Turqisë i duhet kthimi tek demokracia

Në fillim të këtij muaji Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, shkoi edhe më larg duke kërcënuar se do të censurojë edhe internetin Ai specifikoi se do të mbyllte “Facebook” dhe “YouTube”, të cilat ekspozuan regjistrimet audio të skandaleve korruptive familjare dhe qeveritare. Kryeministri Erdogan e konkretizoi këtë nismë të tij duke shpallur më 21 mars bllokimin e rrjetit social “Twitter”. Por, ende pa u tharë boja e vendimit të një gjykate në Ankara, e cila shpalli si joligjore përpjekjen e qeverisë, kryeministri kërkoi bllokimin nga aksesi publik të rrjetit social “YouTube”. Gjithsesi, këto lloj lajmesh nuk përbëjnë më surprizë, sepse konsiderohen tashmë si hapi i radhës në formësimin e portretit autoritar të Erdoganit.

Që nga viti 2002 kur Partia për Ligj dhe Drejtësi mori përsipër drejtimin e Turqisë, duke përfaqësuar në rrafshin ideologjik një martesë të islamin me neoliberalizmin, duket se Erdogan ka bërë shumë hapa para dhe së fundmi shumë hapa pas. Fillimisht, modeli i islamit politik të përqafuar nga Erdogani u pa nga Perëndimi si një model konkurrues me islamin politik Iranian apo Al-Qaedën e për rrjedhojë pati edhe mbështetjen e Uashingtonit e Brukselit. Erdogani, falë politikave të tij vizionare ekonomike dhe suportit perëndimor, drejtoi Turqinë jo vetëm drejt stabilitetit e suksesit ekonomik në rritje, por edhe drejt integrimit me kapitalizim botëror global. Për më tepër, kreu i ekzekutivit turk i ekspozoi Perëndimit se ishte i mundur mirëfunksionimi i një qeverisje demokratike nëpërmjet udhëheqësish myslimanë. Por, mandati i tretë po ekspozohet si tejet problematik për Erdoganin. Që në krye të herës duhet të themi se ndërsa Stambolli, kjo kryeqendër botërore, ku bëhet bashkë Lindja me Perëndimin, ishte në gjendje të kryente tranzicionin tejet të vështirë, atë të respektimit të historisë së tij duke evoluar njëkohësisht në një qytet modern, kjo nuk është e vërtetë për ish-kryetarin Bashkisë së Stambollit, kryeministrin Erdogan. Rrënjët e autoritarizmin, si një trashëgimi tradicionale e politikës turke, e kanë fituar betejën me vlerat demokratike dhe po ushqejnë aktualisht sjelljen politike të kryeministrit. Kjo ka bërë që kryeministri Erdogan të krijojë tashmë një hipotekë të pasur kundërvëniesh dhe kundërshtarësh, ku bëhen bashkë skandalet korruptive, megalomania arrogante e reagimit karshi problematikave, stili autoritar i qeverisjes dhe konfliktet me Perëndimin. Së fundmi, kryeministri është në konflikt edhe me aleatin e mëparshëm klerikut në mërgim z. Gylen*, duke konfirmuar se ka hyrë në spiralen e pashmangshme të rënies së tij. E bashkë me rënien e Erdoganit duket se fatkeqësisht po bie në rrafshin botëror edhe bastioni i fundit i bashkëjetesës së islamit politik me demokracinë. Ky shkrim përpiqet të hedhë dritë mbi arsyet e konfliktit të Erdoganit me klerikun islamik në mërgim z. Gülen.

Për të gjithë ata që kanë vëzhguar jo në detaje politikën në Turqi, ngjarjet e nisura më 17 dhjetor të vitit që lamë pas erdhën si surprizë. Kjo, sepse pjesë e një skandali korruptiv shumëplanësh u bënë edhe ndalimet e tre djemve të ministrave të kabinetit të Erdoganit. Gjithashtu, ndalimet përfshinë edhe drejtues biznesesh të afërt me kreun e qeverisë si edhe drejtorin ekzekutiv të një banke të fuqishme në Turqi. Ngjarja u perceptua si surprizë sepse politika turke kishte filluar të perceptohej si një politike e imunizuar ndaj institucioneve ligjzbatuese për njerëzit e kabinetit të Erdoganit apo afër tij. Themi kështu, sepse edhe në rastin më të fundit të protestave për parkun Gezi, Erdogani dhe ekipi i tij ia dolën paq, megjithëse disa të rinj u vranë dhe me mijëra u plagosën. Ndalimet e 17 dhjetorit iu faturuan, sikurse trumbeton media qeveritare në Turqi, mbështetësve në polici dhe gjyqësor të lëvizjes së klerikut islam në mërgim z. Fethullah Gülen. Kjo solli që një konflikt që kishte pothuajse tri vite që fermentohej midis dy komponentëve të islamit në Turqi, të islamit civil përfaqësuar nga Gülen dhe islamit politik përfaqësuar nga Erdogan, të bëhej tashmë publik dhe me një intensitet agravimi në rritje. Segmente të medias në Turqi dhe kryesisht në Perëndim përpiqen ta skicojnë konfliktin e kryeministrit Erdogan me klerikun Gülen si luftë për pushtet midis dy grupimeve islamike në Turqi. Ky është një interpretim sipërfaqësor e për rrjedhojë i gabuar që i bëhet konfliktit dhe pse:

Është e vërtetë se Erdogan dhe Gülen kanë divergjenca të forta, por aspak për arsye të luftës për pushtet, sikurse konceptohet dhe prezantohet nga një pjesë e konsiderueshme e medias. Kjo, sepse angazhimet që kanë marrë përsipër Gülen dhe Erdogan janë katërcipërisht të ndara. Ndërsa për Erdoganin ato janë kryesisht politike, për Gülenin ato janë krejtësisht civile. Pra, e thënë me shkoqur, Erdogani ka shpallur për më shumë se një dekadë me zë, me figurë, me veprime dhe angazhime se përfasëojnë islamin politik në Turqi. Ndërsa z. Gülen dhe lëvizja ‘Shërbimi’ gjatë gjithë ekzistencës së tyre kanë ekspozuar dhe provuar se përfarojnë islamin civil. I gjithë rrjeti i aktiviteteve të lëvizjes ‘Shërbimi’ nuk bën gjë tjetër, por veçse demonstron se janë shtrirë horizontalisht në Turqi dhe në më shume se 140 vende të globit në funksion të objektivave të islamit civil. Termi civil flet qartë dhe shpjegon se lëvizja ‘Shërbimi’ është edhe e pavarur nga qeveria, edhe e dallueshme nga qeveria, edhe nuk synon qeverinë. Nuk mund të fajësohet lëvizja ‘Gülen’ se individë të saj janë në pozicione të caktuara të institucioneve të shtetit. Kjo, sepse si kudo në botë, politika për të rregulluar imazhin e saj në raport me votuesin, fton elemente të shoqërisë civile drejt sfidave të mirëfunksionimit dhe mirëshërbimit të institucioneve. Por kjo nuk do të thotë se lëvizja ‘Shërbimi’ ka synuar pushtetin. Kjo thjesht do të thotë se interesat e përmasimit të imazhit të politikës kanë ftuar individë të lëvizjes ‘Shërbimi’ që të kontribuojnë në institucionet e shtetit.

Cilat janë diferencat midis lëvizjes ‘Gülen’ dhe Erdoganit, që sollën konfliktin e pashmangshëm.

Qëndrimi karshi Izraelit formëson një nga diferencat midis Erdoganit dhe Gülenit. Kjo u konstatua gjatë incidentit të flotës me gjashtë anije me ndihma humanitare, në maj të 2010-s, të drejtuar për në Rripin a Gazës. Si pasojë e ndërhyrjes së ushtrisë izraelite u vranë 9 aktivistë humanitare të kombësisë turke. Duke iu referuar incidentit, z. Gülen do të theksonte se Qeveria turke nuk duhet të lejonte aktivistët e saj që të shkonin në Palestinë pa negociuar paraprakisht me autoritetet e Izraelit. Pra, Güleni do të theksonte se përdorimi i diplomacisë dhe tolerancës mund të shmangte incidentin e përgjakshëm. Çështja nuk shtrohet nëse Güleni është më pak kritik se Erdogani në raport me Izraelin. Çështja është se Erdogani mbart një retorikë me tone dhe zigzage elektorale agresive ndaj Izraelit, që inspirohet nga islami politik dhe pragmatizmi në lidership që ai përfaqëson. Ndërsa Gülen ka këndvështrime me bazë të qëndrueshme dhe tolerante, që inspirohen nga islami civil. Retorika agresive e Erdoganit u pa edhe në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit të 2009 me shprehjen e famshme “One minute... one minute… one minute…” për të vazhduar kundër vullnetit të moderatorit një reagim agresiv ndaj fjalës së Presidentit izraelit, Shimon Perez.

Çështja kurde apo më saktë rruga që duhet të ndiqet në procesin e paqes me kurdët perceptohet në mënyra të ndryshme nga Erdogan dhe Gülen. Zgjedhja e Erdoganit për të negociuar direkt me drejtuesit politikë të Partisë të jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit argumentohet si e gabuar nga ana e Gülenit dhe mbështetësve të tij. Lëvizja ‘Gülen’ mendon se në vend të angazhimit me negociata me drejtues politikë dhe ushtarakë të kësaj organizate (NATO, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara e etiketojnë si terroriste), Qeveria turke duhet të angazhohet në një reformë të plotë politike dhe civile për rajonet kurde. Kjo reformë do të synonte që t’u jepte të drejtat që kërkojnë kurdët e Turqisë që nga njohja e identitet etnik dhe e drejta e përdorimit të gjuhës e deri tek autonomia e plotë e qeverisjes vendore. Kjo përqasje argumentohet nga lëvizja ‘Gülen’, do të dobësonte dhe për rrjedhojë do të de-faktorizonte Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit, sepse do të çmontonte piketat ku bazohet inspirimi i luftës guerilase të organizatës së Ocalanit.

Sidoqoftë, këto janë mosdakordësi apo këndvështrime të ndryshme dhe për një lëvizje që bazohet në tolerancë, nuk përbëjnë një bazë solide për të prodhuar konflikt. Duket se autoritarizmi i Erdoganit është shkaku madhor që ka prodhuar ndarjen e madhe.

Më 28 maj të vitit që shkoi një valë protestash përfshinë Stambollin dhe mbarë Turqinë si kundërvënie e planit urban, që do të shkatërronte parkun e Gezi-it pranë sheshit ‘Taksim’. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në mes-qershorin e 2013 me Komisionerin për Zgjerim në Bashkimin Evropian, z. Stefan Fyle, kryeministri Erdogan do t’i bënte me dije Bashkimit Evropian se Turqia nuk ka çfarë të mësojë për demokracinë nga “disa vende të Bashkimit Evropian”. Kjo ishte përgjigja e kryeministrit ndaj shqetësimit të Komisionerit, për reagimin autoritar të qeverisë dhe përgjigjen joproporcionale të policisë ndaj të rinjve protestues të sheshit ‘Taksim’. Po kështu, edhe kleriku Gülen dhe lëvizja e tij do të kritikonin qeverinë për trajtimin brutal dhe stilin autoritar të shtypjes së protestuesve. Erdogan mendoi se ia doli të kishte “sukses”, që duke tejpërdorur policinë, të shtypte protestat e të rinjve, por me një bilanc tragjik për Turqinë dhe për karrierën e Erdoganit. Kjo, sepse 11 të rinj u vranë, 8000 u plagosën dhe rreth 3000 u arrestuan. Pra, ky “sukses” i Erdoganit ishte vetëshkatërrues për të, sepse ekspozoi pa doreza brenda dhe jashtë Turqisë autoritarizmin e qeverisë së tij. Muajt që pasuan vetëm sa prodhuan edhe më shumë evidencë për autoritarizmin e qeverisë. Themi kështu, sepse i njëjti stil autoritar u adaptua mbas shpërthimit të skandalit masiv të korrupsionit në muajin dhjetor. Erdogani deklaronte se do të ndëshkonte korrupsionin, por në të vërtetë ndëshkoi zyrtarët e policisë dhe gjyqësorit, që investiguan dhe vepruan kundër mega-skandalit. Kështu, 70 zyrtarë të policisë dhe 20 prokurorë që investiguan skandalin u larguan menjëherë nga policia, duke përfshirë edhe drejtuesin e policisë të Ankarasë. Në vijim vetëm në natën e 6 janarit 350 zyrtarë të policisë u larguan nga detyra dhe rreth 2000 oficerë e zyrtarë policie në të gjithë Turqinë janë transferuar e shkarkuar, për t’u zëvendësuar me besnikë të qeverisë. Duke vijuar më tej, ndërsa akuzonte prokurorët dhe gjyqtarët se kanë orkestruar skandalin e korrupsionit kundër tij, Erdogani i mbështetur nga një shumicë parlamentare do të kalonte gjatë muajit shkurt një ligj, i cili armatoste ministrin e Drejtësisë me mbështetjen ligjore për të emëruar dhe ndëshkuar gjyqtarët dhe prokurorët. Tranzicioni i Erdoganit drejt autoritarizmit shprehet edhe në aksionet e tij për kontrollin masiv të medias. Është shqetësues fakti që në kulmin e demonstratave kundër shkatërrimit të parkut të Gezi-it, CNN turk shfaqte qetësisht një dokumentar për pinguinët. Dhe është edhe më shqetësues fakti që Turqia ka sot më shumë gazetarë të burgosur se Kina apo Irani. Duke ndërhyrë në ligjin për shtypin, si amendamenti i viti 2011, Erdogani pajisi me fuqi qeverinë për të mbyllur kanalet televizive apo gazetat në situata emergjencash apo kërcënuese për sigurinë. Të gjitha këto janë produkt i një mendësie autoritariste, që sikurse shprehet dhe vetë kryeministri, “do t’u presë duart tradhtarëve” që e akuzojnë për korrupsion dhe do të shpalosë një “luftë të re për pavarësi” kundër ndërhyrjes së huaj. Pra, Erdogan u është përgjigjur kritikave të Perëndimit duke i etiketuar ato si “përpjekje për të penguar rritjen e shpejtë të Turqisë”, apo edhe më keq, duke deklaruar se “unë nuk dua t’ia di se çfarë thotë komuniteti ndërkombëtar”. Duket se paranoja për armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të Erdoganit shkon nga sekularistët dhe islamistët në Turqi tek BE-ja, BBC, CNN, ambasadori amerikan në Turqi, Francis Ricciardone, e deri tek ‘Lufthansa’, që është e interesuar të minojë qeverinë e Erdoganit për të ndalur një projekt për një aeroport të tretë në Stamboll.

Gjatë kësaj analize asnjëherë nuk vumë në diskutim që kryeministri Rexhep Taip Erdogan është e zgjedhur dhe rizgjedhur demokratikisht, por po kështu argumentuam se rruga që Erdogan ka zgjedhur për të adresuar problemet e tri viteve të fundit konfirmon se ai ka rrëshqitur në shtegun e autoritarizmit. Dhe lëvizja ‘Gülen’ që ka gur themeli të ekzistencës së saj tolerancën, dialogun dhe mirëfunksionimin e demokracisë padyshim që nuk e ka të lehtë të pranojë, por edhe është e pamundur të pranohet nga autoritarizmi. Qytetarët turq duket se i kanë përcjellë me shqetësim situatat e tri viteve të fundit. Ata do të shfrytëzojnë edhe zgjedhjet lokale të së dielës për t’i përcjellë një mesazh kryeministrit se, duhet t’i kthehet rrugës së demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

* Fethullah Gülen është një klerik mysliman, shkrimtar e filozof, që shërbeu për disa vite si klerik në Turqi. Sipas informacionit në media, ai jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe modeli i tij i islamit promovon tolerancën, bashkëjetesën fetare midis besimeve të ndryshme, ekonominë e tregut të lirë, globalizimin dhe një islam të pajtueshëm me demokracinë dhe shkencën. Z. Gülen ka projektuar edukimin si instrument kryesor për progresin e këtyre objektivave ambicioze. Lëvizja ‘Gülen’ quhet Hyzmet (Shërbimi) dhe është një lëvizje mbarëbotërore me institucione edukimi të të gjitha niveleve jo vetëm në Turqi, por në më shumë se 140 vende të botës, përfshi edhe Shqipërinë. Natyrshëm lëvizja, bazuar në përmbajtjen dhe objektivat e saj, perceptohet edhe si islamike, edhe si properëndimore dhe liberale. Është e provuar se lëvizja ‘Gülen’ ankoroi mbështetjen e saj në fillimin e viteve 2000 dhe më tej me Partinë për Ligj dhe Drejtësi të Erdoganit, sepse kjo parti në programin e saj kishte shumë pika të përbashkëta me synimet e lëvizjes.