Rinia

Qasja me dhembshuri ndaj brezave të rinj është një hap me kuptim i hedhur në rrugën tonë për t'i dalë për zot kombit e vendit. Ndërkaq, nëse kjo ndjenjë dhembshurie bëhet e dobishme me aq sa t'i orientojë ata kah jeta shpirtërore, kur shërben për t'i nxitur për një jetë materiale, i shndërron në qenie thjesht fizike, madje i hibridizon ata!..

***

Çdo komb që u ka dhënë vlerë brezave të rinj, është lartësuar, kurse kombet që i kanë braktisur të rinjtë në rrjedhën e dëshirave rinore, e kanë paguar shumë rëndë pasojën e këtij nënvleftësimi. Nëse mjedisi ynë sot vlon në poshtërsi dhe brezat e rinj tërbohen çdo ditë e më shumë, kjo është krejtësisht rezultat i nënvleftësimit tonë! Sigurisht, ndërsa kryet na shëtiste në qiej, nuk i ndjemë dot kobrat që po na kalonin nëpër këmbë duke u zgjatur gjer në odat tona të gjumit dhe të sotmen tonë të hidhur me duart tona e përgatitëm...