• Home
  • Nga Media
  • Lajmet
  • Avokatët britanikë: Shkelje të përsëritura të të drejtave të njeriut në Turqi

Avokatët britanikë: Shkelje të përsëritura të të drejtave të njeriut në Turqi

Avokatët britanikë: Shkelje të përsëritura të të drejtave të njeriut në Turqi

Gazeta prestigjoze “The Guardian” një një shkrim të saj të fundit, referuar një raporti të detajuar të përgatitur nga një grup prej katër juristësh të shquar anglezë, ka ngritur shqetësimin e shkeljes së të drejtave të njeriut në Turqi. Në shkrimin e saj, gazeta thekson se raporti në fjalë ngre shqetësime serioze për një goditje të rëndë ndaj demokracisë në Turqi, ndërsa nënvizon faktin se rreth 40 mijë persona janë larguar padrejtësisht nga administrata dhe punonjës të policisë dhe shumë personalitete të medias janë burgosur.

Në një raport të fundit të përgatitur nga katër juristët më në zë të Britanisë së Madhe, me nota tejet kritike dhe të ashpra, vihet theksi në faktin se qeveria turke në mënyrë sistematike ka shkelur të drejtat e njeriut në gjyqësor, polici dhe mediat e vendit të saj.

Kritikat, pjesë e një raporti të gjatë prej 95 faqesh, fajësojnë qeverinë e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim [AK], e cila në mënyrë sistematike ka ndërhyrë politikisht në sistemin e drejtësisë me qëllim rritjen e influencave të saj politike, duke krijuar gjykata apatike dhe të varura politikisht, censuaruar mediat online [website], kufizuar lirinë e shprehjes, pengimin e hetimeve ndaj korrupsionit dhe se të ndaluarit janë trajtuar me metoda poshtëruese.

Raporti në fjalë është hartuar nga ish-Kryetari i Gjykatës së Lartë të Anglisë, Lord Woolf, Drejtori i Qendrës së Binghamit për Drejtësi dhe Ligj, Prof Sir Jeffrey Jowell QC, ish Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm i Anglisë dhe ish-deputeti konservator, Sir Edward Garnier QC dhe Sarah Palin, avokate e specializuar në ligjin e të drejtës së mediave.

Raporti nis me akuzat për korrupsion ndaj Erdogan dhe ministrave e tij të nisur në dhjetor të vitit 2013, dhe i bazuar më së shumti në dëshmi të dokumentuara sesa vizita dhe vëzhgim të proceseve gjyqësore intervistimin e dëshmitarëve në Turqi, nënvizon se faktet flasin qartë për shkelje të përsëritura të të drejtave të njeriut.

“Kemi analizuar hollësisht veprimet e ndërmarra nga qeveria turke dhe agjensitë e saj që nga dhjetori i vitit 2013, dhe në unanimitet të plotë kemi arritur në përfundimin se ka patur një ndryshim të dallueshëm regresiv në procesin e reformave të ndërmarra që nga periudha kur Turqia nisi bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian në vitin 2005”, thekson raporti i hartuar nga katër juristët e shquar anglezë.

"Ne e konsiderojmë këtë si një pengesë serioze për demokracinë turke dhe respektimin e të drejtave të njeriut, dhe në veçanti për lirinë e fjalës dhe shtetin e së drejtës”, thekson raporti.

“Parë nga perspektiva e të drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ne vlerësojmë se qeveria turke ka kryer shkelje domethënëse të të drejtave të njeriut ndaj përkrahësve të Lëvizjes për Shërbim, të cila në mungesë të mjeteve juridike të përshtatshme në Turqi, do të justifikonin ndërmarrjen e një veprimi ligjor në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.

Sipas raportit në fjalë, në shënjestër të të gjitha sulmeve ka qenë veçanërisht sistemi i drejtësisë penale. Radiot dhe televizionet janë censuruar duke u përballur me ndërprerje të detyruar të transmetimeve. Mediat sociale gjithashtu kanë qenë subjekt i censurës, e cila sanksiononte fshirjen e përmbajtjeve nga faqet e internetit, në disa raste pa patur më parë një vendim gjykate, thekson raporti

“Arrestimi dhe ndalimi i gazetarëve, drejtuesve të mediave, oficerëve të policisë, prokurorëve publikë dhe gjykatësve, të cilët hamendësohet të jenë përkrahës të Lëvizjes për Shërbim [Hizmet], dhe trajtimi i tyre në qelitë e paraburgimit, ka ngritur shqetësime serioze në lidhje me shkeljen e të drejtës së tyre për liri dhe siguri”, nënvizon raporti.

Një nga viktimat, të cilin raporti e nënvizon në mënyrë eksplicite, është z. Hidajet Karaxha, Drejtori Ekzekutiv i Grupit Mediatik “Samanjolu”, i cili u arrestua dhjetorin e kaluar me pretendime të dyshimta të krijimit të një organizatë terroriste.

Drejtori Ekzekutiv i Grupit Mediatik “Samanyolu”, z. Hidajet Karaxha, Kryeredaktori i gazetës “Zaman”, z. Ekrem Dumanllë dhe disa gazetarë të gazetave të tjera, producentët dhe skenaristët e një seriali televiziv, janë akuzuar për komplot kundër një grupi islamik. Z. Karaxha dhe 63 oficerë policie të ndaluar, vazhdojnë të mbeten në burg, pavarësisht se një gjykatë kopetente urdhëroi lirimin e tyre me kusht.

Raporti thekson se rreth 40 mijë policë, nëpunës civilë, gjykatës dhe prokurorë publikë janë larguar nga postet e tyre që nga nisja e hetimeve për korrupsion ndaj rrethit të ngushtë të bashkëpunëtorëve të Erdogan në dhjetor të vitit 2015.

Sir Edward Garnier i pyetur nga “The Guardian” tha se:“Duke ditur faktin se gjykatat [turke] janë nën ndikimin politik të qeverisjes aktuale…ekziston mungesa e çdo perspektivë realiste për zgjidhjen e çështjes brenda kuadrit të gjykatave të brendshme”. Gjykata Kushtetuese mbetet “shpresa e fundit”, shtoi ai, por në raste të caktuara dhe ajo është ndikuar politikisht. "Është e mundur, besojmë ne, që ata që janë dëmtuar nga i gjithë ky proces, t’i drejtohen në mënyrë të drejtpërdrejtë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Gjithsesi ata do të duhet të marrin këshilla ligjore, por situata në Turqi nuk është aspak optimiste".

Vitin e kaluar Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut dha 101 vendime kundër Turqisë, gjykime të cilat vërtetojnë shkeljet e të drejtave të njeriut. Vetëm Rusia ka humbur më shumë çështje në Strasburg. Raporti vë theksin në përkeqësimin e të drejtave të njeriut në Turqi, në rastin e reagimit “represiv” të qeverisë turke ndaj demonstratave popullore në Stamboll në vitin 2013 në parkun “Gezi”kundër qeverisë.

Alp Aslandogan, një zëdhënës i Shoqatës së Gazetarëve dhe Shkrimtarëve i tha “The Guardian” se: "Ka patur nënshtrim të gjyqësorit dhe medias nga qeveria. Lëvizja për Shërbim është zgjedhur qëllimisht si “armik” për të justifikuar veprimet autoritare të qeverisë”.

Ndërkohë ambasada turke nuk i është përgjigjur kërkesave të gazetës për të komentuar çështjet e ngritura në raport.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.