Ç'mendon Fethullah Gyleni për lidhjen e politikës me fenë?

Ta politizosh Islamin është një përpjekje tejet reduksioniste: do të thotë ta kthesh marrëdhënien e mistershme mes njerëzores dhe hyjnores në ideologji. Gyleni thotë se "feja është marrëdhënia që njerëzit kanë me Krijuesin e tyre. Ndjesitë e saj shfaqen thellë në zemrën e njeriut... Nëse përpiqesh ta kthesh atë në një shfaqje formash të ndryshme, e vret."

Politizimi i fesë e dëmton atë më parë se sa ajo të dëmtojë jetëgjatësinë e një qeverie." Ai thotë gjithashtu se "feja është e përqendruar së pari te aspektet e përhershme e të pandryshueshme të jetës dhe ekzistencës njerëzore, ndërsa sistemet politike, ekonomike dhe shoqërore apo ideologjitë merren më tepër me aspekte të ndryshueshme të jetës së njeriut gjatë jetës në këtë botë."

Por, duke bërë kujdes që të mos e politizosh fenë, nuk do të thotë se besimtarët duhet të jenë indiferentë karshi asaj që ndodh në jetën publike, apo karshi padrejtësive politike dhe ekonomike që u bëhen njerëzve.

Fethullah Gyleni nuk pretendon se besimtarët apo njerëzit që bëjnë një jetë shpirtërore duhet të qëndrojnë larg zhvillimeve politike apo që t'ia ndalojnë vetvetes që të shqetësohen për politikën. Një rekomandim i tillë nuk do të ishte shumë i ndryshëm nga "kuietizmi"* dhe do të përbënte një heqje dore nga çdo detyrë dhe përgjegjësi e qytetarisë dhe e përfshirjes në shoqëri.

Përfshira në politikë dhe mbrojtja e të drejtës/ave nuk ka të bëjë me partishmërinë apo ithtarinë partiake. Feja mundet dhe duhet që të flasë publikisht në lidhje me çështjet politike që kanë të bëjnë me dinjitetin dhe mirëqenien e njerëzve, me mbrojtjen e mjedisit, me paqen dhe me të drejtat e shoqërisë. Besimtarët e vërtetë, të cilët e kanë ndër përgjegjësitë e tyre që të jenë të përfshirë në polis-in e tyre, nuk mund të jenë njerëz të njëanshëm apo ithtarë veçse të njërës apo tjetrës parti. Ata duhet të jenë gjithnjë faktor ndërtues për komunitetet dhe shoqërinë dhe kurrsesi krijues ndasish.

Fethullah Gyleni vlerëson se religjioni qëndron shumë më sipër se politika; ai e sheh atë si burimin e moralit dhe të etikës, të cilat janë po ashtu të lidhura me politikën dhe jo në kundërshtim me të. Ai nuk do ta mbështeste kurrë që feja të bëhej mjet në duart e politikës, sepse me dështimin e kësaj të fundit, gjëja e parë që njerëzit do të bënin, do të ishte hedhja e akuzave edhe mbi fenë. Kësisoj, ai nuk do që aspiratat politike të cenojnë fenë, apo ta bëjnë atë të degradojë si pasojë e potencialit që politika ka për të degraduar.