Shpirtrat Ideale dhe Heronjte e Dashurise

Shpirtrat Ideale dhe Heronjte e DashuriseVetëm ata që janë përmbytur nga dashuria do të jenë në gjendje të ndërtojnë lumturinë dhe të ndriçojnë botën për të ardhmen. Buzët e tyre buzëqeshin me dashuri, zemrat u mbushen me dashuri, sytë e tyre rrezatojnë dashurinë dhe ndjenjat më të thella njerëzore - të tillë janë heronjtë e dashurisë që vazhdojnë të marrin mesazhet e dashurisë nga lindja deri në perëndim të diellit dhe nga mbrëmja deri në agim.

Ata që orvaten të reformojnë botën, duhet së pari të reformojnë vetveten. Në përpjekjet për të bindur të tjerët që t'i ndjekin në udhën për një botë më të mirë, ata duhet të largojnë nga bota e tyre e brendshme urrejtjen, smirën, xhelozinë dhe të hijeshojnë botën jashtë tyre me të gjitha virtytet dhe cilësitë. Shfaqja e atyre që janë larg nga vetëpërmbajtja dhe vetëdisiplinimi, që kanë dështuar në pastrimin e ndjenjave të tyre, mund të duket joshëse dhe me një përmbajtje të thellë në fillim, por ata nuk do të jenë në gjendje t'i frymëzojnë të tjerët ose, nëse munden në të vërtetë, sentimentet që ata zgjuan, do të shuhen shumë shpejt.

Mirësia, bukuria, çiltërsia dhe ndershmëria janë ngulitur në esencën e botës. Çfarëdo që të ndodhë, bota do ta gjejë një ditë këtë esencë dhe asnjë nuk është në gjendje ta ndalojë këtë gjë.

Ata që përpiqen të ndriçojnë të tjerët, që kërkojnë lumturinë për ta dhe që u shtrijnë dorën për t'i ndihmuar, me cilësitë që kanë shfaqur dhe me shpirtin e ndriçuar, ngjajnë me engjëjt mbrojtës. Ata luftojnë me rrënimin që ka pësuar shoqëria, i qëndrojnë pa lëkundur "shtrëngatës," shpejtojnë të shuajnë "zjarrin," dhe janë vigjilentë për çdo tronditje të mundshme.

Adhurues të dashurisë

Bediuzzamani ka thënë: "Ne jemi adhurues të dashurisë, ne nuk kemi kohë për armiqësi." Ky është një parim shumë i rëndësishëm për ne. Ndonëse nuk është e mjaftueshme vetëm ta themi këtë, por më e rëndësishme është që ne ta tregojmë këtë. Eshtë një fakt i vërtetë që shumë thonë fjalë të bukura për dashurinë për njerëzimin dhe natyrisht që këto janë fjalë të këndshme për këdo. Por unë dua të di se sa prej këtyre që flasin fjalë të tilla janë në gjendje t'i vënë në zbatim dhe t'i shfaqin në vetvete, në cilësitë e tyre, gjithçka ata kanë shprehur? Unë mendoj se duhet të jetë e vështirë të gjesh një përgjigje të kënaqshme për këtë pyetje.

Predikimi i tij nxjerr në pah një nga virtytet më të çmuara të Profetit tonë. Gjithçka që ai thoshte dhe shprehte, e kishte zbatuar në jetën e tij. Fjalët që nuk vihen në jetë, pa pyetur se sa të bukura dhe të përsosura mund të jenë, janë të dënuara ta humbin vlerën e tyre dhe rëndësinë që ato kanë për kohën. Ndikimi që mund të ketë ushtruar predikimi i Bediuzzamanit tek zemrat e fjetura, i ka bërë ata të kuptojnë se jo vetëm fjalët njerëzore, por edhe mesazhet hyjnore mund të bëhen të tilla nëse nuk zbatohen në praktikë. Vetëm Kur'ani nuk ka ndryshuar dhe ka ruajtur të njëjtin shkëlqim dhe origjinalitet si në momentin e parë kur është reveluar. Ai është libri më i shenjtë dhe më i famshëm, por ka qenë nëpërkëmbur nga krijesa që nuk shohin qartë përmes atmosferës së mjegulluar nga përfytyrimi i lëkundur dhe i boshatisur, dhe për pasojë është subjekt i akuzave të thëna përçart dhe me tërbim për dobësitë dhe mungesat që në të vërtetë nuk janë karakteristikë e Kur'anit, por më drejtë u atribuohen shoqërive që kanë dështuar ta vënë atë në jetë. Feja dhe Kur'ani duhet të jenë vital për jetën dhe vetëm një studim dhe kuptim i thellë i tyre mund të na bëjë që të qëndrojmë dinamikë. Kur'ani duhet të jetë analizuar në imtësi që ne të mund t'i zbatojmë të gjitha detyrimet që janë shfaqur aty. Më shkurt, ajo që unë dua të them këtu është kjo: nuk është e mjaftueshme që ju të deklaroni se jeni adhurues të dashurisë dhe përfaqësues të paqes. Aty gjenden disa pengesa të cilat duhet të jenë kapërcyer. Thelbi i çështjes është që fjalët e shprehura bukur t'i vëmë në jetë.

Dashuria dhe mëshira janë në mes të parimeve më të rëndësishme të Islamit. Ne duhet që këto t'ia bëjmë të njohura të gjithë botës. Ndonëse disa ngjarje negative të shkëputura që kanë ndodhur së fundi, i kanë bërë njerëzit të mendojnë se ka një ndryshim mes Islamit teorik dhe Islamit që shfaqet në të vërtetë. Sigurisht, do të jetë plotësisht e gabuar nëse ia atribuojmë Islamit gabimet që kanë bërë disa njerëz. Eshtë e vërtetë që një ndryshim serioz ka ndodhur në një vend fqinj, i cili veçanërisht i ka shkaktuar dëme botës islame, ndonëse shumë nga problemet mund të kishin gjetur zgjidhje me harmoni mes palëve. Kjo nuk do të thotë që divergjencat nuk ekzistojnë më, sepse ato nuk mund të tejkalohen vetëm me slogane. Për më tepër, ky nuk është i vetmi vend që ka dhënë një imazh të gabuar të Islamit në botë. Gjenden dhe shumë vende dhe udhëheqës të tjerë në botë që vazhdimisht e dëmtojnë imazhin e Islamit përmes qëndrimit dhe sjelljes së tyre, që natyrisht është në kundërshtim të hapur me Kur'anin që sjell gjithmonë mirësi. Prandaj ne duhet të jemi plotësisht të vendosur në rrugën e tij dhe ta zbatojmë atë në çdo hap që bëjmë. Bota jonë e brendshme duhet të jetë e përmbytur nga dashuria dhe mëshira për njerëzimin, në zemrat tona nuk duhet të ketë vend për armiqësi. Dhe, padyshim, dashuria dhe dialogu do të lulëzojnë në shekullin e ri. Antagonizmi do të jetë çrrënjosur dhe toleranca do të jetë përhapur kudo. Kjo nuk është mundësi e largët, veçanërisht në një kohë kur bota është duke përjetuar globalizmin. Me gatishmërinë e Zotit, kur të vijë koha, i shenjti do ta realizojë këtë mision.

Njeriu i dashurisë

Njerëzit e zemrës, si Xhelaleddin Rumi, Junus Emre, Ahmet Jesevi dhe Bediuzzaman Said Nursi, ishin dhënë pas Zotit shumë më tepër se ne dhe gabueshmëria e tyre ishte shumë më e vogël se e jona. Për këtë arsye, ata u përpoqën tej mase për dashurinë, mëshirën dhe tolerancën, duke ndikuar fuqishëm tek njerëzit përreth tyre për këtë çështje. Por, nëse ne i vlerësojmë për kohën në të cilën jetuan, asnjëri nga ata nuk e shihte nivelin në të cilin e kanë çuar sot dialogun dhe tolerancën besimtarët si rezultat i përpjekjeve të tyre. Në fakt, secili prej tyre është përballur me qëndrime të pahijshme, në krahasim me vuajtjet e tyre, sjelljet me të cilat ne përballemi janë pothuajse asgjë. Bediuzzamani tregon për vuajtjet e tij:

Mos vallë ata mendojnë se unë jam një egoist që mendon vetëm për vete? Me qëllim që të shpëtoj besimin e bashkësisë, unë kam sakrifikuar jetën time dhe nuk kam pasur kohë të mendoj për jetën time pas vdekjes. Gjatë tetëdhjetë viteve të jetës time, unë nuk kam shijuar kënaqësi tokësore, por e kam kaluar jetën në fushat e betejës ose i burgosur nga gjykatat e këtij vendi. Ata më kanë trajtuar si një kriminel duke më syrgjynosur nga një qytet në tjetrin dhe duke më mbikëqyrur vazhdimisht. Më kanë përsekutuar në çdo formë dhe nuk kanë lënë torturë pa provuar. Por nëse jam në gjendje ta shoh besimin e bashkësisë sime të siguruar, unë nuk mund të përkujdesem për çdo krijesë që digjet në zjarrin e ferrit. Për trupin tim po digjet zemra ime që do të lulëzojë si një trëndafilishte. (Bediuzzaman Said Nursi, Tarihçe-i Hayat)

Me gjithë këto vështirësi, asnjëri nga këta banorë të dashurisë nuk arriti të shihte shkallën në të cilën ishin pranuar përpjekjet e tyre që janë marrë nga përfaqësuesit e sotshëm të dialogut dhe tolerancës. Mesazhet e tyre nuk kanë të njëjtin ndikim që kanë mesazhet e heronjve të tolerancës të ditëve tona. Unë mendoj se nëse ata do të jetonin në këtë shekull dhe do të shihnin tendencën e sotshme për dialog dhe tolerancë, do të shtronin pyetjen, "Si është e mundur që ju jeni të suksesshëm në dialog me mbarë botën? Cili është sekreti juaj?"

Një dallim i tillë nuk është i destinuar për këta korifej sepse kushtet e tyre nuk ishin të përshtatshme. Me qëllim që ky dallim të mos ekzistojë, është e nevojshme të vazhdojmë në këtë rrugë. Dje një njeri mjaft i njohur më tha mua: "Disa qarqe që deri dje kanë qenë kundërshtarë të betuar të besimtarëve, sot po i miratojnë dhe po i mbështesin fuqishëm ata." Në të vërtetë, janë të gjithë treguesit e ndjenjës së mirëseardhjes për këta adhurues të dashurisë që Zoti ka shtënë në zemrat e njerëzve të tjerë. Ta injorosh këtë, do të thotë të jesh mosmirënjohës dhe, duke dëshmuar këtë, pra të mos shprehësh falenderimet për të, do të shfaqësh një tjetër dimension të mosbesimit.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.