Miopia

Miopia

Pyetje: Kundrejt disa bukurive që mund t’u shfaqen në mjedisin e afërt, disa njerëz mund të shfaqin sjelljen e një njeriu që ndodhet krejt larg tyre. Cilat janë shkaqet e kësaj gjendjeje shpirtërore, si dhe çfarë mund të bëhet për t’u çliruar prej saj?

Përgjigje: Sikurse largësia përbën apo mund të përbëjë pengesë që cilësitë e së vërtetës të mund të njihen ashtu siç janë, nganjëherë edhe afria mund të kthehet në një perde që pengon shikimin. Ka pasur njerëz që, megjithëse jetonin në të njëjtën epokë dhe i gjendeshin fare pranë Tablosë së Krenarisë së Njerëzimit, atij vërshimi drite që krodhi një botë të tërë në nur, nuk e panë dot as Atë dhe as zotërinjtë tanë, sahabët e tij, që ishin në pozitën e yjeve ndriçuese në qiell. Po nga ana tjetër, pati njerëz që qenë të vetëdijshëm për afrinë me një bekim të tillë, që jo vetëm dinin të shihnin, por, krahas kësaj, pasi e vlerësonin çështjen përmes vështrimit, e thellonin shikimin e tyre dhe kështu, e panë atë Diell të së Vërtetës që u lindi mbi kryet e tyre, u ndriçuan me Të, u ushqyen prej Tij me gllënjka dëlirësie dhe me Të mbërritën si lumturinë tokësore, ashtu edhe atë qiellore.

Miopia, shurdhëria, sikurse janë përjetuar thuajse në çdo shekull, mund të vërehen edhe në ditët tona. Për shembull, të gjendurit pranë atyre shpirtrave të përkushtuar të epokës sonë, që, me një shpirt sakrifice prej sahabësh, rendin pas së drejtës e së vërtetës duke mos u ndalur së vrapuari në rrugën e njerëzimit, mund të ketë përparësi shumë të rëndësishme, sikurse mund të mbartë edhe dëme. Në Erzurum, për të shpjeguar një gjendje të tillë, përdorin shprehjen. “Viçi i shtëpisë nuk bëhet ka!” E pra, sipas këtij këndvështrimi, bukuritë që fillimisht lindin si një lastar, më pas në gjendje të rritur lëkunden e kthehen në një dru të lartë panje, mbeten gjithmonë të ndryra në atë shikim të parë si lastar; mbeten ashtu dhe duke thënë “Edhe ai është një prej nesh”, gjithmonë shihet me syrin e lastarit.

Ndjenja e konkurrencës dhe perdja që bie mbi sy

Kam mendimin se ata që, edhe pse kanë pasur mundësinë dhe rastin e njohjes nga afër, e shohin dhe e vlerësojnë çështjen me një sjellje të distancuar që nuk u ka hije aspak, e pra, ata që vlerësimet e tyre i bëjnë gjithmonë sipas kësaj, në njëfarë mënyre, janë veçse të verbër që nuk e shohin atë ç'kanë pranë. Sa mirë do të ishte sikur të ishte e mundur që këta njerëz të vinin një palë syze për të parë nga afër dhe kështu, krahas shqisës së të parit, të mund të fitonin edhe shikimin. Mirëpo, fatkeqësisht, syze të tilla nuk ka. Prandaj edhe për ta ngritur këtë perde që zbret mbi sy, për t’i fshirë mendimet e gabuara që i bëhen pengesë shikimit dhe për t’i parë këto bukuri që janë shtrirë në të katër anët e botës, varet vetëm prej përdorimit të vullnetit nga ana e vetë njeriut dhe prej ndryshimit të këndvështrimit nga ana e tij.

Krahas miopisë, ka edhe të këqija të tjera, pre e të cilave mund të bien miqtë, si verbëria e të shkuarit keq me dikë, verbëria e smirës, verbëria e konkurrencës. Madje edhe ajo ambicie që, nëse interpretohet si pjesë e konkurrencës, bën pjesë në zonën e lejuar të fesë, mund të bëhet shkak për verbëri. Nëse ambicien do ta shohim me syrin e të gjendurit të individit në një atmosferë garimi bashkë me shokët e rrugës në të cilën ecën, me mendimin për të mos mbetur pas në çështjen e mirësive të dhuruara prej Zotit të Madhëruar, edhe ky mendim që, në zanafillë, duket si i patëkeq, nëse nuk bëhet kujdes për të mos i kapërcyer kufijtë, mund të kthehet në një gjendje problematike. Për këtë arsye, nxënësit e vërtetë të Kuranit, duke i lidhur mendimet e tyre me një mendim më të gjerë, duhet të thonë kështu: “Vëllezërit e mi, në këtë rrugë të bukur që kanë nisur, rendin drejt Xhenetit, drejt këndelljes dhe meditimit. Nga ana tjetër, për të mos u ndarë prej këtyre njerëzve kaq të mirë, edhe unë duhet të marr pjesë në veprimtaritë e tyre.” Përndryshe, mendime si “Të jem unë ai që do ta fitojë unë garën!”, “Ta këpus unë shiritin e finishit!”, në një shërbim të mirë e të kryer për hir të Zotit, janë mendime të planifikuara sipas cytjeve të shejtanit dhe në këtë aspekt, janë të mallkuara.

Në të njëjtën formë, nëse nuk bëhet kujdes, edhe ambicia, që gjendet në një kufi me smirën, mund të bjerë në një gjendje të mallkuar. Po, po. Nëse nuk ruhen masa dhe kufijtë në këtë çështje, atëherë njeriu, pa e vënë re aspak, në çast, nga ambicia mund të bjerë në smirë.

Edhe në ju ardhtë gjer në fund të gjunjëve

Të gjithë këta faktorë i shkaktojnë njeriut verbëri të caktuara, të cilatbëjnë që sa e sa të vërteta të avullojnë e të shkojnë fare pa u vënë re. Nga ky këndvështrim, njeriu duhet ta shohë mjedisin e vet gjithmonë sipas standardeve vlerësuese të zemrës; ta shohë, dhe kudo që të ketë një pikë të vërtetë, ta pranojë atë me respekt. Ashtu që, edhe nëse një njeri që ia njihni të vërtetat, që ia dini fëmijërinë, madje që ju vjen gjer në fund të gjunjëve, zgjat dorën dhe ju arrin, kjo nuk duhet t’ju bëjë të verbër. Edhe në këtë gjendje, duhet të dini të shihni drejt dhe ato çka shihni të mund t’i vëreni në përputhje me cilësinë e së vërtetës.

Nëse kjo nuk arrihet të bëhet, atëherë duke nisur që nga profetët, që janë në pozitën e hënave e të diejve të qiellit të njerëzimit, që nga miqtë e të Vërtetit, si Abdulkadir Gejlani apo Imam Rabaniu, e deri te prijësi i bekuar e i nderuar, te farërat e mbjella prej tij dhe prej njerëzve të dëlirë e të sinqertë të Anadollit në të katër anët e botës, te lastarët e lëshuar prej tyre që kanë lulëzuar në këndet më të largëta, pemët e rritura prej tyre, për shkak të shkallëve të ndryshme të shumë të këqijave që na rrethojnë, mund të mos shihen dot. Zoti i Madhëruar, në një ajet të Kuranit Fisnik urdhëron e thotë: “Kushdo që është i verbër për të parë të vërtetat në këtë botë, edhe në jetën e përjetshme është i verbër.” [181] Në këtë mënyrë, Ai ka pohuar se ata që nuk i shohin të vërtetat e qarta në këtë botë, edhe në jetën tjetër do të trajtohen si të verbër. Ajo çka nënkuptohet këtu nuk është mbajtja e syve fizikë mbyllur. Ajeti në fjalë mbart një kuptim metaforik. Pra, sipas ajetit të madhërishëm, njerëzit e sipërpërmendur, megjithëse i kanë sytë në ballë, nuk shohin. Madje edhe ata që nuk e pranojnë që në Kuranin e Shenjtë të gjenden kuptime të figurshme, në këtë ajet kanë qenë të detyruar ta pranojnë kuptimin metaforik.

Ndërsa në një tjetër ajet fisnik, tërhiqet vëmendja te verbëria shpirtërore në këtë mënyrë: “Ata kanë zemra, por me këto zemra nuk perceptojnë, kanë sy, por me to nuk shohin, kanë veshë, por me to nuk dëgjojnë.” [182] Siç shihet në këtë ajet të shenjtë thuhet se këta njerëz, edhe pse kanë zemër, janë të privuar prej perceptimit. Pra, këta nuk e kanë aftësinë që, me grepin në duar, mes shkaqeve dhe pasojave, të thurin e të nxjerrin në pah një dantellë. Po, po. Këta fatkeqë e kalojnë jetën e mendimit me krahë e fletë të thyera, duke jetuar brenda një pamundësie për të ndërtuar një rrjet të mendimit, me pak fjalë një analizë a sintezë.

Në një tjetër ajet të shenjtë, verbëria lidhet me zemrën dhe urdhërohet e thuhet kështu: “Po ja që tek ata nuk janë të verbër sytë, por zemrat që kanë në kraharorë.” [183] Do të thotë që ajo çka është vërtet e rëndësishme, është hapja e syrit të brendshëm. Po, po. Problemi i vërtetë nuk është shikimi, por mbajtja hapur e syrit të zemrës, sepse në qoftë i mbyllur ai sy, ahere pak rëndësi ka që syri fizik shikon. Një njeri i tillë prapëseprapë nuk do të shohë dot saktë, nuk do të analizojë dot saktë, dhe nuk do të ndërtojë dot një sintezë të saktë. Po përse është i verbër syri i brendshëm? Kjo është një çështje që ka të bëjë me hollësitë e përmendura më sipër. Smira, urrejtja, mospërmbajtja, moskalibrimi i këndit të vështrimit, etj., janë faktorë që e çojnë njeriun në verbërinë e zemrës.

Ndjenja vlerësimi të kthyera në thëngjij

Në këtë pikë, dua të ndalem dhe të ndaj me ju disa ndjesi. Sado që nuk jam në gjendje t’i vlerësoj në nivelin e duhur dëlirësinë, sinqeritetin, besnikërinë dhe qëndrueshmërinë e shokëve, mund të them se përpiqem t’i shoh përpjekjet dhe mundimet që ata bëjnë. Nga njëra anë, ndihem i turpëruar që nuk mund të jem pranë dhe pas tyre në nivelin e lartësisë së tyre. Nga ana tjetër, mbushem me ndjenja të vlerësimit përkundrejt shërbimeve të bukura, për të cilat ata bëhen shkak, si dhe përpiqem që ato ndjenja t’i kthej në një pishtar a thëngjill e t’i mbaj të gjallë si një burim ngrohtësie. Sepse jam i mendimit që ndër këto bukuri, qoftë edhe më e vogla prej tyre duhet vlerësuar. Po, po. Nëse fuqia dhe vlera e mirësisë njihen, vlerësohen dhe respektohen, Zoti i Madhëruar e shton atë mirësi. Shikoni, për një çështje që Allahu (xh.xh.) ka urdhëruar e thënë “kjo është kështu”, nuk kërkohet betim. Por megjithatë, Allahu (xh.xh.) e ka shprehur këtë të vërtetë duke u betuar: “Nëse tregoheni mirënjohjes ndaj mirësive që ju mbërrijnë, qofshin këto fjalë, gjendje, vepra, mendime e përkujtime, ahere betohem se Unë mirësinë time e shtoj edhe më.” [184] Ndërsa në vazhdim të ajetit të shenjtë, gjendet një paralajmërim që duhet ta drithërojë e ta bëjë të rrahë fuqishëm kraharorin e njeriut: “Por në u tregofshi mosmirënjohës, në i shpërfillshi mirësitë dhe në e lëshofshi veten në verbëri, atëherë ta dini se ndaj të verbërve ndëshkimi im është i ashpër.” [185]

Atëherë, si njerëz me zemra që besojnë, për të mos i përjetuar kurrë këto të liga, duhet të bëjmë gjithmonë kujdes, të qëndrojmë zgjuar dhe të ruajmë masën. Nëse sytë tanë hapen në sajë të dikujt përkundruall disa të vërtetave, atëherë është e nevojshme që t’i mbajmë gjithmonë sytë hapur kundrejt të vërtetave; dhe në dorën e kujtdo që të jetë vënë e vërteta, ndaj tij duhet të sillemi gjithmonë me vlerësim. Për shembull, nëse dikush ka ndikuar te pesë njerëz, një tjetër te pesëqind njerëz, një tjetër te njëmijë e pesëqind njerëz, atëherë të gjithë këta duhet t’i vlerësojmë lart e t’i duartrokasim.

Së fundi, duhet të shtoj edhe këtë, se nëse sukseset dhe arritjet që juve ju ka dhuruar Zoti i Madhëruar prej mirësisë së Vet, disa njerëz nuk i kapërdijnë dot dhe e shfaqin pakënaqësinë e tyre me smirë, urrejtje, zili e madje në mënyrë shkatërruese, ju duhet të shtrëngoni dhëmbët e të duroni dhe të mos bini në gabimin e kundërpërgjigjes me të njëjtën monedhë.

Kundrejt një gjendjeje të tillë, për disa njerëz me karakter të dobët mund të vlejë ajeti i shenjtë që thotë: “Nëse do të ndëshkoni, atëherë ndëshkoni në atë masë me të cilën ju kanë trajtuar.” [186] Por vazhdimi i ajetit, duke nënkuptuar trajtimin në një nivel më të lartë, shpreh këtë horizont: “Nëse do të bëni durim, kjo, për durimtarët është më e mira punë.” [187] Sipas kësaj, në vend që të ecim në rrugën e trajtimit sipas të njëjtës masë e të njëjtit kuptim, është më mirë që të bëjmë durim e të themi: “Në ardhtë prej Madhështisë së Tij ndëshkim a prej Mirësisë së tij shpërblim, që të dyja janë këndellje në shpirt.” Natyrisht që për sa u përmend, në mënyrë që të gjitha këto të zbatohen në çdo ngjarje e provim të jetës, duhet që shpirti të ushtrohet e të sprovohet dhe ato të kthehen në një thellësi të natyrës sonë.


[181] Isra, 17/72.

[182] Araf, 7/179.

[183] Haxh, 22/46.

[184] Ibrahim, 14/7.

[185] Ibrahim, 14/7.

[186] Nahl, 16/126.

[187] Nahl, 16/126.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.