“Lëvizja Gylen s’mund të shpallet organizatë terroriste”

Lëvizja Gylen s’mund të shpallet organizatë terroriste

Përfaqësuesi i shtetit të Xhorxhias në Kongresin Amerikan, kongresmeni David Skot, është shprehur përmes një deklarate zyrtare se Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan, po ushtron një trysni të pandërprerë ndaj shoqërisë civile në Turqi dhe kryesisht ndaj Lëvizjes “Hizmet”. Skott kundërshtoi dhe akuzat e ngritura nga presidenti aktual dhe qeveria e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim ndaj Lëvizjes “Hizmet”. Sipas tij, “Lëvizja Gylen nuk mund të cilësohet dhe assesi të shpallet organizatë terroriste duke u nisur vetëm nga qëllime apo përfitime të ngushta politike të një individi apo një force të vetme politike”.

Përfaqësuesi i kongresit, në raportin e tij zyrtar me titull “Shqetësimet për shoqërinë civile turke”, rendit një sërë problematikash dhe shqetësimesh me të cilat po përballet shoqëria civile në Turqi. Ai rikujtoi faktin se trysnia dhe dhuna që ushtrohet ndaj shoqërisë civile ndodhin në kushtet kur ajo është anëtare e NATO-s. Skott është ndalur dhe në çështjen e luftës kundër ISIS-it dhe zgjidhjen e krizës së refugjatëve. Sipas tij, historia ka treguar vazhdimisht se përsa kohë qytetërimet e mëdha nuk kanë rënë pre e trazirave dhe përplasjeve të brendshme, ato kanë arritur të përballen me çdo armik të jashtëm.

Akuza politike të pabaza

Në deklaratën e tij, kongresmeni Skott u ndal në ato që ai i cilësoi si politika ‘shtypëse’ ndaj opozitës politike, gazetarëve dhe ayre që mbrojnë të drejtat e grave dhe të drejtat e njeriut. Ai u ndal në mënyrë të veçantë edhe tek zhvillimet e fundit në rastin e Lëvizjes “Gylen”, dhunën dhe presionin që ushtrohet ndaj të gjitha indvidëve, akademikëve, kompanive dhe institucioneve të shoqërisë civile që janë të lidhura më ketë lëvizje duke i bërë subjekt të diskutimeve të një ligji kundër terrorizmit. Këto zhvillime, sipas tij, vënë në dyshim angazhimin e Turqisë në raport me demokracinë dhe të drejtat e njerut. Sipas kongresmenit Skott, “në një republikë normale, lëvizje të tilla të shoqërisë civile, si lëvizja “Gylen”, askush nuk do të guxonte t’i cilësonte dhe assesi nuk mund t’i konsiderojë organizatë terroriste pa asnjë provë dhe vetëm për qëllime të pastra politike”.

Vlerat dhe parimet e NATO -s

Skott, në deklaratën e tij, u ndal dhe në çështje që lidhen me angazhimin e vendeve anëtare të NATO-s, përfshirë dhe Turqinë. Sipas tij, të gjitha vendet anëtare të NATO-s janë të angazhuara për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë e aleancës, por dhe me respektimin dhe ruajtjen e demokracisë dhe shtetin e të drejtës. Ndërsa tërhoqi vëmendjen për dislokimin e trupave dhe forcave ushtarake të Rusisë në Armeni, 25 milje larg kufirit me Turqinë, Skott tha se askush nuk duhet të ketë dyshime për mbështetjen e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për aleatët e saj. Por, sipas tij, nuk duhen harruar asnjë prej angazhimeve dhe parakushteve që burojnë nga anëtarësimi në NATO. Duke rikujtuar aktin e themelimit dhe traktatin e NATO-s, kongresmeni Skott theksoi se çdo anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut, duhet të jetë i “i vendosur për të mbrojtur dhe respektuar të drejtat dhe liritë themelore të individit, shtetin e së drejtës, trashëgiminë dhe qytetërimin e përbashkët të secilit anëtar”. “Shpresoj që kur Erdogan dhe administrata e drejtuar prej tij të përballet me paqëndrueshmëritë dhe krizat rajonale, t’i vijnë në mend pikërisht këto principe dhe vlera demokratike”, - u shpreh Skott.

Duhet rivlerësuar partneriteti mes dy vendeve

Skott u shpreh se mënyra e drejtimit të Turqisë nën drejtimin e Presidentit Erdogan dhe rruga që ajo po ndjek për një sërë çështjesh janë tejet shqetësuese për një pjesë të aleatëve. Sipas tij deri jo shumë kohë më parë, Turqia ishte një prej ndërmjetësuesve kryesore ndërmjet vendeve të Lindjes së Mesme dhe Perëndimit dhe kishte një pozitë të rëndësishme në rajon. Por, Skott nuk i fsheh pakënaqësitë e tij për mënyrën e drejtimit të Turqisë nga ana e Erdoganit. “Fatkeqësisht, për shkak të trysnisë dhe dhunës së vazhdueshme që është ushtruar dhe vazhdon të ushtrohet gjatë periudhës së drejtimit të vendit nga Erdogani, shumë nga ne i ka detyruar që të rivlerësojnë dhe nje herë raportet dhe partneritetin mes vendeve tona”, - u shpreh kongresmeni Skott.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.