Republika

Republikë do të thotë qeverisje ku populli ka të drejtë të zgjedhë e të japë këshillë; ndërkaq, Kur'ani është i pari që ka treguar se si praktikohet kjo lloj qeverisjeje. Nëse shenjimi i qeverisjes republikane si antagoniste e Kur'anit nuk është i qëllimshëm, atëherë është krejtësisht vepër mosnjohjeje; anësia ndaj republikës duke mos e treguar se kush është burimi i saj, s'është gjë tjetër veçse inat.

***

Jo vetëm që Profeti nuk pretendoi për mbret, por as ata nga kalifët, zëvendësit dhe pasuesit e tij më të afërt e të zgjedhur, nuk lejuan të quheshin sundimtar ose sulltan. Mbretërimi doli në shesh si pasojë e largimit nga shpirti i islamit dhe u bë mjet despotizmi e padrejtësie në atë masë sa ç'u largua nga shpirti i islamit!

***

Republika, e cila mbështetet në botëkuptimin e lirisë dhe drejtësisë së vërtetë, krahas të qenit një formë qeverisjeje e lartë dhe e sigurtë, është dhe një sistem jashtëzakonisht delikat. Po qe se nuk i dilet për zot duke u kujdesur veçanërisht për këtë aspekt të saj, mbirja dhe rritja e ateizmit dhe, për pasojë, e anarkisë në gji të saj mund të bëhet e pashmangshme.

***

Republika e vërtetë është forma qeverisëse e shpirtrave të lartësuar dhe më e përshtatshmja për njeriun si qenie e nderuar. Kurse për shpirtrat vulgarë ende të pamaturuar ose që nuk i kanë dalluar dot ende rrugët e përsosjes njerëzore, është një iluzion në shkretëtirë e si një çardak i varur gati në të rënë ku s'mund të dilet...

***

Republika është nëna e lirisë ose edukatori i saj. Brezat e dashuruar pas lirisë ajo i ushqen, ajo i rrit. Ajo i ushqen, ajo i rrit, mirëpo republika kurrsesi s'është një qeverisje lirie rrugaçësh, por lirie virtyti dhe morali.

***

Me vlerat e saj që e lartësojnë njeriun, republika përgatit bazë për lartësimin e njeriut dhe pastaj e le atë kokë më kokë me moralin e tij të lartë dhe ndërgjegjen e zgjuar. Pas kësaj, çdo individ, në punë e në shtëpi, si një njeri i vullnetit, mendon vetëm për mirë dhe ndjek vlerat e larta njerëzore!

***

Në saje të dëshirës për liri në esencën e vet, shpirti nuk pranon mbi vete ndonjë çfarëdo forcë sunduese. Për rrjedhojë, kundërvepron ndaj kufizimeve që mund të kërkohet t'u vihen mendimeve, sjelljeve e shprehjeve të veta. Prandaj ndodh që ata që i dalin për zot republikës, nga njëra anë u njohin individëve liri dhe të drejta të gjera, nga ana tjetër, i lartësojnë ata për t'u bërë njerëz të moralit, virtytit, idesë dhe vullnetit!

***

Mbrojtja e idesë dhe ndjenjës fetare është domosdoshmëri e republikës dhe nevojë për të. Nisur nga kjo, poshtërimi i njerëzve, në një lloj qeverisjeje të tillë, për shkak të ideve e ndjenjave fetare, ushtrimi i dhunës mbi ta dhe nxirja e figurës së tyre do të thotë poshtërim i republikës si sistem qeverisjeje dhe dhunim i saj!

***

Republika ka nevojë për njerëz që ta ndjejnë dhe kuptojnë plotësisht atë. Kuvendi i saj duhet të jetë, ashtu si një kuvend të urtësh, serioz e hijerëndë, kurse veprimtaria, vërtetësi e drejtësidashëse!

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.