Udhërrëfimi dhe hipokrizia

Udhërrëfimi dhe hipokrizia

Pyetje: “Zotësia e vërtetë është, që kur e sheh vëllanë tënd në gjendje të keqe, të mos e braktisësh atë, por t’i forcosh edhe më shumë lidhjet vëllazërore dhe të përpiqesh për ta ndihmuar atë.” A qëndron ky mendim edhe për rastin e mëkateve si hipokrizia, që mund t’i shkaktojnë dëm një shoqërie të tërë? Cilat janë hollësitë që duhen pasur parasysh në çështje të tilla, që kanë të bëjnë me të drejtat e përbashkëta të shoqërisë?

Përgjigje: Një besimtar duhet të bëjë çdo mundim e përpjekje për të shpëtuar e nxjerrë një vëllanë e tij nga gropa e zezë e të ligave ku ai mund të ketë rënë. Ashtu sikurse në vende të ndryshme, kundrejt rrezikut të një mbytjeje fizike, brenda Lëvizjes së Zemrave, ka pasur njerëz që janë lëshuar në ujë për të shpëtuar shokun dhe kanë rënë dëshmorë. Ndoshta ata, në gjendjen shpirtërore dhe tronditjen që kanë përjetuar përballë ngjarjes, nuk kanë menduar apo as që kanë pasur mundësi të mendojnë nëse do ta shpëtojnë dot njeriun që po mbytej, apo nëse do të notojnë dot në ato kushte dhe në përfundim, për të shpëtuar një njeri, kanë vënë veten në rrezik, gjersa kanë rënë dëshmorë.

Po kështu, edhe të këqijat e mëkatet janë nganjë batak i papastërtisë. Ndërsa vëllazëria dhe besa kërkojnë që një njeriu që ka rënë në batakun e papastërtisë t’i zgjatet dora, të bëhet gjithë ç’është e nevojshme për ta shpëtuar. Sepse edhe në u ndodhte në një mjedis të pastër e të dëlirë – Allahu na ruajtë! – njeriu mund të çelë velat në rrjedhën e mëkatit, mundet që dora e këmba, gjuha e buza t’i bien në gjynah. Për shembull, nëse dikush nuk i ndal sytë prej haramit dhe sheh me lehtësi në panoramat që Allahu i ka ndaluar të shihen. Ai nuk e merr fare parasysh fjalën e shenjtë të Zotit të Madhëruar: “Thuaju besimtarëve që t’i ndalin sytë prej të ndaluarës e të ruajnë nderin e tyre.” [240] Madje individi mund ta çojë çështjen në bohemizma edhe përtej shikimit, dëgjimit apo të folurit të haramit. Një tjetër mund të jetë mësuar të mëkatojë me gjuhën e tij duke turpëruar, nënvlerësuar e përgojuar njerëzit. Kjo do të thotë se një njeri i tillë ka rënë në batakun e papastërtisë. Po ashtu, mund të dalin edhe njerëz që nuk e lënë punën me kaq, që planifikojnë t’u bëjnë keq besimtarëve, që duan që atyre t’u shkasë këmba, që ushqejnë smirë e shpifin për ta. E pra, në të gjitha këto situata, pikësëpari, siç është e udhës, një individ i tillë duhet të mbahet për dore dhe të kërkohen rrugët e këshillimit të tij.

Një përmendore e dëlirësisë: Xhulejbibi (r.a.)

Lidhur me këtë, shumica prej nesh janë në dijeni të ngjarjes së përjetuar mes Zotërisë sonë, të Dërguarit Fisnik (alejhis'salatu ues'selam) dhe Xhulejbibit (radijallahu anh). Hazreti Xhulejbibi në atë kohë ishte në moshën 16-17 vjeçare, kur ndjesitë njerëzore njohin vlimin e tyre. Specialistët e edukimit ankohen se përgjithësisht, nxënësit e kësaj moshe nuk mund të kontrollohen, tregohen të çrregullt e të padisiplinuar. Edhe nëse disa natyra të urta i dëgjojnë prindërit dhe ecin në rrugën e duhur, kur gjenden në një mjedis të zvetënuar, mund të bien në sjellje e qëndrime që bien në kundërshtim me vlerat morale. Me turp e them se në këtë periudhë të rrezikshme, ata që kapen nga vese të këqija si duhani, alkooli, droga, mund të shkasin edhe në mëkate më të ndryshme se këto. Në këtë situatë, para së gjithash, duke i kapur për dore, ata duhen bindur me mendje, me zemër e me ndjenja, për hir të së ardhmes së tyre. E kështu, i Nderuari Shpirt i Kreut të Krijimit (alejhis'salatu ues'selam) e mori Xhulejbibin pranë vetes dhe duke u ulur në gjunjët e tij të bekuar ballë për ballë me të, i tha kështu: “Xhulejbib! Dëgjova se ke sjellje të pahijshme me gratë. Tani më thuaj, a do që të njëjtën gjë ta bëjë dikush tjetër me nënën tënde?” Xhulejbibi u përgjigj: “Jo, o i Dërguari i Allahut, nuk dua!” Atëherë Tabloja e Krenarisë Njerëzore urdhëroi e tha: “Mos harro, edhe ndonjëra nga ato që ti u shkon pas, është nëna e dikujt!” Më pas, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) përsëriti të njëjtën pyetje për motrën, hallën e tezen dhe mori të njëjtën përgjigje. Në përfundim, Zotëria ynë, Profeti (alejhi ekmelut'tehaja), duke iu drejtuar mendjes dhe arsyes së Xhulejbibit, e bindi atë. Po të mendojmë edhe se këto ishin fjalët e një Profeti, besoj se kuptohet më mirë se sa ndikuese kanë qenë ato për Xhulejbibin. Më në fund, Xhulejbibi nuk ka asnjë ngurrim. Pas kësaj, Zotëria ynë, Profeti (s.a.s.) i vuri dorën e bekuar në kraharor dhe u lut për të. Sahabët e nderuar thonë: “Xhulejbibi, që prej atij çasti, u bë nga të rinjtë më të dëlirë të Medinës.” [241]

Kohë më vonë, Xhulejbibi (r.a.) ra dëshmor në një betejë në të cilën mori pjesë. Secili kërkon dëshmorin e vet. I Dërguari i Allahtu (s.a.s.) i pyet ata që kishte pranë: “A keni humbje?” Kur i thanë: “Jo”, Ai urdhëroi e tha: “Kurse unë humba Xhulejbibin!” Sahabët e nderuar e gjetën atë të rënë pranë shtatë vetësh që kishte vrarë në betejë. Zotëria ynë, i Dërguari Fisnik, iu afrua e iu ndal tek koka, e mori në krahë dhe tha: “Ky është prej Meje dhe Unë jam prej tij.” [242]

Kjo tablo, që e njohim prej historisë së Islamit, është shembull prekës i asaj se si duhet të sillet një udhërrëfyes në situata të tilla. Siç shihet, ai personalitet, ndërsa ishte në udhë e sipër për të hedhur një hap të gabuar, vetëm nëpërmjet këshillës dhe thirrjes drejtuar mendjes e arsyes, hoqi dorë sakaq, u kthye mbrapsht dhe iu dorëzua të Vërtetit. Më pas, Zoti i Madhëruar e lartësoi atë në çast në majën e përsosurisë njerëzore dhe në atë gjendje, e mori pranë Vetes. Prandaj edhe për një njeri që ndodhet në pengim, në rënie a në shkarje e sipër, duhet bërë pikërisht kjo.

Por nëse një njeri e merr lehtë një çështje që feja e ka cilësuar qartë si të ndaluar, e sheh atë si diçka pa rëndësi dhe, pavarësisht paralajmërimeve, vijon të bëjë të njëjtat gjëra, atëherë situata paraqitet e ndryshme. Për të ruajtur seriozitetin e çështjes, ndaj këtyre njerëzve mund të jetë e nevojshme që të mbahet edhe njëfarë largësie. Edhe kjo është një nga hollësitë që bëjnë pjesë në pengimin prej të këqijave.

Në lidhe me këtë temë, Zotëria ynë, Profeti (s.a.s.) në një hadith urdhëron e thotë kështu: “Cilido prej jush që sheh një të keqe, le ta ndalë atë me dorë. Nëse për këtë nuk i mjafton fuqia, le ta ndalë duke këshilluar e paralajmëruar. Nëse nuk i mjafton fuqia as për këtë, atëherë le të mbajë qëndrim me zemër kundër saj. Por kjo e fundit është shkalla më e ulët e besimit.” [243] Qëndrimi i parë që duhet mbajtur ndaj një të keqeje është që ajo të pengohet me dorë. Një njeri, për të ruajtur fëmijët apo të afërmit e vet prej të këqijave, mund të zbatojë disa sanksione në përmasat që ia lejojnë ligji dhe e drejta. Por nëse nuk e ka një mundësi të tillë, nëse nuk është në gjendje ta përmirësojë me veprim konkret të keqen që sheh, atëherë duhet të këshillojë e të paralajmërojë duke ushtruar “të urdhëruarit në të mirën” (emr-i bi’l-ma’ruf) dhe “të ndalurit prej së keqes” (nehji ani’l-munker). Nëse nuk ka mundësi e nëse koniunktura nuk ia lejon as këtë, atëherë ajo që i mbetet është që të mbajë në zemër qëndrim mospranues ndaj atyre të këqijave. Në një kuptim, me njeriun që tregohet kryeneç dhe vazhdon rrugën e nisur, mund të vendosë një distancë dhe të mbajë qëndrim ndaj tij. Në thelb, ky qëndrim që mbahet ndaj një individi që këmbëngul në mëkat, sërish është dhe duhet të jetë i prirur për ta shpëtuar e për ta ndihmuar atë.

E pra, në këtë pikë, mprehtësia dhe mençuria e individit që gjendet në pozitën e udhërrëfyesit mbart shumë rëndësi. Kemi një individ që, i zhytur në keqardhje të thellë, pendesë pas pendese, kërkon rrugët për daljen nga gabimi. Sikurse kemi edhe njerëz që, duke gjetur pretekste djallëzore për sjelljet e tyre të gabuara, këmbëngulin në mëkat e në kryelartësi. Pikërisht këta janë njerëzit ndaj të cilëve duhet mbajtur qëndrim. Duke qenë se kjo është një çështje që kërkon ndjeshmëri të lartë, nëse problemi nuk i lihet amanet arsyes, nëse puna nuk shihet brenda standardeve vlerësuese të ndërgjegjes, mund të ndodhë që ta trajtoni edhe rastin e parë si rastin e dytë. Duke qenë se me një sjellje të tillë e drejta nuk vihet në vend, bëheni përgjegjës para Zotit të Madhëruar. Për këtë arsye, sipas gjendjes konkrete të bashkëbiseduesit, gjithçka duhet bërë siç duhet dhe duhet llogaritur mirë që në fillim se çfarë qëndrimi duhet mbajtur ndaj sjelljesh të caktuara.

Mëkate të barasvlershme me femohimin

Veç kësaj, siç shpreheni edhe në pyetjen tuaj, ka edhe sjellje e qëndrime si të bërët pjesë në objektiva të errëta, pjesëmarrja në shpifje e gënjeshtra nën maskën e marrjes së informacionit, që e dëmtojnë një lëvizje të përbashkët dhe që janë të barasvlershme me mohimin e fesë. Që të falen mëkate të tilla, nuk mjafton që individët të na falin e të na e bëjnë hallall. Sepse duke qenë se këto llogariten prej të drejtës së përgjithshme, kanë lidhje me të drejtën e Allahut.

Ta zëmë se dikush, duke e vlerësuar për llogari të vet një detyrë që i përket kombit dhe shtetit tonë, kundrejt një pagese, dërgon informacione jashtë vendit dhe bën spiunazh. E pra, kjo është një e keqe e zvetënim i tillë që – Allahu na ruajtë! – i kapërcen kufijtë e hipokrizisë. Zoti ynë mos lëntë kurrkënd që të bjerë në një gjendje të tillë!

Po ja që siç ka ndodhur në të shkuarën, edhe sot mund të ndodhë që të përjetojmë ngjarje të tilla. Mendoni pak se edhe në epokën e artë të njerëzimit, në Kohën e Zbulesës Hyjnore, kishte hipokritë. Për rrjedhim, edhe mes myslimanëve të ditëve tona mund të ketë hipokritë. Siç e shihni në provokacione, ka njerëz që vijnë sa prej Iranit e prej Turanit për të shkaktuar trazira e për të prodhuar ngjarje të ndryshme shoqërore. Këta, duke shfrytëzuar raste nga më të ndryshmet, hyjnë mes turmës dhe shkaktojnë enkas rrëmujë. Madje edhe pse nuk shkelin kurrë në xhami, janë në gjendje që mu përpara xhamisë të shkaktojnë provokacione që nxisin e ndezin njerëzit. Po. Të tilla ngjarje mund të ndodhin gjithmonë. E pra, për t’i parë të gjitha këto, janë të nevojshme ai vështrim i mprehtë e ajo mençuri që janë ndriçuar në vuajtjen e në dhembjen e mendimit.

Me këtë rast, po e pohoj edhe një herë, se si pjesëtarë të një feje që ka në thelbin e vet dashurinë për njeriun, ne duhet të përmendim në çdo platformë se nuk përbëjmë kurrfarë shqetësimi për të tjerët. Po, po. Ne jemi në krah të konceptit të dialogut e të mirëkuptimit mes njerëzve dhe e konsiderojmë si ibadet e adhurim ndaj Zotit që gjithsecili të përpiqet të dojë tjetrin, t’i shtrijë gjithkujt dorën e pajtimit e të mundohet të ecë në këtë rrugë. Ne jemi pjesë e përpjekjes për të penguar përdorimin e armëve atomike e të bombave me hidrogjen a ç’mos tjetër prej aso armësh të mallkuara që njerëzit kanë shpikur për të vrarë njëri-tjetrin. Ne kemi dëshirë që mbi kryet e njerëzve të mos bien të tilla bomba, të tilla të liga e fatkeqësi, por dëshirojmë që, në një atmosferë dashurie, nën shkëlqime si fishkzjarre që ngjyrosin qiellin, mbi njerëzimin të bien shira të bekimit e të dritës. E gjithë çështja jonë është veç kjo.

Por ata që nuk njohin tjetër vlerë veç fuqisë e forcës, që botën e shohin vetëm si veten, mund t’ju mendojnë edhe ju si ata vetë dhe mund t’ju fajësojnë për çka as s’ju shkon ndonjëherë në mendje e as që e keni ndonjëherë as në ëndërr. Kundrejt gjithë këtyre, ajo çka mbetet për të bërë, është që të shpjegoheni vazhdimisht dhe të mundësoni që të tjerët të mund t’ju lexojnë drejt. Në fund të fundit ju nuk keni pasur tjetër qëllim përveçse, nëpërmjet kënaqësisë së adhurimit, ta ktheni botën në një korridor parajse. Po, po. Me vetëdijen e përgjegjësisë që buron prej fesë suaj, ju keni ndjekur vetëm një qëllim: që njerëzit të mos goditen, të mos përplasen, që bombat vdekjeprurëse të mos shpërthejnë, që të mos ketë vraseje e masakra; që të mos përjetohen më Hiroshima dhe të mos ndodhin sërish tmerre e fatkeqësi si luftërat botërore. Dhe për këtë, që prej fillimit ju u bëzatë zemërave të njerëzve, me durim e porsi milingona u munduat të formësonit kudo ishuj të vegjël paqeje. Ndërkohë, po pohoj edhe se në vendin tonë dhe në të katër anët e botës pati sa e sa natyra të pastra e të dëlira, që iu përgjigjën kësaj thirrjeje, që treguan dashamirësi, që e duartrokitën, e mbështetën dhe i dolën për zot këtij koncepti. Ahere, ajo çfarë na mbetet neve është që, pavarësisht çfarë mund të thotë shumëkush, të mos ngecim në negativitete, por të vazhdojmë përpjekjen rendjen porsi dorinj dihatës në këtë rrugë që shpresojmë se do të na çojë drejt kënaqësisë së Zotit tonë.


[240] Nur, 24/30.

[241] Ahmed İbn Hanbel, El-Musned 5/256; Et-Taberani, El-Mu’xhemu’l-kebir 8/162, 183.

[242] Muslim, Fedailu’s-sahabe 131; Ahmed İbn Hanbel, El-Musned 4/420, 421, 425.

[243] Muslim, Iman 78; Tirmidhi, Fiten 11; Ebu Davud, Salat 239.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.