• Home
  • Nga Media
  • Lajmet
  • "Dëshmia e Traditës në Epokën Moderne – studim i Lëvizjes Gylen"

"Dëshmia e Traditës në Epokën Moderne – studim i Lëvizjes Gylen"

Shtëpia Botuese “Prizmi” botoi librin “Dëshmia e Traditës në Epokën Moderne – studim i Lëvizjes Gylen”, i pranuar si një nga librat më gjithëpërfshirës dhe më seriozë të shkruar ndonjëherë derimë tani rreth Lëvizjes Gylen, filozofisë, mendimit dhe veprimtarisë së saj, shkruar nga autori i njohur turk Mehmet Enes Ergene.

Ky studim përbën një përpjekje për të kuptuar përse lëvizja Gylen, e emërtuar si “lëvizje” sipas mendimtarit të shquar turk Fethullah Gylen, ka një fushë të tillë ndikimi që ka marrë përmasa globale. Aktive në mëse 150 vende nëpërmjet shkollave dhe qendrave ndërkulturore, lëvizja Gylen konsiderohet sot në mbarë botën si një nga lëvizjet më domethënëse shoqërore që ka lindur ndonjëherë në botën myslimane.

Ky studim fokusohet në Lëvizjen Gylen në një mënyrë të tillë që bën të mundur një kategorizim tredimensional të saj. Autori rreket të tregojë se lëvizja Gylen nuk është thjesht një organizatë fetare, por e vë theksin tek aspektet e saja sociologjike, kulturore dhe fetare, ndaj përpiqet të nxjerrë në dritë identitetin social-kulturor të lëvizjes krahas aspektit të saj fetar.

Në kapitullin e parë jepet një vështrim i përgjithshëm mbi personalitetin dhe misionin e Fethullah Gylenit, por jo i karakterit biografik. Studimet biografike tentojnë dhe përpiqen të grumbullojnë gjithë materialin jetësor brenda një libri duke u kujdesur të mos lënë jashtë tij asnjë lloj informacioni. Analizimi i një personaliteti si Gyleni mund të jetë shumë më i vështirë se analizimi i një lëvizjeje. Gylen është përfaqësues i traditës ulema. Gylen është dëshmia e tradicionales në epokën moderne. Ai posedon një botë shpirtërore të thellë dhe një identitet shoqëror të përcaktuar qartë. Jeta dhe vepra e Gylenit duhet të analizohet nga dijetarë që e identifikojnë veten me lëvizjet ndërkombëtare. Në këtë pikëpamje, ai përbën një shembull ideal për t’u studiuar, për arsye se ka frymëzuar një lëvizje globale që synon pajtimin, tolerancën dhe respektimin e çdo njeriu ashtu siç është, në një kohë kur epoka moderne është duke u ndeshur me Islamin dhe kulturën myslimane në gjithë botën dhe kur marrëdhëniet ndërmjet qytetërimeve janë acaruar së tepërmi. Fethullah Gylen dhe lëvizja që ai ka frymëzuar, i ofrojnë botës një këndvështrim të ri islam në lidhje me Perëndimin, sidomos në botën e pas 11 shtatorit.

Fethullah Gülen: Deshmia e Tradites

Në Islam, ndjenja e “vullnetit të mirë” bashkohet me ideale të tjera shoqërore duke përftuar një ndikim mjaft të gjerë. Ky është funksioni i traditës oratorike. Për këtë arsye, Islami është një fe e hapur ndaj perceptimeve të ndryshme e të panumërta. Pikërisht kjo e bën Islamin universal. Gyleni u bën thirrje dhe nxit ndjenjën e vullnetit të mirë dhe të tolerancës tek myslimanët turq. Vetësakrifikimi legjendar që mishërohet tek turqit e kësaj lëvizjeje, garanton një program të pastër dhe të pafundmë për përqafimin e Islamit. Kjo është pika ku misioni i Gylenit ka arritur rëndësinë e vet. Ashtu si një fëmijë në rritje, nganjëherë edhe shoqëria përpiqet të përfitojë çdo gjë që mundet, duke shpenzuar pa kriter gjithçka që ka fituar. Gylen ka qëmtuar këtë ndjenjë dashamirësie dhe i ka këshilluar pasuesit të mos e shpërdorojnë atë; përkundrazi, ata duhet ta orientojnë këtë virtyt drejt idealeve të larta shoqërore. Kështu ai ka konceptuar një model të ri për qeniet njerëzore dhe një sistem të ri vetësakrifikimi shoqëror.

Kur hedhim vështrimin mbi karakteristikat e saj strukturore dhe aktivitetet e saj globale, mund të vërejmë se Lëvizja Gylen ka një vizion mjaft të gjerë dhe një identitet të qartë social-kulturor. Theksi mbi identitetin fetar të saj përqendrohet tek karakteri sufist i lëvizjes Gylen. Megjithatë është e rëndësishme të kuptohet se lëvizja nuk është një “urdhër Sufist”. Ky karakter i butë dhe human, i ka rrënjët në shpirtin e traditës së Anadollit, në një proces i cili filloi kur turqit u njohën fillimisht me Islamin. Ndërsa i kushton vëmendje të veçantë lëvizjeve të hershme Sufiste në Anadoll, lëvizja Gylen fokusohet në projektet e dialogut dhe të tolerancës, të bazuar në një perceptim Sufist islam, të tillë si respekti për njerëzit dhe krijesat në përgjithësi. Lëvizja Gylen nuk ka veçoritë tipike të një organizate që mund të kishte një urdhër sufist; megjithatë pikëpamjet e Gylenit i japin prioritet absolut kësaj rryme, duke qenë parimisht në sintoni me fabrikën njëmijëvjeçare që vjen nga tradita e Anadollit. Mesazhi i Gylenit ushqehet si nga arsyeja e tij, po ashtu edhe nga zemra. Në këtë mënyrë ne zbulojmë dy aspekte të Gylenit: ai është njëkohësisht dijetar (alim) dhe njeri me zgjuarsi të thellë (arif). Ai është mjaft i përgatitur në shkencat fetare, kulturën dhe filozofinë perëndimore, por edhe në problemet e sotme sociale dhe kulturore të botës. Ne e shikojmë atë, në thelbin e tij si një mendimtar racional në të gjitha këto fusha dhe si një dijetar i shquar. Gylen dëshmon thellësi të mëdha të mprehtësisë dhe dijes së gjerë në lidhje me sufizmin, metafizikën dhe kozmosin.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.