Në Islam thelbësor është populli, jo shteti

Fethullah Gylen

Një prej gazetave më në zë të botës arabe, Sharku'l-Eusat ("Zëri i Lindjes"), ka nisur publikimin e një interviste të veçantë me të nderuarin Fethullah Gylen, ku trajtohen çështjet më të rëndësishme të rendit të ditës. Gazeta, e cila e ka qendrën në Londër, ka publikuar dje pjesën e parë të intervistës, të cilën ka parapëlqyer ta titullojë: "Islami dhe demokracia mund të bashkëjetojnë fare mirë në paqe me njëra-tjetrën." Duke e cilësuar të nderuarin Gylen si "dijetari dhe ftuesi i madh turk i Islamit", tërhoqi vëmendjen veçanërisht tek fjalët e të nderuarit: "Xhami dhe faltore ka mjaftueshëm, duhen hapur shkolla." Ai u shpreh gjithashtu se Turqia ka qenë një shembull përsa i përket demokracisë, jo vetëm për botën arabe, por për mbarë atë myslimane. Por sa keq, ato që janë përjetuar vitin e fundit, kanë filluar ta trondisin imazhin e vendit të tij në arenën ndërkombëtare. Muaji i mjaltit për Turqinë përfundoi dhe Erdogani e gjeti veten mu në mes të furtunës.

Sharku'l Ausat, pasi shpreh mendimin e frymës opozitare ndaj kryeministrit turk, të cilët e quajnë atë si të mbërthyer prej madhështisë dehëse të pushtetit, bën edhe këtë vlerësim: Ajo çfarë e futi çështjen drejt një qorrsokaku, nuk qe vetëm sjellja e ashpër e Erdoganit karshi protestuesve kohët e fundit, por edhe qëndrimi që ai mori pas procesit hetimor për aferat korruptive.

Në përshkrimin e situatës të bërë prej të përditshmes, ndër të tjera thuhet: Megjithëse i nderuari Gylen e përgënjeshtron vazhdimisht haptazi një mundësi të atillë, Erdogan vazhdon ta cilësojë Gylenin, se dëshiron të ngrejë një "shtet paralel" duke hedhur në dorë mekanizmat e policisë dhe sistemin gjyqësor. Prandaj edhe u ndërroi vendet e punës apo liroi nga detyra me qindra nëpunës të policisë, nxori ligje që do të parashtronin kontrollimin e imtë të internetit, dhe me gjithë kundërshtimet në masë, kaloi nëpërmjet parlamentit një projektligj, i cili parashikon mbylljen e të gjitha qendrave jopublike të kurseve."

"Ndërsa ata që mbajnë një qëndrim kritik karshi Lëvizjes Hizmet besojnë se kjo Lëvizje me më shumë se 2000 institucione arsimore të përhapura në 160 shtete të botës po synon të islamizojë Turqinë, një pjesë më e madhe e popullsisë beson plotësisht se Lëvizja as nuk është organizatë, e se nuk ka kurrfarë procedure anëtarësimi zyrtarisht, dhe se i nderuari Gylen nuk është përfaqësues i Islamit politik, por i shkencave pozitive dhe humane, i tolerancës dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, siç udhëzon medhhebi Suni-Hanefi."

Edhe në këtë intervistë, ashtu si edhe në ato të dhëna më parë për gazetën amerikane Wall Street Journal, kanalin televiziv anglez BBC, dhe më në fund për të përditshmen turke Zaman, Gylen u shpreh qartazi se Lëvizja Hizmet nuk ka mbështetur dhe nuk mbështet këtë apo atë parti politike, por veç përpiqet t'i paraqesë ndihmesën e saj politikës për ruajtjen e vlerave dhe parimeve demokratike. Ai nuk lë pa shprehur edhe se votuesit në zgjedhjet vendore të Turqisë, që do të mbahen në datë 30 mars, kanë të drejtën dhe lirinë të votojnë sipas tërë vullnetit të tyre të lirë, pasi të bërët politikë në emër të fesë nuk është diçka aspak pozitive, e aq më pak e lejueshme, pasi nuk mund ta shpjegosh me asnjë prej parimeve të fesë. Tregoi se sa e sa herë atij apo shokëve të tij u janë ofruar poste apo kandidatura ata i kanë refuzuar.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.