Në Rrugën e Pafundësisë

Krijuesi i Lartë, ekzistenca e të cilit është shkaku i ekzistencës sonë, i ka rrethuar gjithë botrat me madhështinë e Tij, drita e Tij duket në çdo gjë. Qiejt dhe toka janë nga një përshndritje prej rrezatimeve të nurit të Tij, janë, me të gjithë qenien e tyre, nga një skllav me vëth në vesh të Tij! Ai është altari i amshuar i shpirtrave të përkryer që e kanë gjetur të vërtetën, Ai është e vetmja qenie që njohin të diturit me ndjenjat ngritur peshë dhe Ai është e vetmja kible, i vetmi orientim! Ta lësh Atë për të vrapuar te dikush tjetër, është marrëzi, t'ia qash hallet dikujt tjetër veç Atij, një vetëmashtrim. Ata që largohen prej portës së Tij, pësojnë disfatë të amshuar dhe mbeten në rrugë, zemrat që s'ndriçohen dot me dritën e Tij, ndjekin iluzionin optik në shkretëtirë dhe lodhen më kot. Botrat ndriçohen fund e krye me dritën e Tij duke u kthyer në një libër. Me anë të frymëmarrjeve të magjishme në rrugën e Tij, koha del nga konvencionaliteti duke fituar një kuptim dhe vlerë...

Ai është që i ka dhënë materies ekzistencë, e ka vënë në rregull dhe e ka bërë të flasë me një mijë e një gjuhë. Po të mos krijonte Ai, asnjë gjë nuk do të dilte në shesh vetvetiu, po të mos vinte rregull Ai, asnjë gjë nuk do ta njihte rregullin. Me favorin e Tij, botët janë shndërruar në njeri, kurse rregullsia, në gjuhë. Çdo gjë mërmërit emrin e Tij dhe me bukuritë e Tij dehet! Po qe se qenia nuk do të ishte pasqyrë e Tij, ç'ndryshim do të kishte nga hekuri i ndryshkur? Po qe se njeriu nuk do të jetë në gjendje ta tregojë Atë, a mund t'i thuhet njeri? Ah, ju shpirtra të errët, ju shurdhër që nuk e dëgjoni klithmën e ndërgjegjes! Gjer kur do t'i mbani mbyllur sytë ndaj së vërtetës duke u ngushëlluar me lojra?..

Njeriu u beson në fillim gjërave që i përcakton me anë të organeve të shqisave meqë fiton ekzistencë në një botë të rrethuar krejt nga materja, pastaj, me kuptimet që shprehin këto, përpiqet ta shohë të vërtetën në ndërgjegjen e vet duke thyer "kularin e varur në qafë të qenies" së vet. Ç'e do se nuk janë të paktë ata që ngecin diku në këtë zinxhir të hollë dhe nuk arrijnë të bëjnë as dhe një hap më tej. Prandaj, materia që na rrethon ngado, sa herë që të merret për t'u studiuar, duhet lexuar si një libër dhe duhet dëgjuar si një kor dhe, duke e lexuar a duke e dëgjuar, nuk duhet harruar ai që e ka shkruar librin apo ai që e drejton simfoninë. Në të kundërt, ashtu si budallai që e kontrollon materien fije për pe dhe mbytet në argumente pa ndjerë në ndërgjegje frymëmarrjet e së vërtetës, kurrë s'ka për ta gjetur Atë dhe kurrë s'ka për të arritur të gjejë kënaqësi, ashtu dhe shpirtrat e pafat që nuk munden të ngjiten tek e vërteta në ndërgjegje duke shpuar perdet e veshëve dhe syve me anë të Fjalës së Tij, nuk do të mund ta njohin Atë!

O Ti me mëshirë të pafundme që na i jep dritë ekzistencës me anë të ekzistencës Tënde, që na u spërkat dritë syve e që na shpëton ne prej errësirave egoistike! Po të mos ishte kjo drita Jote e amshuar që u jep dritë botëve, ne nuk do ta shihnim drejt asgjë dhe nuk do të mund të jepnim asnjë konkluzion të drejtë! Të gjithë ne fituam ekzistencë në saje të favorit Tënd, e mësuam të vërtetën me ç'na tregove Ti! Po qe se s'do të kishe pasur mirësinë t'ua njoftoje ekzistencën Tënde shpirtrave tanë, si do të njihnim Ty, si do të ngopeshim me Ty?

Ti je Ai që e ka bërë çdo qenie, një gjuhë dhe, mes këtyre gjuhëve, njeriun, një bilbil! Po, kështu bëre, pastaj na dhe mundësi t'i lexojmë ajetet e Tua që i shpërndave në çdo vatër dhe na e njoftove edhe një herë tjetër të vërtetën e amshuar në ndërgjegjet tona! Në saje të kësaj ndiejmë ne lidhjen mes Krijuesit dhe krijesës, hidhemi lart për te Ti me fontanat e intuitës në zemrat tona.

Gjithashtu në saje të kësaj shpëtojmë ne prej labirinteve të errëta të egos, prej të panjohurave të botës ndiesore të kthyera në vorbull dhe mbrohemi! Duke të njohur Ty, gjetëm esencën e dijes dhe njohëm bukuritë e qëndisura prej Teje në shpirt të materies. Dhe nëse tani i kuptojmë urtësitë në fytyrë të çdo qenieje, i dëgjojmë, në çdo zë në natyrë, tingujt më të ëmbël brenda një burimi muzikor, kjo është krejtësisht në saje Tënde! Në librin Tënd të shkëlqyer që na e shtrove para, ekzpozove tabllo me bukuri të pashoqe duke na i ngritur zemrat peshë! Duke na e zgjidhur gjuhën, na nderove me mundësinë që na dhe për t'u thurur epose bukurive të Tua! Edhe sikur me qindra herë ta studionim këtë librin e gjithësisë që është ekspozitë e bukurisë Tënde të pangjashme, edhe sikur t'i dëgjonim shumë herë me radhë tingujt që mërmërisin ekzistencën Tënde dhe sikur të niseshim t'ua ofronim pa pushim këtë libër e këta tinguj shikimit e dëgjimit të spektatorëve të Tu të pasionuar, prapëseprapë nuk do të ngopeshim dot me këtë klimën dritësore Tënde, përsëri do të vraponim për të të dëgjuar Ty e për të të ndjerë Ty dhe, si të pasionuar të rrugës Tënde, vetëm Ty do të të pëshpërisnim ndër buzë!

O mbreti që na i bën të afërta zemrat për bukuritë e fshehta të ekzistencës Tënde! Qindra herë gjer më sot na folën për Ty, shumë herë me radhë u ofruan zemrave të etura për dashurinë Tënde ujë parajsor. Po ç'do, tani, pranë zërave si frymëra parajsore të atyre shpritrave të shkëlqyer të bërë dheu e pluhuri i rrugës Tënde, fjala e këtij zëri të këputur, e kësaj violine të thyer?..[1]

Por, duke e bërë vel për fytyrën tonë të paturpshme mirëkuptimin Tënd të gjerë që i fal gjithkujt të drejtën e fjalës, përkrah thirrjeve të lajmëtarëve të ndryshëm dhe fjalës oratorike të Burrit të Fjalës të portës Tënde, strehohemi nën faljen Tënde duke thënë: "Ja dhe zëri ynë i prerë e i këputur!"..

Prapë, fjala atyre u takon. Duke e pohuar edhe një herë këtë, do të përpiqemi, që, në përputhje me fjalën e tyre, të të tregojmë sërishmi Ty dhe të arrijmë oqeanet e pafund të aftësisë për të të njohur Ty!

Dëgjuam, gjer tani, një sërë lajmëtarësh që na kanë treguar për Ty, u vumë veshin zërave të tyre e i kapëm shenjat e tyre. Dhe tani, duke i pranuar të çarat e hapura gjer këtu, si nga një dritare më vete, kërkojmë, me anë të shenjave dhe shenjuesve të Tu, të pyesim për Ty në çdo gjë, të të kërkojmë Ty në çdo vend dhe të ngjitemi nëpër rrugë të ndryshme për tek Ti!

Na i ndriço sytë me nurin Tënd dhe jepu zemrave tona shërim! Duke u falur këtyre rojeve të portës Tënde që vrapojnë në ndihmë të atyre që kanë mbetur në rrugë, edhe një herë tjetër mundësinë për të treguar për Ty, jepu gëzimin e amshuar skllevërve që s'pranojnë çlirim të rrugës Tënde! Ty të ka hije madhështia, kurse atyre, në fjalën për Ty, përulësia!..


[1] Me një stil emfatik, autori i shpreh Zotit thjeshtësinë dhe përulësinë e tij të thellë për guximin që ka marrë të tregojë edhe ai zërin e tij...

Pin It
  • Publikuar më .
© 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.