Vullneti i Njeriut dhe Dëshira e Allahut

Sado i pjekur të jetë njeriu, urdhri dhe vullneti i takojnë Allahut. Asgjë s'bëhet pa ardhur urdhër prej Tij. Asnjë element nuk sendërtohet dot pa dëshiruar dhe pa treguar vullnet Ai. Po të mos kishte dëshiruar Ai, sot nuk do të kishte as kohë, as hapësirë. Po qe se Ai nuk do t'u kishte dhënë vazhdimësi gjërave që i pati krijuar, çdo gjë do të bëhej tym e pluhur e do të asgjësohej!

Eshtë Ai që i shpërndan perlat e qenies në gjoksin e mosqenies, është Ai që i hap dyert qiellore brenda errësirave palë-palë të mosqenies, është përsëri Ai që i rregullon botërat si libër, si ekspozitë që të lexohen dhe shihen dhe që, pastaj, hedh dritë në fytyrat e tyre!

Burimet dhe çezmat rrjedhin me shushurimë me urdhrat e marra prej Tij. Gurët dhe shkëmbinjtë, me urdhrat e Tij bëhen copë-copë, thërrmohen si dhé dhe ua hapin gjokset farërave… Fushat e kodrat, me urdhrat e marra prej Tij, vishen me fustanet më syverbuese dhe u buzëqeshin banorëve të tokës dhe qiellit!

Çdo vit, me frymërat e ardhura prej Tij, faqja e tokës kthehet skaj më skaj në parajsa, kopshtet dhe vreshtat skuqen disa herë me fruta, zogjtë dhe shpendët vrapojnë e lodrojnë, çdo gjë e gjallë e jo e gjallë bëhet një gjuhë dhe e përmend Atë me zë të lartë me një bukuri shprehëse që i ngazëllon zemrat!

Në këtë gjithësi pa anë e pa fund, askush nuk mund të pretendojë ndaj Tij për pasuri e pushtet. Çezmat, përrenjtë, lumenjtë dhe detrat e tokës janë vetëm disa pika të vogla nga mëshira e Tij; e gjithë qenia e gjallë dhe jo e gjallë janë vetëm disa thërrime nga pasuria e Tij! Dhuntitë e Tij janë aq shumë sa të mos shprehen dot me shifra që zgjaten nga njëri pol në tjetrin dhe falenderimi e mirënjohja ndaj të gjitha këtyre dhuntive syverbuese i takojnë vetëm Atij! Jo vetëm këto veprimtari dhe mirësi të gjera në dimensione universale që i pamë në çdo vend i takojnë Atij, por edhe të gjitha mirësitë dhe begatitë e kryera me anën e dorës së njeriut i përkasin Atij. Eshtë Ai që i pajis zemrat besimtare me bindje e siguri, është Ai që u mëson burrave të së vërtetës moral e urtësi, është prapë Ai që u tregon ballëve me sexhde rrugët që shkojnë për tek drita! Punët dhe përpjekjet që s'e njohin mirësinë e Tij, janë të kota, produktet që nuk mbrohen prej Tij s'janë tjetër veçse mirazhe të përkohshme që shfaqen e shuhen!

Po qe se shërbimet bëhen duke menduar kënaqësinë e Tij, kthehen në adhurim dhe ky adhurim i bekuar rritet e hedh shtat kur Ai i del për zot dhe e mbron dhe bëhet shkak për shpëtimin e atyre që e kryejnë atë dhe e hedhin në shesh. Ndryshe, me iluzione këmbëzbathura dhe kokëzbuluara as mund të arrihet diku, as sirati mund të kalohet. Fjalë pretenduese, si "unë e bëra, unë e rregullova, unë udhëzova", etj., edhe sikur t'i derdhen njeriut nga buzët, nuk ka dyshim se janë mërmëritje të djallit!

Eshtë Allahu që kryen punë të mëdha me qeniet më të vogla, që e bën gërmadhë pallatin e faraonit me anë të një milingone! Flamuri i pushtetit të Tij valëvitet në të katër anët e gjithësisë. Ata që nuk strehohen nën hijen e flamurit të Tij – ajo hije kurrë mos na mungoftë mbi kryet tona – i bëjnë keq vetvetes. Toka dhe qielli janë nën sundimin e Tij. Duart dhe këmbët tona, sytë dhe veshët tanë, gjuha dhe buzët tona, zemra dhe ndërgjegjja jonë janë, në pronën e Tij të gjerë, copa të vogla mishi dhe mjete të imta ndijimi. Edhe këto të gjitha janë të Tij, edhe dobitë dhe produktet e përftuara prej tyre janë të Tij. Po të mos na i kishte dhënë Ai këto organe dhe ndijime, si do të mund të thonim ne "goja dhe hunda jonë, sytë dhe veshët tanë"? Po qe se Ai nuk do të krijonte frytet që u përgjigjen këtyre, sa prej produkteve që i marrim për vete, do t'u dilnim për zot? Bota vazhdon të rrotullohet me urdhrin e Tij, faqja e tokës mbushet e derdhet me bujarinë e Tij!

Eshtë si rrjedhojë e kësaj që t'ia atribuosh qenien dikujt tjetër veç Tij, është mosmirënjohje e trashë që nuk falet, të mos e shohësh pas dhuntive dhe mirësive të Tij, dorën e Tij, është politeizëm dhe herezi e turpshme!

O Ti me mëshirë të pasosur! Për hir të mëshirës Tënde të gjerë ku ka lidhur shpresë madje edhe djalli, ngrije perden nga sytë e njerëzve të paedukatë e të parespekt që thonë "unë, unë", zgjidhe pak nyjen e propozimit, tregoju disa variacione atyre që e sodisin me hutim punën dhe veprimtarinë Tënde që të bën të ndjesh mahnitje dhe zemrat që ndodhen në zbrazëti, ngopi me afërsinë Tënde!