“Bëj punë të mirë dhe me durim prit frytin e saj”

Predikuesi turk, Fethullah Gylen, prej 13 vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai pothuajse nuk largohet fare nga shtëpia e tij në Sailorsburg. Megjithatë gjendet kudo. Edhe në Amerikë, është krijuar një rrjet i gjerë i mbështetësve të tij.

Asnjë tabelë nuk të udhëzon për tek kjo rrugë e ngushtë. Nëpërmjet mjegullës dhe një pylli gjetherënë ngjyrë vjeshte, kjo rrugë të shpie tek një pronë me tetë shtëpi. Në këtë vend të vetmuar u vendos 13 vite më parë Fethullah Gyleni, predikuesi mysliman me influencën më të madhe në Turqi. Ushtria, atëherë ende e fuqishme, e pati përzënë atë nga Turqia. I rënduar nga sëmundja, ai iu nënshtrua operacioneve në spitalet e Amerikës. Që prej asaj kohe, ai nuk është larguar pothuajse fare nga kjo pronë. Shtetet e Bashkuara i dhanë atij vizë dhe leje qëndrimi. Edhe pse jeton larg, 74-vjeçari Gylen mbetet një burrë i fuqishëm (në kuptimin e influencës) në atdheun e tij. Influenca e tij ishte shkak i transformimit të myslimanëve të Anadollit në një klasë shoqërore të mesme shumë dinamike. Gyleni është zëri i këtyre “turqve të zinj”.

“Turqit e bardhë” janë ndjekës të Qemal Ataturkut, mbështetës të qemalizmit, ideologjisë së qytetërimit, elita e arsimuar dhe e laicizuar e Stambollit, më vonë edhe ajo e Ankarasë. Ajo triumfoi mbi Turqinë dhe vështronte me përbuzje anadollakët (nga Anadolli), të cilët ishin të paarsimuar, provincialë, të varfër dhe të devotshëm. Të motivuar nga mësimet e Gylenit, shumë bënin përpjekje për arsim dhe u bënë të pasur, por ende mbetën të devotshëm. Gyleni e vuri në dyshim elitën kemaliste dhe për këtë arsye u deklarua si armik i shtetit. Kthimi i tij do rihapte llogore. Prandaj edhe Gyleni, duke mos dashur konflikt, qëndron në Sailorsburg, në Pensilvani.

Mesazhin e tij e dëgjojnë miliona njerëz

Kjo pronë e madhe 5.5 hektarë të kujton pak vendlindjen e Gylenit. Ai është lindur në vitin 1938 në një fshat të Erzurumit, larg në Anadollin Perëndimor. Kjo është një zonë e egër. Nganjëherë shfaqen arinj të murrmë, së shpejti bora do të zërë borën si në dimrin e Erzurumit. Kur biznesmenët turq, të cilët ishin bashkuar në Fondacionin “Gjenerata e Artë”, e blenë këtë tokë 750.000 dollarë në vitin 1993, aty gjendeshin vetëm disa baraka të vogla. Pastaj Fondacioni ndërtoi tetë shtëpi prej guri dhe krijoi një park. Dhe në vitin 1999 Fondacioni ftoi Gylenin të vendoset këtu.

Tek liqeni që ndodhet më poshtë, luajnë futboll fëmijët e mysafirëve. Në drekë takohen të gjithë lirisht në një shtëpi, nën një çardak në kopsht, të cilat përdoreshin edhe nga Osmanët për të ngrënë në vende të hapura. Në meny ka kuzhinë tradicionale turke: Supë me thjerrëza, perime të gatuara me vaj ulliri, qofte me oriz, çaj në gota të vogla të lakuara. Gyleni nuk mund të shkojë më tek shtëpizat në kopsht. Pas shumë ndërhyrjeve Bypass, ai tashmë ka probleme në gju. Gyleni largohet nga shtëpia rrallë herë, të shumtën për të shkuar në spitalin që ndodhet afër për vizita dhe trajtime. Gyleni bën jetë të izoluar, por mesazhet e tij i dëgjojnë miliona njerëz.

Një ashensor të çon në katin e parë të shtëpisë që nga brenda të kujton një shtëpi osmane, me elegancë të thjeshtë dhe që mjaftohet me mobilim minimal. Në këtë kat jeton dhe punon Hoxhaefendi (mësuesi i nderuar), siç e quajnë në shenjë respekti mbështetësit e tij. Rrallë herë jep intervista, vazhdimisht është i rrethuar nga mjeku i tij turk dhe nga disa persona të besuar. Çdo ditë, mëngjeseve, u jep mësim privat dhjetëra teologëve të rinj, në kuadër të një kursi 2-vjeçar. Dy herë në javë regjistrojnë një predikim, e vendosin në rrjet (www.herkul.org), në mënyrë që stacionet televizive të mund ta marrin atë.

Për intervistën kanë rënë dakord ta bëjmë pas namazit të drekës. Pastaj Gyleni pret mysafirë. Prej tyre mëson se çfarë bëhet në botë, vazhdimisht pyet. Pastaj përsëri vazhdon të lexojë, të shkruajë dhe të lutet. Është legjendare, me sa pak gjumë mjaftohet ai. Çdo ditë e tija është e strukturuar imtësisht. Ai u predikon mbështetësve të tij ta përdorin mirë kohën që kanë në dispozicion teksa e përmban veten pa rënë në nxitim. Mbështetësit e tij thonë se tek ai bëhen një përulësia me karizmën. Në murin pas tij dëgjohet tik-taku i lehtë i një ore. Ajo nuk ndryshohet kurrë, as me ndryshimin e orës së verës. Koha është gjithmonë e njëjtë, thotë Gyleni.

Papajtueshmëria e Islamit me dhunën

Muret janë të zbukuruara me kaligrafi. Ato shkojnë shumë me mënyrën se si Gyleni flet. Ai nuk flet turqishten e kthjellët moderne. Atë do ta kishin kuptuar edhe Osmanët. Sot edhe për vetë turqit është sfidë, ta ndjekësh atë. Në fjalitë e gjata ai lidh sure nga Kurani, hadithe të Profetit dhe eksperiencat e mistikëve me kërkesat e botës moderne, sjell së bashku botën e besimit dhe realitetin. Ai shpjegon rëndësinë e arsimit dhe të suksesit të sipërmarrjes, pajtueshmërinë e Islamit, modernizmit dhe demokracisë, si dhe papajtueshmërinë e Islamit me dhunën. Mbështetësit e tij duhet ta krijojnë me duart e tyre pasurinë dhe të mos harrojnë që këtë pasuri ta ndajnë edhe me nevojtarët.

Shteti amerikan i Pensilvanisë ka tërhequr gjithmonë besimtarë, të cilët donin të jetonin fenë e tyre larg qyteteve të zhurmshme. Emigrantët e hershëm të cilët u vendosën në tokat pjellore të Pensilvanisë, ishin njerëz të devotshëm. Kush niset nga Pensilvania me drejtim perëndimin, për në Salsburg, kalon përmes Emausit dhe Quakertown-it. Tabela tregon drejtimet për Hamburg dhe Liban, si dhe Nju Tripoli. Rruga për në Sailorsburg kalon përmes Betlehemit dhe Nazaretit.

Janë hapur më shumë se 1000 shkolla private

Vetëm disa orë me makinë e ndajnë Sailorsburgun nga Manhatani. Ndërmjet tyre është një botë e tërë. Por Gyleni është gjithandej. Alp Aslandogan vështron nga dritarja e tij në katin e gjashtë kanionin e ndërtesave prej guri në 5th Avenue. Në vitin 1991 ai erdhi në Nju Jork për të bërë doktoraturën në shkencat kompjuterike; ai ende edhe sot jep mësim në një Universitet. Përveç kësaj ai punonte me orë të tëra vullnetarisht për “hizmetin”, siç e quajnë mbështetësit e Gylenit lëvizjen e tij, e cila edhe në Gjermani njihet si Lëvizja-Gylen. Biznesmenët, të cilët i rrinë pranë Gylenit, kanë hapur më shumë se 1000 shkolla private në 130 shtete, mes të cilëve bëjnë pjesë edhe Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aslandogani, si student krijoi në vitin 1993 Fondacionin e vogël “Rruga e Qumështit”, për t’u ardhur në ndihmë në fundjavë fëmijëve të emigrantëve turq që të ishin të suksesshëm në shkollë. Në vitin 1999 ky Fondacion u kthye në shkollë private.

“Ne as nuk donim të kopjonim kulturën dominuese, dhe as ta mohonim atë. Pra, kemi dashur të ruajmë origjinën tonë”, thotë Aslandogan. “Ne donim të ndihmonim prindërit, të kuptojnë kulturën amerikane, dhe fëmijët, të vlerësojnë prindërit e tyre, por edhe që të jenë qytetarë produktivë të këtij vendi. Në dy dekada, në Nju Jork, nga aktivitetet e tilla është krijuar një rrjet shumë i degëzuar aktivitetesh sociale te ndryshme. Si shembuj janë në Manhatan, ‘Qendra Kulturore Turke’ dhe ‘Peace Islands Institute’”.

Kjo qendër kulturore organizon kurse të gjuhës angleze dhe turke, përgatit fëmijët për provime, ndihmon të rriturit të regjistrohen si votues dhe për të qenë të suksesshëm vetë; në Izrael është ripyllëzuar një vend pas një zjarri të madh pyjesh, në Haiti pas tërmetit është ndërtuar një shkollë e re. Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, “Pacific Islands Institute” u krijua si një platformë për dialog. Aty flasin politikanë amerikanë dhe ambasadorë të huaj, rabinë dhe murgj budistë, dhe familjet myslimane ftojnë familjet jo-myslimane.

Një distancë e shkurtër nga Shtëpia e Bardhë

Qendra kulturore dhe Instituti “Pacific Islands” (Ishujt e Paqes) janë vetëm dy nga 128 shoqatat e shoqërive civile, të cilat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i rrinë pranë Gylenit dhe që në maj 2010 u bashkua me shoqatën “Turkish American Alliance”. Ajo e ka selinë në Uashington, D.C., ndërmjet Capitol Hill dhe studiove të CNN-it. Si në zyrën e Nju Jorkut edhe këtu gjithashtu është zhdukur kulti i individit për Ataturkun, në mure nuk ka më të varur foto të themeluesit, gjithmonë të buzëqeshur, të Republikës. Se sa e rëndësishme është tashmë organizata ombrellë, e ka treguar veten, gjatë natës së fundit Gala, kur u nderua me pjesëmarrjen e shtatë senatorëve dhe 53 kongresmenëve. Organizatës ombrellë i përket dhe “Rethink”, e vetmja “fabrikë idesh” private turke në Shtetet e Bashkuara. Politologu 38- vjeçar, Fevzi Bilgin, një ish-profesor në Universitetin Pitsburg, furnizon operacionin politik amerikan me studimin e çështjeve aktuale në Turqi dhe Lindjen e Mesme.

Një gjurmë e fortë e Gylenit në Amerikë është Emre Çelik, australiani me origjinë turke me profesion inxhinier kompjuterik. Edhe ai gjithashtu, dy dekada më parë, në Sydney, fillimisht nëpër garazhe, i ka ndihmuar të rinjtë turq në lëndët e matematikës, fizikës dhe kimisë. Sot shumë afër Shtëpisë së Bardhë, ai drejton Forumin “Rumi”, i cili e mori këtë emër nga një mistik i njohur turk. Në bordin e këtij forumi ulen hebrenj dhe amerikanë laikë; drekat, tek të cilat më së shumti flasin politikanë dhe diplomatë të njohur, transmetohen direkt në katër stacione televizive.

Çelik e sheh veten si një “Mainstream-Muslim”. Ai dëshiron ta forcojë Islamin në shoqërinë pluraliste të Amerikës. Në Australi ai u frymëzua nga Said Nursi (1876-1960), guidë shpirtërore e tij. Nursi ka futur në Islam pyetjet e dyshimit, thotë Çelik, ai ka mësuar në qytetërimin perëndimor ta shohë të mirën dhe ta përvetësojë atë, si dhe ka nxitur kapërcimin e tri të këqijave kryesore: varfërisë, injorancës dhe përçarjes. “Atë çfarë Nursi ka formuluar teorikisht, sot Gyleni po e vë në praktikë”. Konceptin e besimit në Zot, Çelik e shikon si një kontribut kyç të Gylenit. “Me këtë Gyleni i nxit njerëzit të veprojnë në këtë botë që në botën e përtejme të marrin meritat.”

Kardinali i fshehtë në shërbim të Papës

“Lëvizja e Hizmet”-it sulmohet nga dy anë, thotë Gylen. Njëra anë e barazon “Hizmetin” me “Islamizmin”; ai i akuzon ato për injorancë. Përsa i përket anës tjetër ai vetëm tund kokën: ai akuzohet për “tradhti ndaj islamit, skllavëri kundrejt Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, si dhe për propagandë për krishterimin dhe judaizmin”. Një prokuror turk njëherë e ka quajtur atë madje edhe si kardinal të fshehtë në shërbim të Papës. Akuza më e zakonshme e kritikëve është se Lëvizja (Hizmeti) po përgatit fshehurazi një elitë islamike, e cila po përgatit një revolucion për Turqinë. Kjo lëvizje sipas tyre është organizuar në mënyrë jo transparente dhe si një shoqëri sekrete.

Kritikë të tillë janë në kërkim të strukturave organizative të cilat në të vërtetë nuk ekzistojnë. Islami Sufi, mistik, të cilit i përket edhe Gyleni, nuk njeh hierarki, pasi në kohën që gjeneralët turq kishin pushtetin, ishte e rrezikshme për ata vetë ndaheshin në struktura. “Jeta dhe veprat e mia janë të hapura për të gjithë”, thotë Gyleni. “Asgjë nuk është e fshehtë.” Aktivitetet e “Hizmet”-it zhvillohen në publik, me njerëz nga të gjitha fushat e jetës dhe nga gjitha kombet dhe besimet fetare. Institucionet janë të miratuara nga autoritetet qeveritare dhe kontrollohen nga vetë ato. “Unë do doja të dija çfarë ka këtu që nuk është transparente.”

“Rruga për tek një kontribut në familje, shoqëri dhe njerëzim kalon mbi arsimin dhe shkollën”, thotë ai. “Gjithashtu jam i bindur se ne si krijesat e Zotit mund të arrijmë në një pjekuri të plotë individuale vetëm nëpërmjet një arsimimi laik dhe shpirtëror.” Një jetë të tërë i ka predikuar Gyleni këto ide duke bërë thirrje për ndërtimin e shkollave. Ato ndërtohen nga sipërmarrës të cilët ndjehen të frymëzuar nga Gyleni. Personalisht nuk është në ndonjërën prej shkollave as anëtar themelues, dhe as drejtues.

Përdorimi i shpeshtë i fjalës “sipërmarrës” nuk ka të bëjë me paranë. Gyleni i mëson mbështetësit e tij të jenë të suksesshëm si sipërmarrës. Me suksesin. Tek Gyleni mbështetet një Konfederatë Sipërmarrësish e madhe turke; zhvillimi i shpejtë i Anadollit është i lidhur me emrin e tij. Ai i këshilloi sipërmarrësit për një rrezik të paramenduar, i inkurajoi ata që të investonin dhe të zgjeroheshin në shtete të tjera. “Herë pas here iu kujtoi atyre përgjegjësinë sociale dhe shoqërore që kanë.” Ai mban gjallë tek ata Ethos-in e tregtarit të ndershëm: largohuni nga mashtrimi, spekulimi dhe tregu i zi, qëndroni me besim, mos i shpërdoroni dhuntitë e Zotit, mos jini lakmitarë, respektoni të drejtat e punëtorit, mos harroni se edhe shoqërisë në të cilën jetoni i takon një pjesë e fitimeve dhe jetoni duke ditur se në fund të fundit çdo gjë vjen nga Zoti.

Bursa me vlerë 4 milionë dollarë

Tefik Emre Aksoy është njëri nga sipërmarrësit që vepron sipas konceptit të Gylenit për besimin në Zot. Ai u pasurua si sipërmarrës ndërtimi në Brooklyn, New York. Sipërmarrës të pavarur dhe të suksesshëm si ai ia dhurojnë një pjesë të madhe të fitimeve organizatave të “Lëvizjes së Hizmetit”. Ata i financojnë ato në këtë mënyrë. Ai së bashku me katër sipërmarrës të tjerë të pavarur drejtojnë shkollën Amity. Tarifat shkollore mbulojnë një pjesë të shpenzimeve, pjesën tjetër dhe mbi të gjitha investimet i marrin përsipër dhurues si Aksoy.

Bamirësi nuk përzihet në punët e përditshme të drejtorit të shkollës Cengiz Karabekmez. Shkolla e ndërtuar në vitin 1999 frekuentohet nga 300 nxënës, 100 prej të cilëve qëndrojnë në konvikt. Ata kanë prejardhje nga 17 kombe dhe 5 besime të ndryshme, por shumica me rrënjë nga Turqia. Shkolla reklamon me faktin që çdo vit të gjithë maturantët vazhdojnë studimet universitare. Më të mirët shkojnë në Universitetet Harward, Columbia dhe Yale. “25 maturantët e vitit të kaluar kanë përfituar bursa me vlerë 4 milionë dollarë (nga universitetet)”, thotë Karabekmez me krenari.

Përqendrimi në shkencat natyrore

Kryesore janë, si në të gjitha “shkollat e Gylenit”, shkencat natyrore. “Besimin nuk ia imponojmë askujt”, shprehet Karabekmez. “Ne nuk jemi shkollë fetare.” Lënda mësimore “edukim karakteri” transmeton vlera universale si respekti, dashuria, bamirësia dhe etika e punës. Shumica e 36 mësuesve janë shtetas amerikanë. Probleme gjuhësore? Sigurisht. Disa prindër flasin vetëm pak anglisht, thotë një mësuese. “Miqësia në shkollë bën që në klasë të parë çdo nxënës të flasë mirë anglisht”.

Mësuesi i anglishtes, Adamir, njeh Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara, por nuk e di se kush është Gyleni. Prindërit e Adamirit për arsye të luftës në Ballkan, u shpërngulën së pari në Gjermani, teksa para dymbëdhjetë vitesh u vendosën në Nju Jork. As emrin “Lëvizja e Hizmetit” ai nuk e ka dëgjuar ndonjëherë. Shkolla Amity është për Adamirin shkolla më e përshtatshme, pasi këtu si mësues ai ka më shumë mundësi se në shkollat e tjera. “Besimi në Zot nuk është kusht”, thotë Aksoy, sipërmarrës dhe sponsor, duke shtuar se “Zoti i do të gjithë”. “Zoti do veçanërisht veprat e mira të njeriut.”

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.