"Nuk ka ndërgjegjje njerëzore që ta pranojë"

M. Fethullah Gylen

Fethullah Gylen ka shprehur hidhërimin e tij për viktimat që kanë humbur jetën në sulmet e organizuara prej Izraelit në Gaza. Ja se cili ishte mesazhi i ngushëllimit të tij ndaj popullit palestinez:

Lajmin e hidhur, se Izraeli ka nisur një varg sulmesh karshi popullit të pafajshëm të Palestinës në këto ditë kur bota islame gjendet e mbërthyer në atmosferën e bekuar shpirtërore të muajit të Ramazanit, e kur gjithkush është në kërkim të natës së bekuar të Kadrit për të fituar kënaqësinë e Allahut, e mora vesh atje ku gjendem i tërhequr në "mënjanimin" e dhjetë ditëve të fundit. Vrasjen e qenieve njerëzore, pa bërë dallime as në janë gra apo fëmijë, nuk ka ndërgjegjje njerëzore që ta pranojë.

Dhimbjet dhe vuajtjet që po kalojnë vëllezërit tanë palestinezë, të cilët u bënë vite që jetojnë të përndjekur prej represionit, të privuar edhe prej të drejtave më jetike humane, janë aq të rënda sa të mund të shkundin nga vendi çdokënd e çdo pëllëmbë vend të botës që nuk e ka humbur ende thelbin e vet njerëzor.

Ja ku po e ndiejmë edhë njëherë pafuqinë tonë mes shteteve, dhe akoma më shumë të qenët asgjë në ekuilibrat ndërkombëtarë. Nuk më mbetet veçse të lus Zotin e Gjithmëshirshëm e Mëshirëbërës që t'u falë mëshirë atyre që humbën jetën dhe t'u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta të afërmve dhe gjithë popullit palestinez.

I përgjërohem Zotit që ky sulm i Izraelit ndaj Gazës të marrë fund një çast e më parë, sepse vetëm tek Ai kërkojmë mbështetje për mëshirë dhe vullnet që të jetë paqja ajo që do të mbizotërojë. T'i lutemi Zotit në këto ditë të bekuara, kur edhe begatia dhe mëshira e Tij rrjedhin mbi ne më paskajshmërisht, që t'u vijë në ndihmë gjithë të pafajshmëve që u shkelen të drejtat, e veçanërisht vëllezërve tanë nga Gaza.

M. Fethullah Gylen

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.