Dritë e pashuar 2

Doli në vitrinat e librarive shqiptare vëllimi i dytë i studimit biografik për jetën e Profetit Muhamed (s.a.s.) "Dritë e Pashuar 2". Vëllimi i parë i librit pati rënë në kontakt me lexuesit plot tre vjet më parë, duke patur një sukses dhe një interesim mjaft të madh. Përgjatë kësaj kohe libri u ribotua tri herë me më shumë se 8500 kopje në tërësi. Kërkesat dhe interesimi i vazhdueshëm i lexuesve e përshpejtoi punën e shtëpisë botuese në botimin e vëllimit të dytë të këtij libri aq të pëlqyer.

Megjithëse në librari të shumta qarkullojnë me dhjetëra libra të shkruar rreth biografisë apo jetës së Profetit Muhamed (s.a.s.), dijetari dhe mendimtari i shquar musliman i dekadave të fundit, Fethullah Gylen, në dy vëllimet e tij "Dritë e Pashuar", ndryshe nga të tjerët, larg klisheve dhe monotonisë biografike, paraqet një studim tepër serioz dhe të gjithëpërfshirshëm rreth jetës së Profetit të Fundit.

Ndërsa në vëllimin e parë flitej më shumë rreth periudhës së tij para profetike dhe për fillimet e kumtit të Tij ndër njerëz, në vëllimin e dytë do të vëmë re aspektet e shumanshme të Profetit Muhamed (s.a.s) i cili ka qenë gjithmonë shembulli më i mirë i njerëzimit si: edukator, kryetar familjeje, prind, shok, udhëheqës, lider, prijës, imam, devocioni dhe thjeshtësia e tij, etj.

Jemi të sigurt se me vëllimin e dytë të këtij libri, lexuesi shqiptar do të ketë më shumë mundësi të mësojë më nga afër më shumë dituri rreth Njeriut më të dashur të Zotit dhe të ketë mundësi që të zbatojë këshillat e tij.