Televizioni shtetëror grek flet gjerësisht për Lëvizjen Gylen

Televizioni shtetëror grek ERT ka folur gjerësisht për të nderuarin Gylen dhe lëvizjen e vullnetarëve në programin me titull "Turqia po ndryshon". Në programin në të cilin nënvizohej rëndësia e mendimeve të Gylenit në integrimin e Turqisë në botën moderne u pasqyruan dhe opinionet e shumë gazetarëve, akademikëve dhe politikanëve.

Sa vjen e shtohet interesi i treguar nga media greke për Gylen dhe lëvizjen e vullnetarëve. Pas lajmeve dhe analizave të botuara në vitin 2010 në gazetat më të njohura greke si 'Ta Nea', 'To Vima', 'Elefterotipiya', 'Kosmos Tu Ependiti' dhe në revistën 'Stratejist' edhe televizioni shtetëror grek ERT arriti të pasqyrojë para shikuesit shërbimet e ‘Lëvizjes Gylen’.

Programi i përgatitur nga gazetari i njohur i ERT Fanis Papathanasiou u transmetua një natë më parë në orën 22.00. Programi "Turqia po ndryshon" zgjati rreth një orë dhe ishte formuluar me intervista të shumta me njerëz të ndryshëm në Turqi. Në gjysmën e dytë u vlerësua lëvizja Gylen. Pas analizës se Gylen mbështet përshtatjen e Turqisë me botën moderne, theksohet se lëvizja vlerëson bashkëjetesën, edukimin dhe modernizimin. Në programin ku shprehet se Fethullah Gylen i jep rëndësi dialogut ndërfetar dhe ka dënuar sulmin e 11 Shtatorit ndër të tjera thuhet: "Gylen mbështet dialogun me njerëz që i përkasin feve tjera. Disa grupe radikale fetare kishin kritikuar takimet dhe bisedat e tij me Patrik Bartholomeos, Papën dhe grupet tjera fetare."

Në reportazh u pohua se Lëvizja Gylen ka rreth 1000 shkolla të cilat janë të përhapura nëpër botë në 115 shtete; shumica e këtyre shkollave janë të përhapura në Azi dhe në 35 shtete të Afrikës. Në vendet ku nuk janë të pranishme shkollat janë hapur institute të cilat zhvillojnë aktivitetet e tyre në fushën e dialogut ndërfetar. Televizioni shtetëror grek ERT gjithashtu thekson se këta shkolla apo institucione nuk mbajnë emrin e Gylenit dhe qëndroi shumë mbi shkollat e hapura në Amerikë, Ballkan dhe Afganistan.

Pasi prek dhe aktivitetet e Lëvizjes Gylen në fushën mediatike televizioni grek shprehet se këta institucione financohen nga biznesmenë vullnetarë dhe vlerësoi shoqatën TUSCON të biznesmenëve. Nisur nga akuzat drejtuar Gylenit me pretendimin se dëshiron të ndryshojë regjimin në Turqi, në program thuhet: "Lideri fetar i cili përpiqet të sjellë sheriatin në vend për ndjekësit e Ataturkut, në të vërtetë për shumicën e njerëzve është një faktor i cili ndikon pozitivisht në zhvillimin e Turqisë’.

Ergil: Gylen përfaqëson vijën kryesore të ndryshimit

Në program u prezantua dhe libri i fundit me titull "Fethullah Gylen dhe lëvizja në 100 pyetje" i akademikut Prof. Dr. Doğu Ergil, i cili ndër të tjera u shpreh: "Gjërat po ndryshojnë në Turqi. Po hyjnë grupe të reja në jetën ekonomike dhe shoqërore. Dhe lëvizja Gylen përfaqëson vijën kryesore të këtij ndryshimi". Ndërsa në takimin e zhvilluar me gazetarin Hysejin Gylerce, ky i fundit tha se: "Gyleni nuk dëshiron që lëvizja të quhet ‘Lëvizja Gylen’. Lëvizjen e themeluar me këshillat e tij e quan ‘lëvizje të vullnetarëve’. Lëvizja e vullnetarëve jep kontributin e saj në të gjithë botën në fusha të ndryshme si arsimi, media dhe dialogu. Burimi i vetëm financiar i lëvizjes është populli turk."

Birand: Gylen një njeri me mision

Gazetari Mehmet Ali Birand në intervistën e tij i cilësoi mbështetësit e Gylenit si njerëz të hapur me të gjithë dhe me horizont të gjerë. Birand theksoi se Gylen është një njeri me mision dhe shtoi: "Është pak misterioz. Nuk mund ta shohësh fuqinë e tij, por mund ta ndjesh. Kanë fuqi të mëdha. Janë të mirorganizuar. Dhe punojnë me dëshirë, vullnet. Ndihmojnë dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Me të vërtetë arrijnë rezultate të pabesueshme dhe të mrekullueshme. Megjithëse diskutimet mbi lëvizjen Gylen janë të ashpra si p.sh., kontrollet e zhvilluara të policisë në të vërtetë janë pak të tepruara. Dhe këtë mund ta them me shumë siguri."

Drejtuesi i TUSCON, Rizanur Meral, pohoi se shumica e anëtarëve e Konfederatës i vlerësojnë shumë mendimet e Gylenit. "Mbështesim aktivitetet e tyre. Një pjesë e madhe e biznesmenëve në Turqi mbajnë përgjegjësi për çështje shoqërore dhe japin mbështetjen e tyre. Ne besojmë se gjithçka fillon me edukim. E ardhmja e shteteve është e lidhur me nivelin e edukimit dhe arsimit që u japim fëmijëve tanë. Prandaj për të konkurruar me nxënës të tjerë në rang ndërkombëtar duhet të japim një arsim cilësor."

Mustafa Yeşil: ligjet, prioriteti i shkollave

Gjatë një vizite në Fondacionin e Gazetarëve dhe Shkrimtarëve, president nderi i të cilit është vetë Fethullah Gylen, gazetari grek Fanis Papathanasiou pohoi se fondacioni funksiononte si një zyrë e lëvizjes dhe nënvizoi faktin se në asnjë nga institucionet e lidhura me të dhe shkollat nuk gjendet fotografia e Gylenit. Ja se çfarë tha Mustafa Yesil rreth kësaj teme: "Gylen nuk dëshiron që emri i tij të shkruhet. E njëjta gjë vlen dhe për fotografitë. Ai mendon se mendimet janë një pasuri e njerëzimit. Dhe askush nuk mund të shkruajë emrin e tij poshtë tyre. Dhe kjo është një e vërtetë universale."

Në programin ndër të tjera u prezantua universiteti privat Fatih, i themeluar nga Lëvizja Gylen. Gazetari i njohur turk Ihsan Yilmaz shtoi se shumica e njerëzve pëlqejnë mendimet e Gylenit. "Disa mendojnë se janë rreth 5- 6 milion njerëz të lidhur me lëvizjen Gylen. 70 % e popullit turk i sheh pozitivisht mendimet e tij. Mundohen të japin ndihmën e tyre në këtë pikë. Kur Gylen u akuzua në fund të viteve 90-të ushtria kishte ushtruar presion prokurorisë për të hapur gjyqin.. Akuzat ishin të shumta. Akuzohej se ishte agjent i fshehtë dhe dëshironte të shkatërronte demokracinë. Por asgjë nuk u vërtetua edhe pas tetë viteve luftë gjykatash. Gjykata e lartë hodhi poshtë të gjitha akuzat me shumicë votash", thotë ai.

Në program u pasqyruan dhe mendime opozitare. Gazetari Nedim Sener në lidhje me temën tha: "Ne nuk arritëm të provojmë se Lëvizja Gylen është organizatë. Nuk është organizatë... bazuar tek aktivitetet e zhvilluara në Turqi njerëz si Gyleni përpiqen të krijojnë një elitë islame. Dhe paralelisht me këtë kërkojnë të dobësojnë Turqinë dhe ta shkatërrojnë, kjo është shumë e qartë."