Kaderi nën Rrezet Ndriçuese të Ajeteve Kur'anore dhe Haditheve

Po qe se çështja e kaderit do të merrej në dorë dhe trajtohej vetëm nën dritën e ajeteve dhe haditheve që do të përmendim më poshtë, do të sigurohej përshtatje me botëkuptimin sunnit. Ndryshe, nuk do të mund të shpëtonim nga rrëshqitja në mendime deterministe ose deviatore. Prandaj, në këtë pjesë mendojmë të marrim në dorë dhe analizojmë ajetet dhe hadithet lidhur me temën.

Në një ajet, Allahu (xh.xh.) urdhëron kështu:

"Nuk ka ndonjë fatkeqësi që të bjerë mbi tokë ose mbi kokën tuaj që të mos ndodhet në atë libër para se ta kemi krijuar Ne. Me të vërtetë, kjo për Allahun është e lehtë!"[1]

Pavarësisht se kur dhe si ju godet ju ndonjë fatkeqësi nga qielli, nga toka apo nga vetvetja juaj, ajo fatkeqësi është vlerësuar dhe caktuar para se qielli, toka dhe vetja juaj të krijoheshin. Po, çdo gjë është shkruar që më parë dhe të gjitha ndodhitë zhvillohen brenda kësaj linje paravlerësimi.

Besimi i kësaj çështjeje në këtë mënyrë, trajtimi i saj në këtë mënyrë është domosdoshmëri e ecjes në rrugën muhammediane. Kurse mosbindjet janë devijim dhe perversitet sipas madhësisë apo vogëlsisë së mosbindjes.

Për ajetet që shërbejnë si argumente për çështjen e kaderit, patëm folur në krye të librit. Tani dëshirojmë të përcjellim disa nga hadithet që i komentojnë ato.

1. Abdullah b. Amr b. As rrëfen: Profeti ynë tha kështu:

"Allahu i ka vlerësuar dhe caktuar kaderet e krijesave pesëdhjetë mijë vjet më parë se t'i krijonte qiellin dhe tokën. Dhe arshi i Tij qëndronte mbi ujë."[2]

Ne nuk e dimë se këto pesëdhjetë mijë vjet sipas cilave kritere janë vlerësuar. Sipas kritereve kohore të botës sonë, këto pesëdhjetë mijë vjet mund të jenë pesëdhjetë mijë, por mund të jenë edhe pesëdhjetë milion vjet. Madje mund të jetë bërë edhe një aluzion i zmadhuar.

Çdo gjë që do të shfaqej në botën-ekspozitë, është vlerësuar dhe caktuar pesëdhjetë mijë vjet para se të krijohen qielli e toka, para se të krijohet njeriu, produkti i qiejve dhe i tokës.

Në vazhdim të hadithit, thuhet: "… dhe arshi ndodhej mbi má". Meqë analizën e thellë të kësaj çështjeje e kemi bërë në një vepër tjetër, këtu nuk do të bëjmë fjalë për të. "Má" është, ndoshta, lënda "amá" siç thonë shumë specialistë të hadithit. Ndoshta është eteri. Arshi i Allahut ndodhej mbi eterin, lëndën bazë të atomeve dhe partikuleve. Ndoshta në atë kohë, qeniet ekzistonin me trupat e tyre eterore. Por ne kurrë s'mund ta dimë këtë. Sepse as ne, as ati ynë, Ademi, ende nuk ishim. Nuk ishte as gjithësia. Në qiellin e krijimit as një shkrepëtimë, madje, nuk kishte shkrepur!

2. Kur po vdiste, Ubate b. Samit po u thoshte këto fjalë fëmijëve të vet që i ishin mbledhur përreth:

"Bijtë e mi, po qe se nuk e keni pranuar se gjërat që kanë për t'ju ndodhur, janë vlerësuar dhe caktuar para se t'ju ndodhin dhe pastaj ju ndodhin pa asnjë shmangie, nuk mund ta shijoni shijen e besimit (nuk mund të arrini kënaqësinë e besimit në ndërgjegje, nuk mund ta fitoni produktin e besimit dhe nuk mund të ndjeni kënaqësi shpirtërore). Unë e kam dëgjuar nga i Dërguari i Madh (a.s.). Ai tha: "Gjëja e parë e krijuar nga Allahu është kalemi. Sapo e krijoi kalemin, Allahu i dha urdhrin "shkruaj". Kalemi i tha: "Zoti im, ç'të shkruaj?" Zoti e urdhëroi: "Shkruaj kaderin e çdo gjëje gjer në kiamet!" Pastaj, i Dërguari i Allahut e vazhdoi kështu fjalën e tij: "Kush vdes me një besim tjetër, të kundërt me këtë, nuk është nga të mitë (ai s'është anëtar i bashkësisë muhammediane dhe s'ka lidhje me Islamin)!"[3]

Ja pra, këto gjëra u tregonte të bijve Ubade b. Samit në çastet e agonisë dhe ua parashtronte besimin për kaderin sikur t'ua linte amanet!

3. Edhe hadithi i mëposhtëm me cilësinë e shpjeguesit dhe komentuesit të ajetit të mësipërm, i rrëfyer prej Abdullah b. Abbasit, është shumë i rëndësishëm për ne sepse na i bën dritë çështjes. I hipur në vithe të kafshës pas Profetit, Abdullah b. Abbas dëgjonte. Profeti po i thoshte:

"O djalë i ri, do të të mësoj ty ca gjëra! Kujdesu për urdhrat dhe ndalimet e Allahut, që edhe Allahu të kujdeset për ty! Respektoje të drejtën e Allahut që të të gjendet. Atë që dëshiron, kërkoje vetëm prej Allahut! Edhe kur ke për të kërkuar ndihmë, prej Atij kërkoje. Ta dish pa asnjë diskutim se, edhe sikur të gjithë njerëzit të mblidhen e të kërkojnë të të ndihmojnë, ata nuk do të të ndihmojnë dot jashtë asaj që ka shkruar Allahu për ty. Gjithashtu, edhe sikur të gjithë njerëzit të mblidhen e të kërkojnë të të bëjnë ndonjë dëm, nuk do të bëjnë dot asgjë kundër teje përtej asaj që ka shkruar Zoti për ty! Sepse tashmë kalemat janë hequr, faqet janë tharë!"[4]

Me fjalë të tjera, respektoje të drejtën e Allahut që të mund të dërgosh disa gjëra për të ardhmen. Kur të kërkosh, kërko vetëm nga Allahu. Mos iu përkul e mos iu nënshtro askujt. Mos trego bindje para tjetërkujt, mos i kërko mendim tjetërkujt. Sepse është vetëm Allahu që ta mbaron punën. Atëherë, kur të kërkosh, prej Tij kërko. Sepse kërko prej kujt të duash, si përfundim, atë që kërkon ti, Allahu ka për të ta dhënë. Prandaj mos u kap e mos u pengo nga shkaqet dhe mjetet që hyjnë në këtë mes. Largoji nga mesi të gjithë ndërmjetësit. Këtë bëje edhe me fjalë, edhe praktikisht dhe dije se të gjitha pretekstet dhe mjetet janë të dobëta e të pafuqishme si ti. Eshtë vetëm një person i aftë për të krijuar çdo dëshirë dhe kërkesë tënden dhe ai është Allahu. Sepse çelësat e tokës dhe qiejve janë në dorën e Tij. Ai është që vlerëson dhe cakton. Krijues është Ai. Eshtë prapë Ai që bën të lumtur e që të mbyt në dëshpërim. Kë të dojë e bën të çmuar, kë të dojë, të poshtëruar. Sikur të gjithë njerëzit të bëjnë garë me njëri-tjetrin se kush do të të ndihmojë më shumë dhe të përpiqen për të të shpëtuar nga gjendja e keqe ku ndodhesh, e mira që kanë për të të bërë, pa asnjë dyshim, do të jetë brenda kuadrit të vlerësimit të Allahut! Po kështu qëndron puna edhe me të këqijat që kërkohet të të bëhen. Sepse kalemi e ka shkruar atë që ka pasur për të shkruar, edhe fletët janë tharë. Këtej e tutje as që mund të bëhet fjalë për ndonjë ndryshim në to.

Me këto fjalë të pranuara si lakonike, Profeti ia mëson Hz. Abbasit, dijetarit udhërrëfyes të ummetit, bashkësisë së tij, çështjet më të thella të kaderit. Ky duhet të jetë botëkuptimi përfundimtar mbi kaderin.

Po, kaderi është një çështje ndërgjegjeje dhe konstitucioni. Të vërtetat e të gjitha këtyre gjërave që u parashtruan e u treguan, njeriu do t'i ndjejë në ndërgjegje e do të mbushet me to.

Mund të thuhet se njëra nga çështjet ku Profeti u përqëndrua më shumë, është tema e kaderit. Dhe shumica e këtyre haditheve ndodhet në Kutubi Sitte. Prandaj, sado të përqëndrohet mbi çështjen e kaderit, është me vend dhe e nevojshme.

Zoroastrianët u besonin dy forcave: të mirës dhe të keqes. Ata besonin se Zoti me Djallin janë në kundërshtim me njëri-tjetrin, por nuk përzihen në punët e njëri-tjetrit.

Islami është plotësisht kundër këtij mendimi. Dhe u ka shpallur luftë mendësive të këtij lloji. Ne besojmë se, ashtu siç Zoti nuk ka të ngjashëm në individualitetin e vet, ashtu dhe nuk ka partner në aktet e veta. Ai është Zot dhe administron si të dojë në pronën dhe pushtetin e vet. Sulltani është një; fuqia dhe forca janë në dorë të Tij!

Këto fjali që janë sunnet për t'u kënduar mëngjes e mbrëmje, na e tregojnë krejt hapur këtë të vërtetë:

"Nuk ka zot tjetër veç Allahut. Ai është një i vetëm, nuk ka shok. Pasuria dhe pushteti janë të Tij. Lavdia dhe falenderimi janë të posaçëm vetëm për Të. Ai ka mundësi për çdo gjë!"[5]

Në këtë shprehje ne shohim të vërtetat mbi unitetin hyjnor, unitetin atributiv dhe unitetin aksionar.[6] Atribuimi i çdo gjëje Njëshit është një çështje shumë e rëndësishme dhe përbën thelbin e botëkuptimit tonë mbi besimin.

4. Po deshët, këtë specifikë ta ndjekim në klimën e ndriçuar të hadithit profetik të rrëfyer prej Hz. Aliut (r.a.).

Me rastin e varrimit të një shoku, i Dërguari i Allahut po rrinte në varreza i hidhëruar e i dëshpëruar. Në dorë mbante shkopin. Ishte mjaft i hidhëruar, kurse ne përpiqeshim t'ia kuptonim vijat e dhimbjes që i kishin rrethuar fytyrën. Me shkopin që kishte në dorë, po përvijonte në tokë disa forma. Në këtë mes, nga buzët e bekuara iu derdhën këto fjalë:

"Nuk ka asnjë individ mes jush që Allahu të mos e ketë caktuar fundin e tij në xhennet ose xhehennem!"

Shokët që i dëgjuan këto fjalë, e pyetën me habi: "O i Dërguari i Allahut! Meqë gjendja është siç po e thua, ne pse përpiqemi, pse punojmë?"

Ai iu përgjigj kështu:

"Punoni se për ç'është krijuar për çdo njeri, në atë drejtim ka lehtësi. Pra, kush është nga njerëzit e lumturisë, ecën në atë drejtim dhe kush është nga njerëzit e fatkeqësisë, ka për të ecur dhe arritur në atë anë!"

Pas kësaj, Profeti këndoi këto ajete:

"Por kush shpenzon në rrugën e Allahut, frikësohet nga Allahu dhe e vërteton fjalën më të bukur (la ilahe il'lallah, nuk ka zot tjetër veç Allahut), Ne e përgatisim për të rrugën më të lehtë!"

"Por kush bën koprraci, sillet me vetëkënaqësi dhe e përgënjeshtron fjalën më të bukur ndër të bukurat (la ilahe il'lallah, nuk ka zot tjetër veç Allahut), Ne e detyrojmë atë në një rrugë të vështirë!"[7]

[8]

Po, njeriu i krijuar për në xhennet, do të jetojë me gëzimin dhe harenë e adhurimit. Në vetvete ai do të ndjejë neveri për gjërat e ndaluara. Për të, rruga që shkon për në faltore, do të lehtësohet shumë, kurse rruga që të çon në pijetore, do t'i bëhet e vështirë sikur t'i mbetej në grykë.

Punoni e përpiquni se çdo njeri ndodhet në atë rrugë për të cilën është krijuar. Rruga e xhennetit kalon nga faltorja dhe ecja pas të Dërguarit të Allahut. Për atë, balli i të cilit nuk sheh sexhde dhe që s'e bën zemrën dhe ndërgjegjen pasqyrë për të Vërtetën, nuk mund të thuhet se është në rrugën e xhennetit.

Po qe se njeriu është ndër ata që i përkasin lumturisë, si përfundim bën punët që u përkasin njerëzve të lumturisë dhe bëhet ndër njerëzit e lumtur. Po kështu, po qe se njeriu, si përfundim, është ndër fatkeqët, herët apo vonë bën punët që u përkasin fatkeqëve dhe bëhet ndër njerëzit fatkeqë.

Eshtë për këtë arsye që i Dërguari i Allahut e këndonte këtë lutje mëngjes e mbrëmje:

"Allahu im, na e bëj fundin të dobishëm në të gjitha punët tona dhe mbrona ne nga turpërimi në këtë botë dhe nga vuajtja në jetën tjetër!"[9]

I Dërguari i Allahut, ajetet 5 dhe 10 të sures Lejl i sjell si argumente për shprehjet e tij të mësipërme. Si kuptim, këto ajete na kujtojnë neve këto gjëra:

Kush e shpenzon pasurinë dhe jetën në rrugën e vërtetë, e flijon çdo gjë që ka në atë rrugë, hyn në rrethin e devocionit, përfiton nga ligjet e Allahut, domethënë zemra i mbushet e i derdhet në çdo kohë me dashuri dhe respekt për Allahun, futet nën mbrojtjen e Allahut, e njeh dhe e gjen shpëtimin e vërtetë dhe, kështu, në çdo punë të tij, i beson Allahut dhe mbështetet te Ai, pastaj i vërteton Emrat e Bukur të Allahut dhe e quan të drejtë çdo gjë që duhet besuar, edhe Zoti ia lehtëson atij rrugën e drejtë dhe, duke e sjellë atë në gjendjen e një përroi që rrjedh duke buçitur, i jep mundësi të arrijë synimin e dëshiruar. Atëherë, ai fal namaz, agjëron, shkon në haxh dhe lufton në atë mënyrë që ata që nuk e kuptojnë dot gëzimin e kësaj pune, e shohin atë dhe ose e admirojnë, ose thonë "është i marrë"!

Po, më në fund, vdekja e tij fillon të duket si një epope për t'u përbuzur, braktisja e ngrënie-pirjes dhe e kënaqësive personale, si një legjendë përtej mendjes dhe bujaria e tij, si një melodi, kalon gojë më gojë. Allahu ia ka lehtësuar atij rrugën që shkon për te e mira.

Në të kundërt, domethënë po qe se njeriu bëhet koprrac dhe nuk i jep askujt asgjë, duhet të dihet se atij që s'jep, nuk i jepet! Po të japë, edhe Allahu i jep atij. Ç'i jep? Bukurinë, mirësinë, fundin e bukur… Por ai që s'jep dhe sillet i vetëkënaqur, pra, që, në kundërshtim me tjetrin që mbështetet dhe futet nën hijen e Zotit, ndjen se është dikushi dhe sillet me vetëkënaqësi, thotë si Karuni, "të gjitha këto m'u dhanë në sajë të diturisë sime", vajtjen në xhami e quan prapambetje, kurse ata që shkojnë në xhami i sheh me nënvleftësim e përbuzje, e përgënjeshtron bukurinë, e përgënjeshtron Zotin që emërtohet me ata emra, nuk e pranon të Dërguarin e Madh që është pikëfokusimi i Emrave të Bukur të Zotit, nuk e njeh as Kur'anin që është interpret i përjetshëm i variacioneve të Emrave Hyjnorë, edhe Zoti e fut atë në vështirësi. Ndoshta disa herë edhe ai gjendet brenda jetës fetare, por namazi që fal mbetet sikur t'ia shtrëngonte grykën, ngrihet në namazin e mëngjesit me përtaci dhe mpirje duke mos dashur kurrsesi të ndahet nga shtrati. Me kohë, i braktis edhe xhemaatin, bashkësinë, edhe adhurimin. Siç e shpreh edhe një ajet tjetër, kur përballet me një propozim fetar, mpaket sikur të ishte duke vdekur, sytë i turbullohen dhe zvarritet në të kundërtën e asaj që thotë. Edhe përballë propozimeve fetare më të vogla, madje tregon mërzitje dhe shqetësim. Sepse ai është vënë në vështirësi. Ai shfaq një qëndrim e një sjellje sikur të ishte duke u ngjitur në një majë nën peshën e një ngarkese të rëndë.

"Unë atë do ta vë të ngjitet nëpër një të përpjetë pingule…"[10]

Po, dikush nga njerëzit, si të kishte gjetur ndonjë shtresë qymyri, kërkon qymyr pa pushim në atë kanal, dikush si të kishte gjetur argjend, dikush bakër dhe dikush tjetër, si të kishte gjetur flori…

Dhe sa e sa të tjerë ka që vërtiten nëpër kanalizime!

Ta mbash zemrën të shëndoshë, të jesh krejt i drejtë dhe besnik, ta bësh kthesën krejt të plotë, të japësh për Allahun, ta presësh atë që pret nga Allahu, t'i vërtetosh emrat hyjnorë, të mos tregosh vetëkënaqësi përballë Allahut, të mos u japësh rëndësi vullnetit tënd të brishtë dhe diturisë tënde të dobët, ta dish çdo gjë prej Allahut dhe ta vësh kokën në pragun e Tij, të gjitha këto janë specifika që ta lehtësojnë rrugën. Kurse të bësh të kundërtën, do të thotë ta kthesh rrugën për në të përpjetë duke e kthyer në një ngjitje të pakapërcyeshme.

Rrëfyesi i hadithit që përmendëm më sipër, Hz. Aliu, thotë: "Pasi i dëgjuan këto nga i Dërguari i Allahut, sahabet, shokët e Tij, arritën të kenë një kuptim dhe vetëdije adhurimi aq të thellë, që përveshën këmbët për adhurim dhe u vunë në adhurim ndaj Allahut natë e ditë!" Domethënë se secili mendonte se në ç'rrugë të ishte, atje do të arrinte!

Ja, ky ishte botëkuptimi i sahabeve për kaderin. Besimi te kaderi bëhej shkak tek ta jo për dembelizëm përkundrazi, për të punuar edhe më shumë!

Ata mendonin se "në ç'rrugë të ecnin, përfundimi i asaj rruge ishte paracaktuar për ta dhe, pa pushim tregonin zell e përpjekje për të arritur në përfundimin e asaj rruge.

Atëherë, mjerë për ata që nuk janë në rrugën e xhamisë, mjerë për ballët pa sexhde, për ata që e lënë rrugën e Allahut dhe hidhen pas rrugëve të tjera! Atëherë, mjerë për ata që e kalojnë bajramin duke adhuruar idhujt, agjërimin në punishten e rakisë, kurse iftarin në pijetore! Rruga ku shkojnë ngjitet përpjetë, kurse fundi i saj është "ferr"![11]

Lavdi Allahut që na e lehtësoi neve rrugën e Islamit, që, si të ishim pika vese, na vendosi mbi gjethe që u thonë xhami, që na i bëri zemrat pasqyrë ku bien rrezet e diellit të diejve! Ai na bëri kryelartë me dhuntinë e lidhjes dhe besnikërisë ndaj Hz. Muhammedit (a.s.)! I kërkojmë dhe i lutemi Atij të na i plotësojë dhe përsosë këto dhunti!

5. Abdullah b. Amr b. As rrëfen:

"Një ditë i Dërguari i Allahut na erdhi pranë me dy libra në dorë.

"A e dini se ç'janë këta libra?" – na pyeti.

"Jo, s'e dimë! Po të na tregosh, e mësojmë, o i Dërguari i Allahut!" – I thamë ne. Ai na tha:

"Në librin që kam në dorën e djathtë janë të shkruar emrat e njerëzve të xhennetit. Aty janë të shkruar emrat e tyre, të baballarëve dhe të fiseve të tyre."

Këtu i Dërguari i Allahut e preu të folurit. Pra, ai deshi të linte të nënkuptohej se, sado që të zgjatej lista e atyre emrave, të gjithë ishin të shënuar aty. Engjëjt do t'i dallojnë emrat e secilit pa u ngatërruar aspak, sepse në atë libër çdo gjë ishte përcaktuar gjer në imtësitë më të vogla.

Pastaj i Dërguari i Allahut vazhdoi:

"Kurse ky libri që kam në dorën e majtë, përmban listën e të gjithë emrave të njerëzve të xhehennemit. Edhe ata janë shënuar aty bashkë me emrat e baballarëve dhe fiseve. Emrat e të dy librave as shtohen, as pakësohen përjetësisht."

Meqë i Dërguari i Allahut tha kështu, sahabet e pyetën: "O i Dërguari i Allahut! Meqë punës i është nxjerrë rezultati, librat janë mbyllur dhe kalemat janë hequr, ne pse punojmë?"

Profeti ynë u përgjigj kështu: "Mos u largoni nga rruga e drejtë dhe mos hiqni dorë nga maturia. Atij që është nga njerëzit e xhennetit, pavarësisht se ç'mund të ketë bërë gjatë jetës, nuk do t'i mbyllet libri pa e bërë punën që u përket njerëzve të xhennetit!"

I Dërguari i Allahut e vazhdoi fjalën kështu: "Po qe se personi është nga njerëzit e xhehennemit, pavarësisht se ç'mund të ketë bërë më parë, më në fund bën një punë që u takon njerëzve të xhehennemit dhe ashtu i mbyllet libri!"[12]

Le të përpiqem ta ilustroj këtë me një ngjarje të jetuar. I qeshë ndodhur pranë afër kohës së vdekjes një njeriu që e desha. E kishte përfshirë ciroza dhe e kishte rrëzuar në shtrat. i ishte zmadhuar edhe gjuha, të cilën e lëvizte me vështirësi brenda gojës. Megjithëkëtë, gjuha nuk i rrinte e qetë por i lëvizte pa pushim duke kërkuar të thoshte diçka. Ia vura veshin dhe e dëgjova. Më dukej se, në vend të gjuhës, zemra i thoshte: "La ilahe il'lallah"!

Kishte çuar një jetë të pastër e të pafajshme. Në atë kohë ndodhej në mërgim. Dhe e kishte zënë një sëmundje që do t'i përftonte cilësinë e dëshmorit. Në çastet e fundit i ndodheshin pranë njerëzit që kishte dashur, njerëz me buzët me lutje. Dukej sikur Zoti i kishte përgatitur të gjitha kushtet për ta bërë atë ndër njerëzit e xhennetit!

Kishte shkuar në haxh dhe atje ishte sëmurur. Kur ishte kthyer në Turqi, e kishin shtruar menjëherë në një spital të Izmirit, ende pa u parë me të afërmit. Në dukje ishte një i dëmtuar dhe viktimë, por e priste një fitim i madh. (Unë personalisht, duke u nisur nga pamja e jashtme e tij, dëshmoj për besimin e tij. Jam gati që edhe në ahiret të dëshmoj për besimin e tij; natyrisht, po të ma japin atë mundësi!) Po qe se njeriu është nga sëra e xhennetit, Allahu ka për ta bërë punën e tij të fundit punë të njerëzve të sërës së xhennetit dhe ashtu do ta mbyllë librin e tij. Por po qe se gjendja e tij është e kundërta e kësaj, edhe përfundimi do të jetë i kundërt. Zoti na mbrojttë nga fundi i rrugës së keqe dhe na bëftë të jemi të merituarit e punëve të njerëzve të sërës së xhennetit! Amin, ashtu qoftë!

Më sipër e prekëm shkurt vullnetin e njeriut dhe aktin krijues të Zotit. Asaj që i themi vullnet është një qenie krahasuese me cilësi të panjohur për ne. Vullneti me këtë kuptim është bërë kusht elementar për aktin krijues të Allahut dhe me këtë aspekt ka fituar vlerë. Por cili është funksioni i vullnetit në aktet e krijuara? Ja pra, kjo specifikë asnjëherë nuk përcaktohet dot plotësisht dhe me të gjitha linjat e veta. Specifika që kemi kuptuar dhe përcaktuar ne, është kjo: Me aktet tona të mira, Allahu (xh.xh.) do të na çojë në xhennet, kurse si përfundim i akteve tona të këqija – Allahu na ruajttë - do të na çojë në xhehennem! Ndërsa të mirët marrin cilësi xhenneti, të këqinjtë dhe mëkatarët, me vullnetin e tyre, do ta meritojnë xhehennemin.[13] Mirë, po ç'bën njeriu në këtë pikë? Gjer ku shkon ndërhyrja e njeriut mbi gjërat e mira e të këqija? Meqë krijuesi është Allahu, në ç'masë mund të vlerësohet shkakësia e njeriut? Ne jemi të detyruar që njohjen e të gjitha këtyre t'ia lëmë Allahut që është njohësi i të fshehtës!

Eshtë një libër i shkruar. Dhe kjo punë e shkrimit të një libri është bërë në forma të ndryshme në kohë dhe periudha të ndryshme. Para se të krijoheshin qiejt dhe toka, është përcaktuar një plan i përgjithshëm. Më pas, nga ky libër janë nxjerrë planet për individët dhe kaderi i individëve u është varur atyre në qafë. Ne nuk mund ta mendojmë veten dhe vullnetin tonë jashtë materies dhe dukurive.

Atëherë, kur themi "kader", edhe ne, edhe vullneti dhe dëshirat tona gjendemi brenda materies dhe dukurive që vërtiten në atë kuadër. Ndërkaq, aktet lidhur me ne brenda këtyre dukurive realizohen në vartësi reciproke me vullnetin tonë. Ne nuk mund t'i vëmë ndonjë masë këtij vullneti, por nuk dyshojmë në ekzistencën e tij. Ja pra, fakti që Zoti e sheh nga një pikë e lartë dominuese çdo gjë përfshi edhe vullnetin tonë, fakti që Ai i sheh dhe i njeh fillimin dhe fundin si të tashme, është kader. Dhe në një botëkuptim të tillë të kaderit nuk ka vend as për mendimin xhebrit, as për mendimin mutezilit. Pra, të gjitha aktet që kanë të bëjnë me vullnetin tonë, ashtu si dhe aktet e tjera që s'kanë asnjë lidhje apo afërsi me vullnetin tonë, janë të njohura, të vlerësuara e të përcaktuara drejtpërdrejt nga ana e Zotit.

Por në aktet e vullnetshme, pavarësisht nga përmasa e tyre, është llogaritur patjetër edhe vullneti ose prirja dhe vlerësimet e bëra janë bërë sipas vullnetit ose prirjes.

Thamë se Allahu ka shkrime të ndryshme. Gjërat e shënuara nga kalemi i kaderit në Levhi Mahfudh (Tabela e Kujtesës), më pastaj, engjëjt e zgjedhur me kalema në duar i citojnë dhe kopjojnë në libra të veçantë. Këta libra të shkruar nga engjëjt u varen në qafë individëve, secilit më vete si pllaka ku shkruhet dënimi me vdekje, domethënë, kur ata ende nuk kanë bërë asgjë, e gjithë aventura e jetës së tyre ndodhet e shkruar në këta libra. Aty është e shkruar për secilin se ç'ka për të bërë, ku dhe si ka për të bërë. Ndërkaq, ky shkrim nuk është bërë duke përjashtuar vullnetin e njeriut. Pra, aktet

e shkruara aty, njerëzit kanë për t'i bërë me vullnetin e tyre të lirë. Pastaj engjëjt do t'i shkruajnë përsëri bëmat e njerëzve në librin e secilit[14] dhe kur këta dy libra do të sillen pranë e pranë, do të jenë e njëjta e njëri-tjetrit. Sigurisht, libri i shkruar nga Zoti me dijen e Tij gjithëpërfshirëse, nuk do të jetë në kundërshtim me librin e shkruar më pas nga engjëjt. Sepse libri i shkruar që më parë është shkruar ashtu sepse dihet që më parë se ç'kemi për të bërë ne. Kurse libri i dytë është shkruar duke i bërë ne ato punë. Që të dy librat janë identikë gjer në fund; në to nuk ka as edhe një shkronjë të ndryshme. Po qëndrojmë me këmbëngulje mbi këtë specifikë në mënyrë që të mos bëhemi shkaktarë të ndonjë keqkuptimi.

Një aspekt i këtij procesi shkrimi është edhe se është bërë duke marrë fjalë nga ne, duke bërë pakt me ne në botën e shpirtrave, në botën e shembëllimeve ose në botën e grimcave. Ne i ndjejmë vazhdimisht dhe pandërprerë në ndërgjegje reflektimet e këtij shkrimi. Allahu (xh.xh.) ka dashur të regjistrojë dhe fiksojë një përfundim mbikohor. Edhe ne i jemi përgjigjur këtij duke thënë "po, sigurisht!"[15]

Ajeti kur'anor na e tregon këtë shkrim kaderi:

"Zoti yt pati marrë sojin e njeriut nga palca kurrizore e tij, i pati dhënë vazhdimësi dhe i pati pyetur njerëzit, duke i bërë dëshmitarë të kësaj të vërtete, kështu: "A s'jam unë Zoti juaj?" Dhe ata i qenë përgjigjur: "Po, jemi dëshmitarë!" Ne e bëmë këtë me qëllim që ditën e kiametit të mos thoni "s'ditëm gjë" ose "etërit tanë i patën bërë shok Allahut, edhe ne jemi pasardhës të tyre, prandaj a mund të na asgjësoni për shkak të bëmave të tyre?"[16]

Zoti u kërkon njerëzve të kujtojnë atë kohë kur pati marrë një fjalë prej tyre. Në atë kohë, njeriu ndodhej në palcën e kurrizit dhe kromozomet e të atit ose ende vazhdonte udhëtimin në botën e shpirtrave dhe nuk kishte kaluar ende në botën e spermës, në botën e grimcave. Ndoshta kjo marrje fjale dhe marrëveshje bëhet me anë të fryrjes së engjëllit kur sperma mbillet si një farë në tokë në mitrën amësore dhe, nëpërmjet fazave të ndryshme fillon të zhvillohet fetusi. Një realitet i tillë dhënie-marrje fjale mund të ndodhë në njërën ose në secilën prej fazave të zhvillimit në fjalë, nëpër të cilat njeriu (fetusi) kalon detyrimisht dhe dëshmitari i kësaj te njeriu është ndërgjegjja e tij.

Përdorimi në ajet i apelativit Zot dhe i formës Zoti yt ka për qëllim të aludojë për kuptime të ndryshme.

Allahu që të edukon ty, që të shtyn drejt përsosjes, që formon prej lëndës eterore tënde atomet e tua, prej atomeve molekulat, prej molekulave përbërjet e mëdha, veçanërisht ty, që krijon prej nënës vezën dhe prej babait spermën, që përgatit truallin e zhvillimit tënd brenda errësirash shtresa-shtresa, që në një mjedis pa ajër të jep mundësi ty të marrësh frymë me anë të frymëmarrjes së nënës, që të ushqen me anë të ushqimeve të marra nga nëna jote dhe që jashtëqitjet t'i nxjerr jashtë nëpërmjet gjakut të nënës, që duke të ndarë ty pas një faze të caktuar nga kafshët, të shtyn në rrugën e nivelit më të lartë të parajsës duke i lënë kafshët brenda kufijve të krijimit të tyre, që pas këtyre, me edukimin e Tij të përgjithshëm, të jep mundësi ty të bësh miraxh (të takohesh me Të në namaz), që ta pajis dhe zbukuron zemrën me bindjet islame me qëllim që të bëhet mbështetje për pjekurinë materiale e shpirtërore, që me anë të punëve të mira ta ndriçon anën tënde të jashtme e të brendshme, që, duke të treguar ty rrugën që shkon për te Hz. Muhammedi (a.s.), të siguron të hysh nën edukimin e tij, që, përtej këtyre, duke të mundësuar me bujari ty të vizatosh eklipse nën hijen e Tij, të ngjit ty në pikën më të lartë të qenies sublime dhe, kështu, duke të edukuar ty, të tregon se është Zoti yt. Dhe Allahu, Zoti yt, mori prej teje fjalë qysh në krye të herës duke të mbajtur dëshmitar të vetes tënde duke ju pyetur juve, njerëzve: "A po dëshmoni?"

"A po dëshmoni se unë jam Zot, se këto punë të komplikuara nuk mund t'i bëjë tjetërkush veç meje, se ekuilibrin mes fillimit dhe fundit e kam ngritur dhe e mbroj unë, se vetëm unë mund të krijoj nga një lëndë e errët si toka banorë të parajsës siç është njeriu që i lë pas edhe engjëjt?

Hidhini një vështrim vetes nga maja e kokës gjer në majë të thoit! A mund t'ju krijojë juve tjetërkush veç meje? A mund të ndërhyjë te ju tjetërkush përveç meje? A mund t'jua japë juve këtë përsosmëri, këtë vlerë të krijesës së bukur tjetërkush përveç meje? Pa hidhini një vështrim fytyrës suaj? Brenda një sipërfaqeje të vogël sa pëllëmba janë vendosur shenja dalluese që bëjnë të shquhen miliarda njerëz nga njëri-tjetri. Kush përveç meje mund të ketë mundësi për një mrekulli të tillë? Shenjat e gishtave të miliarda njerëzve janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Kush përveç meje mund të ketë mundësi që t'i bëjë vijat e gishtave të ndryshme e të posaçme për çdo njeri?"

Ja pra, Allahu (xh.xh.), pasi së pari ua kujton njerëzve se është Zot, i bën njerëzit dëshmitarë të kësaj duke i pyetur: "A nuk jam unë Zoti juaj?"[17]

Personi të cilit i drejtohet kjo pyetje, pavarësisht në ç'gjendje ndodhet, si shpirt, si grimcë, si spermë apo si lëndë eterore, përgjigjet: "Po, Ti je Zoti ynë!"[18]

Po, edhe ne dëshmojmë se Ti je që na edukon ne, që na jep neve përsosmëri dhe që je me të vërtetë Zoti ynë!

Ja, shkrimi i këtij dëshmimi bëhet dhe shënohet në ndërgjegje në një mënyrë që të mos fshihet kurrë! I Dërguari i Allahut ka aluduar mbi këtë proces shkrimi duke thënë:

"Çdo fëmijë lind me natyrë islame. Pastaj e ëma dhe i ati e bëjnë atë hebre, krishter ose zoroastrian."[19]

Çdo fëmijë lind në mënyrë të natyrshme, i përshtatshëm në ndërgjegje për ta besuar Allahun. Me këtë gjendje, ai është si një letër krejt e pastër mbi të cilën nuk është shkruar asgjë. I përshtatshëm për t'u shkruar mbi të edhe poezitë më marramendëse, edhe shkrimi më i bekuar!

I tillë lind fëmija, po pastaj, ç'bëhet? E ëma, i ati, i ungji, daja, të gjithë ata që ushtrojnë ndikim mbi të nga rrethi më i largët gjer te rrethi më i afërt i mjedisit të tij, e shndërrojnë atë në hebre, krishter ose zoroastrian. Po qe se duam ta shprehim çështjen sipas ditëve tona, e shndërrojnë në komunist, në mason, në kapitalist; e thënë me fjalë të tjera, e fusin në shumë rrugë të tjera jashtë fesë së Allahut dhe e fëlliqin.

Çdo natyrë e pastër e ndjen në ndërgjegje zërin e këtij dëshmimi. Pavarësisht se ç'faze të ekzistencës i përket kjo marrëveshje, ne e ndjejmë atë në çdo kohë në thellësitë e shpirtit tonë. Prandaj ne e quajmë ndërgjegjen një ndër katër bazat e përgjithshme që na e përshkruajnë Zotin dhe e pranojmë ndërgjegjen argument më vete të ekzistencës së Zotit.

Gjithësia është një libër; ajo na tregon neve për Allahun.

Kur'ani është një libër; ai na tregon neve për Allahun.

Profeti ynë është një libër; si një argument folës, ai na tregon neve për Allahun.

Por është edhe një libër i pazë, i thellë, që nuk thotë gënjeshtër: ndërgjegjja; përtej librave, mendimeve, natyrës. Me ndërgjegjen e kanë lidhur njohjen e Zotit filozofë të tillë si Kanti dhe Bergsoni.

Ky dëshmitar që ka thënë "po" për Zotin në aktmarrëveshjen e lidhur mes Zotit dhe njeriut, është një argument i tillë që, në fakt, për atë që mundet ta kapë, nuk ka më nevojë për asnjë argument tjetër.

Ndërgjegjja është e pamundur të kënaqet me gjë tjetër veç Zotit. Ndërgjegjja që do të thotë njohje, arrin kënaqësinë, prehjen dhe qetësinë vetëm pasi e njeh Zotin. Ja pra çdo fëmijë që lind, vjen në botë bashkë me një dëshmitar të tillë!

Prirja jonë është për ta kuptuar pikërisht në këtë mënyrë thënien se "kush e njeh veten, e njeh Zotin"[20]. Ai që kupton nga gjuha e ndërgjegjes, është dhe ai që e njeh Zotin.

Ndërsa prisja një lajm që përtej,
Perdja u ngrit dhe unë e njoha unin tim…

Ideja se "kush e njeh veten, e njeh Zotin", e ngjitur në pikën kulmore me vargjet e mësipërme, pothuajse është sistematizuar me idenë e Nijazi Misriut në vargjet në vijim:

Ndërsa unë e kërkoja jashtë, në rrethinë,
Ai paska qenë shpirt brenda shpirtit tim…

Dhe miliona të urtë kanë kapërcyer rrugë pa anë e pa fund nën prijësinë e këtij libri enigmatik!

Kur kjo e vërtetë e madhe e ndjesisë hyjnore me cilësinë e saj që zgjidh çdo vështirësi, na lind në ndërgjegje, ne shohim vetë të hapet atje parajsa me të gjitha variacionet e saj.

Çdo njeri, kur vjen në botë vjen bashkë me një udhëzues të tillë që e ngjit atë në maja të tilla. Por i padituri i dhënë tejet pas materies dhe që e kërkon Zotin në laborator, meqë i mbyll veshët ndaj zërit të ndërgjegjes, meqë nuk e vë në punë ndërgjegjen, madje e verbon, e ndryshk atë, nuk do ta njohë dot këtë udhëzues me fytyrën e tij të vërtetë dhe nuk do të përfitojë dot prej tij aq sa ç'duhet përfituar.

Marrëveshja e parë mes Zotit dhe njeriut trajtohet dhe shtjellohet në shumë hadithe profetike. Hadithi i përcjellë nga veçanërisht afro 30 sahabe, ndër të cilët janë edhe

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.