjithë shtresat dhe nivelet e shoqërisë prej marrëzirave të moshës duke i kanalizuar ata drejt përsosmërisë njerëzore.

Për më tepër, kjo plejadë njerëzish të kualifikuar do të humanizojë armën e fuqishme të medias, të përbërë nga revistat, gazetat, radiot dhe televizionet, duke i kthyer ato në zërin dhe frymën e jetës kombëtare dhe fetare, dhe nëpërmjet këtyre mediave, do t’u orientojnë ndjenjave, mendimeve dhe zërave më të errët, rrugët e duhura për t’u bërë njerëz të vërtetë.

Kjo plejadë njerëzish do t’i shpëtojë institucionet tona të edukimit dhe shkollimit, të cilat tani veçse kanë ndryshuar formën dhe drejtimin, për shkak të devijimeve të brendshme dhe presionit nga jashtë, që kthehen nga fryn era, nën komandën dhe kontrollin e të tjerëve, duke i bërë ato të hapura dhe të përgjithshme, të afta për të përmbushur kërkesat e të sotmes, duke i ndrequr dhe riorganizuar në përputhje me këndvështrimet historike, duke i ngritur si nga stili, ashtu dhe nga metodologjia, në një standard mjaft të lartë dhe duke i kthyer në vende me qëllime dhe cilësi superiore.

Për ta përmbledhur këtë sa thamë më lart, ne do të largohemi prej vuajtjeve të formalizmit të vrazhdë dhe të zbrazët drejt kuptimit të vërtetë shkencor, nga veprat e pavlera, të dobëta dhe jodinjitoze që njihen rëndom me fjalën “art”, drejt artit dhe estetikës së vërtetë, nga zakonet, huqet dhe obsesionet me prejardhje të panjohur, drejt vetëdijes për një moral të mbështetur në histori dhe fe, nga grackat e mendimeve të ndryshme torturuese që mundojnë shpirtrat tanë, tek kuptimi i vlerës së vërtetë të nënshtrimit, shërbimit, përkushtimit, dorëzimit dhe mbështetjes tek Zoti.

Bota po përjeton këtë valë reformash, megjithatë, ne, nuk besojmë se ndonjë gjë e re do të burojë nga rrënojat e kapitalizmit, nga fantazia e komunizmit, nga gërmadhat e socializmit, nga hibridet e socialdemokracisë, apo nga liberalizmi i venitur. Në qoftë se ka një botë vërtet të hapur drejt një rendi të ri, kjo është bota jonë. Brezat e ardhshëm, duke kthyer kokën pas, ndoshta do ta konsiderojnë këtë si “Rilindje.”

Kjo rilindje do t’i bëjë ndjenjat tona dhe horizontet e mendimit dhe të kuptimit të artit e të së bukurës që të arrijnë gjerësi të reja dhe ndryshimin më të madh që kanë pasur deri tani. Në këtë mënyrë, ne do të gjejmë kënaqësitë tona estetike, do të krijojmë muzikën tonë dhe do zbulojmë romanticizmin tonë. Duke vendosur popullin tonë në themele të fuqishme në çdo fushë, nga shkenca tek arti, nga mendimi tek morali, ne do t’u garantojmë atyre të ardhmen.

Në këtë drejtim, përpjekjet dhe dinamizmi duhet të përbëjnë flamurin tonë dhe ndërgjegjja e besimit dhe e të vërtetës duhet të jetë burimi i fuqisë sonë. Ata të cilët na kanë bërë të endemi nga dera në derë dhe të cilët kanë pritur zgjidhjen e problemeve nga ana e jobesimtarëve dhe imoralëve, e kanë pasur përherë gabim. Ne kemi qenë gjithmonë të nderuar, për sa kohë ia kemi dorëzuar zemrat tona plotësisht Zotit dhe për sa kohë që ne kemi preferuar kombin, njerëzit dhe tokën tonë, në krahët e së cilës ne jemi përkundur, duke mos e ndërruar me asgjë tjetër në botë. Unë mendoj se nuk është e nevojshme të shpjegojmë alternativat…