Natyra

Në kuptim të përgjithshëm, natyra është tërësia e ekzistencës, karakteristikat dhe veçoritë e saj të rrjedhura nga krijimi i vet. Kurse te njeriu, natyra është karakteri dhe temperamenti i tij. Në ç'aspekt dhe në ç'formë që të trajtohet, natyra është, në fund të fundit, një dantellë e punuar me dorën e Fuqisë së Pafundme, një sistem ligjor në dorë të Fuqisë Krijuese si dhe një libër që këndon urtësitë e Tij. Krejt si lënda, edhe natyra është e pandjeshme dhe e pavetëdijshme. Nisur nga kjo, themi se natyra, me gjuhën e shumë e shumë qenieve që krijohen çdo ditë në gji të saj si dhe me gjuhën e të gjitha qenieve që kërkojnë vetëdije, vullnet, njohje dhe planifikime shkencore, s'bën tjetër veçse pohon me zë të lartë dobësinë dhe varfërinë e vet Domethënë, natyra shpall me zë të lartë e pa pushim diturinë që e rrethon, fuqinë e shkëlqyer dhe një vullnet marramendës.

***

Meqë natyra është identitet i veçorive të lëndës dhe i cilësive të saj të bashkëlindura, nuk mund të jetë primare ndaj lëndës në saje të të cilës ekziston. Atëherë, nëse është kështu, mbështetja e ekzistencës dhe e dukurive te natyra dhe përpjekja për t'i shpjeguar ato me natyrën, s'është tjetër veçse gënjeshtër e vetëmashtrim!

***

Sot, edhe ata që merren fare pak ose kanë të bëjnë fare pak me shkencat eksperimentale, e dinë shumë mirë se natyra është një forcë e shurdhër dhe e verbër dhe se ajo nuk mundet të krijojë asgjë, kështu që përpjekja për ta vënë atë në vend të Fuqisë Krijuese s'duhet të jetë gjë tjetër veç një mohimi ekstrem trashanik!

***

Paraqitja e natyrës brezave të rinj si një fuqi krijuese duke ua treguar atë të ndryshme nga ç'është ndërkohë që cilësia e saj njihet fare qartë, konsiderohet opozicion ndaj shkencave si dhe fyerje ndaj të gjitha krijesave të ekspozuara në ekspozitën e kësaj bote, krijesave që janë secila nga një vepër arti më vete!

***

Po qe se natyra është vetë qenia, s'e di, ata që thonë për qenien "e ka krijuar natyra", a i bien në të se me këto fjalë duan të thonë "natyra e ka krijuar vetveten"? Por, po qe se me fjalën "natyrë" duan të tregojnë për gjëra të tilla si karakteret, temperamentet, atributet, ligjet, disiplina, etj., a nuk duhet të japin shpjegime se si ka ndodhur që natyra, e cila është djepi i materies dhe dukurive, i ka krijuar dhe i ka vënë në rregull këto?

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.