Myslimanët e vërtetë nuk mund të jenë terroristë

Islam, në kuptimin e mirëfilltë, do të thotë "nënshtrim." Islami është feja e kënaqësisë, sigurisë dhe paqes. Këto principe janë aq të zakonshme në jetën e myslimanëve, saqë kur ata fillojnë namazin, shkëpusin të gjitha lidhjet me botën, përkulen dhe shtrihen para Zotit dhe atëherë qëndrojnë me duart e tyre shtrënguar në respekt. Kur ata lënë lutjen, është sikur kanë filluar një jetë të re. Ata e përfundojnë lutjen duke përshëndetur të tjerët në të djathtë dhe në të majtë të tyre dhe duke u uruar atyre shëndet, siguri dhe paqe, pastaj ngrihen, shkojnë dhe bashkohen me njerëzit e tjerë.

Përshëndetja e të tjerëve dhe urimi i tyre për paqe janë konsideruar ndër aktet më të pëlqyeshme që mund të kryen në Islam. Në të vërtetë, kur Profeti Muhamed, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, ishte pyetur, "Çfarë është veprimi më i pëlqyeshëm në Islam?" ai përgjigjej: "Dhënia e ushqimit për të tjerët dhe përshëndetja e të gjithë atyre që njihni dhe nuk njihni." [38]

Akuzat për Terrorizëm

Është e turpshme që Islami, i cili është bazuar në këto parime, është parë nga të tjerët si i njëjtë me terrorizmin. Ky është një gabim i madh historik, sepse, siç treguam më sipër, nëse një sistem i bazuar në paqen dhe sigurinë njësohet me terrorizmin, kjo tregon vetëm që njerëzit akuzojnë pa e njohur thelbin e Islamit dhe janë të paaftë për ta zotëruar atë në shpirtrat e tyre. Islami duhet kërkuar përmes burimeve të tij dhe përfaqësuesve të vërtetë përgjatë historisë dhe jo nëpërmjet veprimeve të një minoriteti të vogël që e shtrembëron atë. E vërteta është që në Islam nuk ka fanatizëm apo detyrim. Islami është plotësisht një fe e mirëkuptimit dhe e tolerancës. Mbështetës të tillë të dashurisë dhe tolerancës siç janë Mevlana Xhelaledin Rumiu, Junus Emre, Ahmed Jesevi, Bediuzzamani dhe shumë figura të tjera, e kanë shfaqur këtë aspekt të Islamit në formën më të admirueshme dhe kanë mbetur në histori si shembuj të këtij afeksioni dhe tolerance.

Xhihadi në Islam

Xhihadi është një element i Islamit bazuar në principe të përcaktuara specifike që synon kapërcimin e të gjitha pengesave për të mbrojtur dhe lartësuar emrin e Zotit. Ne mund të citojmë shumë shembuj përgjatë historisë në lidhje me këtë çështje. Si një komb, ne bëmë një mbrojtje të sigurt në shumë fronte të tilla si në Çanakkale (Dardanele) dhe Trabllusgarp. Ne nuk mund t'u thonim armiqve tanë që vinin për të pushtuar vendin tonë, "Ju keni ardhur për të na civilizuar. Kjo është diçka e mirë për ju. Mirë se erdhët! Shikoni, ju keni sjellë ushtarë!" Por gjithmonë luftohet në beteja, të cilat janë një realitet i pashmangshëm i njerëzimit. Ndonëse ajetet e Kuranit shpallur Muhamedit, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, në lidhje me kushtet specifike të xhihadit janë keqinterpretuar nga të tjerët si qëllim madhor i Islamit, në thelb, këta njerëz që kanë dështuar për të depërtuar në frymën e vërtetë të Islamit, janë të paaftë për të vendosur një balancë midis çështjeve kryesore dhe anësore dhe kjo lidhet me faktin që ata janë rrënuar nga urrejtja që i ka çuar në keqinterpretimin e Islamit, ndërsa zemra e bashkësisë të vërtetë islame është e mbushur me dashuri dhe mëshirë për të gjithë krijesat. Një poet shkruante: Muhamedi ishte pretekst për mëshirë; pa Muhamedin a mund të kishte mëshirë?

Dashuria Lidhet me Ekzistencën

Profeti Muhamed, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, është një njeri i mëshirës. Ai është gjithashtu i njohur si "habibullah," që vjen nga fjala "habib," kuptimi i së cilës është "ai që e do Zotin dhe është i dashur prej Zotit." Mistikët e tillë si Imam Rabbani, Mevlana Halid dhe Shah Velijullahu, deklaronin që shkalla më e lartë është dashuria.

Zoti e krijoi të tërë krijimin plotësisht me dashuri dhe Islami e ka qëndisur me delikatesë punën me ndjenjën për këtë dashuri. Me fjalët e një mistiku tjetër të madh, dashuria është shkaku i ekzistencës së krijimit. Sigurisht që, megjithëkëtë, ne nuk mund të mohojmë që Islami ka një element dhune në emër të parandalimit. Ndonëse disa njerëz i kanë konsideruar këto elementë, që duhet të jenë dytësore, si gjithçka që e përbën Islamin, Islami është paqësor. Një herë, një miku im që kishte të njëjtat mendime, më tha, "Ju flisni me gjithsecilin pa imponuar ndonjë kufizim. Ky është një largim i tensionit që ne kemi, meqë kemi mësuar që në përputhje me Islamin, duhet të shfaqim armiqësinë tonë për ca njerëz në emër të Zotit." Në të vërtetë, ky mendim buron nga interpretimi i gabuar i kësaj ideje. Sipas Islamit, gjithçka është krijuar për të qenë e dashur në emër të Zotit. Çfarë është për t'u urryer dhe për çfarë ne mund të tregohemi armiqësorë, janë mendimet, ndjenjat e ndyra dhe të pamoralshme dhe blasfemia. Zoti e krijoi njeriun si qenie të nderuar (17:70) dhe mund të thuhet që gjithsecili është i bekuar me këto cilësi në shkallë të ndryshme. Ndërsa kalonte funerali i një çifuti, Profeti i Zotit ndaloi për të treguar respektin e tij. Kur ia kujtuan se njeriu që po varrosej ishte një çifut, ai u përgjigj: "Megjithatë, ai është njeri!" Ai demonstronte vlerat që Islami i dha njerëzimit!

Po, ky ishte tregues i respektit të Profetit tonë për njerëzit. Arsyet që disa myslimanë apo institucione islame që e kuptojnë gabim Islamin, janë përfshirë në sulme terroriste anembanë botës, duhet të kërkohen jo në Islam, por brenda vetë njerëzve, në keqinterpretimin e tyre dhe në faktorë të tjerë. Ashtu siç Islami nuk është një fe e terrorizmit, çdo mysliman që e kupton drejt atë, nuk mund të mendohet si terrorist.

Edhe nëse këto janë natyrisht përjashtime, interpretimet e Islamit nga dijetarët turq janë tolerante. Nëse ne mund ta përhapim kuptimin e Islamit të mbajtur nga shtyllat e mëshirës si Rumiu dhe Junus Emre anembanë botës, dhe nëse ne mund ta sjellim mesazhin e tyre të dashurisë, dialogut dhe tolerancës për njerëzit që janë të uritur për këtë mesazh, atëherë njerëzit nga e gjithë bota do të vijnë duke vrapuar në armatën e kësaj dashurie, paqeje dhe tolerance që ne përfaqësojmë.

Toleranca e Islamit është aq e gjerë, saqë Profeti, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, i ndalonte veçanërisht njerëzit që të flisnin për gjërat që mund të ishin fyese. Pavarësisht nga përpjekjet vetësakrifikuese të Profetit Muhamed, Ebu Xhehli nuk arriti të bëhej mysliman dhe vdiq i përbuzur. Prej këtej, emri Xhehl nënkuptohet si injorant. Ky njeri injorant dhe i vrazhdë e kaloi të gjithë jetën e tij si një armik i Profetit dhe sjellja e tij bëhet natyrë e dytë për myslimanët. Pak pas pushtimit të Mekës, djali mysliman i Ebu Xhehlit, Ikrime, filloi të fliste në një kuvend kundër babait të tij dhe për këtë u qortua rëndë nga Profeti.

Respekti për Njerëzit

Në një tjetër hadith të Profetit, ai deklaronte që është një mëkat i madh që njeriu të shajë prindërit e tij. Sahabet e pyetën atë se çdo të thoshte të shajë njeriu prindërit e tij. Profeti u përgjigj që, nëse dikush shan prindërit e një tjetri, atëherë ai person do të merrte hak në të njëjtën mënyrë, për pasojë, ky dikushi po shante prindërit e vet!

Ndërsa Profeti gjithmonë shfaqte respekt për të tjerët, fakti që sot njerëzit i referohen Islamit kur sulmojnë të tjerët, do të thotë që ata nuk e kanë kuptuar Profetin e tyre. Nuk ka asnjë hapësirë për urrejtje ose armiqësi si në Islam, ashtu edhe në botën universale të përfaqësuesit të tij Muhamed, paqja dhe mëshira qofshin mbi të!

Shërbëtorë të Zotit

Kur ne lexojmë Kuranin, shohim që është bazuar plotësisht në mirëkuptimin dhe tolerancën. Në suren "Al Imran" në Kuran lexojmë:

“Ata që japin lëmoshë kur janë në kamje dhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” (3:134)

Le ta shpjegojmë më tutje. Ju mund të përfshiheni në një incident dhe për pasojë do t'ju vlojë gjaku. Për shembull, njerëzit mund t'ju mallkojnë dhe fyejnë. Por ju duhet të tregoheni sa më shumë të jetë e mundur indiferentë dhe të mos reagoni. Kurani përshkruan se si duhet të sillen njerëzit me moral të shëndoshë edhe në momentet kur zemërimi është i papërmbajtshëm: " Ata janë të tillë njerëz zemërgjerë që kur janë përballur me situata që do t'i marrosnin, gëlltisin zemërimin e tyre si të ishte një gjemb dhe mbyllin sytë për dobësitë e të tjerëve." Fjalët arabisht nga ky pasazh kanë shumë domethënie. "Kadhm" do të thotë gëlltisni çfarë nuk mund të jetë e gëlltitshme, ndërsa Kadhim nënkupton dikë që kapërdin zemërimin e tij. Në një tjetër pasazh, Zoti u tregon ndjekësve të tij:

(Robtë e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë së keqes, kalojnë me dinjitet.” (Kuran, 25:72)

Modeli Islam

Kur ne vështrojmë jetën e lartësuar të Profetit, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, ne shohim që ai praktikonte gjithçka predikohej në Kuran. Për shembull, dikush vinte dhe pranonte shkeljen e kurorës bashkëshortore duke kërkuar të pastrohej nga mëkatet e tij, cilido që të ishte ndëshkimi, Profeti i thoshte atij: "Shko në shtëpi dhe pendohu. Nuk ka mëkat që Zoti nuk e fal." Një tjetër hadith, tregon se si një person akuzoi një tjetër për vjedhje. Vetëm kur po afrohej momenti për të dhënë ndëshkimin, njeriu ndërroi mendje dhe e fali vjedhësin, vendim për të cilin Profeti i tha: "Pse nuk e fale atë që në fillim?"

Prandaj, kur gjithë këta shembuj janë parë në imtësi nga burimet e tyre, mund të shihet që metoda e adoptuar nga ata që i trajtojnë të tjerët me urrejtje dhe armiqësi, që u kundërvihen myslimanëve, çifutëve dhe krishterëve pavarësisht se kush janë, që janë mbrujtur me zemërim dhe përbaltin të tjerët duke i cilësuar "të pafé", nuk është aspak në përputhje me Islamin. Siç u tregua më sipër, Islami është një fe e dashurisë dhe e tolerancës. Myslimanët janë përfaqësuesit e dashurisë dhe mëshirës, njerëz që u shmangen të gjitha akteve terroriste dhe që kanë pastruar trupat e tyre nga të gjitha format e urrejtjes dhe armiqësisë.

GYLENI SI EDUKATOR DHE MËSUES FETAR [39]

Thomas Michel

Unë kam ardhur për të njohur së pari institucionet edukative të drejtuara nga pjesëmarrësit e lëvizjes së udhëhequr nga Fethullah Gylen. Kjo më ka shtyrë të studioj shkrimet e tij për të zbuluar racionalitetin që shtrihet pas iniciativës edukative që rrjedh nga vizioni edukativ i Fethullah Gylenit dhe kolegëve të tij.

Fillimisht, është e nevojshme të saktësohet lidhja e z. Gylen me shkollat që shpesh, në mënyrë të pakontrolluar, cilësohen "shkollat e Gylenit" ose "shkollat e lëvizjes së Gylenit." Z. Gylen para së gjithash e përshkruan veten si një edukator. Ndërkaq, ai është i kujdesshëm të bëjë dallimin mes edukimit dhe mësimdhënies. "Shumë njerëz mund të jenë mësues," deklaron ai, "por numri i edukatorëve është shumë i kufizuar." [40]

Ai përpiqet gjithashtu që të jetë i qartë lidhur me faktin që nuk ka shkolla në pronësi të tij. "Unë jam lodhur duke thënë që nuk kam ndonjë shkollë," pohon ai, paksa i pezmatuar. [41] Shkollat janë krijuar nga marrëveshje reciproke midis vendeve në të cilat ato janë hapur, dhe nga kompani edukative të themeluara për këtë qëllim. Çdo shkollë është një institucion i pavarur, por shumë prej tyre mbështeten në shërbimet e kompanive turke për të siguruar subvencionet edukative dhe burimet njerëzore.

Takimi im i parë me një nga këto shkolla daton në vitin 1995 në Zamboanga, ishulli Min-danao në jug të Filipineve, kur unë mësova që ishte një shkollë "turke" disa kilometra jashtë qytetit. Ajo që të bën më shumë përshtypje sapo vështron shkollën, është një tabelë e madhe në hyrje të saj: "Shkolla Filipino-Turke e Tolerancës." Kjo është një thënie e habitshme në Zambo-anga, një qytet ku 50% e përbëjnë krishterët dhe 50% myslimanët, dhe që bën pjesë në një rajon ku për 20 vjet, lëvizjet e ndryshme separatiste Moro (myslimane) luftojnë kundër forcat militare qeveritare filipinase. Shkolla është duke u ofruar fëmijëve filipinas myslimanë dhe të krishterë standarde edukative të një niveli të lartë dhe një rrugë më pozitive për të jetuar dhe bashkëpunuar me njëri-tjetrin në një rajon ku rrëmbimi i personit dhe marrja peng është diçka e zakonshme së bashku me luftën civile, grabitjet, arrestimet, zhdukjet dhe vrasjet nga forcat militare dhe paramilitare. Kolegët e mi jezuitë dhe profesorët e Ateneo de Zamboanga konfirmojnë që, nga hapja e saj, “Shkolla Filipino-Turke e Tolerancës” i ka mbajtur në një nivel të lartë kontaktet dhe kooperimin me institucionet e krishtera të rajonit.

Që atëherë, unë kam patur rastin të vizitoj edhe shkolla të tjera dhe të diskutoj politikën edukative me stafin mësimor dhe administrues. Vështirësia ose cilësia e lartë e programeve të tyre arsimore në shkenca, informatikë dhe gjuhë, është tregues i suksesit të përsëritur në olimpiadat akademike. Në një shkollë të mesme në Bishkek, unë iu drejtova një grupi fëmijësh kirgizistanas të klasës së shtatë për rreth gjysmë ore. Në fund të fjalës time, mësuesit u kërkuan fëmijëve të identifikonin ato elementë të shqiptimit dhe fjalorit që tregonin se u flisja më shumë në dialektin amerikan se në atë anglez të anglishtes, dhe për habinë time, ata nuk e patën të vështirë ta bënin një gjë të tillë.

Unë kam kërkuar të gjej një përmbajtje më islame në programin shkollor dhe mjedisin fizik, por kjo nuk ishte e vërtetë. Kur unë pyeta rreth mungesës së habitshme që për mua do të jetë një pjesë e kuptueshme e një projekti edukativ të frymëzuar nga ndjenjat fetare, m’u shpjegua se për shkak të natyrës pluraliste të trupës studentore – krishterë dhe myslimanë në Zamboanga dhe, budist dhe hindu në Kirgistan – çfarë ata kërkonin të transmetonin ishin vlerat universale të tilla si nderi, puna e ndershme, harmonia dhe shërbimi i ndërgjegjshëm më shumë se një shkollim konfensional.

Këto takime rastësore më bënë të studioj shkrimet e Fethullah Gylenit për të vërtetuar principet edukative dhe motivimin ku mbështeteshin shkollat dhe për të gjetur metodat e Gylenit që e kanë bërë atë një edukator të aftë për të inspiruar të tjerët me vizionin e tij.

Vizioni Edukativ i Fethullah Gylenit

Në dekadat pas krijimit të Republikës Turke, shumë myslimanë turq kanë kritikuar programin "e modernizuar" të ndërmarrë nga qeveritë për adoptimin qorrazi të anëve më pozitive dhe negative të qytetërimit europian. Ata e kanë parë laicizmin jo thjesht si një produkt të paqëllimshëm të procesit laicist, por më shumë si një rezultat të vetëdijshëm të një tendencioziteti antifetar. Prezumimin e heshtur që qëndron në themel të reformave modernizuese, ata e shohin si një bindje ideologjike sipas së cilës feja është një pengesë për progres dhe duhet të lihet jashtë sferës publike të shoqërisë, ekonomisë dhe politikës, nëse një komb është duke ecur përpara. Linjat e betejës së filluar përgjatë dekadave pas krijimit të republikës dhe të përforcuara reciprokisht nga sistemet konkurruese të edukimit, e kanë bërë debatin midis fesë dhe laicizmit një terren ku çdo studiues dhe mendimtar pritet të deklarojë besnikërinë e tij.

Në opinionin tim, një prej arsyeve që Fethullah Gylen ka qenë shpesh i sulmuar në Turqi nga të "djathtët" dhe të "majtët", nga "laicistët" dhe "fetarët", është pikërisht fakti që ai ka refuzuar të përfshihet në një çështje të cilën ai e vlerëson si një rrugë pa krye. Në vend të saj ai propozon një rrugë në të cilën ne shpresojmë të lëmë pas debatet e shkuara. Zgjidhja e Gylenit nuk synon të afirmojë qëllimin e paramenduar të modernizimit të shpallur nga Republika Turke, por të tregojë që një proces modernizues efektiv i vërtetë duhet të përfshijë përparimin e tërë njerëzve. Në fushën edukative ai duhet të ketë prioritetin kryesor në rrymat e shumta ekzistuese të edukimit dhe t'i ndërtojë ato me një formë të re edukative që do t'u japë përgjigje kërkesave të ndryshme të botës së sotme.

Kjo është shumë ndryshe nga projektet reaksionare që kërkojnë të rigjallërojnë ose të kthejnë të kaluarën. Duke mohuar që edukimi i ofruar në shkollat që lidhen me emrin e tij është një përpjekje për të kthyer sistemin otoman ose për të rivendosur kalifatin, Gyleni vazhdimisht afirmon: "Nëse nuk përshtatemi me kushtet e reja, rezultati do të jetë zhdukja." [42]

Pavarësisht nga nevoja e modernizimit, ai megjithatë vlerëson rreziqet që përfshihen në çdo prishje radikale me të kaluarën. Të shkëputur nga vlerat tradicionale, të rinjtë janë në rrezikun e të qenit të edukuar me antivlerat që gjenden pas çdo arritjeje materiale. Vlerat jomateriale të tilla si, thellësia e ideve dhe e ndjenjave, qartësia e mendimit, ngritja kulturore ose interesi për spiritualitetin, kanë tendencën që të injorohen në iniciativat edukative moderne të cilat janë përgjithësisht të fokusuara në prodhimin në seri të funksionarëve për një sistem tregu global. [43]

Studentët e tillë mund të jenë përgatitur mjaftueshëm për të gjetur punë, por ata nuk kanë formimin e brendshëm të nevojshëm për të arritur lirinë e vërtetë njerëzore. Drejtuesit e fushave ekonomike dhe politike shpesh favorizojnë dhe nxisin arsimin e përqendruar tek profesioni dhe të mangët nga vlerat, sepse kjo u mundëson atyre që kanë në dorë pushtetin t'i kontrollojnë më lehtë shtresat "e trajnuara, por jo të edukuara". Gylen thotë që “për t'i mbajtur nën kontroll masat, mjafton që t'i privosh ata nga dija. Kësaj tiranie ata mund t'i shpëtojnë vetëm nëpërmjet arsimimit. Rruga drejt drejtësisë sociale është e shtruar me gurët e arsimit dhe edukimit të drejtë e universal, pasi vetëm kjo mund t'u japë njerëzve mirëkuptimin dhe tolerancën e mjaftueshme për t'i respektuar të drejtat e të tjerëve." [44] Pra, sipas Gylenit, mungesa e një arsimi të kompletuar është pengesë jo vetëm ndaj vënies së drejtësisë, por edhe ndaj njohjes së të drejtave të njeriut dhe qëndrimit të hapur e tolerant ndaj të tjerëve. Nëse njerëzit do të edukoheshin në mënyrë që të ishin të aftë për të menduar lirshëm dhe për të përqafuar vlerat e drejtësisë sociale, të drejtat e njeriut dhe tolerancën, ata do të bëheshin pionierët e ndryshimit për t'i vënë në jetë këto qëllime fisnike.

Nëse flitet për realizimin e reformës arsimore, përgatitja e mësuesve është një çështje që nuk mund të lihet mënjanë. Gyleni thotë që "edukimi është tjetër e, mësimdhënia, tjetër. Shumica e njerëzve mund të bëhen mësues, por numri i edukatorëve është tejet i kufizuar." [45] Ndryshimi midis këtyre koncepteve qëndron në atë që edhe mësuesi, edhe edukatori, përcjellin dije dhe mjeshtëri, por, edukatori, është ai i cili ka aftësinë t'i ndihmojë nxënësit e tij në krijimin e personalitetit, të ushqejë mendimin dhe reflektimin tek ai, t'i forcojë karakterin dhe t'i bëjë të mundur atyre të përvetësojnë cilësitë e vetëdisiplinimit, tolerancës dhe ndjenjën e përgjegjësisë. Ata të cilët japin mësim thjesht për të marrë rrogën e pa u interesuar për formimin e karakterit të nxënësit, ai i cilëson si "të verbrit që u prijnë të verbërve."

Mungesa e koordinimit dhe e ndërthurjes midis sistemeve arsimore konkurruese dhe reciprokisht të kundërta, ka çuar në atë që Gyleni e quan "një konflikt i hidhur që nuk duhej të kish ndodhur: shkenca kundër fesë." [46] Ky dyzim që në fakt nuk ekziston dhe i cili gjatë shekujve të 19-të dhe 20-të shtrydhi energjitë e dijetarëve, politikanëve dhe liderëve fetarë nga të dyja palët, rezultoi në një bigëzim të filozofive e metodave arsimore. Arsimtarët modernë sekularistë, në rastin më të mirë, e shohin fenë si një harxhim i panevojshëm kohe dhe, në më të keqin, si pengesë ndaj zhvillimit. Midis dijetarëve fetarë ky debat çoi në refuzimin e modernitetit dhe në konceptimin e fesë "më shumë si një ideologji politike sesa në sensin dhe funksionin e saj të vërtetë." [47] Ai ndjen se vetëm përmes një procesi arsimor, ku studiuesit e fesë të kenë një formim të lartë shkencor dhe shkencëtarët të jenë të hapur ndaj vlerave fetare dhe shpirtërore, është e mundur që "konflikti i gjatë shkencë - fe të marrë fund ose që të kuptohet absurditeti i tij!" [48]

Që kjo të ndodhë, ai mendon se është e domosdoshme një mënyrë e re arsimimi e cila "t'i ndërthurë dijet fetare e shkencore me moralin dhe anën shpirtërore për të nxjerrë në dritë njerëz autentikë e të iluminuar, me emër të ndriçuar nga shkencat fetare e shpirtërore dhe mendjen nga ato pozitive," njerëz të përkushtuar ndaj të jetuarit sipas cilësive humane dhe vlerave morale të cilët gjithashtu janë "në dijeni të kushteve social-ekonomike e politike të kohës." [49]

Në shkrimet e Gylenit shfaqen shumë terma të përsëritura mbi arsimimin të cilat duhet të sqarohen për të mos shkaktuar keqkuptime. E para është ana shpirtërore dhe vlerat shpirtërore. Disa këtë mund ta kuptojnë si një emërtim të koduar për "fenë" të përdorur për t'u dalë para paragjykimeve ndaj fesë në shoqëritë sekulariste moderne, por është e qartë se Gyleni e përdor këtë term në një kuptim më të gjerë. Sipas tij, ana shpirtërore përfshin jo vetëm mësimet fetare, por edhe etikën, logjikën, shëndetin psikologjik dhe çiltërsinë emotive. Terma kyçe në shkrimet e tij janë dhembshuria dhe toleranca. Është detyra e edukatorëve që, përveç disiplinave "ekzakte", të ngulisin tek nxënësit e tyre të tilla cilësi "të paçmuara".

Gjithashtu është e nevojshme që të ekzaminohen edhe termat e tjerë që vazhdimisht i përdor Gyleni. Ai shpesh herë flet për nevojën e vlerave kulturore [50] dhe tradicionale. [51] Thirrja e tij për paraqitjen e vlerave kulturore dhe tradicionale në edukim është interpretuar nga kritikët si një thirrje reaksionare që synon rikthimin tek shoqëria otomane pararepublikane. Ai ka qenë akuzuar si një irtixhaxhi që në turqisht mund të përkthehet si "reaksionar" ose madje "fundamentalist." Kjo është një akuzë që Gyleni gjithmonë e ka mohuar. Për të mbrojtur pozicionin e tij, ai deklaron: "Fjala irtixha do të thotë kthim tek e kaluara ose mbartje e së kaluarës tek e sotmja. Unë jam një person të cilit jo vetëm e nesërmja, por edhe amshueshmëria i është marrë si një qëllim. Unë jam duke menduar për të ardhmen e vendit tim dhe po përpiqem të bëj atë që është e mundur për mua. Shkrimet, ligjëratat dhe aktivitetet e mia kurrë nuk kanë synuar që ta rikthejnë prapa vendin tim. Por askush nuk mund t’i etiketojë si irtixha besimin në Zot, adhurimin, vlerat morale dhe çështjet e tjera që i përkasin kësaj fushe të pakufizuar nga koha . [52]

Në parashtrimin e vlerave kulturore dhe tradicionale, ai duket se e vlerëson të kaluarën e Turqisë si një akumulim të gjatë e të ngadaltë të urtësisë që akoma ka shumë për t'u mësuar njerëzve modernë dhe diturinë tradicionale akoma të lidhur plotësisht me nevojat e shoqërive të sotme. E kaluara nuk mund të hidhet poshtë për shkak të kësaj urtësie të përftuar. Në njërën anë, çdo përpjekje për ta rikonstruktuar të kaluarën është miopi dhe e destinuar të dështojë. Dikush mund të thotë që ndërsa mohon përpjekjet për t'u shkëputur me të kaluarën, Gyleni në të njëjtën mënyrë hedh poshtë përpjekjet për të rivendosur ose rikrijuar shoqërinë paramoderne.

Tendencën që shfaqet midis reformatorëve modernë për t'u "shkëputur nga prangat e së kaluarës" ai e vlerëson si një të mirë që ka një të keqe prapa. Ato elementë të trashëgimisë që kanë qenë shtypëse, vegjetuese ose që kanë humbur qëllimin dhe inspirimin e vërtetë, nuk ka dyshim që do të kapërcehen, por elementët e tjerë liberalë dhe humanë duhet të riafirmohen nëse gjeneratat e reja duan të ndërtojnë një të ardhme më të mirë. Mendimi i tij është i qartë se nuk është kufizuar në debatin e brendshëm politik në Turqi ose madje në të ardhmen e shoqërive islame. Vizioni i tij edukativ përfshin të gjithë shoqëritë anembanë botës. Ai dëshiron të edukojë reformatorët, që do të thotë, ata që janë fortifikuar me një sistem vlerash që marrin parasysh aspektet fizike dhe jomateriale të njeriut. Gyleni shprehet: "Ata që duan të reformojnë botën, duhet së pari të reformojnë vetveten. Me qëllim që t'i sjellin të tjerët në udhën për një botë më të mirë, ata duhet të pastrojnë botën e tyre të brendshme nga urrejtja, smira, xhelozia dhe të zbukurojnë botën e tyre të jashtme me të gjitha llojet e virtyteve. Ata që janë larg nga vetëkontrolli dhe vetëdisiplina, që nuk arrijnë të fisnikërojnë ndjenjat e tyre, mund të duken në fillim tërheqës dhe të ditur, ndonëse nuk janë të aftë që të frymëzojnë të tjerët në ndonjë rrugë permanente dhe sentimentet që ata zgjojnë shpejt do të zhduken." [53]

Gyleni deklaron: "Një person është një njeri i vërtetë nëse ai mëson dhe frymëzon të tjerët. Vështirë që dikush që është injorant dhe nuk ka dëshirë për të mësuar, të cilësohet si një njeri i kompletuar. Gjithashtu, është e diskutueshme nëse një person i ditur i cili nuk e rinovon dhe reformon veten për të qenë shembull për të tjerët, të mund të quhet i kompletuar!"

Fethullah Gylen si një Mësues i Islamit

Në fokus të këtij shkrimi është Fethullah Gylen si një edukator. Roli i tij si një studiues dhe mësues fetar është një çështje që meriton një studim të kujdesshëm, ashtu si shqyrtimi i mendimit të tij fetar si një interpretues modern i Islamit. Këto çështje janë jashtë objektit të këtij shkrimi. Ndonëse studimi i vizionit edukativ të Gylenit nuk mund të jetë i plotë pa një vështrim të përmbledhur të shkrimeve tij për Islamin.

Nga më shumë se 30 libra të Gylenit, disa përmbajnë biseda dhe predikime që ai ka mbajtur për studentët dhe admiruesit. Të tjerat janë përgjigje për pyetjet që i janë bërë atij kohë pas kohe nga studentët. Ato shtrihen nga studimet për biografinë e Profetit Muhamed, te një njohje bazë me sufizmin, nga trajtimi i pyetjeve që tradicionalisht ngrihen në shkencën e kelamit, te shtjellimi i temave esenciale të besimit Islam. Këto studime nuk u janë drejtuar specialistëve, por audiencës së gjerë të myslimanëve të edukuar.

Çfarë mund të thuhet rreth qëndrimit personal të Fethullah Gylenit në interpretimin e burimeve dhe traditës islame? E para gjë me të cilën ndeshen lexuesit, është rëndësia që ai i jep moralitetit dhe virtytit moral, të cilat ai i thekson si më thelbësoret në entuziazmin fetar të frymëzuar nga Kurani dhe praktikat rituale. Ndërsa afirmon nevojën për ritual, Gyleni vlerëson virtytshmërinë etike si zemrën e motivit fetar. "Moraliteti," deklaron Gyleni, "është thelbi i fesë dhe pjesa më fundamentale e Mesazhit Hyjnor. Nëse të qenit i virtytshëm dhe me moral të lartë është një heroizëm - dhe është - heronjtë më të mëdhenj janë, së pari, profetët dhe pas tyre, ata që i pasojnë në sinqeritet dhe devocion. Një mysliman i vërtetë është ai që praktikon një moralitet vërtet universal dhe si të tillë mysliman." Këtë ide ai e ilustron duke cituar një hadith të Muhamedit në të cilin ai thotë: "Islami konsiston në moralin e shëndoshë. Unë jam dërguar për të përsosur dhe plotësuar moralin e shëndoshë." [54]

Aspektet e ndryshme të rrugës islame të jetës synojnë të gjitha së bashku të prodhojnë individin e nderuar dhe moralisht të ndershëm. Në këtë sens të gjerë të islamit ose të nënshtrimit të jetës te Zoti, mund të thuhet që shkollat e krijuara nga lëvizja që lidhet me emrin e Fethullah Gylenit, janë frymëzuar me vizionin moral që i ka rrënjët në Islam, por nuk janë kufizuar në shprehjen e saj vetëm për anëtarët e umma-s, bashkësisë ose komunitetit të myslimanëve. Kur Gyleni flet për formimin e studentëve "të dedikuar për të jetuar në përputhje me cilësitë njerëzore dhe vlerat morale," që "zbukurojnë botën e tyre të jashtme me të gjitha llojet e virtyteve," ai është duke propozuar një kod etik universal nga këndvështrimi i një myslimani që ka mësuar prej Islamit. Në të njëjtën mënyrë, është e qartë që ai nuk i konsideron virtytet, cilësitë njerëzore dhe vlerat morale të jenë pronë ekskluzive e myslimanëve, ashtu siç studentët jomyslimanë janë të mirëpritur në shkolla dhe nuk është bërë asnjë përpjekje për t'i prozelitizuar.

Feja islame është kuptuar kështu si një "rrugë që e drejton një njeri nga përsosja ose e mundëson atë të kërkojë gjendjen engjëllore primordiale." [55] Nëse Islami është parë si një udhë për përsosjen morale, tasavvufi, sufizmi apo mistika islame, mund të konsiderohet si një zhvillim i natyrshëm dhe i pashmangshëm brenda traditës islame. Gyleni sugjeron një definicion moral për sufizmin si "përpjekje të vazhdueshme për të mënjanuar të gjitha llojet e fjalëve të papërshtatshme dhe qëndrimet e shtrembra dhe, si virtyte të fituara." [56] Ai i lartëson sufistët në historinë islame si drejtues shpirtërorë që u kanë treguar gjeneratave të myslimanëve si ta ndjekin këtë udhë të përsosjes njerëzore.

Një mënyrë e tillë pozitive e të lexuarit të traditës mistike sufite çon pashmangshmërisht në akuzën për krijimin brenda kësaj lëvizje të një tip tarikati neosufit. Ndërsa duke mohuar që të ketë qenë një pjesëtar i një tarikati, më e pakta që ai ka pohuar për përkatësinë e tij pothuajse sufite, Gyleni mbron tezën që dënimi i sufizmit, dimensioni shpirtëror i Islamit, është njëlloj si të kundërshtosh vetë besimin Islam. Ai shprehet: "Unë kam deklaruar vazhdimisht që nuk jam anëtar i një tarikati sufist. Islami si një fe, natyrisht i vë theksin botës shpirtërore dhe edukimin e egos e vlerëson si një parim themelor. Asketizmi, përkushtimi fetar, mirësjellja dhe sinqeriteti janë esenciale për të. Në historinë e Islamit, disiplina që u ndal më shumë në këto çështje, ishte sufizmi. Ta kundërshtosh këtë, do të thotë të kundërshtosh thelbin e Islamit. Por po e përsëris që, ashtu siç unë kurrë nuk jam bashkuar me një bashkësi sufite, po ashtu kurrë nuk kam pasur lidhje me ndonjë prej tyre!" [57]


[37] Origjinali i këtij artikulli përmbahet në Turkish Daily News, September, 19, 2001.

[38] Buhari, Isti’zan, 9, 19; Nesai, Iman, 13.

[39] Përmbledhje e letrës së paraqitur nga Dr. Thomas Michel, Sekretar i Përgjithshëm i Sekretariatit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar në “Simpoziumin F. Gylen” (Universiteti Xhorxhtaun, prill 2000).

[40] Criteria or Lights of the Way (Izmir, Kaynak, 1998), 1:36.

[41] Lynn Emily Webb, Fethullah Gulen: Is There More to Him Than Meets the Eye?, 106.

[42] Webb, Fethullah Gulen, 86.

[43] Towards the Lost Paradise, 16.

[44] “M. Fethullah Gulen: A Voice of Compassion, Love, Understanding and Dialogue”, Introduction to M.Fethullah Gulen, “The Necessity of Interfaith Dialogue: A Muslim Approach”, presented at the Parliament of the World’s Religions, Cape Town, South Africa, Dec. 1-8, 1999.

[45] Criteria or Lights of the Way , 1:36.

[46] “The Necessity of Interfaith Dialogue”, 39.

[47] Po aty. 20.

[48] Po aty, 39

[49] Po aty.

[50] Criteria or Lights of the Way , 1:35.

[51] CF. Towards the Lost Paradise, 16, and Criteria or Lights of the Way, 1:44-45.

[52] Webb, Fethullah Gulen, 95.

[53] “The Necessity of Interfaith Dialogue”, 30.

[54] Towards the Lost Paradise, 30.

[55] Prophet Muhammad: The Infinite Light , 2:153-154.

[56] Key Concepts in the Practise of Sufism , 1.

[57] Webb, Fethullah Gulen, 102-103.