Formimi i bashkësive: Krizë identiteti apo kërcënim

Metodologjia e re e shkencave sociale ka tendencën për t’i vështruar lëvizjet shoqërore dhe qytetare në shoqëritë demokratike si pjesë të modelit pluralist. Po kur çështja vjen tek formacionet politike, shoqërore dhe qytetare në botën myslimane, duket se nuk ka vend për një optimizëm të tillë; shumica e lëvizjeve shoqërore në botën myslimane janë subjekt i teorive të krizës së identitetit që rrjedhin gjerësisht nga ndasitë ekonomike dhe sociale në shoqëri. Koncepti i “shumëllojshmërisë” e dobëson vlerën e lëvizjeve në botën myslimane, duke bërë që pyetjet e parashtruara më sipër, të marrin përgjigje të saktë nga teoritë moderniste. Teoritë e krizës së identitetit përmbajnë vetëm një metodë të lexuari në rreshtat e ideologjisë së modernizmit. Ata i konsiderojnë lëvizjet e këtij lloji si lëvizje që lindin në një zbrazëti të krijuar për shkak të modernizmit. Industrializmi, urbanizmi dhe racionalizimi përfaqësojnë enën e shkrirjes për modernizmin. Kjo enë përmban të gjitha llojet e strukturave tradicionale, identitetet dhe format e organizimit brenda kornizës së modernizmit dhe të racionalizmit. Kjo sjellje përbënte rrugën drejt konsolidimit si të shtetit të centralizuar kombëtar, ashtu edhe të qytetërimit bashkëkohor laik.

Paralelisht me tendencën për modernizim, shumë shkencëtarë, që nga shek XVIII e këtej, kanë besuar se feja do të perëndojë. Edhe sociologët gjithashtu, fillimisht besonin se feja ishte në grahmat e saj duke ndjekur kështu të njëjtën linjë mendimi me mendimtarët pozitivistë. Ideja fikse e ideologjisë laike se feja do të zhdukej, bazohej në pretendimin se krahas industrializimit, urbanizimit dhe racionalizmit, feja automatikisht do të perëndonte. Kjo ide përfaqëson thelbin e teorive moderniste për arsye se parimi më themelor i modernizmit është laiciteti. Bashkë me modernizmin, u përjetua një rënie e shpejtë e ndikimit të kishës në shumë vende të Evropës. Teoricienët pionierë të këtyre ideve, duhet të kenë qenë dëshmitarë të kësaj rënieje. Por në sensin e “besimit fetar individual”, këto teori nuk kanë ndonjë vlerë reale. Pavarësisht rënies në pjesëmarrje të njerëzve nëpër kisha, besimi individual nuk u zvogëlua gjatë periudhës industriale, përkundrazi, u rrit.

David Martin për shembull, është një sociolog bashkëkohor i cili i kundërshton teoritë e laicitetit përsa i përket mënyrës së tyre të prezantimit në grupin e teorive sociale. Sipas Martinit, nuk ekziston ndonjë fakt i mjaftueshëm apo përfundimtar për të vërtetuar pretendimin se laicizmi do të përhapet në mënyrë të vazhdueshme dhe madje ai tregon sesi gjatë shek. XVIII, XIX dhe XX, teoria laike u ka shërbyer më tepër polemikave ideologjike sesa qëllimeve konceptuale.[1] Në shek. XXI, ideologjia e laicizmit nisi të shfaqte shenjat e rënies. Teoricienët sociologë, e përkufizonin këtë fenomen si “rikthimi i së shenjtës.” Këta teoricienë sociologë, deklaronin se laicizmi ka qenë një parullë e rreme dhe se feja është bërë më e dukshme në rrugë të reja dhe trajta të ripërtërira. Modernizmi dhe feja, pas këtyre zhvillimeve, me sa duket përputhen me njëri-tjetrin.

Pavarësisht rrymave antilaiciste tipike për epokën moderne, feja aktualisht nuk përbën thjesht një gjurmë historie ndërmjet zonave rurale e të pashkolluara. Përkundrazi, feja është në rritje, në radhët e qytetarëve të shkolluar dhe të suksesshëm të cilët përbëjnë njerëzit e vërtetë që janë në gjendje të shijojnë frutet e modernizmit dhe të racionalizmit. Sot, në Japoni, automobilat e rinj bekohen në tempujt Shintu; në Rusi (në vendin e marksizmit), masat e njerëzve u turrën në grupe të mëdha në kishat ortodokse pas rënies së regjimit.

Në vitet 60’, një nga mbrojtësit më të zjarrtë të ideologjisë laike ishte Peter Berger. Në ditët tona, edhe ai e pranon se kjo ideologji ka dështuar. Ai argumenton se laicizmi modern nuk ka rezultuar i efektshëm në përmirësimin e veprave individuale të njerëzve dhe në zvogëlimin e padrejtësisë së përgjithshme në botë. As “miti i madh i progresit”, që përbënte fitoren e pabesueshme të shkencave natyrore, as suksesi relativ i lëvizjeve revolucionare, nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë zgjidhje të vazhdueshme të problemeve të atyre që vuajnë nga varfëria materiale apo shpirtërore. Si rezultat i dështimit të laicizmit, aftësitë konsoliduese të fesë kanë fituar një besueshmëri të re në sytë e njerëzve.[2] Në fakt, si në Botën e Tretë, ashtu edhe në Botën Evropiane dhe atë Perëndimore, lëvizjet fetare kanë ekzistuar gjithmonë. Ato janë ose në një gjendje të qëndrueshme, ose në rritje; qofshin të reja apo të vjetra, antike apo moderne. Shumë besimtarë praktikantë janë frikësuar nga natyra gjithëpërfshirëse e ideologjisë laike. Për rrjedhojë, ndërsa disa lëvizje fetare zhvilluan një mënyrë të vepruari kundër modernizmit, shumica e lëvizjeve fetare ka sugjeruar se këto procese modernizmi dhe laicizmi, duhet të inkurajonin ndjenjat fetare në vend që të ndihmonin në zhdukjen e tyre.

Synimi im këtu është të tërheq vëmendjen ndaj faktit që rritja e tendencës fetare nuk kërkon domosdoshmërisht flakjen tej të modernizmit. Për më tepër, gjatë analizës së kësaj rritjeje të vetëdijes në kontekstin e formimit të bashkësive, ne nuk mund ta trajtojmë fenë si një element që kërcënon stilin modern të jetesës. Përkundrazi, ne duhet të marrim parasysh faktin se feja përbën një aspekt të domosdoshëm dhe të pamohueshëm të jetës sonë individuale dhe shoqërore. Nëse në pamje të parë duket se ekziston një “problem fetar” dhe shumë njerëz pretendojnë që “dhuna dhe terrori fetar” kanë të bëjnë me këtë problem, mund të thuhet vetëm se kjo vjen për shkak të ideve radikale politike dhe ideologjike.


[1] Shih Ali Kőse, botuar nga, Sekülerizm Sorgulanıyor, Istambul: Ufuk Yayınları, 2002, f. 41-42.

[2] Shih po aty, f. 77; P. L. Berger dhe T. Luckmann, Ndërtimi Social i Realitetit: Një Trajtim në Socilologjinë e Dijes, Garden City, NY: Anchor Books, 1966.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.