Pretendohet se nga njerëzit e vdekur është parë ndihmë më tepër se nga prijësi i gjallë. A është e drejtë kjo?

Askush përveç Allahut nuk mund ta ndihmojë njeriun. Ndihma, shpëtimi dhe favori vijnë prej Allahut. Edhe prijës,(1) mik i Allahut do të thotë. Çdo njeri, sipas nivelit të vet, është mik i Allahut, veçanërisht besimtarët. Por ka një pjesë njerëzish që, duke e çuar përpara miqësinë, kanë fituar një afërsi të plotë që, sipas shprehjes së hadithit, porosisë profetike të nderuar, duke e dhënë zemrën pas adhurimeve të veçanta,(2) i afrohen Allahut; i afrohen dhe Allahu bëhet për ta syri që u sheh, veshi që u dëgjon, goja që u flet... E thënë ndryshe, Allahu u jep atyre prudencë, aftësi konceptuese e parandjerëse. Atëherë ata e shohin të drejtën, vlerësojnë drejt dhe flasin drejt. Zemrat e tyre bëhen "vendi ku zbret frymëzimi hyjnor"(3) dhe me anë të frymëzimeve të Tij Allahu i bën këta të zgjedhur, të dallueshëm nga të tjerët. Kurse ata vetë, duke iu afruar edhe ca më shumë Allahut e duke fituar afërsi, arrijnë në miqësinë e plotë. Bëhen të denjë për favorin dhe mbështetjen e Tij. Kjo ndodh nga që Allahu është ndihmësi i besimtarëve. Sa për qafirët, mohuesit, ata nuk kanë ndihmës. Po, veliu, kujdestari i besimtarëve është Allahu! Edhe besimtarët para Allahut janë veli, kujdestarë, prijës. Sa për mohuesit, për ta nuk ka një trajtim të tillë. Allahu nuk bëhet për ta as syri që u sheh, as veshi që u dëgjon, as goja që u flet. Ata janë në humbje dhe disfatë.

Në këto kushte, për prijësinë nuk mund të caktojmë ndonjë kufi. Prijësia ka shkallët e veta nga besimtari më i thjeshtë e gjer te i Dërguari i Madh (a.s.). Dikush, sapo të mbyllë sytë, arrin të vëzhgojë se ç'ndodh nën varret. Kjo është shkalla më e ulët e më e thjeshtë e prijësisë. Po, zbulimi i situatës së njerëzve që shtrihen në varre është një ndër shkallët dhe pozitat më të thjeshta të prijësisë. Më tej, leximi i botës së brendshme të njeriut sikur të ishte një libër, është një shkallë më e përparuar, kurse njohja, me anë të njoftimit të Allahut, se ç'do t'i ndodhin atij më pas dhe tregimi i kësaj të tjerëve duke i rënë më të kësaj apo jo, është një shkallë tjetër. Sepse Allahu është bërë gjuha e tij që i flet. Këto janë një pjesë shfaqjesh të prijësisë. Pastaj prijësi vjen në një pikë të tillë që gjëra të tilla i sheh si punë të një juristi dhe krejt të zakonshme për t'u marrë me to. Kjo është edhe shkalla e prijësisë, niveli i sahabeve, shokëve dhe pasuesve të Profetit (a.s.). Allahu mund t'i sjellë disa persona në nivelin e pasuesve pa pasur nevojë që të kalojnë nëpër disa rrugë të vështira.

Në këtë shekullin e njëzetë, të rinjtë që i dalin për zot fesë islame, unë i shoh të merituar për nivelin e prijësisë të pasuesve. Ndoshta atyre nuk u zbulohet gjë, ndoshta nuk shohin ç'bëhet ndër varre, nuk i lexojnë dot zemrat, por pa dyshim që pozita e tyre është e lartë. Sepse Zoti i përdor ata në shumë punë të bekuara. E rigjallëron dhe e forcon fenë me anë të tyre. Dashtë Zoti që edhe këta të jenë prijës.

Megjithë këto, le të jetë i tillë apo i atillë prijësi, "trokitja në portën e tij" duke kërkuar ndihmë dhe shpëtim prej tij pa kujtuar Zotin, është një veprim i gabuar. Imam Birgiviu thotë se edhe thënia e dikujt "Shpëtomë, o i Dërguari i Allahut!" është e rrezikshme. Siç dihet, ne themi duke e zbutur pak çështjen: "Më e pakta, njeriu nga Profeti duhet të kërkojë ndihmë, sepse Ai është mbreti që s'i kthehet fjala i sarajit të së Vërtetës dhe më i nderuari i krijesave të Zotit!" Që imam Birgiviu ka qenë një njeri i madh, kjo është e saktë dhe e padiskutueshme. Dhe ai vetë thotë se Allahu i ka dhuruar Profetit (a.s.) kompetenca të mëdha.(4)

Po, Profeti është ndër konfidentët që mund të hyjnë në Sarajin e Zotit pa trokitur. Po, ai ka arritur në majat ku njeriu nuk mundet të arrijë!

Por le të kthehemi tek esenca e çështjes. Mund të ketë edhe njerëz nga ummeti, bashkësia e Profetit, të cilët, ashtu si edhe ai, mund të kenë aftësinë për t'u dhënë dorën të tjerëve, për t'i ndihmuar ata. Por të gjithë këta janë pretekste dhe ndërmjetës. Në fakt, është Allahu që e krijon çdo gjë. Kjo është forma sunnite e besimit. Allahu ka për t'i falur disa njerëz dhe për këtë bën pretekst shefaatin, ndërhyrjen për falje të Profetit (a.s.). Ashtu është, kur besimtari mendon për ndihmën dhe përkrahjen e njerëzve të cilëve u është dhënë një kompetencë e tillë nga ana e Zotit, kështu duhet të mendojë, kështu duhet të besojë!

Këtu po paraqes edhe konsideratën time. Duke bërë llogarinë e nefsit, egos sime, kurrë nuk kam menduar të dal para Zotit drejtpërsëdrejti. Duke ecur etapë pas etape, në fillim jam vënë pas personit me anë të të cilit kam qenë lidhur me Profetin (a.s.). Ashtu është! Në fillim ne hyjmë nën kujdestarinë e personit, kushdoqoftë ai, i cili na përçon dritën, begatinë dhe të fshehtën që i ka sjellë i Dërguari i Madh ummetit, bashkësisë së tij, i cili na tregon të drejtën, i cili na i njeh ajetet e Kur'anit si yjet në qiell, i cili na ndihmon që në botën tonë të brendshme të na lindë gjykimi, edukata dhe bindja dhe pastaj, bashkë me të, dalim në audiencë para Tij. Aty unë jam përpjekur të përfytyroj se si kujdestari dhe prijësi im i thotë Profetit, për të mos më turpëruar mua, "Edhe ky, i yni është, o i Dërguari i Allahut!" dhe, ashtu, të bashkohem me Të. Kurse ata, ndër ne, shikimi i të cilëve shkon shumë më larg, vihen, këtë radhë, pas Profetit, i cili thotë: "Edhe ky, i yni është, o Zot!" dhe zemrat mbushen me prehje e kënaqësi...

Shumica jonë, duke bërë vetëllogari e duke u mbështetur tek Zoti, gjithmonë me një ndërmjetësi e me një lidhje të tillë shkojmë tek Ai. Dhe në një lidhje të tillë nuk ka as rënie në politeizëm, as edhe elementë që të çojnë aty. Sepse, në përfundim, çdo gjë tek Zoti mbështetet. Esenca e veprimit tonë është se nuk e shohim të denjë veten që të trokasim vetë në këto dyer, madje na vjen turp, prandaj edhe i ngjitemi pas dikujt.

Edhe personi i cili u shfaq në horizontin e këtij shekulli me vepra të mëdha, me shkëlqime dhe enigma të mëdha, madje,(5) duke bërë llogarinë e vetvetes, thotë: "Gjynahet e mia më turpëruan mua. Të erdha në derën Tënde, por po trokas në të me anë të zërit të zotërisë tim, Abdylkadir Gejlaniut..." Pastaj lutet me anë të fjalëve të thëna prej tij dhe, si të thuash, nën lutjen e vet kërkon që të vihet nënshkrimi i atij njeriu kompetent. Ky lloj inkuadrimi e mbështetjeje, ashtu siç është larg sjelljeve e qëndrimeve që bien erë politeizëm, është larg, në të njëjtën kohë, edhe prej guximit dhe mungesës së edukatës. Abdylkadir Gejlaniu(6) do t'ia paraqesë të Dërguarit të Allahut (a.s.) këtë person që i drejtohet. Abdylkadir Gejlaniu është një prijës që qëndron në majat e botës prijësore. Ai është i lidhur me Profetin edhe nga ana e Hasanit, edhe nga ana e Hysenit. Eshtë një imam me kompetenca të mëdha dhe funksioni i tij si pretekst është një mëshirë dhe favor i madh i Zotit për ata që kanë mbetur në udhë.


[1] Në origjinal është përdorur fjala "veli" që ka këto kuptime leksikore: 1. Një ndër 99 emrat e Allahut. 2. I zoti, zotëruesi i diçkaje. 3. Prind ose kujdestar i një apo disa fëmijëve. 3. Në terminologjinë e fesë e të mistikës: njeri i lartësuar shpirtërisht me anë të luftës për të vërtetën, me anë të adhurimeve, bindjes së pakufishme ndaj urdhrave e ndalimeve hyjnore dhe devocionit gjer në nivelin e meritimit të zbulimit të të fshehtës e të afërsisë hyjnore. Të tillë janë konsideruar personalitetet e mëdhenj të fesë e të historisë islame, mendimtarë e shkencëtarë, imamë e juristë që kanë bërë epokë me veprën dhe prijësinë e tyre, udhëheqës shpirtërorë e politikë të fesë e të shtetit islam, etj. Sipas mendimit mistik islam, veliu futet në rangun e shenjtorëve, por koncepti islam mbi shenjtërinë dhe shenjtorët ndryshon në fundament dhe në tërësi prej konceptit analog kristian. Shenjtëria kristiane, siç është në krishtërizëm është krejt e papranueshme për islamin si një fe monoteiste konsekuente, prandaj edhe ne po përdorim fjalën "prijës" mbasi i afrohet shumë, siç do të shihet edhe gjatë shtjellimit të temës, konceptit të veliut.
[2] Në origjinal, adhurime nafile, suplementare, jashtë atyre që përbëjnë farz, detyrim dhe sunnet, traditë profetike.
[3] Në origjinal: Mehbet-i ilham-i ilahi.
[4] Ata që shqyrtojnë librat e hadithit, shohin se Profeti është lartësuar me të drejtën për të ndërhyrë për falje në shumë momente të rëndësishme si jeta e kësaj bote, dita e ringjalljes dhe e llogaridhënies, hyrja në xhennet, etj.
[5] Eshtë fjala për Said Nursiun, i cili është përmendur disa herë në këtë vepër.
[6] Sejjid Abdulkadir Gejlaniu (470-561 h.), imam dhe personalitet i madh, prijës.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.