Materia, Rastesia dhe Pretendimet e Vetekrijimit

Në themel të evolucionit qëndron pretendimi se qenia ekziston vetvetiu dhe e varur nga rastësitë.

Ati i evolucionizmit para Darvinit, Lamarku, e konsideronte evolucionin si një mundësi të dhënë nga Zoti materies dhe natyrës. Ai ishte evolucionist që pranonte gjenezën hyjnore të materies. Në kundërshtim me të, Darvini e mbështet ekzistencën e materies në vetë aftësinë e saj për të ekzistuar dhe zhvilluar. Ata që erdhën pas Darvinit, ranë plotësisht në materializëm dhe mohim dhe zgjodhën rrugën për ta përdorur evolucionin si mbështetje për mohimin e Zotit.

Ata që i dalin sot për zot darvinizmit, janë bota materialiste që mbahen pas tij në emër të mohimit. Këta besojnë në eternitetin e materies, pra, në pafillimshmërinë dhe pafundshmërinë e materies.[1]

Duhet theksuar qysh në fillim që evolucionistët, dashje pa dashje, përfytyrojnë një hapësirë të pafundme, sepse t'i japësh eternitet materies dhe ta vendosësh evolucionin, brenda këtij eterniteti, në një kohë me fillim të papërcaktuar, do të thotë t'i japësh hapësirës pafundësi meqë koha dhe hapësira nuk mund të mendohen veç e veç. Koha ka një ekzistencë nominale (konvencionale); është hapësira që e bën atë një dimension të materies dhe dukurive. Nuk mund t'i jepet ekzistencë kohës në mungesë të hapësirës. Ndërkaq, hapësira përbëhet prej botës së atomeve, botës së lëndës. Për rrjedhojë, po qe se vërtetohet se lënda nuk është eternale (e pafillim dhe e pafund), do të dalë në shesh se edhe hapësira dhe koha nuk janë eternalë dhe do të kuptohet vetvetiu se një gjë që s'është eternale nuk mund të jetë krijuese dhe e vetëkrijuar.

Ligji II i termodinamikës i njohur, tashmë, nga shumica, e hedh poshtë eternitetin e lëndës dhe materies. Ligji I i termodinamikës është ligji i ruajtjes së energjisë, kurse Ligji II është ligji i njohur Carnot.[2] Sipas tij, nxehtësia e qendrave të nxehtësisë, duke u përhapur e përhapur pa pushim, një ditë do të konsumohet dhe niveli i energjisë në gjithësi do të barazohet, do të bëhet i njëllojtë kudo. Edhe nëse kjo nuk do të thotë asgjësim i energjisë, do të thotë asgjësim i diferencës plus-minus dhe vdekje. Carnot e parashtroi këtë ligj duke u mbështetur në vëzhgimet në shtëpinë e vet mbi shpërndarjen e energjisë nga soba dhe uji i zjerë. Pastaj vëzhgimet e tij u zhvilluan më tej nga shkencëtarët, u përgjithësuan në një ligj i cili mësohet sot nëpër shkolla.

Sot është e pamundur të thuhet ndonjë gjë e prerë mbi ndikimin e përgjithshëm të termodinamikës mbi gjithësinë. Megjithëkëtë, mund të thuhet se gjithësia s'është një e tërë, por e përbërë prej pjesësh (copash), ndërkaq që konkluzioni mbi një copë është i vlefshëm edhe mbi të tërën. Vëzhgimet e kësaj fushe tregojnë se po të mos shpërthejë më parë një katastrofë e përgjithshme për ndonjë shkak tjetër, katastrofa termodinamike është absolutisht e pashmangshme, domethënë, energjia në gjithësi do të konsumohet dhe sistemi do të shembet. Këtu mund të pyetet mbi marrëdhënien e katastrofës termodinamike me joeternitetin e lëndës dhe materies ose ç'dëm do të pësojnë koha dhe hapësira që pretendohet se janë eternale.

Le ta bëjmë të qartë në fillim se ata që i japin materies eternitet, duket sikur nuk e dinë se ç'do të thotë eternitet. Sikur të gjitha kokrrat e rërës që ekzistojnë mbi tokë t'i bëni zero dhe në krye të vargut me zero që do të formohet, të vendosni një njësh, shifra e frikshme që ka për të dalë, në raport me eternitetin do të ketë vlerën zero. Po si kjo, përballë eternitetit, numri më i madh që do të mund të mendonte, konceptonte dhe prodhonte mendja e njeriut, do të ishte përsëri zero! Sepse eternal do të thotë i pafund. Gjëja e pafund:

1) Nuk mund të jetë e përbërë, nuk mund të hyjë në sintezë. Ajo është e thjeshtë dhe e pandashme (e pacopëtueshme).

2) Nuk ndryshon kurrë dhe mbi të nuk mund të veprohet.

3) Ndodhet e pavarur nga koha dhe hapësira, pra, jashtë lëvizjes së varur nga koha dhe hapësira.

4) Eshtë absolutisht e pafundme sepse është absolutisht jashtë kohës.

Nga ky këndvështrim, meqë pafillim dhe pafundësi do të thotë pakohësi, pafillimi dhe pafundësia takohen në një pikë. Asnjë prej këtyre veçorive nuk ndodhen te materia. Materia është e ndryshueshme; siç e ka treguar edhe ligji i termodinamikës, materia nuk mund të mendohet veç energjisë e cila një ditë ka për ta humbur krejtësisht ndikimin e vet. Veçanërisht, materia është e hapur ndaj çdo lloj sinteze. Ndërkaq, materia është e varur nga koha dhe hapësira. Apologjetistët islamë thonë, duke e pasur fjalën për Zotin, "ma thebete kidemuhu imtenea ademuhu" (po qe se një gjë është në mënyrë evidente e pafillimtë, asgjësimi i saj është i pamundur). Me këtë, ata tregojnë se materia kurrë nuk mund të bëhet burim ekzistence dhe pohojnë veçoritë individuale të Individualitetit te i cili mund të mbështetet materia.

Hapësira përbëhet, në përmasa të vogla, prej atomeve, kurse në përmasa të mëdha, prej diejve. Në diellin tonë që është vetëm njëri prej këtyre diejve, shndërrohen 564 ton hidrogjen në helium në sekondë dhe, si rezultat i këtij shndërrimi, përreth përhapet një energji prej miliona kalorish në formë nxehtësie dhe drite. Një pjesë e kësaj energjie që shpërndahet në tërë sistemin diellor, vjen edhe në globin tonë tokësor. Gjithësia përbëhet prej diejsh të tillë. Dielli ynë një ditë do të arrijë pikën e konsumimit dhe atëherë do të ndodhë një katastrofë planetare.

Meqë gjithësia përbëhet prej këtyre diejve që janë si gurë themeli për të, nuk mund të mendohet që këta diej, energjia e të cilëve shkon drejt konsumimit, të jenë eternalë, sepse, siç u tha edhe më lart, gjëja eternale (e pafundme) nuk mund të jetë e përbërë, nuk varet nga koha dhe hapësira, nuk konsumohet, nuk pëson as ndryshimin më të vogël. Kurse ne shohim se materia dhe bota materiale janë në ndryshim të vazhdueshëm, se kalojnë nga një gjendje në një tjetër, shpërbëhen (analizohen) dhe përbëhen (sintetizohen) ose bëhen orbitë. Në këto kushte, materia ka edhe fillim, edhe fund dhe është e kufizuar nga koha dhe hapësira. Çdo pretendim jashtë kësaj është i detyruar të mbetet një hipotezë pa asnjë pjesë të vërtete. Vetë Darvini, duke e shprehur dobësinë e vet në lidhje me këtë çështje, thotë: "Në fakt, meqë nuk u ndodha në periudhën kur kanë jetuar këto qenie, jam i detyruar ta përforcoj çështjen me një sërë hipotezash!"

Sado që të mbështetet në një sërë dijesh paraprake, në themel, hipoteza përbëhet prej pikëpamjesh dhe pretendimesh të paprovuara. Po qe se Darvini ka hedhur në shesh një hipotezë, edhe unë hedh në shesh hipotezën time dhe them se, me një lëvizje të tokës, njeriu u hodh 10 mijë metra përpjetë dhe s'i ndodhi asgjë. Edhe kjo është një hipotezë. Ndërkaq, po qe se ju më dilni kundër duke thënë se njeriu i ngjitur në lartësinë 10 mijë metra vdes në çast nga mungesa e oksigjenit, unë e mbështes këtë hipotezë me një hipotezë tjetër dhe them se "ju flisni sipas kushteve të sotme, kurse kushtet tokësore në një periudhë tjetër kanë qenë të ndryshme". Po qe se hipoteza ime nuk është shkencore por vetëm një pretendim, edhe pretendimet e Darvinit dhe darvinistëve nuk kanë ndonjë ndryshim! Pretendimi evolucionist s'është gjë tjetër veçse një hipotezë që e përgënjeshtrojnë të gjitha ligjet vepruese në gjithësi e në jetën e gjallë, që i mbush boshllëqet që i shfaqen, me hipoteza të tjera.


[1] Pikëpamja themelore materialiste mbi ekzistencën është se ekzistenca e materies nuk ka as fillim, as fund. Materia ka ekzistuar dhe do të ekzistojë pafundësisht duke kaluar nga një formë në një tjetër përmes shndërrimeve gjithashtu të pafundme.
[2] Nicolas Leonhard Sadi (1796-1832). Fizikan dhe inxhinier francez, themelues i termodinamikës.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.