• Home
  • Nga Media
  • Lajmet
  • Gyleni për Associated Press: "Uroj që kjo ngjarje të mos jetë pretekst për të tjera në vijim."

Gyleni për Associated Press: "Uroj që kjo ngjarje të mos jetë pretekst për të tjera në vijim."

Ditën e djeshme Fethullah Gyleni ka dhënë një intervistë të shkurtër për Associated Press. I akuzuar së bashku me lëvizjen e frymëzuar prej tij nga ana e disa zyrtarëve të lartë turq për vrasjen e ambasadorit rus në Turqi disa ditë më parë, ai shpreh keqardhje për humbjen e z. Karlov, duke e theksuar edhe njëherë se "e dënon ashpërsisht një sulm të këtillë terrorist".

"Së pari, ne e kemi dënuar terrorin, që në krye të herës. Andaj, më duhet ta shpreh edhe njëherë që unë e mallkoj me gjithë zemër aktin terrorist ndaj ambasadorit rus. E mallkoj," - ka thënë ai.

"Së dyti, z. Karlov ishte një njeri që kishte shprehur simpati për veprimtarinë tonë në Rusi. Kështu më kanë thënë miqtë e mi. Madje ka marrë edhe vetë pjesë në disa aktivitete, ku ka folur gjëra tejet pozitive. Prej kësaj unë e përsëris edhe njëherë qëndrimin tim dënues ndaj këtij akti. U shpreh ngushëllimet e mia gjithë popullit rus, veçanërisht drejtuesve të vendit. Shpresoj që edhe ata ta vlerësojnë siç duhet këtë çështje dhe të marrin vendimet e duhura.

"Ky vrasës - një vrasës gjakatar - na del që ka qenë më afër me ta. Qenka një person që është gjendur edhe pranë z. President, madje ka kryer edhe detyrën e truprojës së tij. Madje shtypi thotë se është gjendur me dhjetëra herë pranë. Tani, një njeri i gjendur kaq pranë... Mandej, një person që thotë se unë jam i el-Nusras. Duket kryekëput që nuk ka qenë asnjëherë, as më parë, as më prapa, sadopak i lidhur me lëvizjen. Për më tepër, që na u qenka larguar prej detyrës në vitin 2014," - ka shtuar ai, i nxitur nga lajmet e fundit që janë përhapur në shtypin turk, por edhe atë ndërkombëtar, ku kryerësi i aktit terrorist shfaqet i afërt me partinë që qeveris në Turqi. 

Spastrimet e nisura nga ana e administratës turke, sidomos pas grushtit të dështuar të shtetit në korrik, kanë hapur një varg boshllëqesh në njësitë shtetërore të trajtimit dhe parandalimit të terrorit në vend, - është shprehur ai.

"Në parim, largimi i specialistëve të çështjeve të terrorit nga detyra, duke bërë që dikasteri i zbulimit të sulmeve terroriste të lihet pas dore dhe gjërat të mos kryhen ashtu siç duhen kryer... Këto janë të tjera gabime. Mandej, ngarkimi me detyrë i atij personi pikërisht në atë vend, duke i thënë që "shko ti për ta ruajtur!.."

I shqetësuar për faturimet e vazhdueshme të gjithçkaje të keqe apo të papëlqyer që ndodh në vend ndaj lëvizjes "Hizmet", e cila ka në thelb të saj veç shërbimin ndaj njerëzve, ai ka shprehur, veç keqardhjes, edhe ndrojtjen se përmes pranisë së këtij preteksti të gatshëm, tashmë mund të mendohen gjithfarë veprimesh për interesa të ulëta. 

"Siç e thashë edhe më parë, këto ose janë shenjat e një mungese të theksuar të largpamësisë ose të bërjes së gjithçkaje me paramendim. Me një fjalë, "ta bëjë ai, se ia hedhim tjetërkujt pastaj!..

Nëse bëhet fjalë për mungesë të largpamësisë, atëherë "meqë ndodhi, faturën le t'ia lëmë tjetërkujt; të hedhim edhe njëherë baltë mbi këta, siç ndodhi në ngjarjet e dhjetorit apo ato të qershorit më vonë!.."

Por, ekziston edhe diçka më e rrezikshme, që për mendimin tim të cungët - do ta them sërisht me fjalët e mia, - kjo ndodhi të përdoret si pretekst, që të vriten edhe njerëz të tjerë në të njëjtën mënyrë dhe akuza të jetë e gatshme se edhe këtë e ka bërë "Hizmeti".

Bota edhe mund të qeshë me ta, domethënë nuk do t'i besojë asgjëje që ata thonë. E gjithë bota do të qeshë dhe nuk ka për t'u besuar asnjëherë. Sepse është e pamundur t'u besosh, përderisa një mundësi të këtillë nuk e pranon dhe e përjashton edhe vetë Rusia, mbi të cilën ka rënë pesha e këtij akti.

Dëshira ime është që Zoti të mos u japë më mundësi këtu njerëzve që të kryejnë akte të tilla, kaq të kobshme, terroriste. Sepse është Zoti që ua kthen mbi krye po atyre që i planifikojnë të tilla gjëra.

Ata po rendin çdo ditë e më shumë pas punëve më të ulëta... Pa dyshim që një ditë do të vijë edhe përgjigja e Zotit, duke bërë që t'u kthehen atyre vetë të gjitha të këqijat që u kanë shkaktuar të tjerëve." - kanë qenë fjalët, me të cilat e ka mbyllur qëndrimin e tij mendimtari turk, duke shprehur edhe njëherë keqardhjen dhe ngushëllimet për të gjithë njerëzit e prekur prej kësaj të keqeje epidemike si terrorizmi.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.