Ndjenja – emocioni dhe arsyeja e shëndoshë

Ndjenja – emocioni dhe arsyeja e shëndoshë

Pyetje: Ç’është qëndrueshmëria në fe dhe si duhet manifestuar ajo?

Përgjigje: Fjalën “salabet” apo qëndrueshmëri nuk është e drejtë që ta kuptojmë si ngurtësi, rreptësi dhe ashpërsi. Për ngurtësinë, ne përdorim më shumë konceptet e fanatizmit e të zellit të tepruar në kuptimin e këmbënguljes në mendimin vetjak qorrazi, pa argument e pa u mbështetur kurrkund, si dhe në sjelljen jotolerante e refuzuese kundrejt mendimeve të tjera. Nga ky këndvështrim, qëndrueshmëria në fe shpreh vendosmëri, ngulmim dhe përqafim të fuqishëm. Ky kuptim, në suren “Bekare”, gjen shprehje kështu: “Nuk ka detyrim në fe; e vërteta është dalluar prej së kotës dhe është bërë krejt e dukshme. Tashmë kushdo që i kundërvihet tagutit dhe beson tek Allahu, ai është kapur në mbajtësen më të sigurt.” [116] Zotëria ynë, Profeti (s.a.s.), duke na lënë amanet fenë e qartë të Islamit, atë dritë të përhershme, ka urdhëruar e thënë: “Ndiqni rrugën time dhe rrugën e Kalifëve të Drejtë në udhën e drejtë. Kapuni fort me dhëmballë pas kësaj rruge.” [117] Shprehja “kapuni me dhëmballë”, e përdorur në hadith, në gjuhën arabe është një idiomë, një mënyrë të shprehuri. Ndaj edhe përtej kuptimit të fjalëpërfjalshëm, duhet kuptuar ajo çka arabët synojnë të thonë me një shprehje të tillë. E parë nga ky këndvështrim, shprehjen “Kapuni me dhëmballë” mund ta marrim në kuptimin: “Ruajeni fuqishëm fenë e mos e braktisni atë kurrë, duke u mbajtur pas saj thuajse siç kapet dara pas diçkaje.” E pra, siç kuptohet prej teksteve të shenjta të përmendura, qëndrueshmëri në fe do të thotë që të jesh i qëndrueshëm në vlerat e larta si besimi, morali, nderi... të mos tregosh lëkundje dhe të mos e lëshosh veten në marrëdhënie me to. Ndërsa të tregohesh i ashpër e të imponohesh për të shtrënguar njerëzit në pranimin e fesë, siç e thamë që në fillim, nuk është qëndrueshmëri në fe, por një lloj fanatizmi dhe zelli i tepruar.

Të largosh prej fesë duke menduar se po i shërben fesë

Nëse një individ e kupton imponimin, fanatizmin dhe ashpërsinë si qëndrueshmëri në fe dhe nëse mendon se me këtë mendësi po i bën apo do t’i bëjë shërbim fesë, ai është në një vetëmashtrim të madh. Të tilla qëndrime bëhen shkak për reagim dhe në përfundim jo vetëm që nuk mundësojnë që njerëzit të pranojnë fenë, por i hapin rrugën neverisë dhe largimit të tyre prej fesë. Prandaj edhe mund të thuhet me siguri se nëse njerëzve nuk u shpjegoni thelbin e fesë, thellësinë e saj të brendshme, përmbajtjen që do të kishte kuptim për ta dhe mirësitë e bukuritë që do t’u falte atyre besimi, nëse me sihariqin që feja u paraqet atyre nuk zgjoni në zemra një zell e dëshirë kundrejt fesë, atëherë ndryshe nga ajo çka synoni, do të merrni një shuplakë, do të përballeni me reagime të papritura dhe teksa thoni se po i shërbeni fesë, në të vërtetë, do t’i largoni njerëzit prej saj. Po, po! Një mesazh i paraqitur me mendësi të fanatizmit e të kryeneçësisë, më shumë sesa përfitm, sjell humbje.

Në të vërtetë, të gjithë e dinë se ç’përfundim patën gjatë shekullit XX një numër “-izmash” që ushtruan dhunë, imponim e trysni për t’i detyruar njerëzit që të pranojnë sistemet e tyre. Siç e dini, në emër të kësaj, në një vend u vranë dyzet-pesëdhjetë milionë njerëz dhe sistemi u përpoq të ngrihet pothuajse mbi eshtrat e atyre të vrarëve. Por ajo çka la pas kjo mizori, trysni e dhunë e egër nuk qe asgjë tjetër veç urrejtjes dhe neverisë. Pra, pavarësisht prej gjithë asaj dhune, mizorie e shtypjeje, pasi kaluan pesëdhjetë-gjashtëdhjetë vjet, ai sistem qe i detyruar të shthuret e të shpërbëhet. Ndërsa njerëzit që i qenë nënshtruar shtypjes u rikthyen aty ku kishin qëndruar në të shkuarën dhe nisën t’i drejtohen sërish asaj që kishin besuar dikur.

Përmasa e vërtetë e besnikërisë ndaj fesë

Prandaj, një besimtar që zotëron qëndrueshmëri në fe nuk duhet të lëshohet pas ndjesive dhe nuk duhet të bjerë kurrsesi në gabimin e të shpallurit të çështjeve me thirrma e bërtitje. Një mënyrë e tillë sjelljeje vetëm sa do të vërë në lëvizje ndjenjat e neverisë te bashkëbiseduesit dhe do të shkaktojë që ata të mbyllen më shumë në guaskën e tyre e të ashpërsojnë qëndrimet. Më vonë, një gjendje e tillë shpirtërore mund të kthehet edhe në reagim e madje në agresivitet e armiqësi. Për të mos u hapur rrugë të gjitha këtyre përfundimeve negative e ndërlikimeve, duhet të veprojmë mbi bazë të sjelljes pozitive, të mbahemi fort pas vlerave tona, të përqendrohemi në to, të bëhemi shprehës të tyre dhe njëkohësisht të përpiqemi që me gjuhën e zemrës, me mënyrën e sjelljes, t’i shpërfaqim ato vlera në formën më të hijshme. Për shembull, në ditët tona, kur përparësi kanë dituria dhe të shprehurit, kur epërsia qytetëruese realizohet përmes rrugës së bindjes, ajo që duhet të bëjë një njeri i lidhur me fenë e tij, që zotëron qëndrueshmëri në këtë fe, është, që para së gjithash, t’i mësojë shumë mirë vlerat e veta dhe pasi t’i mësojë, të përpiqet t’i përvetësojë ato në natyrën e vet. Nëse për këtë, për shembull, i duhet të lexojë njëqind libra, një njeri që dëshiron t’i shërbejë fesë së vet duhet t’i sigurojë ato libra dhe në dy-tri vite duhet t’i kushtohet të lexuarit dhe të kuptuarit të tyre. Nëse është nevoja, duhet t’i konspektojë, t’i analizojë e t’i klasifikojë ato çka lexon, madje dhe kuptimet e përmbajtjen që nxjerr e përfiton prej tyre duhet të përpiqet t’i përvetësojë e t’i bëjë pjesë të individualitetit të vet. Krahas gjithë këtyre, nuk duhet ta lërë asnjëherë pas dore edhe dimensionin shpirtëror të çështjes. Në qoftë nevoja, me qëndrueshmëri e vendosmëri, edhe dyzet vite rresht duhet të ngrihet netëve, të falë namaz nate, të vërë ballin përdhe në namaz të haxhetit e të lutet e të përgjërohet me fjalët: “O Allahu im, të lutem veç Ty! Zbuti zemrat e këtyre njerëzve ndaj fesë e besimit!”

Nëse të lexosh e të mësosh vlerat e tua dhe pasi t’i kesh mësuar, t’i përvetësosh e t’i bësh ato pjesë të natyrës tënde, kërkon kaq shumë vullnet, përpjekje e vendosmëri, atëherë në atë masë do të lexosh, në atë masë do t’ia kushtosh veten kësaj pune. Njëkohësisht, duke qenë se kjo çështje nuk është individuale, nuk do të mjaftohesh me lexime individuale, por do të ulesh e do të konsultohesh me shokët e tu, do t’i testosh mendimet në arsyen e përbashkët dhe kështu, duke tërhequr pas vetes forcën shpirtërore të arsyetimit dhe të të menduarit të përbashkët, do të vihesh në udhë. Dhe nuk do të mjaftohesh me kaq, por në mënyrë që të sigurosh mbështetjen e Zotit të Gjithëfuqishëm, do të bësh përpjekje të vazhdueshme për ta mbajtur të fuqishme marrëdhënien me Zotin tënd dhe gjithmonë do të mundohesh të jesh një shërbëtor i mirë i Tij. Kështu, edhe Allahu (xh.xh.) do t’i mbështesë këto përpjekje të sinqerta dhe fjalëve të tua do t’u mundësojë që të dëgjohen. Ashtu që fjalët që dalin prej gojës sate të frymëzojnë ringjallje në shpirtra dhe të zgjojnë emocion në zemrën e bashkëbiseduesit. Siç shihet, çështja në fillim nuk i duhet lënë ndjesisë, por logjikës e gjykimit dhe më pas, gjithashtu, duhet ecur nën udhërrëfimin e tyre. Në fund të fundit, a nuk është kjo rruga e Zotërisë së Zotërinjve (s.a.s.)? Brenda atyre njëzet e tri viteve, ai gjithmonë ua paraqiti mesazhin bashkëbiseduesve në mënyrën që ata mund ta pranonin, veproi me mendjen dhe me logjikën e Kuranit dhe pa zgjuar reagim tek askush, ua bëri të ditur zemrave zbulesën hyjnore.

Në të kundërt, veçanërisht në ditët tona, duke qenë se njerëzit ndjekin në një masë të caktuar arsyen, i kushtojnë rëndësi mendimit dhe i trajtojnë çështjet brenda kornizës së të kuptuarit, nëse mbështeteni te forca, duke thirrur e bërtitur dhe duke u treguar i ashpër, nuk mund t’i shpjegoni kurrkujt asgjë dhe nuk mund t’i zgjidhni problemet. Po, po! Nëse do të keni mendimin e të shërbyerit ndaj fesë deri në gatishmërinë për vetëflijim, atëherë duhet të zotëroni një nivel të lartë në çështje të fesë, si dhe në pajisjen mendore e shpirtërore, të ruani marrëdhënie të fortë me Allahun dhe vazhdimisht të meditoni e të mendoni thellë. Dhe veçanërisht në botën tonë, që sa vjen e zvogëlohet gjithnjë e më tepër, në të cilën përfaqësimi i Islamit është kthyer në një çështje gjithnjë e më të përgjithshme, në një vend ku është fjala për të drejtat e të gjithëve, askush, assesi nuk duhet të hidhet në qëndrime e sjellje individuale. Sepse të tilla sjellje individuale mund të bëhen shkak për gabime që mund t’i turpërojnë të gjithë besimtarët. Për shembull, nëse në emër të mbrojtjes së Islamit vriten njerëz të pafajshëm përmes bombash të gjalla e sulmesh vetëvrasëse, kjo paraqet një tablo sterrë të zezë të Islamit, aq sa të gjithë myslimanët në faqe të dheut e kanë të vështirë ta shpjegojnë atë dhe mbeten në një gjendje shumë të vështirë. Edhe pala e kundërt pohon se “ata që i bëjnë këto janë myslimanë, pasi veshja dhe pamja e tyre e jashtme tregon që ata janë myslimanë”, duke përpjekur në këtë mënyrë që një fe përfaqësuese të së mirës, të së drejtës e të dhembshurisë, ta paraqesë në një pol krejt të kundërt dhe t’i vërë nën dyshim të gjithë njerëzit. E pra, një shkelje kaq e rëndë, që prek të drejtat e të gjithë besimtarëve, buron prej të moskuptuarit të shpirtit të fesë, prej mungesës së vetëdijes për idenë e rrugës së drejtë, prej lënies mënjanë të arsyes e të logjikës së Kuranit.

Dinamika e emocionit që shndërrohet prej mendjes dhe arsyes

Nga këto që thashë, nuk duhet kuptuar që unë duartrokas mungesën e rëndësisë së ndjenjës. Nuk ka dyshim që ndjesia është një faktor shumë i rëndësishëm në të shpjeguarit dhe të mbrojturit e fesë së pastër të Islamit. Njeriu, për t’ua bërë të njohura shpirtrave vlerat në të cilat beson, duhet të jetë plot emocion dhe kundrejt çdo të keqeje që mund t’i vijë fesë, duhet të shqetësohet aq shumë sa të jetë thuajse në gjendje për të vdekur. Por bashkë me këto, ai gjithmonë duhet, që përmes mendjes dhe arsyes, të mund ta shndërrojë atë dinamikë të emocionit, ta orientojë atë në rrugën e duhur dhe të dijë të përfitojë prej saj në mënyrën më të bukur.

Po përpiqem ta shpjegoj me një shembull atë që dua të them: mendoni, për shembull, për një vendbanim që ndodhet nën male të larta. Në këtë vend, çdo vit, me shkrirjen e borës, pason rreziku i përmbytjes prej një rrjedhe shumë të fuqishme që merr me vete gjithçka porsi ashklat. Tani këtu, punë e logjikshme dhe me mend është që të ndërtohet një digë, të vihet nën kontroll ai ujë i harbuar, pastaj të hapen kanale dhe të ujiten me të tokat e thata. Në mënyrë të njëllojtë, edhe te një besimtar duhet të ketë emocion. Ashtu që kur të shfaqet një situatë negative për fenë, ai të vuajë e të shqetësohet tej mase, të ndiejë dhimbje, të mos e zërë gjumi netëve dhe të ngrihet e të vijë si i çmendur rrotull nëpër dhomë. Por gjithsesi, ai nuk duhet ta shpërdorojë e ta çojë kot këtë emocion në britma e thirrje që nuk sjellin kurrfarë dobie. Kundruall një situate të tillë, ai duhet të përpiqet që të bëjë ç’të jetë e logjikshme e me mend dhe në këtë mënyrë, atë emocion të harbuar të mund ta kthejë në lëvizje pozitive, në punë e në veprim të dobishëm. Dhe ndërsa e bën këtë, kurrsesi nuk duhet të hyjë në veprime individuale, emocionale e impulsive. Sepse sado që emocioni të jetë një ndjenjë që meriton të lëvdohet, edhe përpjekja për ta vënë emocionin nën kontroll dhe për ta bërë atë të dobishëm brenda rrjedhave të mendjes e të arsyes është po aq e lavdërueshme. Sot, gjendja e dhembshme në të cilën ndodhet e gjithë bota islame, dhe madje mbarë njerëzimi, duhet të na bëjë të gjithëve të vuajmë e të ndiejmë dhembje të thellë dhe të na mbushë me emocion në gjithë qenien tonë. Por nëse një njeri vepron vetëm sipas këtij emocioni, nëse rrëzon e thyen ç’ka rreth e rrotull, ai zgjon ndjenja urrejtjeje te njerëzit e tjerë dhe në përfundim, bën që përballë tij të shfaqet një front agresiv dhe shkatërrues. Pra, nëse ndjenja dhe emocioni nuk i nënshtrohen dot provës së mendjes dhe të logjikës, nëse nuk vlerësohen dot brenda kanaleve të përcaktuara prej gjykmit e mendimit dhe nëse nuk i dorëzohen arsyes, atëherë ajo ndjenjë dhe ai emocion kthehen në një përmbytje që i sjell mjaft dëme mjedisit përreth.

Në këtë pikë, a është e mundur të mos sillet ndërmend ai qëndrim i jashtëzakonshëm e i drejtë, të cilin e tregon Bediuzaman Said Nursiu? Siç e dini, ai ishte një njeri i mbushur plot me dashuri e me emocion. Mund të thuhet se në shekullin që jetoi nuk ka pasur tjetër njeri më emotiv se ai. Por në të njëjtën kohë, mund të thuhet edhe se nuk ka pasur njeri që të ketë vepruar më me kujdes e më me maturi se ai. Po, po! Pavarësisht se një jetë të tërë punoi paprerë për përparimin material e shpirtëror të kombit, gjë për të cilën meritonte që të vlerësohej shumë lart, edhe mosha shtatëdhjetepesë apo tetëdhjetëvjeçare e gjeti burgjeve, madje herë herë të hedhur në vende si nevojtore, pa i parë syri një ditë të bardhë. Por pavarësisht të gjitha këtyre, ai kurrë nuk u hodh në veprime emotive e impulsive. Madje ai personalitet i jashtëzakonshëm, krahas vetëkontrollit, ia dilte të frenonte edhe njerëzit e tjerë pranë vetes që të mos vepronin me emocionalitet, duke mos treguar asnjë mangësi në këtë drejtim, megjithëse rreth vetes kishte plot njerëz trima, të guximshëm e plot emocion, të cilët përpëliteshin rrotull në vuajtje e dhembje. Mirëpo Mësuesi i nderuar, me botën e tij të dëlirë të ndjenjave, duke e ditur se përmes lëvizjesh e veprimesh reaguese nuk do të mbërrihej kurrkund, atë potencial të emocionit e orientonte në kanale të ndryshme me arsyen dhe logjikën e Kuranit, duke e vlerësuar në një mënyrë të tillë që në ditët e sotme nuk është e mundur më të mos vihet re ai ndikim i fuqishëm i tij në rritjen dhe zhvillimin e mjedisit tonë në drejtim të dijes, të mësimit e të besimit.

Në përfundim, mund të themi se ndjenja dhe emocioni përbëjnë një dinamikë të nevojshme e shumë të rëndësihme për përhapjen e fesë në zemrat e njerëzve dhe për mbrojtjen e saj kundrejt sulmeve që i bëhen. Por kjo dinamikë pa dyshim që duhet të kontrollohet përmes dijes, mendjes së shëndoshë, logjikës, gjykimit, këshillimit, diskutimit dhe gjykimit të përbashkët; dhe duke u vënë nën kontroll, të bëhet e dobishme dhe të sjellë rendiment.


[116] Bekare, 2/256.

[117] Tirmidhi, Ilim 16; Ebu Davud, Sunnet 5; Ibn Maxhe, Mukaddime 6.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2021 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.