Themelet kulturore të tolerancës dhe dialogut

Meqenëse shtetet moderne janë të ndërtuara mbi bazën e shoqërive të urbanizuara, edhe problemet që i përkasin njerëzimit, shoqërisë dhe vlerave demokratike janë komplekse dhe të shumëllojshme. Të gjitha veprimet tona, qofshin politike, ekonomike, sociale apo kulturore, kanë si synim e vetëm përfitimin. Mendjet tona nuk mund të veprojnë deri në lodhje pa pritur shpërblim, domethënë nuk mund të japin pa marrë gjë në këmbim. Ne jemi në prag të një epoke në të cilën “shërbimi ndaj njerëzimit” po përballet me zhdukjen. Ky është një proces krejtësisht mekanik i një bote dixhitale, ku të gjitha cilësitë njerëzore po shkojnë drejt asgjësimit. Kjo përbën rënie nga piedestali për specien njerëzore. Qeniet njerëzore janë duke u shndërruar në mjet për arritjen e komoditetit apo në plaçkë tregu, në një kohë kur dikur konsideroheshin si themeluesit e parimeve të universit. Problemet me botën moderne janë pikërisht të qenieve njerëzore. Për t’iu kundërvënë kësaj tendence, njerëzit po drejtohen kudo drejt botës shpirtërore, kësaj kolone hyjnore e cila do t’i risjellë në kujtesë njerëzimit vlerat e veta të vërteta.

Disa modele politike pretendojnë se institucioni i një demokracie multikulturore, gjithëpërfshirëse dhe pluraliste, do t’i zgjidhë të gjitha problemet sociale. Sipas këtyre teorive, që të gjitha problemet burojnë nga mungesa e një sistemi të tillë dhe nga papërshtatshmëria e demokracive dhe e sistemeve ligjore të cilat janë të përjashtuara prej gjithëpërfshirjes dhe cilësive pluraliste. Argumenti që disa njerëz japin për t’i vërtetuar këto lloj tezash, është se të tilla papërshtatshmëri, shpien në konflikte. Sipas tyre ato vijnë në format e kërkesave dhe pretendimeve mbi baza etnike, kulturore, komunitare, politike apo ideologjike. Sapo të vendosen të drejtat dhe institucionet demokratike dhe sapo këto institucione të fillojnë t’u shërbejnë që të gjithë qytetarëve, njerëzit nuk do të merren më me grupime etnike, komunitare, kulturore apo të ngjashme me to. Nga ana tjetër, disa njerëz i konsiderojnë të tilla probleme si çështje anësore, thjesht një çmim që duhet paguar për modernizimin. Sipas kësaj pikëpamjeje, problemi i vërtetë qëndron se disa njerëz e konsiderojnë veten të lënë mënjanë nga ky proces modernizimi. Kur këta persona arrijnë një nivel të veçantë zhvillimi dhe progresi ekonomik, punët nisin të funksionojnë siç duhet dhe ata do të pushojnë së qenuri problematikë si dhe do të mund të integrohen në përputhje me normat e shoqërisë. Dikur njerëzit e përvetësonin konceptin e “tolerancës dhe të respektit reciprok” duke ia bashkangjitur këtë atij të demokracisë, duke bërë kështu që këto parime të udhëhiqnin marrëdhëniet e tyre personale dhe publike. Me anë të këtij veprimi pretendohej që problemet sociale do të davariteshin. Megjithatë realiteti dëshmoi që edhe pas vendosjes së kësaj lloj demokracie, kontradiktat mbi baza fetare, etnike apo kulturore vijuan të ishin burim konflikti.

Aktualisht ekzistojnë 192 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe ndoshta 20 të tjera jashtë ombrellës së OKB-së. Në botë ekzistojnë sot më tepër se 600 grupe gjuhësore dhe më tepër se 5000 grupe të ndryshme etnike. Në shumë pak vende, qytetarët flasin të gjithë të njëjtën gjuhë apo i përkasin të njëjtit grupim etniko-nacional. Një shumëllojshmëri e tillë politike, sociale, kulturore, ushtarake dhe fetare përbën një rrezik potencial konflikti të përmasave ndërkombëtare. Ky potencial i bën shpesh sipërmarrjet demokratike, të pasigurta dhe të debatueshme. Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, konfliktet mbi baza etnike dhe kulturore janë shndërruar në vatrën qendrore gjeneruese të dhunës politike.

Të tilla probleme kërcënojnë të ardhmen e të gjithë popujve në mbarë botën. Ndaj është e nevojshme të rindërtohen themelet kulturore të tolerancës, mirëkuptimit dhe të dialogut brenda një sistemi më të gjerë dhe më gjithëpërfshirës, i cili do të ngrihet mbi të gjitha praktikat ekzistuese demokratike. Natyrisht, nuk ekziston një zgjidhje e thjeshtë dhe as një formulë e vetme për të kuruar sëmundjet globale. Askush të mos ketë një bindje të tillë. Shumë sugjerime mund të jenë të dobishme në rrethana specifike, por ato vështirë se mund të jenë të zbatueshme vazhdimisht në dimensione universale. Nëse heqim dorë nga paragjykimet për të tjerët dhe marrim në konsideratë eksperiencat e ndryshme, ne mund të pikasim se lëvizjet lokale mund të përmbajnë zgjidhje të mundshme për probleme të caktuara universale.

Ideologjia e modernizimit ofroi një model njerëzor i cili prirej më tepër me “individin” sesa me njerëzimin. Njeriu modern, sipas kësaj ideologjie, jetonte në një cep, i vetëm dhe i interesuar vetëm për problemet që kanë lidhje me vetë atë. Kjo ideologji e barazoi progresin me fitimin dhe arritjen e limiteve të pasurisë dhe të mirëqenies. Në një pjesë të kufizuar të botës, ky model hodhi rrënjë. Por njerëzit shumë shpejt vërejtën se edhe pse kishin arritur nivele të papara të pasurisë dhe të mirëqenies, problemet e tyre politike, ekonomike dhe social-kulturore vijuan të ekzistojnë. E ndërsa pasuria materiale rritej, në të njëjtin model bjerrej edhe varfëria shpirtërore. Njerëzimi arriti një fazë kur nisën të bashkekzistojnë vetëm pakënaqësitë materiale dhe shpirtërore. Njerëzit, masat dhe bashkësitë ngritën pikëpyetje të mëdha mbi sistemin në të cilin jetonin, duke formuar grupime kundërshtuese dhe organizata të mëdha opozitare.

Në momentet historike të transformimeve sociale, ekonomike dhe politike, elementin njerëzor e vërejmë në pararojë. Ekzistenca njerëzore në tokë dhe mënyra jonë e arritjes së objektivave janë edhe njëherë në pikëpyetje. Të njëjtat çështje që trazonin mendjen e filozofëve të dikurshëm natyralistë, ziejnë edhe në mendjen e filozofëve të sotëm. Ne vërejmë gjithashtu se një jetë e mbushur me besim dhe praktika fetare është në ngritje nëpër gjithë botën. Pas aventurës së njerëzimit me modernizimin dhe pas çmimit të paguar në të gjithë sektorët e shoqërisë njerëzore si në aspektin kulturor, social, ekonomik ashtu edhe në atë politik, njerëzimi i është drejtuar edhe njëherë hyjnores për të kërkuar në lidhje me çështjet e pazgjidhura. Mesa duket, përgjigjet më të gjera dhe më të kënaqshme në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me ekzistencën, duhet të frymëzohen nga koncepti i “njeriut të virtytshëm”, i cili u konturua në librat e feve hyjnore në forma të ndryshme.

Prandaj edhe ekziston një nevojë për një përpjekjeje të vazhdueshme për të rijetuar vlerat e vërteta të individëve të virtytshëm. Qëllimi i kësaj përpjekjeve duhet të jetë asgjë më tepër sesa risjellja në jetë e njeriut të popullit, domethënë “njeriut të traditave”, të vetësakrifikimit, të pajisur me botë të gjerë shpirtërore. Ky është një apel për një brez i cili ia kushtoi jetën e vet shërbimit ndaj të tjerëve. Siç thotë një thënie e vjetër turke: “Shërbeji njerëzimit për kënaqësinë e Krijuesit”.Pa pasur në mendje dhe ndërgjegje një shpirt të tillë devocioni, truri bashkëkohor nuk mund ta perceptojë dot këtë lloj mënyre jetese. Individët, të cilët zotërojnë një shpirt të tillë, kanë luajtur role kyçe në themelimin e qytetërimeve, perandorive dhe shteteve të mëparshme. Në kohën tonë ekzistojnë shumë sociologë dhe studiues të cilët përpiqen të sjellin në ekzistencë një model të tillë njeriu. Në fakt, qytetërimi modern është tmerrësisht i etur për të tillë shpirtra vetësakrifikues të cilët ia përkushtojnë veten bashkësisë, por edhe për lëvizje të pastra që kanë në themel dialogun dhe konsensusin.

Misioni i lëvizjes Gylen ka një rëndësi të madhe në këtë aspekt. Krahas projeksionit historik dhe social të përmendur në këtë kapitull, ne duhet të përfshijmë gjithashtu edhe personazhin karizmatik të vetë Gylenit, si një faktor kyç që sjell për pasojë kushtimin e një vëmendjeje të veçantë ndaj kësaj lloj lëvizjeje. Edhe pse nuk kam ndërmend të bëj një analizë të karakterit të tij në këtë studim, mendoj se është thelbësore të hedhim një sy shkurtimisht mbi biografinë e Gylenit.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.