Feja

Që nga dita kur është krijuar e gjer më sot, njeriu, vetëm në atmosferën e ngrohtë të fesë e ka gjetur qetësinë e vërtetë dhe ka mundur të bëhet i lumtur vetëm në saje të fesë. Ashtu siç është e pamundur të bëhet fjalë për moral dhe virtyt të lartë atje ku s'ka fe, është mjaft e vështirë, gjithashtu, të bësh fjalë për lumturi. Sepse burimi i moralit dhe virtytit është ndërgjegjja, kurse i vetmi element që e urdhëron ndërgjegjen, është feja, lidhja me Zotin!..

***

Feja është shkolla më rezultative, më e begatë e hapur për shprehitë e bukura. Dhe nxënësit e kësaj shkolle të lartë janë të gjithë njerëzit, shtatë e shtatëdhjetë. Kushdo që e frekuenton këtë shkollë, shpejt a vonë arrin sigurinë dhe kënaqësinë e kërkuar. Kurse të mbeturit jashtë, me kohë humbin çdo gjë, identitetin e tyre, madje!..

***

Feja është manual parimesh hyjnore që i çojnë njerëzit, me vullnetin e tyre të lirë, në gjëra të mira e të dobishme. Eshtë gjithmonë e mundur të gjesh mes parimeve të fesë bazat që përgatisin përparimin materialo-shpirtëror të njeriut, për rrjedhojë, lumturinë e tij në këtë e në jetën tjetër!

***

Feja është njohja e ekzistencës dhe njësisë së Zotit, arritja e kthjelltësisë shpirtërore duke vepruar në rrugën e Tij, harmonizimi i marrëdhënieve me njerëzit në emër të Tij dhe sipas urdhrave të Tij, madje ndjerja, për llogari të Tij, e një interesimi dhe dashurie të thellë ndaj të gjithë ekzistencës!

***

Ata që s'e pranojnë fenë, me kohë nisin të sillen pa respekt edhe ndaj koncepteve të larta si nderi, kombi dhe atdheu...

***

Imoraliteti pothuaj në tërësinë e tij është zift që shpërthen prej burimit të pafesisë;[1] po ashtu dhe çdo lloj grindjeje dhe anarkie janë oleandra helmuese[2] të luginave të pafesisë...

***

A nuk duhet që një pjesë mosbesuesish që ia kanë kushtuar jetën veprimtarisë kundër fesë, të tregojnë, me ca fryte konkrete, të paktën për ç'vlen pafesia?..

***

Feja dhe shkenca e vërtetë janë si dy fytyrat e një të vërtete të vetme. Feja e shëtit njeriun nëpër rrugë të drejta dhe e çon në përfundime të lumtura. Ndërkaq, shkenca me synim dhe qëllim të përcaktuar qartë, i bën dritë para, si një pishtar, nëpër këto rrugë dhe në fushën e vet.

***

Të gjitha lulet e bukura janë rritur në kopshtet dhe lulishtet e fesë. Ja, pra, parimet e saj dhe ja profetët, të urtët dhe shenjtorët, frytet e mrekullueshme të saj! Edhe nëse mosbesimtarët bëjnë sikur s'i shohin këto fryte, nuk do t'u mjaftojnë fuqitë t'i fshijnë ata as nga faqet e librave, as nga zemrat e njerëzve!..

***

Mes njerëzve, profetët janë si malet. Ashtu siç janë për tokën malet element i përftimit të qëndrueshmërisë së saj dhe i pastrimit të ajrit, ashtu janë edhe profetët për njerëzit. Prandaj ka ndodhur që malet dhe profetët të përmenden së bashku, në një kauzë të vetme. Noe dhe mali Xhud, Moisiu dhe mali Sina, Muhammedi dhe mali Hira janë nga një shenjë që hapin perden e së fshehtës së kësaj enigme...

***

Feja i drejtohet mendimit të shëndoshë, mendjes së kthjelltë dhe shkencës dhe, nga ky këndvështrim, s'ekziston mundësia e kritikës për asnjë çështje të saj. Ata që s'duan ta pranojnë atë, ose e kanë të prishur sistemin e të menduarit, ose të gabuar botëkuptimin shkencor, ose të pamjaftueshëm gjykimin...

***

Feja është një burim i begatë që përmban parimet e vërteta të qytetërimit. Në saje të fesë njeriu lartësohet në botën e tij ndiesore, kryet i arrin në botët tejfizike dhe arrin në horizontin ku mund të pijë sa të dojë nga burimi i vërtetë i të gjitha dobive, bukurive dhe virtyteve...

***

Nëse virtyti dhe vlera duhen kërkuar diku, duhen kërkuar në fe. Eshtë tepër e rrallë që një i pafe të jetë i virtytshëm e që të gjendet një fetar i vërtetë i pavirtytshëm!

***

Në saje të fesë njeriu rrok kuptimin e njerëzores dhe veçohet prej kafshëve. Në vështrimin e njeriut të pafe, njeriu nuk ka ndryshim prej kafshëve...

***

Feja është rruga e Zotit, kurse pafesia, e djallit. Si rrjedhojë e kësaj, lufta mes besimit dhe mosbesimit ka ardhur që prej Adamit e gjer në ditët tona dhe do të vazhdojë më tej gjer në kiamet!..


[1] Këtu e poshtë, ashtu si në origjinal, po përdorim fjalën pafesi (turq. dinsizlik) për të emërtuar mosbesimin, ateizmin si dhe kundërvënien dhe armiqësinë ndaj fesë.

[2] Në origjinal: zakkum, Nerium oleander.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.