Kaderi dhe Vullneti Nuk Janë Antagonistë të Njëri-Tjetrit

Në thelb, mes vullnetit dhe njeriut nuk ka kundërshti dhe përjashtim. Vullneti i njeriut me kaderin shkojnë paralel. Nëse vajtja e njerëzve në xhennet, parajsë me mirësitë që kanë bërë dhe vajtja në xhehennem, skëterrë, me mëkatet dhe të këqijat që kanë bërë, është një realitet, fiksimi i këtyre nga Zoti në gjuhën e kaderit është në një aspekt, mbështetje e vullneteve. Kjo do të thotë se te njeriu është një fuqi që e shtyn atë në dobi, mbarësi, mirësi dhe, për pasojë në xhennet ose krejt e kundërta, bëhet shkak që njeriu të rrokulliset në të keqe, në mëkat dhe, për pasojë në xhehennem. Kjo fuqi përbën bazë për kaderin. Kjo fuqi është vullneti. Dhe ekzistenca e këtij vullneti nuk është pengesë për paravlerësimin dhe paracaktimin e Allahut.

Në fakt, edhe për të gjitha aktet tona mund të mendojmë kështu. Për shembull, po të duam ta ngremë dorën lart, po të mos ketë ndonjë pengesë fizike, mund ta ngremë; po të duam të flasim, mund të flasim.

Fakti që ne jemi të aftë t'i kryejmë këto akte, provon se tek ne ka diçka, ka një vullnet. Kësaj, po të doni, i thoni vullnet, po të doni, i thoni zgjedhje e lirë e pjesshme, po të doni, i thoni dëshirë, përfundimi nuk ka për të ndryshuar.[1] Ekzistenca e kësaj gjëje, përbërjen e së cilës nuk e dimë, është e qartë si drita e diellit, sa që nuk ka nevojë për asnjë lloj vërtetimi.

Le të vimë tek kuptimi i paravlerësimit dhe paracaktimit hyjnor. Zoti sikur i thotë njeriut kështu: "Unë e di se në këtë kohë ti do ta përdorësh vullnetin tënd në këtë drejtim dhe për këtë veprim.

Prandaj dhe po e caktoj për ty atë veprim në atë mënyrë!" Ja, kjo do të thotë ta mbështesësh vullnetin (e njeriut).

Po, është Allahu që e ka krijuar materien. Ndërkaq, në lidhje me ato akte ku vepron vullneti i njeriut, nga Zoti dihet që më parë se në ç'drejtim do të veprojë vullneti i njeriut dhe sipas kësaj bëhet paravlerësimi dhe paracaktimi i Zotit. Atëherë, themi se kaderi e mbështet vullnetin e njeriut, nuk e anulon. E thënë ndryshe, një një aspekt, kaderi e përmbledh edhe vullnetin e njeriut, gjë që është mbështetje e vullnetit të njeriut, jo anulim ose mohim i tij!


[1] Siç u sqarua edhe në një shënim më lart, kjo quhet dëshirë volitive.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.