Nje Shoqeri Ideale

Grupimet e veçanta të formuara nga të mbrapshtët dhe mëkatarët (të pabindurit) janë thjesht turma pa asnjë vlerë morale dhe etike, njerëz që janë larg nga mendimi për të bërë mirë. Në krahun tjetër, ideal, ose të plotë, njerëzit mbajnë cilësitë e engjëjve dhe janë monumente të largpamësisë dhe mirëkuptimit njerëzor.

Ne i shohim këto cilësi në ajetin Kur'anor që vijon më poshtë, si edhe në shumë të tjera:

Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur! (el-Tin, 95:4)

Njerëzit të cilët i referohen domethënies së këtij ajeti, kuptojnë që ata janë trajta më e hijshme dhe më e bukur e këtij krijimi, fizik ose shpirtëror. Ata shijojnë shkallën më të përsosur të krijimit dhe janë të ndërgjegjshëm për dhuratat e pafundme që kanë marrë.

Le të përpiqemi ta kuptojmë këtë ajet. Natyra njerëzore mori përsipër përgjegjësi që toka, qielli dhe malet i mohuan nga frika se nuk do të ishin në gjendje ta merrnin mbi supe këtë detyrë. Ata e ndjenë që natyra njerëzore ishte kandidati i vetëm për të arritur përjetësinë.

Njerëzit mund të konsiderohen si shtegtarë në udhën për t'u bërë një person i kompletuar për sa kohë që ata vazhdojnë të shfrytëzojnë dhuratat me të cilat janë zbukuruar dhe të jetojnë në përputhje me frymëzimin hyjnor.

Misteret, si kuptimi i jetës dhe vdekjes, shkaku i ekzistencës dhe përgjegjësitë tona, janë gjithmonë në mendjen e njerëzve të tillë. Ata mendojnë thellësisht lidhur me mëkatet, të bërit mirë dhe të

qenët i përshpirtshëm. Domethënia e katastrofave që i kanë sjellë dëme njerëzimit, i ka trazuar mendjet e tyre, drita e njohurive hyjnore ndriçon në zemrat e tyre, rrezet e kësaj drite janë reflektuar në shpirtrat e tyre.

Të gjitha këto i lejojnë ata të shohin prapa perdes. Habia dhe çudia e tyre i sjellin në dashuri dhe mëshirë dhe ata kthehen tek Krijuesi me shpirtrat e tyre dhe me ndjenjën e kënaqësisë. Shpirtrat që janë në këtë nivel nuk e lejojnë dashamirësinë hyjnore të shkojë nga kokat e tyre dhe as janë tronditur nga humbja e saj sepse ata e shohin mirëdashjen dhe humbjen si një të vetme dhe kuptojnë se shpërblimi dhe ndëshkimi janë gjithashtu të njëjtë. Ndërsa të tjerët janë të llastuar nga favore të tilla dhe bien në pesimizëm sapo shfaqen vështirësitë, njerëzit e përsosur fitojnë edhe kur ngjajnë të dënuar për të humbur. Ata arrijnë të rrisin trëndafila në shkretëtirë, të prodhojnë sheqer nga një kallam i thatë.

Njerëzit idealë e dinë që ata janë në provë të vazhdueshme dhe prandaj përsosen që të mund të arrijnë lumturinë. Edhe nëse ndeshin në katastrofa të pashmangshme dhe bien në vorbullat më të tmerrshme, madje nëse gjenden në momente pikëllimi dhe në braktisjen më të madhe, presin lehtësim dhe fjalë ngushëlluese prej botës tjetër, fjalë që dalin nga thellësia e shpirtit të tyre, dhe ata përulen me mirënjohje dhe admirim.

Njerëzit e tillë kanë siguri dhe besim të plotë në Zot, sepse ata besojnë dhe shpresojnë në gjithëpraninë dhe në plotfuqinë e Pushtetit të Amshuar. Besimi i pastër jeton në thellësi të zemrave të tyre, këndvështrimi që u jep perspektiva të pabesueshme, së bashku me njohuritë dhe mendimet, i lartëson në një pikë nga ku ata pothuajse mund të dëgjojnë një zë që thotë: "As mos kini frikë dhe as mos u pikëlloni, por merrni lajme të mira për kopshtin që u ishte premtuar!" Dhe atëherë ata dëshmojnë kënaqësinë më të mrekullueshme për gjithçka.

Njerëzit e përsosur përpiqen të qëndrojnë larg nga mëkati, sepse ata e kanë ndërtuar jetën e tyre në përputhje me Drejtësinë Hyjnore, në të cilën besojnë aq sinqerisht. Dhe sepse ata gjithmonë ndeshen me egon e tyre, nuk kanë kohë dhe energji për t'u dhënë pas argëtimeve boshe apo pas jetës bohemiane. Ata janë gjithmonë me vështrimin tek bukuritë e Shokut të tyre, mendjet e tyre janë në botën e përtejme, zemrat e tyre janë kopshte plot me drita dhe ngjyra të hapura për t'u vizituar nga krijesat shpirtërore dhe ata vetë janë udhëtarë dhe eksplorues në këtë atmosferë dhe vend mistik.

Njerëzit e kësaj bote që janë skllavëruar nga egoja e tyre, jetojnë vetëm për të përmbushur dëshirat fizike. Ata nuk gjejnë asnjë kënaqësi, ata nuk gjejnë qetësi. Por njerëzit idealë janë gjithmonë në paqe me veten e tyre. Ata janë të kënaqur dhe, për më tepër, vënë njohuritë dhe dijet e tyre në shërbim të njerëzimit. Ata me kurajo ia kushtojnë vetveten shpëtimit të botës nga padrejtësia dhe tirania dhe nuk janë të frikësuar për të mbrojtur nderin dhe vendin e tyre. Dhe, gjatë gjithë jetës, me hijeshi shtrijnë krahët e mirësisë mbi vëllezërit dhe motrat e tyre!

Duke e ditur që gjithçka prej Zotit është e vdekshme dhe do të shuhet, njerëzit e përsosur nuk përulen para askujt dhe asgjëje tjetër veç Zotit. Ata i rezistojnë joshjes së botës materiale, ata vlerësojnë dhe shfrytëzojnë rrugën e Zotit që u është kushtuar atyre, tamam si krijesa qiellore, ata shqyrtojnë gjithçka që ndodh si një shkencëtar në laborator, ata ia dedikojnë jetët e tyre njerëzimit dhe lënë një botë më të mirë për brezat e ardhshëm.

Njerëzit idealë vazhdimisht kërkojnë bekimin e Zotit dhe përpiqen të jenë besnikë. As pasionet fizike dhe as dëshirat shpirtërore nuk mund të hedhin dyshime mbi sinqeritetin e tyre. Ata i vlerësojnë të gjithë shërbëtorët e Zotit si krijesat më të larta njerëzore dhe po ashtu e vlerësojnë çdonjërin si shokun e tyre. Në zemrat e tyre ata zbusin ashpërsinë dhe çdo ndjenjë të errët që buron nga të tjerët, kështu tregojnë se si mirësjellja e mposht të gabuarën.

Në atmosferën e tyre të shndritshme, rrufetë veniten. Nemrodi, një perandor i pamëshirshëm, i cili urdhëroi që profeti Abraham (Ibrahim) të hidhej në zjarr, vështroi se si zjarri nën të u kthye në një kopsht të gjelbër që zbuti ashpërsinë në zemrat dhe shpirtrat e këqinj.

Shumë prej nesh nuk kanë arritur akoma në këtë nivel. Ne nuk mund të përballojmë punët e mbrapshta me mirësjellje. Ne e përballojmë ashpërsinë me ashpërsi dhe urrejtjen me urrejtje. Ne bindim veten që mendimet dhe idetë tona janë objektive dhe dëshirat tona, jo egoiste. Kështu ne errësojmë luftën tonë në rrugën e Zotit dhe humbasim, ndonëse nisemi për të fituar. Nëse nuk do të ishin bukuria, aftësia tërheqëse dhe rrezet jetëdhënëse të Kur'anit, konceptet e gabuara që kemi krijuar dhe shembujt negativë që kemi dhënë do të na ndalonin nga vështrimi i kësaj dite!

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.