Fethullah Gyleni si edukator

Pa ngurrim mund të themi se e gjithë lëvizja e Gylenit mund të trajtohet shumë mirë brenda kornizës së edukimit. Sipas tij, në themelin e të gjitha problemeve globale qëndron faktori njeri. Pra të gjitha problemet fillojnë te njeriu e mbarojnë me të. Si për një rend shoqëror funksional apo të mesëm, si për jetën e përtejme, forma më efektive është edukimi. Ndaj dhe edukimi është nga njëra anë profesioni më i shenjtë, nga ana tjetër forma më e mirë dhe e vetme e shërbimit që mund t’i bëhet një kombi. (Hulusi Turgut, Fethullah Gyleni dhe shkollat e tij-Yeni Yüzyil,15-01-1998)

Rëndësia e edukimit dhe mësimit

Sipas Fethullah Gylen, jeta e vërtetë e njeriut është e mundur vetëm me dije e me urti. Ndaj dhe ata njerëz që nënvleftësojnë mësimin e të mësuarit, edhe nëse janë në jetë, konsiderohen të vdekur. Qëllimi themelor i krijimit të njeriut është të mësojë, të kuptojë e t’u mësojë të tjerëve ato që di. Vendimet e një personi janë në raport të drejtë me zhvillimin e tij mendor, logjik e intelektual. Logjika dhe mendja ndriçohen vetëm me anë të dijes. Ndaj edhe aty ku nuk ka dije e urti, mendja del jashtë përdorimit dhe vendin e saj e zë logjika mashtruese dhe vendimet e paarritura. Të qenit njeri kuptohet e manifestohet me atë që ai di dhe me atë që u mëson të tjerëve. Duhet menduar seriozisht se sa njeriu është ai që as nuk di dhe as që mundohet të mësojë e të rinovojë veten duke vënë në jetë ato që mëson dhe duke edukuar edhe të tjerët. Pozita dhe rëndësia që fiton njeriu në shoqëri me anë të dijes e të urtisë është edhe më e lartë edhe më jetëgjatë se ç’ fitohen me rrugë të tjera. Sepse është dija ajo që e bën njeriun në këtë botë të virtytshëm dhe e mban larg ligësive, e lumturon dhe e ngazëllen në botën tjetër gjatë kontaktit me vendet që dija kishte kohë që ia kishte zbuluar. Në kundërshtim me këto, ndjenjat e zbrazëta për sa i përket së vërtetës dhe shpirtrat bosh përsa i përket dijes e urtisë, nuk janë veçse toka ku çdo farë e keqe mendimi ka kushte të përsosura për të mbirë e për të lulëzuar. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 24-5)

Gyleni e lartëson aq shumë edukimin nëpërmjet të mësuarit dhe mësimdhënies, sa të mësuarin dhe mësimdhënien i cilëson si dy misione qiellore. Atributi “Rab” i Allahut pasqyrohet në këtë botë nëpërmjet këtij misioni, ndaj edhe përmbushja e këtij misioni nxjerr më së miri në pah aftësitë dhe vlerën që të kërkosh shoqërizimin e një individi që nuk ka kaluar nga filtri i mësimit, sepse tek ai nuk janë zhvilluar as aftësitë humane dhe as vlerat e tjera të larta. (Sizinti, Nëntor, 1979)

Sipas tij, edukimi dhe arsimi përbëjnë një temë jetike në jetën individuale dhe në jetën e shoqërive. Së pari, në planin individual, një njeri mbetet i tillë në raport të drejtë me mirësinë që ushqen në vetvete. Thuajse kushdo e kupton dhe e vlerëson rëndësinë e edukimit trupor të njeriut, por të paktë janë ata që e kuptojnë dhe e vlerësojnë edukimin moral, ideal e sentimental të njeriut. Së dyti, ekzekutimi i çdo elementi negativ brenda një kombi, nuk është një rrugë efikase për shpëtimin e tij. Shërbimi më efikas që mund t’i bëhet një kombi është edukimi i brezave me një frymë të lartë vlerash morale universale dhe me ndjenja të vërteta kombëtare. Për sa kohë që nuk mbjellim anekënd vendit një farë të re, të shenjtë, të përbërë nga besimi, ideali, ndërgjegjja historike, pasioni për t’i shërbyer kombit, njerëzimit dhe vlerave kulturore, sado elemente negative të ekzekutohen, po aq të tjerë do mbijnë në vendin e tyre. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 158-160)

Kombet e vazhdojnë ekzistencën e tyre nëpërmjet gjeneratave të reja. Çdo komb që kërkon të sigurojë të ardhmen e vet, një pjesë të kohës dhe të energjive që shpenzon majtas-djathtas duhet ta shpenzojë për kultivimin e atyre të rinjve që do të jenë burrat e mëdhenj të së nesërmes. Ata kombe që lënë pas dore fëmijët janë të destinuar të shkatërrohen, kurse ata që i braktisin në duar të papërgjegjshme, janë të destinuar të huazohen e të humbin themelet e veta. Kush do që të ketë një opinion të saktë për të ardhmen e një kombi, mjafton të vëzhgojë edukimin që i jepet në të të rinjve dhe do të ketë një opinion 100% të saktë. Ndaj edhe investimet që bëhen për zhvillimin dhe ngritjen e brezave, janë një pasuri pafund, që jep frytet e saj pa ndalesë. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 151-2)

Çështjen e edukimit e të mësimit Fethullah Gyleni e trajton në tri aspekte; shteti, ambienti i jashtëm dhe media. Sipas tij, secili nga individët e një shoqërie gjendet në ndikim të vazhdueshëm, ose merr diçka nga të tjerët, ose u jep diçka të tjerëve. Po kështu, edhe ambienti, rruga, media dhe traditat kanë një ndikim të rëndësishëm në rritjen e individit. Një kryetar familjeje ka ndikimin e vet të padiskutueshëm mbi anëtarët e familjes së vet, po ashtu dhe funksionarët e përfaqësuesit shtetërorë kanë ndikimin e vet mbi masat. Zhvillimi dhe ngritja e një populli deri në apogjeun e tij lidhe fort me zhvillimin moral, intelektual e kulturor të individëve të tij, por edhe me zhvillimin strategjik, largpamës e organizativ të udhëheqësve të tij.

Gyleni e trajton temën e mësimit dhe të edukimit edhe nga një perspektivë tjetër. Sipas tij njeriu, ndryshe nga krijesat e tjera, vjen në këtë botë me një ftesë për mësim e zhvillim. Kafsha vjen në këtë botë e parapërgatitur dhe i mjaftojnë dy orë, dy ditë apo dy javë dhe i mëson të gjitha ligjet e kushtet e natyrës dhe të mjedisit që i nevojiten për të jetuar. Atë aftësi e relacion me botën që një njeri e arrin për njëzet vjet, një bletë apo një trumcak e përvetëson (më saktë: i mësohet) për njëzet ditë. Pra, mësimi i misionit natyror për kafshën, nuk është një maturim në aspektin e saj. Ushtrimi i detyrës, nuk është zhvillim intelektual dhe kërkesa e saj për ndihmë, nuk është një lutje si e jona. Përkundrazi, ajo kafshë kryen detyrën e saj dhe adhuron në mënyrë aktive.

Ndërsa njeriu vjen në këtë botë i paditur ndaj ligjeve të jetës dhe i detyruar të mësojë gjithçka. Aq sa shpesh njëzet vjet edhe nuk i mjaftojnë për t’u njohur me kushtet e jetës, ka raste që deri në fund të jetës nuk i mëson dot. Ai dërgohet në këtë botë delikat dhe i dobët, vetëm pas një apo dy vitesh mund të ngrihet në këmbë, vetëm pas pesëmbëdhjetë vitesh arrin ta dallojë dëmin nga dobia dhe gjatë gjithë jetës së tij jeton në mes të shoqërisë, për t’u mbrojtur e për të përfituar prej saj. Pra, misioni i një njeriu që vjen në këtë bujtinë kalimtare i pajisur me një karakter të pastër dhe aftësi të mjaftueshme është të provojë aftësinë e tij për të banuar në botën e përtejshme, të arrijë kthjelltësinë e vendosmërinë në mendim, besim e moral, të aktivizojë zemrën e shpirtin duke përmbushur detyrat e tij para Zotit dhe të kuptojë sekretin e ekzistencës në këtë vend ku mijëra enigma e mistere shëtisin krah për krah. (Sizinti, maj 1981)

Shkolla dhe Arsimtari

Gjatë trajtimit të çështjes të të mësuarit Fethullah Gyleni i jep një vend të veçantë shkollës dhe mësuesit. Në mendimin e tij shkolla është vendi ku jepet mësim dhe edukatë. Aty mësohet gjithçka në lidhje me jetën e më tej. Në fakt, edhe jeta vetë është një shkollë. Vetëm se ne mund ta mësojmë jetën vetëm në sajë të shkollës.

Shkolla është institucioni që hedh dritë mbi evenimentet jetësore dhe u jep nxënësve mundësinë të kuptojnë atë që ndodh rreth tyre. Njëkohësisht shkolla hap rrugën për të mësuar në një mënyrë shumë të shpejtë lëndën dhe evenimentin, duke e përgatitur njeriun mendërisht, duke parashtruar drejtimin e tij dhe duke e mësuar të gjejë uniken në mes të tërësisë. Një shkollë e mirë është një vend engjëllor që i jep nxënësve dimension shpirtëror dhe i jep shtysë ndjenjës, edhe vendi ku fëmija përfiton formën e vet të vërtetë e arrin të kuptojë të vërtetat e ekzistencës. Fethullah Gyleni beson se shkolla dhe edukimi që jepet në shkollë përfshin të gjithë jetën e njeriut. Sipas tij, njeriu gjatë gjithë jetës zbaton e përsërit mësimet që merr në shkollë, virtytet e aftësitë e fituara në shkollë janë udhërrëfyesi i tij në rrugën drejt urtisë dhe shifra që hap kodet e komplikuara të ekzistencës.

Fethullah Gyleni, vlerën më të madhe në shoqëri ia jep mësuesve. Sipas tij, mësuesi është një udhërrëfyes i përsosur, që i jep formë gjithë jetës së njeriut dhe është njëkohësisht krijesa e shenjtë e tempullit të edukimit. “Nuk mund të tregohet mbi faqe të dheut një krijesë tjetër kaq e lartë sa kjo krijesë e rrethuar me frymë engjëjsh, që udhëheq kombin në rrugën e fatit të vet, që rrit vlerat e tij morale e shpirtërore dhe i mëson atij përjetësinë”, thotë Gyleni.

Sërish sipas tij, ndikimi i mësuesit mbi individin është shumë më i madh se ndikimi i prindërve apo i shoqërisë. Në një shkollë të mirë, mësuesi është ai që mbjell e që ruan farën e pastër e të pafajshme. Sikurse është përgjegjësia e tij që të kujdeset për mirësinë e mbrojtjen, ashtu është detyrë e tij edhe të bëhet shembull me sjelljen e vet ndaj evenimenteve të ndryshme e ndaj gjetjes së qëllimit në jetë prej individëve. Mësuesi, ai që vuan me vuajtjen e nxënësit dhe që gëzohet me gëzimin e tij, hyn lirshëm në zemrën e tij dhe lë vija të pashuara gjatë gjithë jetës, me dituritë e urtinë që reflekton, është padyshim edukatori më i pazëvendësueshëm. Nxënësit mund t’i bëhet shembull i mirë dhe udhërrëfyes i saktë vetëm një mësues që kuptohet që në vështrim se e ka perceptuar të vërtetën dhe që e ka kaluar çdo dituri më parë nga prizmi i ndjenjave të veta. “Edhe një shoqëri nomade, pasi e gjen mësuesin e vet, lartësohet gjer te engjëjt dhe arrin të bëhet e aftë të japë mësim”, thotë Gyleni, duke theksuar se asnjë ndërmarrje nuk arrin dot të funksionojë me sistematikën e saktësinë e një mësuesi dhe askush tjetër, veç mësuesit, nuk e ka aftësinë të ndikojë njëherazi duke përcjellë ndjenjat e veta te një grup qindra vetash. (Sizinti, Tetor, Dhjetor, 1979)

Duke trajtuar edhe lëndët që duhen dhënë në shkollë dhe vlerat që i duhen përcjellë nxënësit, Gyleni shprehet se sado që dija është një vlerë në vetvete, dija që e bën nxënësin hamall të vetin, nuk është veçse një rëndesë e përgjegjësi për të. Ndaj dhe çdo gjë që do të mësohet, duhet të ketë për qëllim ekuilibrin delikat mes botës së brendshme, materies e evenimentit, si dhe perfeksionimin individual të nxënësit. Madje, çdo element i dijes që jepet në shkollë, duhet të ketë edhe funksionin e vet praktik, edhe shtysën për zhvillime të reja.

“Librat që i jepen nxënësve në shkolla, qofshin libra të lëndës, qofshin romane a poezi, duhet të jenë të tillë që të arrijnë të zhvillojnë vullnetin, t’i japin forcë mendjes, vendosmëri shpirtit dhe shkëndijë shpresës. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë të rrisim një gjeneratë të aftë e të vendosur në idealet e veta”, thotë Gyleni dhe vazhdon: “Gjatë periudhës së shkollimit, dituria bëhet pjesë e unit dhe njeriu në këtë mënyrë tejkalon limitet e materies brenda së cilës jeton, duke cikur në një farë mënyre paretet e pafundësisë. Kurse çdo e dhënë e mësim përmendësh që nuk premton ndriçim të mendjes e çlirim të shpirtit, nuk është veçse një limë që limon shpirtin e një goditje që i jepet zemrës. Një dituri që nuk ka për qëllim zbërthimin e enigmës mes personalitetit tonë dhe materies, nuk i sjell asnjë lloj dobie nxënësit, përveç njehsimit me botën e jashtme e distancimin nga vetvetja.”

Përveç këtyre, Gyleni është i mendimit se një e mësuar pa kriter e pa diferencim, ka raste që është më e rrezikshme se padituria. Ndaj dhe ai mendon se duhen trajtuar në një mënyrë të veçantë temat që e shtyjnë njeriun të unifikohet me universin. Në këtë pikë, treguesi më i saktë i seriozitetit në mësim është niveli i të menduarit dhe relacioni me shpirtëroren.

Më tej Fethullah Gylen skicon linjat e përgjithshme të një programi për një edukim e arsimim sa më të frytshëm:

“Që në periudhën e hershme të jetës shkollore, nxënësit i duhen mësuar së pari gjuha, ideali, besimi, morali e karakteri, pastaj duhet synuar ndërtimi i një personaliteti të shëndoshë mbi këto themele. Qëllimi i mësimit duhet të jetë përgatitja intelektuale e sociale në përshtatje me kohën e vendin ku jeton dhe shtytja e tij drejt një revolucionarizimi të dijes, më saktë, drejt një mënyre të menduari që nxit zhvillimin e lulëzimin në çdo fushë. Pasi të arrihen këto perspektiva, duhet përgatitur specializimi i nxënësit për art, shkencë, bujqësi, financë apo teknikë. E gjitha kjo është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimin në paqe të shoqërisë, me moralin e besimin e saj, me sukseset e saj në fushat e ndryshme të shkencës, artit e teknikës, si dhe me përpjekjen për të zënë vendin e duhur në arenën ndërkombëtar.”

Gyleni analizon me shumë kujdes edhe pedagogjinë dhe sjelljen që duhet ndjekur me nxënësin, duke theksuar rëndësinë e njohjes së mirëfilltë e të shumanshme me nxënësin, për të arritur kështu sa më shumë efektivitet në mësim e edukim, duke mos vepruar me nxitim, po duke zbatuar një mënyrë graduale arsimimi. Në këtë aspekt është shumë e rëndësishme doza e mësimeve që i duhen dhënë nxënësit, durimi e vendosmëria në këtë rrugë, optimizmi edhe kur nxënësi nuk tregon mbarëvajtjen e pritur, harmonia mes racionalizmit, moralit e shpirtit, pa nënvleftësuar asnjërin prej tyre. Një kujdes i veçantë duhet treguar me kritikat ndaj nxënësit, duke bërë të pamundurën për ruajtjen e dinjitetit të tij në shoqëri. Gjatë kritikave është e rëndësishme të flitet në vija të përgjithshme, pa i rënë ndesh një personi të veçantë. Nëse kjo mënyrë nuk funksionon, nxënësi duhet këshilluar në veçanti e me shumë kujdes, pa e thyer karakterin e tij. Çdo vepër e mirë duhet ilustruar me heronj pozitivë, të cilët janë tërheqës për botën e nxënësit, kurse veprat negative duhet të konkretizohen në luftën që kanë bërë heronjtë pozitivë karshi tyre. Mësuesi duhet të bëjë çmos të mishërojë në karakterin e nxënësit idealet e larta, duke ruajtur patjetër një ekuilibër mes dashurisë, frikës dhe edukimit. Dhe më e rëndësishmja, mësuesi duhet ta ndiejë në zemrën e vet gjithçka që i përcjell nxënësit; ai duhet të ketë siguri në diturinë e tij dhe duhet të mbartë në vetvete detyrimisht çdo ndjenjë e virtyt pozitiv që i këshillon nxënësit, duke u bërë fillimisht shembull me mënyrën e vet të jetesës.

Sipas shprehjes së Gylenit, e cila përmbledh më së miri idetë e tij për një shkollë ideale: “Një shkollë e cila përqafon sinqerisht çdo vlerë njerëzore, që shpaloset drejt së ardhmes dhe është si një fole engjëjsh, funksionon si një laborator ku njeriu përpunohet derisa arrin të njohë thesarin e vet të vërtetë, ndërsa mësuesi, me intelekt të lartë e të kthjellët, me zemrën e mbushur tërë besim dhe moralin me virtytet më të larta, është udhërrëfyesi i nxënësve të tillë, maestroja i vërtetë i këtij laboratori, ku gjenerohen brezat e së nesërmes dhe garancia e mirëfilltë e së ardhmes tonë”. (Sizinti, Prill, Korrik 1981; Tetor-Dhjetor 1979)

Shkollat turke nëpër botë

Kur flitet sot për Fethullah Gylenin dhe edukimin, e para gjë që u vjen njerëzve ndërmend janë qindra shkolla të hapura nga sipërmarrësit turq në Turqi e jashtë saj.

Pas suksesit të jashtëzakonshëm që patën disa shkolla të hapura në Turqi nga ndërmarrësit turq, të cilët dëgjuan e vunë në jetë këshillat herë të shkruara e herë të thëna të Gylenit, edhe të tjerë njerëz morën përsipër hapjen e shkollave të tilla anë e kënd vendit. Pas rënies së Perdes së Hekurt, pavarësimi i shumë vendeve në Azi i dha shtysë hapjes së shkollave të tilla edhe atje, sidomos në republikat turke të ish-BRSS. Për një kohë relativisht të shkurtër, ky sistem shkollash u përhap në të gjithë botën.

Herë pas here Gyleni, në çdo platformë, e ka këshilluar dhe mbështetur hapjen e shkollave të tilla, duke e bazuar këtë sipërmarrje së pari në vlerat universale të arsimimit, të pranueshme nga kushdo dhe në faktin që një shërbim ndaj njerëzimit është një mënyrë efikase për të fituar pëlqimin e Zotit dhe kjo rrugë është më e përshtatshmja. Në shkrimin e tij të botuar në revistën Yeni Ümit-Shpresa e Re (no. 15, 1997), Gyleni ndalet së pari në ata që sot njerëzimi ka më shumë nevojë, pastaj shprehet pak a shumë kështu:

“Edhe lëvizjet rilindëse, edhe zbulimet gjeografike kanë pasur si qëllim kryesor përmbushjen e nevojave materiale. Po ashtu, edhe lëvizjet shkencore të shtyra nga këto nevoja, u zhvilluan si një kundërpërgjigje ndaj kishës dhe skolarizmit kristian mesjetar. Si rrjedhojë, gjenerimi i konfliktit mes shkencës e besimit, shkëputja totale nga religjioni, materializmi, komunizmi, kolonializmi që përfshiu gjithë pjesët shoqërore e gjeografike të botës, konflikte pafund interesi që shkaktuan edhe luftërat botërore, ishin të pashmangshme.

Nën ndikimin e faktorëve të lartpërmendur, tema që zuri vendin kryesor në fakultetet perëndimore intelektuale gjatë shekujve të fundit, është konflikti i shkencës me religjionin. Lëvizjet rilindëse që morën jetë gjatë shekullit të XVIII, e trajtuan njeriun vetëm nga aspekti racional, kurse rrymat materialiste e pozitiviste të gjeneruara prej tyre më pas, e trajtuan atë vetëm nga aspekti material. Këto rryma u bënë shkak i krizave të vazhdueshme morale e shpirtërore në perëndim. Nuk e teprojmë nëse themi se shkaku kryesor i konflikteve materiale që përfshinë mbarë botën shekujt e fundit, duke u kurorëzuar me dy luftëra të tmerrshme botërore, ishin pikërisht këto kriza morale dhe tahmaja shpirtërore e materiale e lidhur me ta.

Në këtë pikë, si posedues të një historie ndryshe dhe të një sistemi besimi që e ka ruajtur origjinalitetin e tij, besoj se kemi shumë gjëra për t’i dhënë njerëzimit e sidomos perëndimit, me të cilin kemi marrëdhënie të thella ekonomike, e rrjedhimisht edhe shoqërore e ushtarake.

Në fakt, kjo perspektivë nuk është subjektive, që na përket vetëm ne, por është një perspektivë objektive që nxjerr në pah më së miri ato gjëra për të cilat njerëzimi ka në të vërtetë nevojë. Ashtu sikur e pranon kushdo, njeriu nuk është një qenie e përbërë vetëm nga lënda, as vetëm nga mendja e as vetëm nga ndjenjat a shpirti. Njeriu është një qenie komplekse. Ai ka trupin,i cili përpëlitet në rrjetën e nevojave pafund, ka mendjen, që e diferencon nga krijesat e tjera, po që ka kërkesa më të mëdha se trupi, ndërsa endet mes pyetjeve “Çfarë jam unë? Çfarë është kjo botë? Pse lind, pse vdes? Kush më solli në këtë botë, për ç’shkak? Ku shkoj, cili është qëllimi i kësaj jete? Kush është udhërrëfyesi im në udhëtimin e kësaj bote?”; ka ndjenjat, që kërkojnë një sadisfaksion tej atij të mendjes, ka dhe shpirtin që i jep atij cilësitë e një njeriu të vërtetë. Vetëm kur të trajtohen në tërësi që të gjitha këto veti dhe të plotësohen të gjitha këto nevoja, mund të gjendet lumturia e shumëkërkuar për njeriun. Në këtë pikë, maturimi i vërtetë i njeriut, mund të arrihet vetëm me edukimin e tij cilësor.”

Kështu, Gyleni thekson rëndësinë e edukimit dhe shpreh besimin që ka te vlerat që njeriu turk mund t’i japë botës, duke nënvizuar edhe faktorin e dytë në hapjen e këtyre shkollave fillimisht në Turqi, pastaj në Azi e më vonë në të gjithë botën.

“Shën Martini thotë se “Frytet u poqën e ranë në Perëndim, por rrënjët e pemës janë në Lindje. Burimi që gurgulloi nga Lindja, u derdh në Perëndim, që të shuante etjen e gjithë njerëzimit.”

Ky pohim e vlerësim i një perëndimori, për të cilin nuk mund të them në e ka ekzagjeruar apo jo, nuk është se më shtyn të bëj një diferencim mes Lindjes e Perëndimit. Po nuk kam dyshim se flladet që vijnë edhe sot mes mallit e nostalgjisë që nga atdheu ynë i parë, Azia, tregojnë më së miri për gërshetimin mes mendjes e logjikës, intelektit e shpirtërores që kemi pasur, rrënjët e të cilave i gjejmë edhe sot në vendin tonë. Vlerësimi i gjithë këtyre tregon më së miri se duhet të sillemi konform linjës së logjikës dhe të dijes, pa u rrëmbyer prej ndjenjave armiqësore të pabaza dhe duke e ndërthurur në mënyrën më të përsosur mendjen me logjikën, intelektin me shpirtin dhe duke e kuptuar e analizuar seriozisht realitetin e kohës në të cilën jetojmë, bashkë me profilin e saj kulturor, politik dhe ekonomik.

I bazuar në këtë botëkuptim, jam përpjekur të kanalizoj në shërbim të vendit e të kombit disa opinione pozitive të adresuara në personin tim, duke u bërë thirrje njerëzve të ndihmonin vendin, duke mundësuar shkollimin dhe edukimin e sa më shumë njerëzve. Edhe pse mundja e injorancës dhe e varfërisë është e lidhur ngushtë me edukimin e arsimimin e njerëzve, edhe pse bashkimi i njerëzve kalon nëpërmes tolerancës, mirëkuptimit dhe kapërcimit të diferencave, në fund të fundit çdo problem rrjedh nga individi. Çdo problem në glob gjeneron nga njeriu dhe zgjidhet nga njeriu, ndaj edhe për një rend shoqëror funksional në këtë botë, edhe për jetën e përtejme, edukimi është kushti më kryesor e më efikas.

Një tjetër aspekt i kësaj çështjeje është edhe ky: Në vendin tonë ne kemi një shprehje: “Nganjëherë edhe hiri i fqinjit është i domosdoshëm.” Nëse ju nuk keni në dorë as aq hi sa mund t’i hyjë në punë dikujt, askush nuk do ta marrë parasysh ekzistencën tuaj. Në këtë pikë, ne duhet t’i japim njerëzimit më shumë se ç’presim për të marrë prej tij. Kjo është edhe prova më e qartë e faktit që sot, njerëzit e thjeshtë vullnetarë, duke themeluar fondacione e firma të ndryshme, janë përhapur anë e kënd botës dhe institucionet arsimore të hapura prej tyre, megjithë vështirësitë e mëdha ekonomike që kanë pasur, janë mirëpritur kudo dhe në një kohë shumë të shkurtër kanë konkurruar, madje herë-herë kanë lënë pas analoget e tyre perëndimore.”

Pyetjes “Pse fillimisht Azia?” Gyleni i përgjigjet kështu:

“Me rënien e Bashkimit Sovjetik, republikat simotra turke që ndodheshin brenda bllokut, patën fatin të fitonin një e nga një pavarësinë e tyre. Për të vazhduar ekzistencën e tyre, madje më saktë, për të arritur pozitën që meriton në ekuilibrat e kësaj bote që zvogëlohet dita ditës, vendi ynë, i cili ka nevojë të natyrshme për lidhjet me jashtë, duhet t’i zgjaste dorën së pari këtyre vendeve simotra në Azi. Edhe liderët shtetërorë të asaj kohe e theksonin vazhdimisht këtë fakt. Ne kemi nevojë për paraqitjen e vendit tonë dhe për zgjidhjen e shumë problemeve të tij në arenën ndërkombëtare, gjë që arrihet me lobet jashtë vendit, të cilave u ndahen shuma të konsiderueshme të ardhurash. Formimi i aleancave natyrale dhe pozicionimi ynë në një terren të rrethuar me miq, jo me armiq siç ka qenë gjer tani, konsiderohet shumë më e vlefshme për kombin tonë. Aq më tepër që me këto vende mund të krijonim lehtësisht edhe marrëdhënie ekonomike. Hyrja e shtetit dhe e ndërmarrjeve private në to, duke marrë përparësinë e investimeve në sektorin privat, do të ishte një gjë shumë e mirë edhe për këta vende, edhe për ne. Nuk e di nëse shteti ynë do të arrinte t’i realizonte të gjitha këto projekte i vetëm.

Një tjetër pikë që dua të theksoj është se Azia është mëmëdheu ynë. Ka vite që u mësojmë fëmijëve në shkolla e në histori se si turqit janë përhapur nëpër botë nga Azia, si jemi nisur që andej drejt perëndimit. Azia është edhe burimi që e ka sjellë Islamin kaq të kthjellët gjer te ne. Emigrimin historik të dhjetë shekujve më parë nga Azia mund ta kthejmë në mënyrën më të bukur e më mirënjohëse me trimat e sakrificës që hapin shkolla dhe investojnë aty, me mistikët e përkushtuar të shkencës dhe arsimit. Në këtë proces historik e social do të arrijmë për herë të parë që nga Tanzimati, një pozitë të denjë përballë Perëndimit, pa komplekset që na ka dhuruar fshehja e karakterit tonë të vërtetë për hir të unifikimit me të, një pozitë që është e domosdoshme dhe e vlefshme, edhe për ne, edhe për perëndimin, pasi dialogu mes nesh do të vazhdojë në një mendësi dialogu mes të barabartësh dhe kushti kryesor për këtë, është ekzistenca jonë aktive në mëmëdheun tonë, në Azi. Nëse presim lidhjen me Azinë, ne presim lidhjen me antenorët tanë, me rrënjët tona dhe jemi të destinuar të humbim, si pemët pa rrënjë.

a. Një vështrim i shkurtër mbi shkollat jashtë vendit

Njerëzit e Anadollit, të frymëzuar nga mendimet dhe ndjenjat e Fethullah Gylenit, nisën menjëherë mobilizimin për shkolla, njëherë në Turqi, pastaj në Azi e më vonë në mbarë botën. Ky mobilizim u mbështet seriozisht nga presidenti i atëhershëm, Turgut Özal, e më vonë edhe nga pasuesi i tij Sulejman Demirel. Që të dy kryetarët e shtetit u impenjuan seriozisht në lehtësimin e situatave dhe në kapërcimin e vështirësive të mundshme burokratike në vendet e ndryshme. Ky aktivitet i rëndësishëm në fushën e arsimit u hapi rrugën edhe investitorëve të ndryshëm turq në ato vende. Por është e vërtetë se këto ndërmarrje nuk arritën në nivelin e shkollave dhe arsimit dhe Turqia u tregua e mefshtë dhe e ngadaltë në krahasim me vendet e tjera. Po sipas gazetarit të njohur Xhenk Koraj, përfitimi gjithsesi ishte i Turqisë:

“Sapo Kazakistani fitoi pavarësinë, shumë shtete të huaja u dyndën menjëherë. Koreanët morën minierat e bakrit, amerikanët puset e naftës dhe gjermanët bankat e financën, por burimin më të rëndësishëm e kishte në dorë Gyleni: njeriun. Bakri një ditë mund të shterojë, por investimi mbi njeriun është ai më me vlerë.” (Akşam, 16-05-1997)

Sikur e thekson edhe Koraj, ky investim mbi njeriun në Azi, ishte vërtet i mirëpritur. Me përjashtim të disa rasteve të papërfillshme, shkollat u mirëpritën me dashuri edhe nga administrata, edhe nga populli i vendeve ku u hapën. Mesazhi i presidentit të Turkmenistanit, Saparmurat Turkmenbash, me rastin e diplomave të para të shkollave të hapura atje, është shumë domethënës. Në këtë mesazh ai falënderon dhe shpreh mirënjohjen e tij jo vetëm për shkollat, por për të gjithë popullin e shtetin turk.

Gazetari i gazetës Hurrijet Ferai Tinç, pas vizitës së tij në shkollën Ruso-Turke në Moskë, përcillte me emocion fjalët e zv.kryetarit të Komitetit për Arsimin të Moskës, Kuznetsov, në lidhje me këtë shkollë: “Kjo shkollë është fryt i dashurisë njerëzore mes atyre që duan të rrisin një brez të ri të mrekullueshëm edhe në Turqi, edhe në Rusi.” (Hürrijet, 19-01-1998)

Shkaqet e suksesit dhe të mirëpritjes së këtyre shkollave mund të renditen si më poshtë, duke marrë parasysh shkrimet e analistëve dhe të gazetarëve që i kanë analizuar.

b. Faktorët e suksesit të shkollave

Së pari, është fakt që këto shkolla kanë një cilësi shumë të lartë mësimdhënieje. Ky fakt është provuar edhe nga sukseset në jetën universitare të pothuaj çdo studenti të diplomuar në këto shkolla, edhe nga çmimet e medaljet e marra në olimpiadat e ndryshme kombëtare e ndërkombëtare në të cilat ato kanë marrë pjesë. Sipas shprehjeve të gazetarit Hulusi Turgut, në studimin e tij të botuar për tri javë me radhë në gazetën Yeni Yüzyil, (janar-shkurt 1998), këto shkolla kanë arritur të konkurrojnë në olimpiada shkencore e të fitojnë epërsi ndaj analogeve të tyre në Turqi e jashtë saj. Përfaqësuesit e misioneve të huaja, në vendet ku janë hapur këto shkolla, kryesisht i preferojnë ata për nivelin e lartë të mësimdhënies e të arsimimit që i karakterizon.

Bekim Agai, një akademik i fushës së arsimit, pjesëtar i Fondacionit Gjerman Volkswagen, i cili kryen studime në lidhje me arsimin dhe edukimin në Gjermani e jashtë saj, ka përgatitur tezën e doktoraturës në lidhje me këto shkolla dhe shprehet kështu: “Këto shkolla janë pajisur në mënyrë të përsosur dhe mësimdhënia e tyre është e një niveli të tillë sa nuk e ka asnjë shkollë përreth. Si rezultat, suksesi i tyre kombëtar e ndërkombëtar është evident.”

Këto shkolla, përveç një niveli të lartë të mësimdhënies, kanë edhe një nivel të lartë edukimi. Bekim Agai e shpreh këtë fakt me këto fjalë: “Nxënësit e këtyre shkollave aftësohen jo vetëm në shkenca, por edhe edukohen me një frymë të shëndetshme sociale, si individë të vlefshëm për shoqërinë ku jetojnë.” Vlerat e humbura shoqërore e familjare gjejnë jetë sërish në saje të këtyre shkollave dhe shumë familje të shpërbëra, nën ndikimin e nxënësve të edukuar në këto shkolla, riformohen sërish. Ndër të tjera, Xhenk Koraj shënon: “Nxënësit e këtyre shkollave edukohen me vlera të tilla, si respekti për të rriturit, dashuria për të vegjlit, mirëkuptimi, durimi, bamirësia e ndershmëria, vlera të cilat edhe në vendin tonë kanë nisur të zbehen. (Akşam, 16-05-1997)

Ndërsa shpreh opinionet e tij për shkollat, analisti Ali Bajramoğlu thekson edukimin e nxënësve me vlera të larta morale dhe atmosferën e dashurisë, mirëkuptimit e vlerave tradicionale që karakterizon këto institucione. (Yeni Yüzyil, 02-11-1996)

Në studimin e tij në lidhje me këto shkolla, Hulusi Turgut nënvizon faktin se nuk bëhet fjalë për përdorimin e duhanit dhe të alkoolit në shkolla, madje edhe nxënësit që i kanë përdorur më parë, kanë hequr dorë nga këto vese. Kurse shkrimtari Mehmet Altan citon fjalët e dy prindërve në Moskë: “Ne i dërgojmë fëmijët në këto shkolla sepse mësimet janë në anglisht dhe sepse duhani është e ndaluar.” (Sabah, 22-01-1998)

Veçoria më spikatëse e këtyre shkollave në krahasim me institucionet e ngjashme në Turqi dhe në vendet e tjera ku ato ndodhen, është fakti se ato krijojnë një atmosferë dialogu, bashkëpunimi e paqeje sociale në shoqërinë ku janë. Për shembull, gazetarja Neval Sevindi, ndërsa shkruan për përshtypjet e saj nga një shkollë e tillë në Van, (Yeni Yüzyil) ashtu si dhe gazetarja Nazllë Ilixhak, që pasqyron përshtypjet e ngjashme në gazetën Akşam (25-03-1997), ndalet më tepër pikërisht te ky funksion harmonizues i shkollave.

Pas shëtitjes së tij në shkollën në Moskë, shkrimtari Mehmet Altan ndalet te i njëjti funksion i këtyre institucioneve dhe thotë: “Në shkollat turke nuk depërton dot as edhe një ndikim i tranzicionit. Familjet janë të qeta se e dinë ku i kanë fëmijët dhe si edukohen ata.” Kurse Bekim Agai thekson se këto shkolla janë oaze të stabilizimit e të paqes.

Edhe rezultatet e studimeve të bëra nga Aishe Ballxhë dhe Xhenet Engin Demir në shkollat turke në Kirgizistan e Turkmenistan, duke anketuar e intervistuar dhjetëra prindër, nxënës e arsimtarë, del se nuk janë të ndryshme. Edhe opinioni i tyre në lidhje me preferencën për këto shkolla është niveli i lartë i mësimdhënies, i gjuhëve të huaja, lëndëve kompjuterike por edhe edukimi moral e disiplinor i nxënësve, sjellja e tyre e hijshme në shoqëri e familje dhe formimi i tyre i përgjithshëm. (http://literacyonline.org/products/ili/webdocs/carfl_dem.html)

Një tjetër pikë e rëndësishme në lidhje me këto shkolla është aftësia e sakrifica e personelit mësimdhënës. Kjo çështje ka tërhequr vëmendjen e të gjithë vizitorëve dhe është përmendur shumë herë prej tyre. Për shembull Aishe Ballxhë dhe Xhenet Engin Demir theksojnë se arsimtarët e drejtuesit e shkollave kanë krijuar marrëdhënie shumë të mira mes prindërve e shkollës, gjë që i kënaq prindërit së tepërmi, përveç kësaj mësuesit janë gjithmonë të gatshëm të ndihmojnë nxënësit dhe ruajnë një sjellje shumë pozitive si ndaj tyre, ashtu edhe ndaj prindërve. Studiuesi ekonomist Mustafa Özel tërheq vëmendjen së pari pikërisht në këtë pikë. “Mosha e mësuesve turq është mes 20-25. Të gjithë janë të rinj e idealistë. Duket qartë se njëzet e katër orët e tyre i kanë taksur për edukimin e nxënësve. Rrogat e tyre variojnë 300-500 dollarë. Kuptohet qartë se nuk janë aty për përfitime materiale, por për hir të idealit të tyre. (Ergun, 346)

Berna Turam nga Universiteti McGill në SHBA, nënvizon faktin se shkollat që opinioni publik i njeh me emrin e Fethullah Gylenit kanë për qëllim si një projekt të shoqërisë civile, ndërtimin e një ure mes institucioneve laike dhe besimit. Turam nënvizon faktin se Fethullah Gyleni ka një rol kyç në shoqërinë civile turke dhe në pjesëmarrjen e saj në shoqëritë ndërkombëtare dhe shton:

“Programi arsimor nuk vë në plan të parë as Islamin dhe as Turqinë. Arsimi është laik. Nuk ka asnjë lloj edukimi fetar, përveç historisë së religjioneve. Nga ky aspekt është e qartë se këto shkolla nuk cytin as interesat e ndonjë komuniteti dhe as ato kombëtare. Megjithatë, sado që anglishtja është gjuha kryesore e mësimit, Fethullah Gyleni dëshiron që ta bëjë edhe turqishten një gjuhë komunikimi ndërkombëtar. Edhe mësuesit me të cilët kam folur, u shprehën për rëndësinë e përdorimit të saktë të turqishtes. Nxënësit me të cilët jam takuar në Kazakistan flasin shumë mirë turqisht, kurse ata që janë diplomuar, janë një urë pozitive mes Turqisë e Kazakistanit.

Shkollat shmangin sjelljet e veprimet imorale, të trashëguara nga sistemet e kaluara. Sukseset e tyre në olimpiadat ndërkombëtare përforcohen nga edukimi i tyre human e moral, nga disiplina e kultura që i karakterizon. Modeli edukativ që ndjekin këto shkolla ka për qëllim shuarjen e konflikteve mes edukimit laik e besimit, modernizmit e traditës. Te të gjithë mësuesit bie në sy një vetëmohim e një sakrificë shumë e lartë. Megjithatë në shkolla nuk vërehet ndonjë qëllim i zgjerimit global. Edhe dyshimet fillestare, se turqit do të zënë vendin e sovjetikëve në botë, janë fare pa vend, pasi këto shkolla janë një urë dialogu mes kombeve e qytetërimeve. Në planin kryesor, padyshim, është objekti human. (Referim në simpoziumin National Loyalties and International Alliances)

c. Problemi i financimit të shkollave dhe idetë e Gylenit mbi ekonominë

Si në shumë tema të tjera, edhe në problemet ekonomike Fethullah Gyleni ka preferuar t’i ndajë mendimet e tij me opinionin publik. Mendimet e tij në këtë fushë, ndonëse nuk janë ato të një ekonomisti të mirëfilltë, janë një përmbledhje origjinale e parimeve që përmban në aspektin ekonomik lëvizja e tij. Në shkrimin “Erozionet dhe shpirti i kombit”, të cilin Gyleni e ka botuar në revistën Sizinti të muajit Mars 1988, ai shkruan se “Turqia duhet të rikonstruktohet që nga qyteti më i madh deri te fshatrat më të vogla dhe skutat më të largëta. Për këtë duhen gjetur zgjidhje të përshtatshme me standardet botërore e me traditën tonë, të cilat do t’i japin një dimension tjetër jetesës dhe mendimit tonë e do të gjejnë një rrugëdalje efikase për problemet ekonomiko-shoqërore të grumbulluara në shekuj.

Bujqësia duhet zhvilluar në shumë aspekte, duke përfituar nga zhvillimet teknologjike dhe modernizimet në këtë fushë, industria, që ka vite që belbëzon, duhet shtyrë e zhvilluar dhe duhet ngritur në një nivel të matshëm me industrinë botërore; gjithë pasuritë e paprekura nëntokësore e mbitokësore duhen planifikuar e përdorur në të mirë të kombit; doganat tona duhet të jenë plot me radhët e gjata të eksportuesve nga anekënd botës, monedha turke duhet të arrijë me çdo kusht vendin që meriton në bursat ndërkombëtare dhe premtimet klishe si “Konsolidimi i vendit” e “Rritja e mirëqenies së popullit” duhen zbatuar patjetër, një orë e më parë.

Në një tjetër vlerësim të tij, Fethullah Gylen shprehet kështu:

“Çdo njeri që beson, duhet të pasurohet patjetër, brenda limiteve që i ka lejuar Zoti. Nëse është e nevojshme duhen bashkuar kapitalet dhe duhet bërë e mundur pjesëmarrja në të gjitha llojet e investimeve të hapura ndaj konkurrencës, brenda e jashtë vendit. Nuk duhet lënë pas dore ndikimi i madh që ka ekonomia në përqafimin e shekujve të ardhshëm nga njerëz të aftësuar më së miri edhe në shkencat pozitive, edhe në ato shpirtërore. Dhe nuk duhet harruar fakti se çdo shkak i lejuar për të bërë mirë në rrugën e mirësisë, është një mënyrë adhurimi.” (Prizma, 2:33-4)

Përveç këtyre, Gyleni qëndron edhe te disa kushte të tregtisë, të vlefshme për çdo kohë dhe çdo njeri. Sipas tij, biznesi i bërë për llogari të së ardhmes dhe gjërat që ai premton, janë shumë më tej se ato të sotmet. Megjithëse arsimi përkatës dh specializimi janë të domosdoshëm në këtë fushë, nuk duhet lënë pas dore fakti se biznesi, ashtu si shumë profesione të tjera, kanë një periudhë nxënie, e cila duhet respektuar rigorozisht. Kushedi sa tema të shpjeguara teorikisht nëpër libra, kanë kuptim të mirëfilltë vetëm kur mësohen nga eksperienca e një mjeshtri të vërtetë.

“Çdo minutë që kalon në punë një biznesmen që nuk u ndahet limiteve të lejuara dhe zbaton me rigorozitet kriteret e hallallit e të haramit, janë të barasvlefshme me minutat e kaluara me adhurim”, shprehet Gyleni dhe nënvizon se shpirti i tregtisë qëndron te ndershmëria, modestia, fytyra e qeshur, saktësia, edukata e sjellja e mirë me klientin, te vlerësimi më së miri i kohës dhe i vendit ku jeton. Sipas tij, këta njerëz duhet të jenë tepër të ndershëm, punëtorë, të besueshëm dhe besnikë ndaj fjalës së dhënë. Një tjetër pikë që nënvizon Gyleni në këtë temë është: “Ata që i hapin dyqanet një orë para dhe i mbyllin një orë më vonë se e zakonshmja, i kanë muajt 35 dhe vitet 420 ditëshe.” (Kriteret ose Dritat e Rrugës 177-8)

Fethullah Gylen i ka nxitur vazhdimisht sipërmarrësit turq që të investojnë jashtë vendit, jo vetëm në arsim por edhe në fushat ekonomike. Për shembull, ai shprehet kështu përsa i përket hapjes së investitorëve turq në Lindjen e Mesme: “Ne jemi shumë të vonuar për sa i përket Lindjes së Mesme. Sidomos në fushat e industrisë e të biznesit, nuk kemi bërë përparime aq sa kemi bërë në arsim. Shteti ynë duhet ta trajtonte këtë temë me përparësi të veçantë. Ai duhej të krijonte zyra informacioni, të intensifikonte marrëdhëniet ndërshtetërore dhe të bënte rregullimet e duhura ligjore për t’iu ofruar lehtësirat e mundshme atyre investitorëve që dëshironin të investonin në këto vende. Mirë që shteti nuk e mori seriozisht këtë çështje, po të paktën ne si komb e si popull duhet të bënim atë që na takonte. Çdo sekondë e humbur kot është humbje në përmasa kolosale në këtë fushë.” (Fasıldan Fasıla, 2:259)

Me këtë qëllim Fethullah Gylen edhe ka folur e shkruar shumë për të udhëhequr investitorët turq në fushat e ekonomisë dhe arsimit, edhe e ka kanalizuar simpatinë e respektin e opinionit publik për të mirën e kombit. Shumë investitorë turq që dëgjuan këshillën e Gylenit, kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë investime brenda e jashtë Turqisë, edhe në fushën arsimore, edhe në atë ekonomike. Edhe në themel të financimit të shkollave, temë që është bërë shpesh pre e spekullimeve në Turqi, duhen kërkuar së pari mbështetjet që kanë ardhur nga këto investime. Shumë investitorë turq, duke menduar vetëm vendin e kombin e vet, e një pjesë e tyre duke kërkuar mëshirën e kënaqësinë e Zotit me këtë rrugë, kanë përvetësuar filozofinë e të parëve të tyre për të konkurruar në mirësi e i kanë dhënë jetë një lëvizjeje të tillë vullnetare, pa pritur asnjë ndihmë nga shteti. Pjesëmarrja e njerëzve nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, me botëkuptime e ide të ndryshme, nuk është diçka shumë habitëse për ata që e dinë pak a shumë historinë dhe karakterin e këtij kombi.

Në këtë mënyrë mund të shprehemi se nisi edhe lëvizja në fushën e ekonomisë, edhe pse jo aq e konsoliduar sa ajo e arsimit. Në studimin e tij, Hulusi Turgut, e trajton kështu këtë eveniment:

“Ekipet që kanë shkuar për të hapur shkolla në Republikat Turke të Lindjes së Mesme, në Kaukaze e në vendet e ish-perdes së hekurt, kanë arritur të fitojnë besimin e burokracisë vendase dhe të krijojnë lidhje shumë të mira me ta në një periudhë shumë të shkurtër. Kështu, themeluesit e shkollave ishin të gatshëm të ndihmonin investitorët që vinin nga Turqia dhe kishin mundësi shumë të mira për t’i ofruar atyre lidhje shumë të favorshme. Brenda një kohe të shkurtër këta investitorë do të fitonin mirë dhe do të tregonin gatishmëri të kontribuonin në financimin e shkollave. Shkurtimisht, në këtë mënyrë shkollat do të garantonin edhe financuesit e vet jashtë vendit.

Në Turqi janë themeluar kompani për shkollat turke jashtë vendit, të cilat marrin lejet përkatëse nga Ministria e Arsimit të Turqisë, pastaj përcaktojnë kuadrot që do të emërohen atje dhe zgjedhin mes universiteteve më të mira të Turqisë, stafin mësimor që do të mbajë në këmbë këto shkolla.

d. Ideja dhe ideali i arsimit sipas Fethullah Gylenit dhe një vëzhgim i rëndësishëm në lidhje me shkollat

Sekretari i Dialogut Ndërreligjionist të Komunitetit Jezuit dhe Sekretari Ekumenik i Federacionit të Konferencave të Patriarkëve të Azisë, atë Thomas Michel, dëgjon për liceun filipino-turk të tolerancës, të hapur qytetin Zamboanga në Filipine dhe vendos ta vizitojë atë. Popullsia e qytetit është gjysma myslimane e gjysma kristiane dhe forcat Moro ka një kohë të gjatë që janë në konflikt me shtetin. “Lufta civile, grabitjet e plaçkitjet, humbjet e arrestimet, krimet e vrasjet janë ngjarjet më të rëndomta në këtë qytet” shprehet ati. Ai dëshmon me habi se si në një vend të tillë, një shkollë me më shumë se njëmijë nxënës, myslimanë e kristianë, arrin të sigurojë mësim në një nivel aq të lartë e të funksionojë mes një atmosfere të mirëfilltë dashurie e tolerance. Pas kësaj shkolle, Michel shëtit edhe Kirgizistanin dhe mahnitet me nivelin e nxënësve të një shkolle të tillë në Bishkek, me arritjet e tyre akademike, rrjedhshmërinë e gjuhës dhe medaljet e fituara në olimpiadat e ndryshme. Aty ai dëshmon harmoninë e nxënësve amerikanë, koreanë, turq, afganë e iranianë, të cilët mësojnë së bashku. Atë e tërheq pa masë edhe sakrifica e mësuesve, ndershmëria e tyre dhe ndërgjegjja me të cilën përgatisin brezin e ri. Gjithë këto, e shtyjnë Michelin të zbulojë filozofinë që qëndron në themel të këtyre shkollave dhe pasi dallon ndikimet e simpatinë për Gylenin në ata mjedise, nis të studiojë me seriozitet veprat e Gylenit. Përfundimet e veta në fund të këtyre studimeve, Micheli i shpreh në Simpoziumin e organizuar nga Universiteti i Georgetown në lidhje me Fethullah Gylenin në Prill të 2001:

“Sipas Gylenit, shkollat, medresetë, institucionet shkencore dhe ato shpirtërore duhet të jenë në harmoni të plotë me njëri-tjetrin. Fakti që ato janë në rivalitet me njëri-tjetrin, i shtyn brenda një konflikti, i cili sipas Gylenit, nuk duhet të ekzistojë kurrsesi: konfliktit të besimit me shkencën. Ky konflikt, në të cilin gjatë shekujve XIX e XX janë bërë palë edhe liderët fetarë e shtetërorë, është bërë shkak për ndarjen me vija të prera të metodave e filozofive të mësimdhënies mes tyre. Pedagogët bashkëkohorë laikë e shohin fenë, më e pakta si humbje kohe, më e keqja si një pengesë për zhvillim. Ky konflikt i detyron religjionistët ose të kundërshtojnë modernizmin, ose ta shohin besimin si një ideologji politike, jashtë funksionit dhe kuptimit të tij real. (Toward the Lost Paradise, 20)

“Përkundrejt kësaj gjendjeje, Gyleni propozon një sistem pedagogjik brenda të cilit religjionistët kanë një formacion të mjaftueshëm shkencor dhe shkencëtarët kanë një lidhje solide me vlerat fetare e morale. Në këtë mënyrë, konflikti mes religjionit e shkencës do të marrë fund, ose më e pakta, do të dalë në pah kotësia e tij”

Fethullah Gylen përfaqëson dhe propozon për Turqinë një perspektivë të së ardhmes, tej përçarjeve të hershme të së majtës, së djathtës, laikëve e fetarëve. Gyleni mendon se modernizimi i vërtetë i Republikës së Turqisë mund të arrihet veç me rritjen e njerëzve të kompletuar në çdo aspekt. Kjo gjë arrihet me stabilizimin e një sistemi arsimor të ri mbi degët kryesore të sistemit aktual, një sistemi të aftë për t’iu përgjigjur të sotmes dhe të mjaftueshëm për të ardhmen. Kjo perspektivë e Gylenit është krejtësisht e ndryshme nga projektet obskurantiste të disave që pretendojnë të mbartin të kaluarën në ditët tona. Në shkollat që përmenden bashkë me emrin e tij, Gyleni as ka për qëllim të rindërtojë sistemin osman dhe as të sjellë prapë hilafetin. Ai e thekson gjithmonë se këto shkolla kanë për qëllim ndërtimin e së ardhmes dhe kujton një fjalë: Kohët e vjetra kanë shkuar, ose kohë e re, ose koha për të mbaruar” (Lynn Emily Webb, Fethullah Gülen: Is There More To Him Than Meets The Eye?,89)

“Institutet moderne të arsimimit i ngjajnë fabrikave që bëjnë prodhim me shumicë në sistemin e tregut global. Vetëm se në këto institucione janë lënë pas dore vlerat intelektuale e morale që nxjerr në pah Fethullah Gylen, siç janë kthjelltësia e të menduarit, pasuria shpirtërore e larmia kulturore. Ndaj dhe Gyleni përkrah një sistem arsimimi që vlerëson e kontribuon nxjerrjen në pah të këtyre vlerave, aq të rëndësishme për të. (Toward the Lost Paradise, 16).

“Ai ka bindjen se shumë njerëz mund të bëhen mësues, po numri i edukatorëve të vërtetë është shumë pak.” (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 36)

Edhe mësuesi, edhe edukatori, përcjellin dijen te por edhe nxënësi dhe e aftësojnë atë në aspekte të ndryshme, vetëm se edukatori, për më tepër, e ndihmon nxënësin në formimin e personalitetit të tij dhe e udhëheq drejt përmasave të reja të mendimit dhe ideve. Ai skicon karakterin e nxënësit dhe e përgatit atë me aftësi si disiplinimi i egos, toleranca e ndjenja e përgjegjësisë.

Disa prej koncepteve që hasim shpesh në shkrimet e Fethullah Gylenit për arsimin e edukimin, duhen zbërthyer pak, për të shmangur kështu keqkuptimet e mundshme. Për shembull, ai flet shpesh për “moralin“ dhe “vlerat shpirtërore”, dy koncepte që disa mund t’i cilësojnë thjesht “religjion”. Nëse këta njerëz janë të ndjeshëm në lidhje me laicizmin, mund ta trajtojnë këtë terminologji si një kërcënim ndaj sistemit laik aktual. Veçse Fethullah Gylen i përdor këto terma në një dimension shumë më të gjerë. Në terminologjinë e tij, morali nuk konsiston vetëm në kuptimin e ngushtë të doktrinës fetare, ai përfshin edhe moralin e lartë, ekuilibrin shpirtëror, logjikën e sinqeritetin. Për të kuptuar këtë është e mjaftueshme t’i hidhet një sy koncepteve të tjera kyçe që ai përdor. Për shembull ai përmend shpeshherë “mëshirën e “tolerancën”. (Drita e pashuar,1:118-119-179; 2:96-123-131-150).

“Profeti Muhamed, shprehet Fethullah Gylen, e cilëson myslimanin e vërtetë si njeriu që nuk i bën dëm askujt as me dorë, as me sjellje, as me gjuhë. Myslimani është përfaqësuesi më i besueshëm i paqes botërore.”

Sipas Gylenit, funksioni kryesor i edukimit është pozicionimi i këtyre vlerave morale në karakterin e nxënësit dhe disiplinimi i tij ndaj të këqijave ku mund ta shtyjë egoja.

Ndërsa flet për rritjen e nxënësve me vlera humane e cilësi të larta morale, Gyleni shpreh kriteret e tij universale, që ai ka mësuar nga Islami. Vetëm se ai nuk ka parasysh vetëm myslimanët, po edhe nxënësit e feve e besimeve të tjera që ndjekin shkollat e përmendura me emrin e tij, pa hasur asnjë lloj propagande fetare e ideologjike.

Gyleni përmend shpesh edhe “vlerat kulturore e tradicionale” (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 35, 44, 45; Towards the Lost Paradise, 16)

Për disa instanca, kjo terminologji mund të tingëllojë si thirrje për kthim në shoqërinë e vjetër osmane ose si një mesazh në kundërshtim me sistemin aktual. Porse Gyleni me këtë nënkupton vlerat e hershme të kulturës turke, të formuara në një hark kohor e historik të larmishëm, vlera e tradita që në shumë raste kanë në vetvete një zgjidhje ideale të problemeve aktuale në shoqëritë moderne. Bashkë me këtë Gyleni nënvizon se kthimi në të shkuarën dhe përpjekjet për rindërtimin e saj, megjithë pamundësinë e papërshtatshmërinë e vet, çdo ndërmarrje e tillë nuk do të ishte veçse një fiasko e një mendjeshkurtësi e panevojshme. Gyleni nuk e mohon të shkuarën e vlerat e saj, nuk përkrah as ndonjë përçapje a ideologji që ka për synim rikthimin e saj, duke i cilësuar ato si përpjekje pa vlerë. (Webb, 95)

“Ndërsa hedh poshtë kritikat e mundshme për shkollat që përmenden me emrin e tij në këtë aspekt, Gyleni thekson faktin se në këto shkolla aplikohet programi arsimor i miratuar nga Ministria e Arsimit të Turqisë dhe kontrollohen vazhdimisht jo vetëm nga inspektorë të ministrisë turke, po edhe nga inspektorët përkatës të vendeve ku ato janë.” (Webb, 107) Inspektorët vazhdimisht theksojnë se në këto shkolla nuk kanë ndeshur as gjurmën më të vogël të ndonjë propagande fetare, anarkiste apo reaksionare. Aq më tepër që shumë nxënës të rritur në këto shkolla sot janë të punësuar në administrata shtetërore e publike dhe as edhe një herë nuk është përmendur ndonjë ankesë e tyre në këtë sens.

“Mendimet e Gylenit nuk bazohen mbi rrymat politike të Turqisë dhe diskutimet mes tyre dhe as ndikohen ndopak nga këto rryma. Ai është i preokupuar me ndërtimin e sistemit edukativ të së ardhmes. Ai kërkon reformatorë, njerëz të pajisur me një sistem vlerash fizike e metafizike dhe pret ndryshimet që këta njerëz do të mund t’i sjellin shoqërisë. Ky edukim me të cilin ai merret, ka si qëllim kryesor ndryshimin e individit. Sipas tij, këta individë duhet të kenë shpëtuar nga të menduarit parcial dhe i limituar dhe duhet të kenë një disiplinë e rregullshmëri të përsosur në vetvete. Vetëm individë të tillë mund të kontribuojnë në mënyrë efikase e pozitive mbi shoqëritë.

“Fethullah Gylen nuk e sheh shkollën vetëm si vend mësimi e profesionalizimi, por edhe si një laborator ku nxënësit njihen me shumë aspekte të jetës e përpiqen të konceptojnë dimensionet e materies në një relacion solid të kësaj bote me atë të përtejme. Në disa artikuj ai nuk ngurron të përdorë një terminologji gjysëm religjioze në lidhje me shkollat dhe i cilëson ato si vendet e bekuara të një aktiviteti të bekuar: “Mësonjëtorët janë vendet që u japin mundësinë nxënësve të perceptojnë më së miri mjedisin e kohën ku jetojnë, duke lëshuar rreze drite e urtie mbi çdo eveniment jetik. Njëkohësisht, ato hapin rrugën më të shkurtër për të konceptuar materien e jetiken, duke i mësuar njeriut mendimin universal, duke i konsoliduar intelektin e duke i treguar unitetin brenda tërësisë. Në këtë sens, mësonjëtoret janë tempuj të bekuar dhe mësuesit janë shenjtorët e tyre.” (Toward the Lost Paradise, 98)

Një model edukimi që përfshin edhe aktivitetet shkencore, edhe formimin e karakterit të nxënësit, edhe ndërgjegjësim social, po edhe konsolidimin moral e shpirtëror të nxënësit, mund të cilësohet si shumë idealist, bile utopik nga shumë kritikë. Megjithatë, mund të pohojmë se megjithë ndryshimet e niveleve nga shkolla në shkollë, modeli edukativ i Fethullah Gylenit ka gjetur zbatim në këto institucione dhe idealet e tij kanë marrë jetë në to.

Fethullah Gyleni si gjenerues i intelektit

Ideja e Fethullah Gylen për arsimimin e edukimin nuk është e kushtëzuar vetëm nga shkollat, kurset përgatitore për universitet dhe arsimimi akademik, të cilësuara si arsimim zyrtar, themelimin e të cilave ai e ka këshilluar e udhëhequr gjithnjë. Ai personalisht e trajton njeriun në tërësi dhe i jep të njëjtën rëndësi, në mos më tepër, edukimit shpirtëror e formimit të ndërgjegjes te individi, duke e parë këtë formim si kushtin kryesor të intelektit të shëndoshë. Gjithashtu, duke mos e lënë as vetë, asnjëherë pas dore edukimin fizik, ai i jep rëndësinë e duhur edhe këtij edukimi, por duke i dhënë përparësi të padiskutueshme edukimit intelektual dhe atij moral. Këtë ide të tijën mund ta dallojmë fare mirë nga këto fjalë të tijat: “Thuajse çdo njeri është i vetëdijshëm për rëndësinë e edukimit fizik, por të paktë janë ata që kuptojnë rëndësinë e edukimit moral e intelektual, të cilët janë parësore te njeriu. Ndërsa edukimi fizik konsiston në formimin fizik e muskulor personal të njeriut, edukimi moral e intelektual i individit sjell forcimin e lartësimin e të gjithë shoqërisë.” (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 158)

Fethullah Gyleni si predikues dhe konferencier

Në vitin 1959 Fethullah Gylen kalon me sukses provimin e DIA (shkurtim për Kryesinë e Punëve Religjioze) dhe nis punën e tij si predikues në xhaminë e qendrës në Edirne. Megjithë karakterin e tij energjik e të ndjeshëm, Gyleni preferon më shumë të dëgjojë sesa të flasë dhe më shumë të lexojë se sa të shkruajë. Ndaj dhe në këtë periudhë, pasi kryente predikimin para faljes të së premtes në xhaminë ku ishte caktuar, shkonte në xhaminë e famshme Selimije dhe atje dëgjonte predikimin (hutben) dhe falte Xhumanë. Pothuajse të gjithë rrogën e harxhon duke blerë libra e revista, të cilat në shumicën e rasteve, pasi i lexon, ua fal të tjerëve. Kështu që kalon atje një periudhë të vështirë ekonomike.

Një nga aspektet më atraktive të jetës së Gylenit është ndjeshmëria e tij maksimale ndaj gabimeve dhe padrejtësive dhe përkrahja në çdo kusht e të drejtës, gjëra që e shoqërojnë përherë në marrëdhëniet intelektuale që vendos me njerëzit. Ndaj dhe ai, përpara se të njihej me ndërmarrjen arsimore, të shtrirë tashmë anë e kënd, njihej me predikimet e ligjëratat e tij mbresëlënëse. Edhe në vitet 1962-1963. Ndërsa ishte me shërbim ushtarak në Iskenderun, ai merrte leje nga komandanti dhe çdo të premte predikonte në xhaminë e qytetit. Jeta e tij në profesion vazhdon në Edirne dhe në Kirklareli edhe pas shërbimit ushtarak, derisa transferimi i tij në Izmir bën që të hapet një faqe e re në veprimtarinë e tij. Në Izmir, në lagjen Kestane Pazari, ai vazhdonte predikimin në xhami duke qenë njëkohësisht edhe arsimtar në kursin e Kuranit të kësaj zone. Dhe që nga ajo ditë, Fethullah Gyleni do të vazhdonte predikimet e tij në Edremit, Manisa e Bornova, duke u bërë kështu predikuesi i njohur anembanë Turqisë. Kasetat e predikimeve të tij dëgjoheshin ngado, duke krijuar kështu kontakte me njerëz të të gjitha shtresave.

Stop “Lëkundjeve Që Solli Shekulli”

Gjatë kësaj periudhe Fethullah Gylen nuk mjaftohet vetëm me predikimet, por që në vitet e para në Izmir nis bisedat nëpër kafene, pastaj nis serinë e konferencave në zonën e Egjeut, seri e cila për një periudhë kohe shumë të shkurtër do të përfshinte tërë Turqinë. Tematika e konferencave ishte e larmishme si relacionet e Kuranit me shkencat ekzakte, drejtësia sociale në Islam dhe Darvinizmi. Gjithashtu bisedat e Gylenit me grupe të rinjsh e studentësh, nëpër kafene, shtëpi a qoftë edhe parqeve vazhdonin pa ndërprerje, biseda gjatë së cilave ai u përgjigjej pyetjeve të tyre të detajuara në lidhje me Islamin e me aktualitetin. Analizimi me vëmendje i përgjigjeve të Gylenit ndaj këtyre pyetjeve na jep një ide konkrete për këndvështrimin e tij, qoftë ndaj Islamit, qoftë ndaj kohërave moderne dhe na e bën më të qartë figurën e tij si aktivist. Disa herë predikimet e tij konsistojnë në faktet e monoteizmit, disa herë në Jetën pas vdekjes -këto predikime më vonë do të botohen me titullin “Jeta pas Vdekjes”. Pastaj ai për muaj me radhë do të trajtojë në predikimet e tij edukimin e fëmijës dhe jetën familjare, gjithashtu të botuara më vonë me titullin “Nga Fara Te Lisi” dhe në vitin 1989, kur rinis vullnetarisht detyrën e tij si predikues, për një vit me radhë trajton çdo aspekt të jetës e të veprimtarisë së Profetit Muhamed, shpjegime të cilat do të botohen nën titullin “Dritë e Pashuar”. Kurse gjatë predikimeve të viteve 1990-1992, Fethullah Gylen do të theksojë njohjen dhe dashurinë e Zotit (marifetullah-muhabetullah), si dhe temat e të drejtave të njeriut, të drejtave të prindërve, dashurisë, vëllazërisë, durimit, vullnetit e moralit.

Një pjesë e diskutimeve të lartpërmendura janë botuar në Turqi- më vonë edhe në shumë vende të tjera- në serinë me katër vëllime “Lëkundjet që Solli Shekulli”, seri e cila ishte për një kohë të gjatë bestseller në mbarë Turqinë. Disa shembuj nga pyetjet, përgjigja e të cilave është dhënë nga Gyleni, janë:

  • A mund të përshkruhet Zoti? Cilat janë cilësitë e Tij
  • A është e vërtetë se Kurani flet për gjithë ç’ka ndodhur e çdo të ndodhë? Si mund t’i trajtojmë arritjet bashkëkohore të shkencës dhe të teknologjisë, të para nga ky aspekt?
  • Si mund të shpjegohet ekzistenca e një Zoti të vetëm?
  • Përse Zoti na sjell në këtë botë e na vë në provë, ndërsa Ai i di të gjitha ç’kemi bërë e kemi për të bërë?
  • A ekziston ndonjë grup njerëzish, të cilëve nuk i ka arritur mesazhi i Zotit e nuk i është dërguar profet? Nëse ekziston, si qëndron përgjegjësia e këtyre njerëzve në aspektin e besimit dhe veprës së mirë?
  • Çfarë mund të na shpjegoni për martesat e Profetit?
  • Pse Islami nuk i dha fund skllavërisë?
  • Çfarë është reinkarnacioni dhe a mund të shpjegohet ai me anë të Islamit?
  • Cila është lidhja mes vullnetit hyjnor e vullnetit njerëzor?
  • Përse Zoti nuk i krijoi të gjithë njerëzit njëlloj, po dikë e la të paaftë e të varfër e disa të tjerë të aftë e të shëndoshë? Përse dikujt i jepen pasuri materiale e furnizime kurse disa të tjerë janë në prag të urisë?
  • Si shpjegohet vdekja e disa personave në të njëjtën kohë, ndërsa Azraili (engjëlli i vdekjes) është një i vetëm?
  • Çmendoni për bankat e spermës?
  • Si mund ta ngjallim intelektin te njeriu?
  • Përse gjithçka përfundon me vdekje?
  • Si duhet folur fillimisht me një ateist?
  • Përse djalli-shejtani, edhe pse e di fare mirë se do të përfundojë në ferr-xhehenem, këmbëngul në rebelim?
  • A është imperialist sistemi që ka themeluar Islami, duke pushtuar vendet e tjera?
  • A është krijuar Havaja (Eva) nga brinja e Ademit dhe si shpjegohet kjo?
  • Çfarë janë xhindet, a është i mundur komunikimi me ta? A mund të përdoren ata për terapi të ndryshme ose për të marrë njoftime nga e panjohura?
  • Disa vende e popuj si populli i Lutit dhe populli i Nuhut janë shkatërruar për shkak të imoraliteteve e të pabindjes së vet. Po sot, megjithëse çdo imoralitet e rebelim ekziston, përse nuk përjetohen shkatërrime të tilla masive?
  • Si mund të shpjegohet në aspektin e intelektit e të logjikës ekzistenca e Islamit si fe normative, e bazuar në nënshtrim?
  • Si mund ta mbrojmë rininë nga rreziqet që sjell ambienti dhe mosha?
  • Si i vlerësoni çështjet e shkencës e të teknikës së ditëve tona në aspektin e përhapjes së Islamit?
  • Cilat janë shkaqet e përhapjes së fesë Islame brenda një kohe aq të shkurtër dhe rezistencës së tij ndaj çdo lloj sulmi edhe në ditët tona?

Këto janë vetëm disa nga pyetjet e drejtuara Fethullah Gylenit në kohë e vende të ndryshme, të cilave ai i është përgjigjur në mënyrë të detajuar. Përveç këtyre, atij i janë drejtuar edhe shumë pyetje të tjera, me brendësi aktuale, përgjigjet e të cilave janë botuar në serinë Prizma, vëllimet e të cilës vazhdojnë të botohen. Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve të larmishme si dhe të tjerave që i drejtohen Gylenit gjatë bisedave dhe diskutimeve të ndryshme, janë një nga lëndët kryesore që përdor Gyleni për konstruktimin e intelektit. Gyleni ka një karakter modest e të thjeshtë dhe nuk flet për sa kohë që nuk i drejtohen pyetje. Po shkak i kësaj mund të jetë edhe mendimi i tij që nuk ke se çfarë iu shpjegon atyre njerëzve që nuk kanë çfarë të pyesin, nuk kërkojnë një metodë të re dhe nuk kanë ndonjë mendim të zgjuar në mendjen e tyre. Fethullah Gylen në përgjigjet që zgjedh për pyetjet që i drejtohen, tregon një kujdes të veçantë për të ndriçuar çështjet, por edhe bashkudhëtarët e tij drejt së vërtetës. Shkurtimisht, përgjigjja e pyetjes ka për qëllim edhe shtjellimin e çështjes së pyetur, edhe ndriçimin e bashkëbiseduesve, po edhe ndikimin e drejtpërdrejtë në botën morale e shpirtërore, për të zgjuar zemrën dhe ndjenjën me anë të mendimit. Ndaj edhe në përgjigjet e dhëna shpesh vihet re një përgjigje ndoshta disi më e zgjatur, por që sqaron më së miri të gjithë dëgjuesit a lexuesit, si dhe një reflektim i çështjes në aspektin e saj moral, duke i dhënë kështu auditorit mesazhin më të gjerë e më të detajuar që mund të përfshijë pyetje-përgjigjja. Në këtë mënyrë Fethullah Gylen bashkë me përgjigjen e pyetjes, ndriçon çështjen, shtjellon të dhënat rreth saj, tërheq vëmendjen e dikujt, apo miraton dikë tjetër dhe ndikon kështu edhe në zgjidhjen e një teme tjetër që mund të debatohet në të ardhmen.

Gyleni është shumë i kujdesshëm edhe në përgjigjet që u jep pyetjeve që i drejtohen, edhe në predikimet, edhe në bisedat e tij të tjera. Fuqia e ligjëratës së tij është një fakt i pranuar nga të gjithë. Ky talent që është padyshim dhunti e Zotit, është zhvilluar e specifikuar edhe me një punë të pamohueshme të tijën. Fethullah Gylen kur ka qenë fëmijë fliste shumë shpejt; më vonë është përpjekur në mënyrë autodidakte të përsosë diksionin e vet dhe të arrijë në nivelin aktual të ligjëratës. Së dyti, Gyleni është shumë i përpiktë në përdorimin me rigorozitet të koncepteve edhe në të folur, edhe në të shkruar. Duke e njohur shumë mirë gjuhën e ligjëratën, ai tregon një kujdes të veçantë për përdorimin më së miri të fjalës dhe nëse mendon se fjala që ka përdorur nuk i korrespondon konceptit që ai ka pasur për qëllim të shprehë, e shtjellon menjëherë atë koncept ose e ndryshon terminologjinë me nuancat e konceptit të synuar, për ta shprehur atë më së miri. Gjithashtu, nëse mendon se termi ose fjalia që ai ka përdorur ka lënë një mbresë të gabuar ose i ka hapur rrugën një keqkuptimi te ndonjë pjesë e auditorit, ai menjëherë e gjen kohën dhe mundësinë për të sqaruar e shmangur çdo keqkuptim, duke bërë shpjegimet e duhura në lidhje me konceptin.

Gjatë bisedave, predikimeve dhe diskutimeve, Gyleni tregon gjithashtu një kujdes të veçantë me fjalët që zgjedh për të komunikuar me bashkëbiseduesit, që të arrijnë më së miri ushqimin e mendjes e njëkohësisht edhe të zemrës. Ai është një mjeshtër i fjalës që di të përdorë më së miri çdo nuancë të gjuhës e çdo sintezë gramatikore që t’i japë fjalës funksionin e shumanshëm që dëshiron t’i japë. Si një njohës i shkëlqyer i gjuhës turke, Gyleni ka arritur që të ndërtojë një terminologji të vetën me fjalët teknike të turqishtes dhe në shkrimet e tij e ka ndërthurur aq mjeshtërisht kritikën me taktin, saqë shpeshherë nuancat e tyre janë aq të ngjashme me njëra-tjetrën, sa ëmbëlsia e taktit zbut hidhësinë e kritikës, duke arritur komunikimin dhe shprehjen perfekte. Kjo metodë e tij edhe mund të keqinterpretohet nga persona që s’e njohin terminologjinë e tij, ndaj për të kuptuar më së miri Gylenin, duhet domosdo një afrim e familjarizim me metodikën e tij dhe me termat teknike që ai përdor.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i përgjigjeve të Gylenit ndaj pyetjeve është se asnjëherë atij nuk i janë drejtuar pyetje të njohura më parë prej tij dhe se përgjigjet janë dhënë natyrshëm aty për aty.

Fethullah Gylen është një njohës shumë i mirë i shkencave islame si Tefsiri (koment) i Kuranit, Hadithet (fjalët) e Profetit, Kelami (filozofi islame) e Fikh (e drejtë islame) si dhe i metodikave të tyre. Po ai nuk ka marrë përsipër të shkruajë ndonjë vepër në këto fusha. Megjithatë, ka pasur raste kur ai ka dhënë leksione të veçanta dhe sot njihen plot nxënës të mësuar nga ai në këto fusha. “Jeta ime ka shkuar duke bërë kërkime mbi jetën e Profetit”, thotë Gyleni, i cili njeh shumë mirë Tasavufin (misticizmin), filozofitë lindore dhe ato perëndimore. Ai posedon njëkohësisht njohuri enciklopedike edhe rreth shkencave natyrore, principeve e ligjeve të tyre themelore. Shkurt, për Gylenin mund të thuhet se është pika e lartë ku bashkohet dijetari, mistiku dhe intelektuali.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.