Si qëndron çështja e krijimit të Hz. Havasë prej brinjës së Hz. Ademit?

Njeriu nuk është një qenie që ka marrë trajtën aktuale si rezultat i evolucionit. Ai është krijuar si një lloj më vete dhe nuk ka ardhur në gjendjen e sotme duke fituar gradualisht cilësi të reja në rrugën e evolucionit të llojeve duke iu nënshtruar seleksionit natyror.

Njeriu është krijuar nga Zoti. Në një aspekt, edhe Hz. Ademi është krijuar si një mrekulli, ashtu si edhe Hz. Mesihu. Ndërkaq, mrekullia, si dukuri, nuk mund të shpjegohet në botën e shkaqeve. E thënë më saktë, shfaqjen e së gjallës nuk kanë mundur ta shpjegojnë pozitivisht gjer më sot as natyralistët, as evolucionistët. Teoritë e parashtruara prej tyre janë gjëra të cilave u mungon aspekti shkencor dhe të mbështetura në pajandra shumë të dobëta, prandaj edhe pothuajse kanë falimentuar pas kritikave që u janë bërë. Ka shumë vepra të shkruara rreth këtij subjekti nga të cilat mund të përfitohet.

Kur e trajtojmë një çështje në kushtet e botës së shkaqeve, e trajtojmë sipas parimit të përputhshmërisë së shkaqeve në ekuilibrin shkak-pasojë. Për shembull, themi se, që të krijohet një pemë prej një fare, së pari, me lejë të Zotit, farës i duhen siguruar kushte të tilla si mjedisi ku do të vendoset (tokë biologjike), lagështirë, ajër, dritë, kushte klimatike si dhe që fara të ketë aftësi mbirëse. Ja pra, kur të bëhen bashkë këto kushte, krijohet gjendja që i themi "kushte optimale", gjendje e cila funksionon si një kusht i vetëm, prandaj edhe ne do ta konsiderojmë të tillë. Tani, ky kusht e bën të domosdoshëm realizimin e pasojës së tij. Domethënë, me lejën e Zotit, fara bëhet kalli e veza zog.

Krijimi i parë i njeriut është një mrekulli. Këtë çështje mund ta tregojmë kështu brenda marrëdhënive shkak-pasojë. Le të themi se, për të përftuar një gjallesë nga një tjetër, bashkuat një zog me një pulë si dhe një kalë me një gomaricë. Nga bashkimi i parë s'do të dalë asgjë, kurse nga bashkimi i dytë do të dalë mushka që s'është në gjendje ta vazhdojë brezin e vet. Këto ndodhin sepse kushtet janë të mangëta, pra, mungojnë kushtet optimale dhe përputhshmëria shkak-pasojë. Kurse, në se bashkohen sperma e burrit me vezën e gruas në mitrën e saj në kushte optimale dhe në praninë e të gjitha shkaqeve (faktorëve) të domosdoshme, fekondimi bëhet i plotë dhe çdo gjë është e përsosur. Atëherë, me lejën dhe urdhrin e Allahut, trajtësohet fetusi, rritet duke kaluar nëpër faza të caktuara dhe, si përfundim, lind fëmija. Pra, këtu merret rezultati i kërkuar sepse janë bashkuar më një të gjitha shkaqet e nevojshme. Po kështu, Zoti mund t'i ndryshojë kushtet dhe të sjellë në botë një qenie me cilësi dhe kapacitete të tjera.

Ky, pra, është shpjegimi shkencor i një dukurie. Por, nëse dukuria merr udhë jashtë kushteve dhe marrëdhënieve shkak-pasojë, atëherë na duhet ta pranojmë shpjegimin e saj jo me evolucion dhe seleksion natyror, por sipas thënieve të Zotit dhe të të Dërguarit të Tij. Allahu thotë se kjo është mrekulli. Hz. Ademi është mrekulli e një krijimi pa nënë e pa baba, kurse Hz. Mesihu, pa baba. Allahu, ashtu siç krijon ndonjë qenie herë pa nënë e herë pa baba, ashtu e krijon edhe pa nënë e pa baba. Edhe krijimi i Hz. Ademit është i tillë, pa nënë e pa baba dhe shpjegimi i tij me anë të marrëdhënieve shkak-pasojë është i pamundur. Kur'ani fton: "Le të shëtisin në tokë dhe le të shohin se si filloi krijimi!" (Kur'ani, Ankebut: 20). Si do ta shpjegojnë kalimin nga mosqenia në qenie?

Ashtu si kjo, edhe krijimi i Hz. Havasë prej Hz. Ademit është një tjetër mrekulli. Prandaj as këtë nuk mundemi ta shpjegojmë brenda marrëdhënieve shkak-pasojë. Megjithatë, do të ishte naivitet po ta mohonim vetëm sepse nuk mundemi ta shpjegojmë. Sepse edhe kjo është e njëjta gjë me krijimin e Hz. Ademit e të Hz. Mesihut.

Me që krijimi i Hz. Ademit e i Hz. Havasë qe harruar, duke krijuar Hz. Mesihun, Zoti i riktheu vështrimet te krijimi i parë dhe atyre që pyesnin se si pati ardhur në botë Hz. Mesihu, iu përgjigj kështu: "Tek Allahu, puna e Hz. Mesihut është si puna e Hz. Ademit. Allahu e krijoi atë nga balta dhe pastaj i tha "Bëhu!" dhe ai u bë!" (Kur'ani, Al-i Imran: 59).

Po, njerëzimi e pati harrar burimin e parë dhe Zoti ia rikujtoi me anë të Hz. Mesihut.

Dhe tani le të vijmë te çështja e krijimit të Hz. Havasë prej brinjës së Hz. Ademit, gjë tek e cila kërkohet pretekst. Unë kam mendimin se edhe këtu përsëri kërkohet të bëhet dialektikë. Specifika mbi të cilën kërkohet të bëhet dialektikë, është kjo: Eshtë marrë një brinjë nga Hz. Ademi dhe prej saj është krijuar Hz. Havaja...

Pse brinjë dhe pse prej Hz. Ademit?

Së pari, do t'ju lutesha të kinit vëmendjen për këtë: Aq shumë argumente të fuqishme ka mbi krijimin e njeriut nga Zoti, sa që kjo gjë është e pamundur të mohohet. Dhe, në të njëjtën kohë, ky fakt është një argument i hapur dhe prioritar për ekzistencën e Zotit. Gjithësia me mijra ligje, rregulla dhe parime flet për të njëjtën gjë. Bota e brendshme e njeriut, konstitucioni i tij subjektiv, ndjesitë, e fshehta e tij njerëzore dhe një sërë delikatesash ende të pazbuluara flasin gjithë për Zotin. Ka edhe mijra argumente të tjera si këto që do të shërbenin si dëshmitarë të padiskutueshëm të ekzistencës së zotit. Pothuajse çdokush, filozof, mendimtar, teolog, është kapur pas një pjese të këtyre argumenteve dhe përpiqet të dalë me to në bregun e shpëtimit. Sidomos kur të sillen bashkë një mijë prej këtyre, ç'argument i fuqishëm, tronditës e i pakrahasueshëm që bëhet!

Tani, një pjesë mohuesish, duke mbyllur sytë para gjithë argumenteve, kërkojnë të kapen pas të ashtuquajturit krijim të Hz. Havasë prej brinjës së Hz. Ademit për të justifikuar mohimin e tyre. Prijësi i madh, Said Nursi, punën e tyre e shëmbëllen në këtë mënyrë: "O vëlla! Në trupin e nefsit, egos, ka një verbëri. Për sa kohë që të vazhdojë, ajo i bëhet pengesë shikimit të diellit të së vërtetës. Po, dihet se, sikur edhe në një gur të vogël, madje, të një kalaje që duket me prova dhe argumente të qarta se ka dalë nga dora e një arkitekti të përsosur, të vihet re ndonjë parregullsi, ai nefsi qorr që u qorroftë, e mohon tërë kalanë dhe çdo gjë e paraqet kokëposhtë. Ja, pra, injoranca dhe kokëtrashësia e nefsit nga të tilla prirje e veprime zhbërëse të pangopura kuptohet."

Po, ndërsa qoftë njeriu, qoftë gjithësia nga kreu gjer në fund e shpallin të vërtetën e ekzistencës së Zotit në trajtën e mijra argumenteve, ta shohësh çdo gjë në mënyrë të njëanshme, në s'është privim nga e vërteta, ç'është tjetër?

Çështja e brinjës tregohet në veprat e Buhariut, Myslimit dhe Ahmed b. Hanbelit. Ndërsa hadithi, porosia profetike e cituar në veprat e tyre, pohon se Hz. Havaja është krijuar prej brinjës së Hz. Ademit, Kur'ani bën një pohim të tillë: "O njerëz! Kini frikë Allahun që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo, palën e saj..." (Kur'ani, Nisa: 1). Tani do të desha të tërheq vëmendjen mbi një veçori gramatikore të gjuhës arabe, gjininë e përemrave vetorë e dëftorë të vetës së tretë, konkretisht "ha" (ajo) për femëroren dhe "hu" (ai) për mashkulloren. Këtë mund ta vemë re fare qartë në ajetin-argument të porsacituar nga Kur'ani. Aty përdoret përemri vetvete (ose vete) dhe, më pas, kur i referohet atij, përdoret përemri ha (ajo) me që vetvete është e gjinisë femërore.

Tani le të qëndrojmë pak mbi këtë pohim që shpreh ajeti-argument në shqyrtim. Aty nuk thuhet se Zoti e krijoi Hz. Havanë prej Hz. Ademit, domethënë prej trupit të tij, por prej vetvetes së tij, domethënë prej nefsit, prej egos, subjektit të njeriut.

Veçanërisht, me që ky hadith (kjo porosi profetike) nuk është i përhapur, por vetiak, pra, i rrëfyer vetëm prej një personi, bëhet e domosdoshme që të shpjegohet me anë të Kur'anit. Kjo është një metodë me rëndësi në shpjegimin e ajeteve e të haditheve. Në këtë rast, ajeti është fjalë e Zotit, por i përhapur e i shprehur me kuptim të drejtpërdrejtë e të qartë, prandaj edhe hadithi duhet mbështetur te ai në mënyrë që të shpjegohen pikat e errta dhe kuptimet e fshehta. Së pari, duhet parë me vëmendje se përse e ka dhënë këtë porosi Profeti, cila është ideja qëndrore e saj. Profeti porosit që gratë vazhdimisht të këshillohen për mirë në mënyrë që të orientohen kah e mira dhe e drejta, sepse gratë janë krijuar prej brinjës, pra, në mënyrë të nënkuptueshme, janë të shtrembra! Për rrjedhojë - vazhdon nënkuptimi i porosisë – dëshira ose tentativa për t'i drejtuar shpejt ato, i thyen, i tërheq në vetvete dhe mbeten ashtu, të shtrembra. Ndërkaq, edhe heqja dorë prej edukimit të tyre për shkak të vështirësisë që paraqet kjo punë, shkakton që ato të mbeten ashtu siç janë.

Për të thënë atë çka dëshiron, i Dërguari i Allahut (a.s.) kapet pas një specifike, dobësia dhe delikatesa e femrës, mundësia më e madhe që ekziston te ajo, në raport me mashkullin, që të jetë apo të bëhet e shtrembër e që të thyhet shpejt. Pra, në esencë, ajo që është dashur të thuhet në porosinë profetike nuk është krijimi i Hz. Havasë prej brinjës së Hz. Ademit, por qëfemra mbetet e shtrembër në se nënvleftësohet edukimi i saj dhe ajo braktiset në punën e vet, ose, nga ana tjetër, që femra thyhet në se kërkohet të drejtohet me ngut dhe pa kriter!

Natyrisht, këtu, mënyra e të shprehurit është ngritur mbi një urtësi, gjë që është një çështje më vete...

Këtu i Dërguari i Madh (a.s.) ka thënë "min dal'ihi", "prej brinjës", gjë që mund të shprehë dy kuptime: edhe prejardhje, edhe lloj. Sigurisht, këtu kemi një metaforë, pra, një kuptim të figurshëm.

Profetit i përkasin shumë porosi të tilla të shprehura në mënyrë të figurshme. Për shembull, ai thotë: "Çdo gjallesë e ka një shejtan. Shejtani i kafshëve është ky... " Këtë e ka thënë në një rast kur ka ikur një deve. Dhe vazhdon: "Deveja është krijuar prej shejtani!" Diçka si tepricë prej shejtani... Në fakt, në këto porosi, duke thënë se ashtu siç ndodh me njerëzit, edhe mes kafshëve ka të tilla që bëjnë punën e shejtanit, Profeti ka dashur të tërheqë vëmendjen për sjelljen shejtanore, djallëzore. Shihni si themi ne: "Ky njeri është prej druri!" Ose: "E ka zemrën prej guri!" Sigurisht që këtu s'e kemi fjalën për materialin prej të cilit është përbërë njeriu apo zemra! Ne këtu e kemi fjalën për mungesën e ndjeshmërisë. Kështu që, edhe kur të themi për dikë se "është shejtan", nënkuptojmë cilësi dhe aftësi të caktuara.

Dhe tani, duke u përqëndruar në kuptimin e ajetit, le të shohim se ç'thotë Profeti. Gruaja është krijuar prej brinjës së burrit. Kjo do të thotë se gruaja është një copë prej burrit, do të thotë se është një qenie e të njëjtit lloj dhe e të njëjtave cilësi të burrit, do të thotë se ç'lloj proteine të jetë proteina e burrit, e tillë është edhe proteina e gruas. Sigurisht, sepse, po të mos ishin të të njëjtit lloj, bashkimi i tyre nuk do të ishte i natyrshëm, për rrjedhojë, nuk do të realizohej fekondimi si dhe rezultati i tij, vazhdimësia e llojit, gjë që theksohet në fund të ajetit: "...dhe prej tyre lindën shumë meshkuj e femra!" (Kur'ani, Nisa: 1).

Përdorimi në porosi i fjalës "dalaa", shmangie, shtrembërim, ka për qëllim pikërisht të vërë gishtin mbi kuptimin e prirjes drejt shtrembërimit, e mundësisë së madhe për t'u shtrembëruar, për t'u shmangur nga e drejta.

Këtë mjet leksiko-stilistik ka zgjedhur Profeti dhe specifika se femra mund të prishet shumë më shpejt dhe lehtë se mashkulli, është një e vërtetë kaq e hapur dhe e padiskutueshme, për të cilën është dëshmitare e gjithë bota. Ashtu është! Indiferentët ndaj së vërtetës dhe perversët e çdo lloji përpiqen sot ta përdorin femrën si një grep për t'u marrë mendjen meshkujve. Sidomos në këtë shekullin tonë të 20-të, femra është nëpërkëmbur aq shumë, sa që është e pamundur të tregohet ndonjë periudhë historike kur ajo të ketë paraqitur një figurë kaq të fëlliqur! Ashtu siç në porosinë profetike aludohet për faktin që femra shfrytëzohet edhe në reklamat më të zakonshme me mendimin për t'i bërë ato më të efektshme, po ashtu aludohet edhe për ekspozimin e dobësive dhe lakuriqësisë së saj. A është e mundur t'i jepet ndonjë shpjegim e të justifikohet ngjitja e portreteve femërore mbi rrotat e makinave, mbi rrobat e banjos, mbi salçiçet dhe suxhukët? Ç'lidhje mund të ketë femra me këto banalitete? Shihni, pra, është parashikuar se do të vinte një kohë kur femra do të shfrytëzohej nga njerëzit e shtrembër e të mbrapshtë për gjëra të shtrembra e të mbrapshta, pra edhe i Dërguari i Madh është shprehur në mënyrë të figurshme se femra është e përbërë prej diçkaje të shtrembër të burrit! Po, sikur gruaja ka grumbulluar në nefsin, egon e saj, aspektet më të shtrembra të llojit njerëzor dhe është bërë shembëlltyrë e shtrembërisë! Gjithsesi, nuk mund të zgjidhej një mënyrë të shprehuri më e goditur për të pohuar një gjë të tillë!

Le të trajtojmë edhe një specifikë tjetër me këtë rast. Në Testamentin e Vjetër thuhet hapur se Hz. Havaja është krijuar prej një ane të Hz. Ademit. Në esencë, në pohimin se është marrë një copë nga Hz. Ademi dhe prej saj është krijuar Hz. Havaja, nuk ka asnjë lloj absurditeti. Në se thuhet se kur Hz. Ademi, të cilin Zoti e krijoi si një mrekulli, ishte ende baltë, prej saj u muar një copë dhe me të u krijua Hz. Havaja, nuk ka asgjë për t'u çuditur. Edhe Hz. Ademi, edhe Hz.Havaja janë vepra të një akti mrekullor. Sa për shkencën, në këtë specifikë ajo është sakate, qorre e shurdhmemece, as mund të thotë gjë, as edhe mund të bëjë një koment të pranueshëm. Prandaj edhe ne, krijimin e parë e trajtojmë si një mrekulli dhe i bindemi e i nënshtrohemi fjalës së Zotit. Dhe këtë s'e bëjmë aspak verbërisht; përkundrazi, bindemi e nënshtrohemi duke vështruar dhe ndjerë nga dritaret e shkencave sundimin shkatërrues e asgjësues të diturisë, vullnetit dhe fuqisë së Allahut!

Ai e di të drejtën dhe e drejta në thëniet e Tij duhet kërkuar!

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.