Misteri i klerikut mysliman që jeton në kompleksin malor në SHBA

Fethullah Gylen

Saylorsburg, Pennsylvania (AP) - Kleriku dhe dijetari mysliman me ndikim të madh në botë, Fethullah Gylen, jeton në qetësi në një kompleks me një sipërfaqe rreth 26 akrash, në malet Pokono, ku ai lutet, punon, takohet me admiruesit e tij dhe ndjek nga larg akuzat për terrorizëm në adresë të tij, akuza të cilat e kanë përfshirë atë në listën e personave më të kërkuar nga gjykata në Turqi.

Ndonëse shfaqet shumë rrallë në publik, Fethullah Gylen prej kohësh konsiderohet si një nga dijetarët më të rëndësishëm në Turqi, dhe jo vetëm, dhe ka një numër shumë të madh ndjekësish në vendin e tij të lindjes dhe në mbarë botën. Kohët e fundit, Presidenti gjithnjë e më autoritar i Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan, e ka akuzuar Gylenin për drejtimin dhe organizimin e një komploti me qëllim rrëzimin e qeverisë zyrtare laike, ndonëse ai ndodhet rreth 50 mijë milje larg vendlindjes së tij në vendbanimin e tij aktual në Pensilvani, ku ai bën një jetë të qetë dhe jo publike.

Mbështetësit e Gylenit, akuzat i cilësojnë si të pabaza dhe aspak të vërteta, dhe deri më tani Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë treguar të gatshme ta ekstradojnë atë në Turqi, për t’u përbalur me gjykimin e gjykatave turke, një gjyq që ka nisur në mungesë të tij që më datë 6 janar; një proces i gjatë, i cili pritet të zgjasë me muaj. Ndërkohë të hënën ka nisur dhe një tjetër proces gjyqësor, ku lëvizja e tij akuzohet se është e përfshirë në aktivitet spiunazhi në dëm të vendit të tyre.

Ata (autoritetet turke) thonë se nëse lideri i kësaj lëvizjeje, i cili jeton larg vëmendjes së njerëzve, shqetësohet për mundësinë e deportimit të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atëherë ai nuk e ka ndarë një gjë të tillë me mbështetësit dhe përkrahësit e tij.

“Ai është shprehur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një traditë të gjatë dhe të konsoliduar të demokracisë dhe sundimit të ligjit”, - u shpreh Y. Alp Aslandogan, i cili takohet me Gylenin rreth një herë në javë, si President i Aleancës për Vlera të Përbashkëta, e cila ka qendrën e saj në Nju Jork, një grup i cili promovon idetë e Gylenit. “Ata do ta shohin dhe do ta kuptojnë se këto akuza janë të orientuara politikisht, dhe nuk do të lejojnë Erdoganin që ta shtrijë ambicien e tij edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Zëdhënësi i Departamentit të Drejtësisë, Peter Carr, nuk pranoi të bëntë asnjë koment rreth çështjes së Gylenit.

Ndjekësit Gylenit drejtojnë një rrjet të gjerë global fondacionesh bamirësie, shoqatash profesionale, biznesesh dhe projektesh të tjera, përfshirë dhe administrimin e rreth 150 shkollave private (charter schools) të financuara nga taksapaguesit në të gjithë territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por detaje rreth jetës personale Gylenit dhe lidhjeve të tij me këtë rrjet sipërmarrjeje mbeten të paqarta prej kohësh, duke krijuar dyshime rreth motiveve të tij.

Disa prej këtyre shkollave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë investiguar edhe nga Byroja Federale e Investigimit (FBI) me akuzat për keqmenaxhim financiar dhe mashtrim me vizat. Një prej pretendimeve më të rënda, të ngritura nga një avokat, i cili përfaqëson qeverinë turke në një padi kundër Gylenit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është se shkollat në fjalë importojnë mësues me kombësi turke për të identifikuar studentët e ndikueshëm lehtësisht dhe për t’i indoktrinuar ata në lëvizjen Gylen, ndonjëherë të quajtur “Hizmet”, e cila në turqisht ka kuptimin e “shërbimit”.

Mbështetësit e Gylen shprehen se askush që ka lidhje me shkollat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është akuzuar, dhe nuk ka patur asnjë protestë publike nga prindërit apo nxënësit, ku të pretendohet se mësuesit promovojnë Islamin. Në Amerikë, shkollat janë publike dhe të hapura për studentët e të gjitha besimeve fetare.

“Provoni të përpiqeni për t’i konvertuar të krishterët evangjelistë në qendër të Teksasit. Shikoni se çfarë do të ndodhë”, - thotë Aslandogan. “Kushdo që e njeh mirë shoqërinë amerikane dhe klimën e sotme, e kupton qartë që ky është një pretendim qesharak.”

Në asnjë rast, thotë ai, Fethullah Gyleni nuk ka asnjë lidhje financat apo funksionimin e shkollës.

I shkolluar si imam, ose ndryshe drejtues në lutje, Gulen fitoi popullaritet të madh në Turqi rreth 50 vite më parë, duke promovuar një filozofi që përzien një formë mistike të Islamit me mbështetjen e vendosur për promovimin e demokracisë, arsimit, edukimit, shkencës dhe dialogut ndërfetar. Mbështetësit e tij hapen rreth 1000 shkolla në më shumë se 100 vende të botës. Në Turqi, ata drejtojnë universitete, spitale, organizata bamirësie, një bankë dhe një perandori të madhe mediatike me gazeta dhe stacione radiosh e televizionesh.

Por shtrirja e ndikimit të Gylenit mbart shumë mistere. Sociologu i Universitetit Loyola të Merilandit, Joshua Hendrich, i cili ka studiuar dhe shkruar gjerësisht rreth tij, vlerëson se mbështetësit dhe ndjekësit e tij në të gjithë botën janë diku mes 500 mijë dhe 4 milionë personave.

“Personalisht, mendoj se thellë në zemrat e tyre, këta njerëz duan që të ndërtojnë një botë më të mirë, një botë të paqes, një botë të respektit”, - shprehet socialogia pranë Universitetit të Houstonit, Helen Rose Ebaugh, e cila ka udhëtuar në të gjithë botën, duke studiuar financat dhe qëllimet e lëvizjes Gylen. “Nuk kam vërejtur asnjë shenjë apo nismë që ata janë të interesuar për pushtet, apo krijimin e çfarëdo lloj shteti islamik.”

Në vitin 2000, një vit pasi udhëtoi për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për trajtim të specializuar mjekësor, Gyleni u akuzua nga autoritetet turke të kohës për drejtimin e një komploti islamik për të përmbysur regjimin. Pas një procesi gjyqësor në mungesë, ai u shpall i pafajshëm nga gjykata.

Tani, pas kritikave ndaj qeverisë së Erdogan, ai dhe lëvizja e tij po përballet me një varg procesesh gjyqësore. Këtë herë, qeveria turke pretendon se Gyleni ka drejtuar një strukturë paralele, të quajtur “shteti paralel”, dhe duke vendosur ndjekësit e tij në postet më kyçe në polici dhe gjykata, ka inicuar dhe mbështetur hetimet për korrupsion të vitit 2013, të cilat kishin në shenjestër njerëz mjaft pranë Presidentit Erdogan. Prokurorët gjithashtu pretendojnë se zyrtarët e policies, të lidhur apo që janë mbështetës të Gylen, komplotuan kundër një grupi islamik dhe përdorën grupin në fjalë si një justifikim për të kryer përgjimet e paligjshme.

Qeveria e Erdoganit e ka cilësuar lëvizjen si “organizatë terroriste”, ndonëse deri më tani nuk ka asnjë provë që ata të jenë të përfshirë në ndonjë veprim apo akt të dhunshëm.

“E vërteta, të cilën ne nuk e mohojmë, është se, po ka simpatizantë që janë në çdo institucion shtetëror. Por, të thuash që ekziston “një strukturë paralele”, ose se ka një dirigjues apo aktorë kuklla, këto janë thjesht pretendime boshe dhe pa asnjë llogjikë”, tha Aslandogan.

Një kontinent larg, Gylen, i cili tani është në mesin e të 70-tave, jeton si një murg dhe i përkushtuar në ardhurim ndaj Zotit në Qendrën e Lutjeve dhe Adhurimit të Gjeneratës së Artë, një qendër islamike e themeluar nga një grup qytetarësh turko-amerikanë.

Sipas Aslandogan, gjatë ditës, ai shpenzon orë të tëra duke u lutur dhe duke medituar dhe shumë rrallë del jashtë godinës ku ai qëndron, në të shumtën e rasteve daljet e tij janë të imponuara nga konsultat e detyruara mjekësore, për sëmundjen e zemrës dhe diabetit.

Gjatë një turneu javën e kaluar, një reporter i Associated Press vizitoi dhomën e tij të banimit, e cila ishte e rethuar nga rafte plot me libra dhe kavanozë të mbushur me dhè nga rajone të ndryshme të Turqisë.

Gazetari nuk arriti ta takonte dot klerikun. Ai ndodhej në një tjetër ndërtesë të kompleksit dhe nuk pranoi që të intervistohet.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.