Tradita oratorike

Një kuptim më i saktë i misionit të lëvizjes Gylen lidhet me konceptin e traditës oratorike (sohbet) në botën myslimane. Që nga ardhja e Islamit, tradita oratorike ka qenë një nga metodat më domethënëse për ushqimin kulturor dhe komunikimin e vlerave tradicionale. E ndërsa medreseja ka qenë një mjet për sistemimin e ideve fetare, ligjërimi publik dhe oratoria kanë shërbyer si kanale të transmetimit të tyre në publik. Foltorja e xhamisë ka qenë kanali natyror për këtë; ajo ishte qendra e prodhimit të kulturës popullore islame dhe stadi në të cilin arti islam i oratorisë arriti në nivelin dhe stilin e vet origjinal. Xhamia ka qenë elementi më boshtor i qytetërimit islam dhe i kulturës qytetare. Ajo ishte një qendër ndërveprimi si për banorët e rrethinave ashtu edhe për turma të mëdha qytetare, të cilat takoheshin aty për qëllime biznesi, shitblerjeje apo për arsye të tjera. Xhamia ka zënë një vend qendror në skicimin dhe modelimin e kulturës islame. Mjedisi kulturor nga i cili e kishte origjinën Gyleni, ishte i vendosur në këto udhëkryqe tradicionale. Ai, para së gjithash, është një anëtar i medresesë. Ka kaluar një jetë që është mjaft e ndërlidhur me xhaminë dhe masat e gjëra. Manifestimi social i përjetimit të ideve fetare dhe formave të besimit, sillej rrotull kësaj qendre. Medreseja ishte mjaft e lidhur me xhaminë dhe me jetën sociale të komunitetit. Kur ai u ngjit së pari në shkallët e foltores, në vitet e para të ndjekjes së mësimeve në medrese, ai nuk ishte “aq i gjatë sa të ngjitej mbi foltore”, siç është shprehur diku. Që nga fëmijëria e tij e hershme, Gyleni ishte një person mjaft i ndjeshëm por dhe entuziast. Ky entuziazëm e ndihmoi më vonë të zhvillonte një stil të veçantë oratorie. Përvoja e tij fillestare në predikimet e tij të para e bëri të kuptonte sesa e efektshme ka qenë tradita oratorike përgjatë shekujve, ashtu si edhe ndikimi i saj pozitiv dhe thelbësor mbi njerëzit. Ky art i oratorisë do të përcaktonte gjithë modelin e përpjekjeve dhe mënyrës së tij të jetesës. Ai iu përkushtua përdorimit të këtij arti si një mjet për kumtimin e ndjenjës së besimit si dhe nxitjes së bamirësisë, si një mjet për mobilizimin e potencialeve të plota të shoqërisë, fesë, shtetit dhe kombit. Mesa duket, ai e ka përvetësuar vargun kuranor “Nxiti besimtarët (për të marrë përgjegjësitë e tyre)” (Kuran, 4:84), si një mision dhe simbol. Në sensin historik, “fuqia e fjalës” do ta shfaqte veten edhe njëherë në oratorinë e tij të përkryer dhe shpirtërisht të fuqishme.

Fjalimet e tij publike përbëjnë ndoshta tiparin më të dallueshëm ndër shumë tipare të tjera të tij. Në fakt, shumë njerëz kanë arritur ta njohin atë vetëm nëpërmjet oratorisë së tij të zjarrtë. Dija dhe interesi i jashtëzakonshëm në fushën e studimeve islame dhe në shkencat perëndimore moderne, për vite me radhë janë eklipsuar nga mjeshtëria e tij oratorike, megjithëse artikujt dhe poezitë e tij janë botuar në revista të ndryshme. Për shumë vite ai ka studiuar jo vetëm disiplina që lidhen me fenë, por edhe me historinë, filozofinë, sociologjinë, letërsinë dhe artin. Megjithatë, të gjitha aspektet e kësaj dijeje të akumuluar, do të dilnin në sipërfaqe ose nëpërmjet modelimit të masave dhe transformimit të tyre në “mësues”, ose në instanca të tjera ku ato u praktikuan.

Detyra e tij zyrtare si predikues e pati pikënisjen në vitin 1959, pasi ai kaloi provimin e Drejtorisë Turke të Çështjeve të Fesë dhe zgjati për afro tridhjetë vjet, gjatë të cilave ai shërbeu si imam, predikues, mësues në kurset kuranore dhe në poste drejtuese. Ai predikoi në shumë qytete si Edirne, Kirklareli, Izmir, Edremit, Manisa dhe Çanakkale. Gjatë karrierës së tij profesionale si predikues zyrtar, ai pati kontakte të ndryshme me shumë njerëz. Në kuptimin e vërtetë të fjalës, arti i oratorisë i cili kishte qenë i vdekur dhe i harruar për pothuajse dy shekuj, fitoi një rigjallërim të madh falë entuziazmit të tij të jashtëzakonshëm, botës së thellë shpirtërore dhe përvojës së madhe, dijes së gjerë dhe bazës kulturore dhe kuptueshmërisë. Me një hijeshi që buronte nga çiltërsia dhe me anë të virtytit të vullnetit, ai aktivizoi dhe rigjallëroi ndjenjat fetare, patriotike dhe mirëdashëse të masave të gjera, duke shfrytëzuar çdo aspekt delikat të kësaj fushe. Shpresa dhe entuziazmi gjeti themel të shëndoshë për mundësimin e rigjallërimit të jetës shpirtërore nëpërmjet predikimeve të tij. Mijëra e madje dhjetëra mijëra njerëz e kanë rizbuluar veten falë tij duke zhvilluar ndjenjën e besimit në vetvete po aq sa edhe vlerat e tyre shoqërore.

Aktiviteti fillestar i Gylenit u karakterizua nga shërbimi i tij si predikues që udhëtonte nga njëri qytet në tjetrin. Ndaj, predikimet dhe angazhimi i tij me komunitetet e njerëzve ka qenë gjithmonë i dukshëm. Stili i tij ishte i formësuar në përputhje me qëndrimet dhe sjelljet social-psikologjike të shoqërisë së cilës i drejtohej. Ai do t’i peshonte mirë të gjitha veprat dhe fjalët nëpërmjet mekanizmave më të ndjeshëm psikologjikë përpara se t’u drejtohej njerëzve. Ai për vete kalonte një jetë mjaft të kujdesshme, sikur të ishte përherë nën vëzhgim. Ky kujdes nuk ishte pasojë e dëshirës për të fituar pëlqimin e bashkësisë së besimtarëve, por ishte rrjedhojë e bindjeve të forta ndaj traditës së dervishëve të cilën e ndiqte me sinqeritet të plotë dhe ndjeshmëri të pakufishme se çdo fjalë dhe çdo veprim i tij ishte nën mbikëqyrjen hyjnore. Ai ka qenë vërtet një besimtar modern (abid), asket (zahid) dhe dervish. Kjo solli një motivim më të madh pas ndjeshmërisë në fjalët, sjelljen dhe personalitetin e tij si dhe në paralajmërimet që u bënte besimtarëve. Kujdesi, karakteri i mprehtë, qetësia dhe maturia të cilat shfaqeshin kudo, edhe në veprimet e tij më të parëndësishme, por ndoshta edhe përvoja e brendshme shpirtërore, janë mbështetur mbi kuptimin e tij të thellë dhe të ndërgjegjshëm të ndjenjës së shërbimit. Nëpërmjet kryerjes shumëvjeçare të disiplinave shpirtërore (rijazet), nën një disiplinë dhe ushtrim të hekurt, ai iu nënshtrua një pastrimi dhe qetësimi të çdo tundimi të mundshëm drejt mëkatit, i cili është dominues tek natyra njerëzore. Çdo ndjenjë e tij u bë e dukshme vetëm pasi kaloi nëpër provën e kësaj lloj disipline. Kur bënte një predikim, madje edhe në kulmin e emocioneve, ai dukej sikur zotëronte një mekanizëm kujdesi dhe një formë vetëdijeje që kontrollonte veprimet dhe nxitjet e tij të brendshme.

Ai arriti një nivel të tillë vetëdijeje me anë të predikimeve dhe mënyrës së jetesës përpara dhe pasi këto predikime të merrnin formë në përputhje me këto veti. Shfaqja përpara një audience ishte për të si dhimbjet e lindjes. Ai është shumë i vëmendshëm që të mos shfaqte ndonjë mendim, qoftë edhe një pëshpëritje e cila nuk është në vendin e duhur. Është e nevojshme të përshkruhet fuqia e tij oratorike dhe jeta e tij delikate me anë të së cilës është mbështjellë, në mënyrë që të merret një tablo e plotë e ndikimit të kulturës oratorike mbi dinamikat thelbësore të bashkësisë së Gylenit. Kjo lëvizje ka përftuar dhe përhapur traditat e veta kulturore nga pikëpamja fetare dhe social-kulturore, në një kohë që mbetet shumë e lidhur me sistemin tradicional të vlerave.

Ndërsa i shtrinte kontaktet e tij me masat, Gyleni familjarizohej gjithmonë e më tepër me problemet e tyre sociale dhe kulturore. Ky kontakt i ngushtë e vendosi atë në një pozicion ku duhej t’i ndeshte këto probleme dhe të kërkonte zgjidhjen e tyre.

Si rezultat i këtij udhëtimi intelektual, ai arriti në përfundimin se problemi më i madh për Turqinë e ndoshta edhe për mbarë qytetërimin botëror ishte edukimi i njerëzimit. Pasi arriti në këtë konkluzion, në fillim të viteve 70’ kur u bë drejtues i një kursi kuranor, ai nisi përpjekjet për të vënë në jetë një metodë të ndryshme edukimi.

Zyrtarisht ishte një predikues, por nga ana tjetër organizonte klasa dhe kampe verore për studentët. Në ligjëratat e tij thoshte se në kohën tonë është më e rëndësishme të hapësh shkolla sesa xhami, duke kanalizuar kështu drejt tyre entuziazmin shpirtëror të publikut. Megjithatë kjo politikë u kundërshtua menjëherë prej disa elementeve konservatorë përreth, të cilët ishin të paaftë të llogarisnin efektet sociale afatgjata të projekteve edukative dhe hapjes së shkollave. Për shumë vite, nga foltorja e xhamisë apo nëpërmjet mënyrave të tjera, Gyleni u përpoq të motivonte njerëzit rreth tij për të përmbushur projekte edukative, më së shumti në formën e hapjes së shkollave private të arsimit të detyrueshëm. Njëkohësisht ai sigurohej që këto projekte të perceptoheshin si iniciativa qytetare prej zyrtarëve qeveritarë, dhe si produkt i shpirtit shoqëror dhe kombëtar pa ndonjë objektiv politik apo ideologjik. Procesi i institucionalizimit të këtyre projekteve ka qenë i gjithi veprimtari civile. Ai nuk ka marrë kurrë formën e opozitës ideologjike apo politike.

Gjatë viteve 70, luftërat ideologjike që shokuan mbarë botën, prekën thellësisht edhe Turqinë. Turqia u shndërrua në fushë beteje për rrymat intelektuale, politike dhe ideologjike. Gjatë këtyre konflikteve humbën jetën dhjetëra mijëra të rinj. Në këto vite, Gylen arriti t’i mbante njerëzit rreth tij dhe të ndikonte mbi masat, të cilave u bënte thirrje të qëndronin larg këtyre luftërave me një kujdes dhe durim të pashembullt. Në vitet 70 dhe 80, Gyleni ishte ndoshta një nga predikuesit e rrallë, ligjëratat e të cilit ndiqeshin me vëmendje nga një audiencë me një numër të madh të shkolluarish si dhe nga njerëz të tjerë të të gjitha kategorive. Me fillimin e viteve 90, institucionet e para edukative si shkollat tetëvjeçare dhe të mesme nisën të shfaqnin aftësitë e tyre duke bërë që suksesi i nxënësve të këtyre shkollave të njohë rritje nëpër olimpiadat shkencore si në Turqi ashtu edhe jashtë saj. Kjo solli për pasojë konsolidimin e bazave të këtyre institucioneve duke i shndërruar ato në institucione që vinin në jetë të vërtetat shkencore. Me fjalë të tjera, ato ishin shndërruar në manifestim të nevojës dhe të vijimësisë së hapjes së institucioneve të tjera arsimore të lëvizjes Gylen. Si rezultat, Gyleni u bë fokusi i vëmendjes së politikanëve që ishin jashtë sistemin burokratik të shtetit, i njerëzve të fushave të ndryshme që nga akademikët e deri tek bota e artit, që nga media e deri tek qarqet intelektuale. Vitet 90’ ishin vitet e hapjes ndaj botës së jashtme, por dhe vite të cilat ndezën një proces të gjerë dialogu me njerëzit që qëndrojnë në pararojë të fushave të tyre. Kjo përpjekje inicioi një proces të tillë dialogu i cili nuk ishte vërejtur më parë gjatë historisë së Turqisë moderne.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.