Vëmendja e treguar për gjërat më të thjeshta

Kam mendimin se rreth kësaj çështjeje, parashtrimi i vetëm një shembulli të vogël është i mjaftueshëm.

Celuloza përbën njërin nga elementët kryesorë të lëndës drusore.

Celuloza e cila përdoret në lëndë të ndryshme industriale, zë një vend të veçantë në industrinë e letrës. Me elasticitetin e saj karakteristik celuloza i jep mundësi drurit të përkulet pa u thyer.

Ajo është shumë e vështirë për t’u tretur dhe për t’u përvetësuar nga organizmi. Celuloza nuk tretet në stomakun dhe zorrët e njeriut. Vetëm enzimat që sekretohen te kafshët ripërtypëse mund ta zbërthejnë lëndën celulozoike. Celuloza shndërrohet në trupin e kafshëve në lëndë të dobishme, nga e cila përfitojmë edhe ne. Madje fekalet e kafshëve i përdorim me përfitim si pleh organik. Kafshët punojnë pothuaj si fabrikë për ta shndërruar celulozën në lëndë të dobishme.

Ndërkaq, kafshët nuk munden ta hanë të gjithë lëndën celulozike që ekziston. Celuloza që bie në tokë, falë veprimtarisë së baktereve të caktuara, thërrmohet dhe sillet në gjendje molekulare. nga njëra anë toka përfiton nga këto, nga ana tjetër sipërfaqja e tokës shpëton prej lëndëve me kundërmim të keq dhe pastrohet.

Nuk duhet t’i nënvleftësojmë bakteret duke folur për to si për diçka pa ndonjë vlerë të veçantë. Le të mendojmë vetëm kaq: Po qe se njerëzit e vdekur nga Hz. Ademi e këtej, po qe se kafshët e ngordhura dhe bimët e thara e të rrëzuara qysh nga krijimi i botës e gjer më sot, nuk do të ishin kalbur, a do të ekzistonte më jeta sot, a do të mbetej më sot shenjë jete? Madje nuk është nevoja për ta zgjatur çështjen kaq. Po qe se mizat e dy-tre vjetëve nuk do t’i nënshtroheshin procesit të dekompozimit, sipërfaqja e tokës do të mbulohej me një shtresë mizash të trashë disa centimetra dhe njeriu nuk do të gjente dot vend ku të hidhte hapin!

Siç shihet, Zoti u jep mundësi qenieve më të vogla për të kryer punë të mëdha. Me anë të miliona baktereve që ndodhen në një grusht dhé, kryhet detyra e pastrimit të sipërfaqes së tokës.

Ja kështu, Allahu (xh.xh.) që nuk i lë kot celulozën dhe bakteret, që u jep rëndësi të madhe këtyre qenieve të thjeshta e të vogla, si mund ta lërë kot një qenie të tillë si njeriu që është mbreti i gjithësisë? Kjo, kurrë s’është e mundur!