• Home
  • Nga Media
  • Lajmet
  • Mesazhi i M. Fethullah Gylen në iftarin e organizuar nga Shoqata e Gazetarëve dhe Shkrimtarëve

Mesazhi i M. Fethullah Gylen në iftarin e organizuar nga Shoqata e Gazetarëve dhe Shkrimtarëve

Mesazhi i M. Fethullah Gylen në iftarin e organizuar nga Shoqata e Gazetarëve dhe Shkrimtarëve

Në iftarin e organizuar prej Shoqatës së Gazetarëve dhe Shkrimtarëve (ShGSh) u lexua edhe mesazhi i mendimtarit M. Fethullah Gylen. Në këtë mesazh, ai duke u dëshiruar të gjithëve që ky muaj i bekuar i Ramazanit të jetë një arsye dhe mundësi pendese, u shpreh: “Ejani, t’i quajmë një mundësi të mirë këto ditë prej drite për të na e mbështjellë horizontin, të pendohemi për të gjitha mëkatet e kryera, duke nisur kësisoj një periudhë vetëpastrimi. Që sot e tutje, le të veprojmë vetëm në emër të ruajtjes dhe respektimit të vlerave njerëzore.”

Në këtë iftar të organizuar prej Shoqatës së Gazetarëve dhe Shkrimtarëve në hotelin “Four Seasons”, me titull “Viti i njëzetë drejt paqes universale” morën pjesë një sërë emrash të rëndësishëm nga bota e politikës, artit, biznesit dhe medias. Krahas veprimtarisë së tij, në të u lexua edhe mesazhi i M. Fethullah Gylen drejtuar veçanërisht këtyre pjesëmarrësve. Ja se cili ishte mesazhi i tij:

I nderuar kryetar i shoqatës dhe ju bashkëpunëtorë të tij... të nderuar përfaqësues të botës së mendimit, politikës, biznesit dhe artit... Të nderuar ju miq të shtrenjtë, prijësa sakrifikues të shërbimeve të mirësisë dhe mbarësisë, më lejoni edhe mua të varfrin që ta quaj edhe unë veten një prej jush, e këtej e tutje të shprehem me “ne”; ndërsa nga njëra anë ne gjendemi të përqafuar fort me fenë dhe filozofinë tonë të jetës; nga ana tjetër jemi nisur në këtë rrugë veç duke ndjekur një slogan, atë “të pranimit të çdokujt në pozicionin e tij”, duke pasur parasysh realitetin e ekzistencës edhe të shumë bindjeve të tjera fetare apo pikëvështrimeve mbi botën.

E në saje të lidhjes së fortë pas kësaj filozofie thelbësore, nuk pamë askënd si të huaj, e aq më pak e lënduam, pse ai mund të ishte i ndryshëm për nga raca, ngjyra, feja, besimi, sekti apo çfarëdolloj mendimi. Gjithnjë u vumë në kërkim veç të mundësive për të realizuar një bashkëjetesë rreth pikëtakimit të bukurive njerëzore.

Duke i mbajtur havuzet dashurore përherë të hapura, me ndjesitë më të thella, për njëfarë kohe qemë kapur pas ëndërrimesh se mund të bënim të mundur lindjen e farave të dashurisë në një terren të ndotur prej ndjenjës së urrejtjes, e duke thënë: “vira bismil’lah” ia patëm nisur rrugëtimit. Qysh në krye të rrugës patëm parë se edhe pjesa më e madhe e shoqërisë ndante të njëjtat ndjesi dhe mendime me ne; pamë se si, për çdo hap të hedhur prej nesh, ata ishin gati të hidhnin dhjetë. Kësisoj qenë bashkuar edhe njëherë hijeshia me delikatesën; zemrat, që ishin neveritur prej lotëve dhe gjakut të derdhur prej vitesh, qenë ndalur në pritje të dhënies së sihariqit të një agimi të ëmbël e të lëmuar. Tashmë, të gjithë mblidhen poshtë këtij qielli dhe hapin diskutime, duke treguar rrëfime të zemrës, çka bëri që vendin e buçitjes së urrejtjes ngado ta zinin meloditë më të holla të marrëdhënieve dashurore mes njerëzve.

Mirëpo, sa keq, që edhe pas gjithë kësaj kohe, si shoqëri, u kthyem edhe njëherë në skllevër të dëshirave dhe robër të egove tona... Shumë prej nesh, lejuan që në zemrat e tyre, të cilat ishin kthyer në djep të ndjesive më të mira, të ngrinte fron sërish urrejtja. Shpirtrat na i rrethoi inati dhe mllefi. Nuk e duam më njëri-tjetrin, nuk e përqafojmë dot, madje nuk shfaqim dot as mirëkuptim ndaj tij. Si qyqet, që zënë rrënojat për të ngritur foletë e tyre, marrim kënaqësi veç prej shkatërrimit dhe prej shikimit ngado vetëm të rrënojave, sulmojmë këdo dhe çfarëdo që na zënë sytë, dhe me një ndjenjë të frikshme të ambicies për të shkatërruar, rendim vetëm pas shkatërrimit. Bëjmë gjithfarë paturpësie karshi Allahut, vendit tonë dhe njerëzve, duke i hyrë disa mëkateve, falja e të cilave është gati-gati e pamundur. Madje, ngandonjëherë, duke i pandehur këto si shërbim ndaj njerëzimit, arrijmë sa të edhe ngrihemi për të kërkuar duartrokitje për to. Tani, edhe dielli po lind përditë mbi një paturpësi, padrejtësi, shkelje dhe paudhësi të re. Edhe netët kalojnë të zeza pis. Ndjenjat tona njerëzore shumë shumë më poshtë se egoizmi; ndjeshmëria hapa të tërë përpara logjikës dhe arsyetimit. Dashuria dhe mirëkuptimi të copëtuara nën kamat e përgjakura të armiqësive. Nuk njeh kufi sasia e njerëzve të përndjekur me urdhra të prerë. Nuk dihet, se kur çfarë do të bëjmë, kë dhe si do ta mbysim në sharje dhe ofendime. Sikur të jemi futur në një gjendje statike çmendurie dhe jemi duke përjetuar një skizofreni kolektive si shoqëri. Nuk ngopemi me padrejtësi, nuk kemi turp nga sulmimi i të tjerëve dhe vazhdimisht kryejmë mëkate: mëkatin e paturpësisë karshi Allahut (xh.sh.); mëkatin e mllefit dhe urrejtjes karshi njerëzve; mëkatin e mostregimit respekt ndaj mendimit të tjetrit; mëkatin e të vështruarit dhe të menduarit errët; mëkatin e të parit të vetes si të pastër dhe veç të tjerëve si mëkatarë; mëkatin e cilësimit të gjithkujt tjetër si “për Ferr”, përveç vetes; mëkatin e përbaltjes së çdo pune të pëlqyeshme që nuk do të quhet e jona; mëkati i rrënimit të ndjenjave më të pastra njerëzore, dhe sa e sa mëkate të tjera... Megjithatë, mendoj se tashmë duhet të ketë ardhur çasti për t’u penduar për të gjitha këto mëkate!

Nëse nuk do t’i shqetësoja shpirtrat delikate nëse përdor këtë stil didaktik, do të doja të thosha kështu: Ejani, ta quajmë një shkas mbështjelljen e horizontit tonë prej këtyre ditëve prej drite, dhe le të pendohemi për të gjitha mëkatet, duke kaluar nëpërmes një periudhe pastrimi... Këtej e tutje, le të sillemi më respektueshëm karshi njerëzve, duke ruajtur çdo vlerë njerëzore... Të tregojmë respekt për mendimet, e le ta pranojmë këdoqoftë në pozicionin e vet... Le ta groposim të shkuarën me të gjitha të këqijat dhe historicizmin e saj, e të mos i bëjmë zënkat e djeshme shkas edhe për zënka të sotshme... Të mos e ndajmë shoqërinë në kampe të ndryshme, por pa e ndarë në grupe, të heqim dorë, e në çdo çast të theksojmë veç bashkimin dhe unitetin... Nëse zemrat tona, qoftë edhe pak, rrahin ende me ndjenja njerëzore, e nëse i kemi ende ndopak të forta krahët, ejani, me atë emocion dhe me atë forcë le ta përqafojmë njëri-tjetrin. T’i mbledhim copëzat tona të shpërndara sa andej këndej, prej thyerjeve dhe përplasjeve, dhe të gjejmë një mënyrë të atillë lidhjeje, që të mos këputen dot më. Të largohemi prej mllefit, inatit dhe urrejtjes, që gjithnjë janë kthyer në nga një kusar dhe vampir, dhe të përpiqemi që të kuptojmë gjuhën e zemrës, e cila është ajo që mund të na shpjerë më pranë Allahut (xh.xh.).

Ç’është e vërteta, arsyeja pse zgjodha pikërisht heshtjen, pavarësisht pareshtjes për muaj të tërë atyre gënjeshtrave, shpifjeve, mashtrimeve dhe planeve djallëzore, ishte se ruaja shpresën pikërisht për një mundësi të këtillë, kur të mund të na bëhej e mundur të gjithëve, si popull, një atmosferë e këtillë pendese. Edhe në ato çaste që e meritonin të flisje pa ndërprerje e me zë të lartë, u mjaftova veç me nga një gëlltitje, në mënyrë që të parandalohej rrënimi i plotë i të gjitha urave të dëmtuara, si dhe prej besimit se horizonti i dritës mund të arrihej edhe njëherë.

Po, bart bindjen se ujëvara e dashurisë dhe dialogut do të rrjedhë akoma edhe më fort se më parë, njerëzit do të priren edhe njëherë drejt vëllazërisë së ngërthyer në natyrën e tyre, sajë përpjekjeve tuaja të vazhdueshme si heronj të virtytit, me ndërgjegje të thella prej pasurive. Besoj fort, se ato takime të hijshme, dhe ato përshëndetje të përzemërta do të gjallërohen edhe njëherë, për të vazhduar mandej pa reshtur. Shpresoj se, sërish, në çdo trevë, do të dëgjohen sërish të njëjtat melodi emocionuese të dashurisë së ndërsjellë, e gjuhët që flasin veç për veçoritë e mira të tjetrit; se ai respekt i ndërsjellë dhe ato shfaqje të epërme të dashurisë do të shtohen edhe më tej, duke e kapluar krejt atmosferën shoqërore.

Me këto ndjenja, ju uroj begati për këtë iftar me temë: “Viti i njëzetë drejt paqes universale”; krahas lavdërimit me zemër të të gjithë vullnetarëve të Shoqatës së Gazetarëve dhe Shkrimtarëve, për përpjekjen e tyre me vite me radhë për t’u bërë shkas në takimin e të sëmurit me ilaçin në rrugën e zgjidhjes së problemeve tona shoqërore, dua t’ju përshëndes edhe gjithë ju të pranishëm, duke ju shfaqur falënderimet dhe respektin tim të veçantë.

M. Fethullah Gylen

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.