Dukuria e vdekjes dhe e ngjalljes që vihet re mbi tokë vërteton jetën e pasme

Kur e shqyrtojmë faqen e tokës, ndodh një çast që çdo gjë të shfaqet në atmosferën e krijimit dhe të ringjalljes. Dorë për dorë, sup më sup, gjunjë më gjunjë, të gjitha krijesat marrin qëndrim të gatshëm përballë Zotit sikur të përgatiteshin për parakalim. Pemët, drurët, bimët dhe tërë gjelbërimi, si ushtarë që kanë veshur uniformën e paradës, rreshtohen radhë-radhë para Dëshmuesit Eternal (të Përjetshëm). Por ndodh një çast tjetër që gjethet derdhen, qeniet kthehen në gjendje rrënoje dhe trualli fillon të paraqesë një pamje shkretëtire. Në kundërshtim me faktin që në pranverë, faqen e tokës e shohim tejet të gjallë e tërheqëse, në stinën e vjeshtës, pas erërave që shembin, shkulin e marrin me vete çdo gjë, sodisim një pamje sikur mbi fytyrën e çdo gjëje është spërkatur hi. Në fund të vjeshtës, ecim sikur të ecnim në shkretëtirë. Sidomos në vendet ku shkel dimri e bie borë, duket sikur nuk ka mbetur më shenjë jete e gjallërie. Drurët bëhen si eshtra të thara. Barërat kalben, jeta e tyre merr fund. Me anë të ndryshimeve, toka i kalb farërat.

Pastaj në pranverë, kjo gërmadhë nis të gjallërohet sërishmi. Pa shihni sesi drurët e pemët e përhirta e të përkulura në një anë të pafuqishme, fillojnë të vishen me të gjitha stolitë dhe qëndrojnë në këmbë gatitu para Dëshmuesit Eternal. Barërat dhe lulet e zvenitura e të vyshkura nën pemë dhe farërat nën tokë, duke gjetur dritë e ngrohtësi, fillojnë të shfaqen mbi tokë. Tërë insektet, brejtësit e zvaranikët që patën rënë në gjumin letargjik të dimrit të gjatë, hapin sytë qetë e qetë zgjohen dhe ndjejnë sesi ajri krejt i pastër që po thithin, po ua përkëdhel fytyrat. Ushqimin e gjejnë të grumbulluar në zemër të tokës në formën e blerimit. Në çdo pranverë, Zoti ringjall dhe shpërndan mbi tokë miliona gjallesa si këta!

Ja pra, kjo ringjallje dhe shpërndarje zhvillohet aq gjallërisht dhe rregullisht, saqë çdo njeri që e sheh këtë, arrin në këtë përfundim: “Edhe ne, krejt si këta, do të ringjallemi pas vdekjes në pranverën e botës tjetër. Çdo fragment i materies, ngjarjeve dhe dukurive është i gatshëm në mënyrë mjaft të vetëdijshme për këtë çështje dhe, në lidhje me këtë, paraqet pamje të ndryshme. Por është e pamundur të merren të gjitha këto një e nga një për t’u analizuar në faqet e këtij libri. Ne le të japim vetëm një shembull: frutat që na vijnë në tryezën tonë, frutat që na buzëqeshin nga majat e pemëve, që na qeshin disa herë nga mes pjergullash, disa herë nga mes gjembash... Vërtet, si formohen frutat që na ushqejnë e na japin kënaqësi? Për ta kuptuar këtë, duhet njohur mirë çështja e fotosintezës.

Fotosinteza formohet shumë lehtë dhe me bollëk. Me gjithë përparimin e teknikës dhe sukseseve marramendëse të teknologjisë, njeriu ende nuk është i aftë për ta kryer këtë veprim që realizon pema.

Uji, bioksidi i karbonit, klorofili dhe energjia e diellit formojnë sheqerin e quajtur hidrat karboni. Bioksidi i karbonit thithet nga vrimat e ajrit te gjethet e njoma të bimëve dhe bima merr frymë ose kryen frymëmarrjen. Kësaj i themi absorbim (thithje). Bioksidi i karbonit, me anë të një shpërndarjeje brenda gjethes së pemës, kalon atje ku ndodhet klorofili. Klorofili është elementi themelor i ngjyrës jeshile dhe blerimit. Kur bashkohet me ujin apo lëngun që vjen nga rrënjët, formohet sheqeri. Ky është një rezultat i arritur me anë të një operacioni mjaft të thjeshtë. Ja pra, Zoti i kryen këto me një mënyrë mjaft të thjeshtë. Por kjo paraqet një cilësi që quhet “thjeshtësi e papërsëritshme” Njeriu nuk mundet ta bëjë këtë. Frutat që na bëjnë të na shkojë lëng prej goje, krijohen nga një pemë e thatë, ja, me një krijim të tillë, të thjeshtë, por të pakopjueshëm e të paimitueshëm nga njeriu!

Duke u zhvilluar operacioni i fotosintezës, pema merr frymë dhe në këtë frymëmarrje bën një shpenzim. Por ajo bën një asimilim që është sa pesë-dhjetë herë shpenzimi. Shkaku është ky: natën, frymëmarrja e bimës ndryshon. Pastaj është edhe dimri, gjatë të cilit pema nuk do të shpenzojë energji. Ç’mendje e madhe dhe ç’vetëdije e përsosur! Vetëm se jo e pemës vetë. Atribuimi pemës i mendjes dhe vetëdijes është pavetëdijshmëria më e madhe!

Fuqia që nuk e lë “në mëshirë të fatit” frutin në degën e thatë të një peme, a mos do ta lërë “në mëshirë të fatit” njeriun që është fryti i pemës së gjithësisë? Individualiteti që plotëson edhe dëshirën më të vogël të krijesës më të vogël, a nuk e plotëson dot dëshirën për përjetësi që është më e madhja e krijesës më të lartë siç është njeriu?

Jo, njeriu i krijuar për përjetësi dhe që s’njeh tjetër veç Zotit të Vërtetë e të Përjetshëm, nuk mund të hidhet në varr duke u braktisur të kalbet në të! Ai do të ringjallet në një botë tjetër për të jetuar një jetë të posaçme për atje!

Kur’ani e shënon këtë të vërtetë duke u shprehur kështu:

“Thuaju: “Ecni nëpër tokë e shihni si filloi krijimi. Pastaj Allahu do të bëjë krijimin e fundit. Sepse Allahu ka mundësi për çdo gjë!” (Ankebut, 29/20)

“Shihni veprat e mëshirës së Allahut sesi e ringjall tokën pas vdekjes. Nuk ka dyshim se Ai do t’i ringjallë edhe të vdekurit. Ai ka mundësi për çdo gjë!” (Rum, 30/50)

Individualiteti që shkruan në një faqe miliona libra pa i ngatërruar dhe ia paraqet shikimit tonë, po qe se premton se do ta shkatërrojë një libër dhe do ta ribëjë përsëri, a mund të duket ky premtim larg fuqisë dhe mundësive të Tij?

Po qe se një mjeshtër shpik një makinë dhe pastaj e çmonton dhe premton se do ta montojë dhe vërë në punë përsëri, a mund të mohohet dhe të hidhet poshtë premtimi i tij? Po qe se një komandant i një ushtrie, pasi e ka shpërndarë ushtrinë për pushim dhe thotë se mund ta mbledhë dhe rreshtojë përsëri, a mund t’i thuhet se s’e bën dot?

Ja pra, edhe këta shembuj të thjeshtë, madje, janë të mjaftueshëm për të krijuar opinionin se mohimi i ringjalljes dhe jetës tjetër është i pamundur! Kurse shembuj si ky ka me qindramijëra, ndoshta me miliona!