Pse Allahu Nuk i Krijoi Njerezit te Njejte dhe te Barabarte? Pse nje Pjese Njerezish Jane te Pasur, Kurse nje Pjese Tjeter, te Varfer?

Pse Allahu Nuk i Krijoi Njerezit te Njejte dhe te Barabarte? Pse nje Pjese Njerezish Jane te Pasur, Kurse nje Pjese Tjeter, te Varfer? Ndersa nje Pjese Njerezish Nuk Kane Asnje Problem Fiziologjik, Pse nje Pjese Tjeter Jane te Verber, te Çale ose me Gjymtime te Tjera? Nga Ana Tjeter, Shihet se, Ndersa Disa Njerez Vuajne nga Fatkeqesi ose Kokeçarje te Ndryshme, Disa te Tjere Çojne nje Jete te Qete e ne Mireqenie. Ç'kuptim Mund te Kene te Gjitha Keto, Cilat Mund te Jene Urtesite dhe Shkaqet e Ketyre?

Le të përpiqemi t'i japim përgjigje të shkurtra me pika kësaj pyetjeje të gjatë që e preokupon mendjen e njeriut të sotëm më shumë se të çdo periudhe të mëparshme.

1. Njeriu e do atë që njeh me aq sa e njeh.

Po, njeriu e do atë që e njeh me aq sa e njeh, kurse i sillet si armik atij që s'e njeh; kështu ka ndodhur gjithmonë. Në fakt, një mosnjohje e tillë shtrihet edhe nën të gjitha pyetjet që vijnë erë kundërshtim. Sikur të kishte dëshirë njeriu për ta njohur kri­juesin e vet sa ç'ndjehet i dëshiruar për ta njohur një popu­lla­ritet, sikur ta shqyrtonte njeriu librin e gjithësisë me kriteret dhe etalonet e Librit të Allahut duke përfituar nga mësimet e mje­sh­tërve që ia bëjnë të njohur e ia përshkruajnë Zotin e vet, sikur, duke ua vënë veshin sadopak të vërtetave të dala nga i Dër­guari i Allahut[1], që i janë jetës jetë, për të mundur të sodisë as­pektin përkatës të botës hyjnore të materies dhe dukurive me anë të blusë së tufave dritësore të formuara, si rezultat, në ndër­gjegjen e tij, do t'u gjente zgjidhje qysh në krye të punës shumë pyetjeve dhe çështjeve që ia preokupojnë mendjen. Mirëpo ec e shih se në një periudhë kur dituria dhe meditimi janë vrarë, e kemi të pamundur të themi se ekziston ndonjëra prej këtyre!

2. Gjithë qenia, përfshi edhe njeriun, gjithë krijimi është pasuri e Zotit.

Sa shumë gjëra ka që njeriu e pandeh veten për pronar të tyre, pra dhe që u del për zot ndërsa, duke e vrarë mendjen fare pak, do ta kuptonte se pronari dhe i zoti i tyre është Allahu dhe, kështu, do të hiqte dorë nga kjo çështje!

Ne s'mund të jemi pronari as i kafshatës që e fusim në gojë, sepse duhet të futet në punë tërë gjithësia që të përgatitet ajo kafshatë e të na vijë në tryezë. Kjo do të thotë se ai që na e dhuron atë kafshatë, mund të jetë vetëm Individualiteti që është i aftë për ta krijuar tërë gjithësinë. Meqë Ai është i zoti i çdo gjë­je, vetëm Ai ka të drejtë të veprojë në pronën ku është zot, sepse pronari vepron si të dojë në pronën e vet dhe vetëm pro­nari mund ta administrojë pronën e vet!

Por shihni guximin dhe padrejtësinë e njeriut që i jep të drej­të rrobaqepësit ta presë e ta qepë, ta shkurtojë e ta zgjasë rro­bën që e bën sipas shtatit të njeriut që e përdor si model, kurse e quan të tepër t'ia njohë këtë të drejtë Zotit!..

3. Allahu ka emra të pafund.

Çdo emër kërkon praninë e pasqyrave që do të pasqyrojnë shfaqjet e veta. Për shembull, që të pasqyrohet, emri Rezzak, Ushqyes, kërkon praninë e qenieve që kanë nevojë për t'u ush­qyer, kurse emri Shafi, Shërues, kërkon praninë e sëmundjeve dhe të të sëmurëve prej tyre. Ndërsa e interpretojmë këtë ci­lë­sinë e shfaqjes me aspektin që sheh nga ne, i themi "vrapimi i emrave në ndihmë". Me emrin Muxhib (që i përgjigjet thirrjes, ftesës), Allahu shkon në ndihmë të atyre që kanë mbetur në vë­shtirësi, me emrin Kabz (që të shtrëngon, të tund e të sjell në vete), shkon në ndihmë të atyre që kanë rënë në indiferentizëm dhe përgjumje, kurse me emrin Basit (lehtësues), shkon në ndihmë të atyre që janë mbytur në halle. Po të merren të gjithë emrat një e nga një e të shqyrtohen pasqyrat që kërkojnë cilë­sitë e shfaqjeve si dhe gjendjet, situatat dhe trualli lidhur me ato pasqyra, atëherë do të shihet fytyra e urtësisë e pamjeve në je­tën shoqërore të pandehura si diferencime.

Kjo do të thotë se Zoti na e bën të njohur veten me këta em­ra të pafund dhe na tregon shfaqjet e Tij të ashpërsisë dhe bu­kurisë[2]. Ai na shfaqet në gjembat e trandafilit me emra që shprehin forcë e ashpërsi duke na bërë t'ia shijojmë ashpërsinë, kurse në petalet e trëndafilit, me emra që shprehin delikatesë e bukuri duke na bërë t'ia shijojmë bukurinë. Ashtu siç piktori që, krahas peizazheve pranverore, pikturon po aq edhe peizazhe dimërore duke na e paraqitur mbulesën e bardhë të borës si di­mension bukurie, që në një peizazh pylli, krahas luleve ngjyra-ngjyra, vizaton edhe një gjarpër të varur në degët e një peme dhe, pranë blerimit, vizaton edhe shkëmbenj, ashtu dhe Zoti e vizaton tablonë shoqërore me lapsin e shfaqjeve të emrave të ndryshëm të Tij duke i përftuar asaj një dimension dhe një the­llësi tjetër. Fundja, kush mund ta bëjë këtë më bukur se Ai?..

4. Në gjithësi sundojnë të kundërtat.

Nga grimcat e gjer te galaktikat, në çdo gjë ne vëmë re anta­gonizmin e polarizuar plus-minus. Fundja, nga ky antagonizëm buron uniteti i përsosur dhe rregullsia e pagabuar në gjithësi. Edhe njeriu duhet t'i përshtatet këtij ligji të krijimit në mënyrë që të ruhet uniteti në shoqëri. Pra, njerëzit duhet t'i përpje­së­toj­në mes tyre gjendjet antagoniste, gjë që do të thotë të pranohet fakti që disa të jenë të pasur, disa, të varfër, disa të jenë të ngo­pur, disa, të uritur, disa të jenë të sëmurë e të gjymtuar, disa, të shëndoshë e pa të meta. Ashtu siç nuk është e mundur që gji­thësia të grumbullohet e tëra në njërin pol (negativ ose pozitiv), nuk është e mundur as që të gjithë njerëzit të mbahen në të njëjtën gjendje dhe nivel. Çdo ndërhyrje e bërë nga jashtë, do ta prishë këtë ekuilibër sundues dhe harmoninë që siguron uni­teti. Edhe zhdukja e gjarpërinjve dhe minjve, madje, që do të tho­shte të hiqej një fjali nga libri i natyrës duke ia prishur kup­timin përmbajtjes së tij, ndikon negativisht mbi rregullsinë dhe ekuilibrin në natyrë. Të tentosh për t'i bërë të gjithë të pasur ose të gjithë të varfër, është njëlloj, për sa i përket ndikimit negativ mbi rezultatin, si të tentosh t'i bësh të gjithë meshkuj ose të gji­thë femra! Mjerë për gjithë ato përpjekje që kanë shkuar e shko­jnë kot!

5. Krahas shumëllojshmërisë së formës dhe për­mbaj­tjes së pyetjeve testuese dhe provimeve të zhvilluara për çdo profesion në rrugën për të arritur në përfun­di­min e dëshiruar, do të jenë të shumëllojshme e të ndry­shme edhe numri, vështirësitë dhe lehtësitë e tyre.

A mos është një meritë e vogël, për sa i përket përfundimit, të shpëtosh nga xhehennemi, ferri, e të fitosh xhennetin, paraj­sën, që të mos bëhet fjalë për një provim të caktuar dhe lloga­ridhënie sipas shkallës me qëllim për të hyrë atje? Njeriu që pu­non natë e ditë, që lodhet e mundohet për një pagë që i jepet në këtë botë sa për të jetuar ose edhe sa për të mbajtur frymën, gjithsesi do të pranojë të privohet, në shkëmbim të fitimit të një jete parajse, privimi prej së cilës është më i rëndë edhe se vde­kja, nga disa gjëra të paktën po aq sa ç'privohet për ta fituar atë pagë. Dhe nga kjo kuptohet se situatat antagoniste që shohim në jetën e shoqërisë, janë shfaqjet më normale të cilësisë së vë­nies në provë të secilit, ndërkaq që prova apo provimi është i detyruar për këdo pa përjashtim!

6. Bota është shpenzim, jeta e pasme, fitim.

Përpjekja dhe vështirësitë janë këtu, kurse vjelja e të mirave, atje. Meqë në jetën e pasme nuk ka shërbim dhe veprim, të gjitha shqetësimet do të kalohen këtu, do të jepet provim me durim tridimensional, kurse siguria dhe lumturia do të arrihen atje, sepse bota funksionon në të kundërt të jetës së pasme, kurse jeta e pasme funksionon në të kundërt të kësaj bote. Shpirti zhvillohet në të kundërt të kurmit, kurse kurmi zhvillohet në të kundërt të shpirtit. Ata që përpiqen të jetojnë në këtë botë sipas pasioneve të tyre, në botën tjetër do të përballen me një jetë që s'ka për t'u pëlqyer aspak. Shqetësimet e hequra dhe privimet e pranuara këtu, do të përbëjnë shkaqe për dhënien e shumëfishuar të shpërblimeve që do të fitohen atje. Në një hadith të shenjtë[3], kjo specifikë trajtohet kështu: "Nuk i jap ba­shkë dy siguri dhe dy frikëra!" Allahu nuk e miraton që jeta e pasme e robve të Tij të dashur të konsumohet këtu dhe u favo­rizon atyre një mënyrë jetese që të mos përballen me një përfu­ndim të tillë, madje ua bën të detyrueshme dhe ky detyrim ësh­të një detyrim favorizues.

7. Shqetësimet dhe fatkeqësitë janë përjashtime dhe zënë një kohë shumë të shkurtër në raport me jetë­gja­tësinë mesatare të një njeriu.

Po ta analizojë jetën e tij njëzetekatërorëshe duke e ndarë në fragmente kohore sipas ngjarjeve të jetuara dhe ta shtrijë këtë në të gjithë jetën e tij, njeriu do të shohë se pjesën më të madhe të kohës e ka kaluar në qetësi, begati dhe të mira.

Tani, duke mbajtur parasysh se janë shumë të mira mbi të cilat nuk na shkon mendja sepse janë të përgjithshme e të zako­nshme, le të përpiqemi t'u japim përgjigje këtyre pyetjeve: "A mos është dielli malli ynë? A kemi paguar gjer më sot ndonjë faturë për dritën e tij që kemi konsumuar? Po për rrezet e tij që janë burim nxehtësie, ç'duhet të themi? Sa kemi paguar për shërbimet që na kanë bërë shiu, retë, era dhe toka? Sa sekonda në vit na është prerë ajri? A ndodhi që të mos lindte dielli ndonjë ditë? Dhe sa ditë të vitit i kaluam të sëmurë?"

Me të vërtetë, po t'i krahasojmë ditët e vitit që kemi kaluar të shëndoshë, me të mira dhe gëzim, me ditët që kemi kaluar të sëmurë, të shqetësuar, të goditur nga ndonjë fatkeqësi ose me mungesa të ndryshme, do të shohim se, në përgjithësi, ditët që kalon njeriu me vuajtje të ndryshme i zënë një pjesë shumë të vogël të kohës dhe janë gjithmonë kalimtare. Veçanërisht, ditët me vuajtje i heqin njeriut shumë pak gjëra të lidhura me këtë botë, ndërsa i përftojnë shumë e shumë gjëra të lidhura me je­tën tjetër. Ndërkaq, për sa u përket shkaqeve të vuajtjeve, duhet të mos harrojmë se shumica kanë të bëjnë me shpërdorime, nënvleftësime dhe vese të këqija të vetë njerëzve si individë e si shoqëri. Përtej këtyre, sëmundjet dhe fatkeqësitë kanë edhe shumë aspekte mëshire dhe përfitimesh.

Në historinë e botës, vitet e kaluara me luftë përbëjnë një pjesë shumë të vogël të shekujve të kësaj historie. Në të njëjtën mënyrë, po të mblidhen minutat e tërmeteve, nuk bëjnë as një orë në disa shekuj. Harku është i shtrembër (i përkulur), por shigjeta është e drejtë dhe gjuajtja godet në shenjë!

Po të shihet nga afër një tablo, do të kuptohet qartë se hijet e dukura si të shëmtuara e pa kuptim dhe ngjyrat e errta, kur vlerësohen së bashku me bukuritë dhe si një e tërë me to, s'janë aspak ndonjë e metë e piktorit apo e tablosë, përkundrazi, pjesë përbërëse dhe funksionale e një të tëre harmonike dhe pjesë e bukurive dhe e estetikës së tablosë. Por për ta bërë këtë vlerë­sim, duhet që syri dhe koka të jenë të shëndoshë dhe tabloja të shihet nga largësia e përshtatshme!

8. Drejtësia shpreh kuptimin e një ekuilibri.

Kur hejbet e ngarkuara kafshës të jenë të ekuilibruara ose pjatat e peshores të jenë në një nivel, themi se është zbatuar drejtësia[4].

Allahu është i drejtë; edhe ekuilibrin, mbi këtë drejtësi e ka vendosur. Nga atomet te galaktikat, nga bimët te kafshët e gjer te njerëzit, çdo qenieje të gjallë ose jo të gjallë i janë dhënë pa­jisje në nivel të domosdoshëm në përshtatje me natyrën e kriji­mit të tyre. Për sa i përket njeriut, ai s'paguan asgjë për to. Po qe se drejtësia është dhënia në të njëjtën masë e cilësi me ma­rrjen, në përgjithësi, kundërshpërblim i njëvlefshëm e i ekuilib­ruar, urdhëroni e jepini Allahut barazvlerësen e atyre gjërave që ju ka dhënë!

Pasuria i përket tërësisht Allahut. A ka diçka që të na bjerë neve në pjesë? Po çfarë kemi ne tonën për ta dhënë si kundër­vlerë të gjërave që na ka dhënë Allahu falas?! Po qe se Allahu na kërkon që, nga gjërat që përdorim dhe përfitojmë, pjesën e Tij ta ndajmë veç e tonën, veç, neve na mbetet vetëm një zero dhe ajo e tillë, për të cilën nuk mund të themi imja! Atëherë the­mi se nuk kemi të drejtë dhe kompetencë të përzihemi në punët e të zotit të pronës në pronën e vet! Në mënyrë të veçantë, pa­varësisht nga masa e gjësë që i është dhënë falas, njeriut i bie për detyrë vetëm të falënderojë për pjesën e vet.

Eshtë e dobishme ta sqarojmë çështjen me një shembull. Le të mendojmë tre shokë të varfër, të panjeri e nevojtarë për gjë­në më të vogël. Vjen një njeri i pasur, i kap për dore me radhë dhe, nga rrugë të ndryshme, i hip në minare me tre ballkone, si minaret e Selimijes[5].

Për ta, në shkallët spirale të minares ka dhurata të ndrysh­me. Ndërkaq, dhuratat për të parin mbarojnë tek dalja e ball­ko­nit të parë. Prandaj shoku i parë del në ballkonin e parë. Dhu­ratat për të dytin mbarojnë tek dalja e ballkonit të dytë dhe ai del në ballkonin e dytë. Kurse për shokun e tretë ka dhurata më shumë. Ato mbarojnë në daljen e ballkonit më të sipërm. Së ba­shku me dhuratat, ai del në ballkonin e tretë.

Të tre shokët e shohin tashmë njëri-tjetrin dhe e kuptojnë se u janë dhënë dhurata në mënyrë të pabarabartë. A kanë të dre­jtë, megjithëkëtë, të ankohen? Fundja, ato janë dhurata dhe i pasuri nuk u kishte asnjë detyrim. Shokëve u mbetet për detyrë vetëm ta falënderojnë mirëbërësin.

Sipas këtij kriteri dhe në këtë masë duhen vlerësuar favoret dhe të mirat e Zotit. Duke e nxjerrë njeriun nga mosqenia në shkallaren e qenies dhe, pastaj, duke e ngjitur në nivelin nje­rëzor, Zoti ka vepruar vetëm me favorin dhe mirësinë e Tij. Pra­ndaj, ajo çka i bie njeriut, është ta falënderojë Zotin në çdo shkallare të të mirave dhe, përballë çdo të mire, vetëm të entu­ziazmohet me ndjenjën e falënderimit.

Po të mendohet edhe ca më shumë, njeriu do të kuptojë se nuk është fjala për t'u ankuar ndaj Zotit, por për t'u drojtur prej Tij kur niset t'i kërkojë diçka. Fundja, nuk e ka falënderuar për të mirat e të shkuarës që t'i kërkojë Atij diçka për të ardhmen! Nëse i kërkojmë, këtë e bëjmë sepse i besojmë favorit dhe mirë­sisë së Tij dhe se është vetë Ai që na e ka dhënë të drejtën për të kërkuar!

9. Jo vetëm që s'është e mundur t'i bëjmë njerëzit të zotërojnë mundësi në të njëjtin nivel, por një gjë e tillë s'është as e dobishme!

Sa e sa pasanikë ka që do ta jepnin gjithë pasurinë vetëm për të shijuar një ditë lumturie të një të varfëri! Ka shumë pasa­nikë që bëjnë vetëvrasje për shkak të mungesës së qetësisë dhe lumturisë. Vetëm se këto fakte nuk do të thonë se varfëria sjell lumturi! Ka të varfër të tillë që çdo ditë e kalojnë sikur të gëll­titnin gjemba! Dhe nga kjo kuptohet se as pasuria është shkaku i vetëm i lumturisë, as varfëria! Sepse njeriu nuk është një qenie e identifikuar me stomakun. Krahas stomakut, ai ka shpirtin, ndjenjat, vetëdijen, ndërgjegjen... Dhe janë pikërisht këto e jo stomaku gjërat që e bëjnë njeriun njeri duke e dalluar nga fry­morët e tjerë. Po qe se s'kënaqen këto, sikur të gjitha pasuritë e botës t'i jepeshin një njeriu të vetëm, prapë ai nuk do të bëhej i lumtur. Ja, pra, e gjithë çështja është të përgatiten individët dhe shoqëritë sipas një baze që do t'u jepte qetësinë dhe lumturinë. Ndryshe, në këtë botë të përkohshme, jepini njeriut ç'të doni, por nuk do ta bëni dot të lumtur!..

10. Botëkuptimi i barazisë ose barazitizmi.

T'ia marrësh diçka të pasurit e t'ia japësh të varfërit, në fakt, nuk sjell barazi, përkundrazi, i hap rrugë atrofizimit të aftësive, shfaqjes së dëshirës për punë dhe përpjekje, rënies së prodhimit dhe vdekjes së ndjenjave të bukura si dashuria, respekti, bindja dhe dhembshuria. Fundja, nëse dikujt nuk i bie në dorë diçka ose ajo që i bie, i merret përsëri nga dora, kush përpiqet e kush derdh djersë për të fituar, për të vënë pasuri? Prandaj ndodhi që sistemi komunist mbeti, më në fund, i detyruar ta njohë pro­nën private duke e thyer me duart e veta gurin e themeleve të veta. Prandaj, rrëmbimi me forcë i pasurisë nga pronari nuk është zgjidhje. Ndoshta zgjidhje është t'i fitohet zemra e të për­gatitet për të dhënë, kështu, t'i përftohet atij një ndjenjë nje­rë­zore.

A mos vallë është drejtësi t'ia rrëmbesh nga dora pasurinë një njeriu që, duke respektuar moralin e tregtisë, përpiqet dhe fiton në rrugë legjitime e të bekuara, e t'ia japësh një dembeli që vret kohën me llomotitje në qoshet e kafeneve? A nuk e bën një sjellje e tillë viktimë një pjesë të shoqërisë, kurse pjesën tje­tër, një shtresë parazitësh që jeton vetëm në kurriz të të tjerëve? Ata që propozojnë një drejtësi të tillë, si do ta shpjegojnë, pas­taj, urrejtjen dhe armiqësinë e pashmangshme mes të pasurve që u është rrëmbyer me forcë pasuria dhe të varfërve që janë kthyer në parazitë duke u dhënë padrejtësisht mall dhe mundësi për të cilat nuk kanë derdhur djersë? Pas të gjitha këtyre pye­tjeve dhe çështjeve qëndron fakti i falimentimit të sistemeve nje­rëzore të marrëdhënieve ekonomike e juridike. Eshtë e qartë se njerëzimi ka për të shpëtuar vetëm me anë të sistemit hyjnor[6].

Dhe ja Islami i cili, nën frikën e Allahut, u ka dhënë rëndë­sinë e duhur edhe kapitalit, edhe punës; në të njëjtën kohë, du­ke e nxjerrë kapitalin nga të qenit një pushtet që qarkullon në­për duar të të pasurve dhe duke ngritur ulluqe ushqyese për shtresën e të varfërve me anë të urës së lëmoshës, taksës së qu­ajtur zeqat dhe huasë pa kamatë, ka siguruar rrjedhjen dhe qarkullimin e kapitalit. Veçanërisht, Islami, duke penguar, nga njëra anë, shtypjen e të varfërve me anë të rrugëve jolegjitime të pasurimit, si kamata, tregu i zi dhe spekulimet e ndryshme, nga ana tjetër ka dekretuar "t'i jepet punëtorit pagesa pa iu tharë ende djersa"! Kështu, ndërsa nga njëra anë ka marrë këto masa, nga ana tjetër, Islami, nëpërmjet figurës së Profetit që e kalonte jetën mbi rrogoz, ka treguar me anë të këtij qëndrimi shembullor se ç'është varfëria për jetën tjetër. Kështu, Islami pati formuar një shoqëri të mbështetur mbi mëshirën dhe dhe­mbshurinë nga lart dhe bindjen dhe respektin nga poshtë, për rrjedhojë një shoqëri të qetë e të lumtur. Historia e Islamit është pasqyra më e bukur e hedhjes në praktikë të këtyre lloj mendi­meve e ndjenjave si dhe e rregullave hyjnore që nxjerrin në pah mendjet dhe zemrat. Unë besoj se leximi dhe vlerësimi i his­to­risë së Islamit nga kjo perspektivë do t'i përftojë shumë gjëra njeriut të sotëm dhe se historia e Islamit do ta kapë për dore atë për të gjetur rrugën më të efektshme për shkatërrimin dhe zhdu­kjen e të gjitha bllokimeve shoqërore.

Parapëlqimi dhe zgjedhja e pasurisë apo varfërisë ka të bëjë plotësisht me botën ndjesore të individit. Sado që ta shtrëngoni individin që i ka mbërthyer sytë te horizontet sublime e te idea­let sublime e që përpiqet për ta ngritur njerëzimin në qiellin e të qenit njeri, nuk keni për ta futur dot në burgun që, sipas tij, konsiderohet pasuria. Megjithëse në planin individual kjo gjë qëndron kështu, në planin shoqëror e kombëtar përfshihet edhe përgatitja e të gjitha kushteve që shteti të jetë i fuqishëm, gjë që ka një rëndësi të pashmangshme. Me këtë ekuilibër e pati rre­thuar Islami njerëzimin dhe ky ekuilibër qe ruajtur për sa kohë që qenë respektuar parimet që pati sjellë ai!

Sipas kritereve të Mbretit të Zemrave[7], kjo botë është, në krahasim me jetën tjetër, një hije, një kalim vape nën një pemë, një lojë dhe dëfrim dhe, para Allahut, vlera e saj në krahasim me botën e përjetësisë, është një etapë e zakonshme me vlerë as sa krahu i një mize. Megjithëkëtë, me një vlerësim tjetër, po kjo botë është mjeti dhe mjedisi më i rëndësishëm për t'u ngji­tur në horizontet sublime ku shpaloset emri i Zotit. Duke u për­dorur mirë ky mjet e ky mjedis, muslimanët do të bëhen ele­ment ekuilibri mes shteteve të botës dhe, në çdo lloj marrëdhë­niesh diplomatike, do të bëhen një shoqëri e treguar me gisht. Më në fund, ashtu si në çdo fushë tjetër, muslimanët do të zotërojnë edhe në fushën e tregut, ku, shembullin më të zgje­dhur e gjejmë përsëri në praktikën e Profetit. Pak kohë pas emi­grimit të tij në Medine, muslimanët u bënë zotër të tregut të atjeshëm dhe, megjithëse nuk i pengonte kush, çifutët patën mbetur të detyruar ta braktisnin tregun.

Hz. Omeri, përveç kuajve të luftës, ushqente, në vende të ndryshme, edhe mijëra kuaj të tjerë. Hz. Osmani qe aq i pasur e bujar sa të dhuronte mijëra deve së bashku me barrën. Ndo­dhte kështu, sepse ishte një pikë që i bashkonte të dy: të dy bë­nin një jetë të thjeshtë, hanin një copë bukë thatë, flinin mbi rërë dhe nuk ndaheshin kurrë nga populli i thjeshtë. Këto s'ishin përfundime të arritura me shtrëngim, përkundrazi, ishte shpirti i përftuar prej Islamit që i rriste e përgatiste ata e të tjerë si ta për t'i vënë në shërbim të popullit!

Po qe se elementi njeri është me të vërtetë çështja më krye­sore dhe po qe se ata që kërkojnë ta bëjnë këtë çështje flamur duke e bërë pajandër për idetë e tyre të vjetëruara, nuk janë gë­njeshtarë në fjalët dhe thëniet e tyre, atëherë, ejani t'i gjejmë një zgjidhje kësaj çështjeje. Me fjalë të tjera, ejani ta risjellim në rend të ditës zgjidhjen e gjetur pesëmbëdhjetë shekuj më parë. Sepse e vetmja zgjidhje që do ta bëjë njeriun një monument vle­rash e virtytesh, është zbatimi në praktikë i asaj Recete Hyj­nore. Në të kundërt, kërkimi i ndonjë zgjidhjeje tjetër është ve­tëm kthimi i sëmundjes në gjendje kronike.

11. Le të përpiqemi ta plotësojmë çështjen në aspe­ktin që ka të bëjë me kokëçarjet dhe fatkeqësitë duke u shtuar një përmbledhje gjërave që thamë më lart.

Edhe pse në ngatërresat, kokëçarjet, sëmundjet dhe gjymti­met ka disa dëme të pjesshme, duke u nisur nga përfundimi, mund të thuhet se janë jashtëzakonisht të dobishme. Kështu ndodh që ia tërheqim veshin fëmijës për ta edukuar, që e pre­sim gishtin e gangrenizuar për ta shpëtuar trupin, që, kur duhet, prej helmit të gjarprit bëjmë ilaç, etj. dhe askush nuk del kundër këtyre, sepse lejohet një dëm i vogël i sotëm për një përfitim të madh të së ardhmes.

Le të vazhdojmë. Skifteri zhvillon aftësinë vetëruajtëse të tru­mcakut, ndërsa, në dukje, e tremb dhe e mban të shqetësuar atë. Disa herë ndodh që dikush apo disa të pësojnë dëm nga shiu, rryma elektrike apo zjarri, por s'del kush që t'u lëshojë mallkime shiut, rrymës elektrike dhe zjarrit! Në agjërim, në pa­mje të parë, pranohet se trupi mundohet. Vetëm se agjërimi i përfton trupit qëndresë dhe gjallëri. Të njëjtën gjë mund të the­mi edhe për stërvitjen ushtarake. Mirë, po shpirti ynë? A të mos pastrohet edhe ai me anë të sëmundjeve dhe fatkeqësive për t'u bërë i aftë për parajsë? Dhe ky përfundim nuk është aspak për t'u nënvleftësuar!

Të marrësh pak e të japësh shumë është veti e shquar e Alla­hut, Zotit të gjithësisë. Po të duhet, Ai na e merr syrin, këmbën, por, si shpërblim, na jep pozitën e dëshmorit. Na e merr pasu­rinë, por në jetën tjetër na shpërblen me shumë më tepër të mira. Na bën të durojmë dhe, si shpërblim, na dhuron të mira të pakufishme.

Durimi dhe lejueshmëria ndaj sëmundjeve, kokëçarjeve dhe fatkeqësive konsiderohen si adhurime. Edhe me to fitohen të mira. Pastaj, te këto nuk ka rrezik dyfytyrësie, sepse askush nuk bëhet i sëmurë për t'u dukur.

Kokëçarjet dhe fatkeqësitë ngrenë edhe shkallën e personit. Me ngjitjen në lartësitë malore, njeriu ndjen shtrëngim në gjoks për shkak të rrallimit të ajrit dhe oksigjenit. Bora, furtunat, tufa­net gjenden më shumë në majat e maleve të lartë. Prandaj ka ndodhur që profetët kanë vuajtur më shumë dhe në këtë rrugë janë lartësuar njerëzit e mëdhenj.

Kokëçarjet dhe fatkeqësitë ua mësojnë njerëzve vlerën e të mirave dhe hapin për ta rrugën e falënderimit. Uria ia dyfishon vlerën bukës. Sa i ëmbël është një gotë ujë në iftar! I sëmuri e kupton më mirë vlerën e shëndetit, kurse ai që ka të gjymtuar një organ, e kupton më mirë se të tjerët vlerën e organeve të shëndosha.

Njeriu ka nevojë vazhdimisht të paralajmërohet ndaj armiq­ve të tillë si egoja e vet dhe djalli. Ja, pra, kokëçarjet dhe fatke­qësitë këtë detyrë kryejnë për njeriun, ta paralajmërojnë dhe mbrojnë ndaj mëkateve. Ç'të jetë guri që i hedh deles që kër­kon të hyjë në livadhin e huaj, bariu i mëshirshëm, janë ko­këçarjet dhe fatkeqësitë për besimtarin. Njeriu me xhepat plot dhe i shëndoshë e ka më të lehtë të bjerë në mëkat. Kurse pri­vacionet dhe sëmundjet e mbrojnë atë përballë një rënieje të ti­llë. Veçanërisht, edhe sëmundjet dhe fatkeqësitë që, duke e ku­ptuar dobësinë e një të sëmuri viktimë fatkeqësie, mund të bë­hen shkak për shpëtimin e tij nga sëmundja e krenarisë dhe me­ndjemadhësisë, vlejnë për të si ilaç. Madje ka mëkate të tilla, për të cilat vetëm fatkeqësitë mund të vlejnë si kundërvlerë. Po, sa e sa kokëçarje dhe fatkeqësi ka që, ashtu siç i shkund era gjethet e pemës, ia shkundin njeriut mëkatet duke e bërë krejt të pastër. Fundja në xhennetin që është i pastër, vetëm njerëz të tillë krejt të pastër do të hyjnë!

Po qe se çështjen do ta trajtojmë në një aspekt pak më spe­cifik, roli i kokëçarjeve dhe fatkeqësive që shoqërojnë përga­ti­t­jen e një bashkësie, është shumë i madh dhe, sa ç'është i madh, është i rëndësishëm. Mbështetur në urtësinë për t'i da­lluar shpirtrat vetëmohues që kanë për t'i vënë supet kauzës nga interesaxhinjtë, Allahu i trondit pjesëtarët e kauzës me pro­va të ndryshme, i shoshit, gjersa të kulluarit dhe të pastrit të ve­çohen prej të tjerëve dhe karakteret e dobët që kanë për t'u ndarë në gjysmë të rrugës, të ndahen qysh në krye të punës në mënyrë që në të ardhmen, në pika shumë kritike, të mos për­jetohet disfatë!

Disa herë, kokëçarjet dhe fatkeqësitë përgjithësohen. Kokë­çarjet e ardhura në këtë mënyrë, i fusin edhe të pafajshmit në të njëjtin karvan. Sepse kështu e kërkon e fshehta e provës. Ndër­kaq, në jetën tjetër, të pafajshmit do të grumbullohen veç, sipas qëllimit, edhe të tjerët, veç, sipas qëllimit. Pavarësisht nga të gji­tha këto, kokëçarjet dhe fatkeqësitë nuk kërkohen, por, po er­dhën, njeriu duron, tërhiqet në vetvete. Kurse aftësia për të thë­në për Zotin, "edhe të mirën e ke të këndshme, edhe të keqen", është një çështje niveli.

Mëkatet e kryera dhe kundërshtimet e bëra ndaj Zotit janë si ftesa për kokëçarjet dhe fatkeqësitë. Kjo është edhe një ndër shkaqet e shkatërrimit të popujve të kaluar. Kurse ata që janë si rrufepritës dhe mbrojtës ndaj këtyre lloj kokëçarjeve dhe fatke­qësive, janë burra të zemrës që mund të derdhin lot për më­katet e të tjerëve sa dhe për të vetat, dhe që kanë një shpirt de­likat.



[1] Profeti Muhammed.
[2] Në origjinal, respektivisht: xhelalí, i ashpër; xhemalí, i bukur.
[3] Porosi hyjnore e frymëzuar Profetit, pra, edhe e shprehur me fjalët e tij.
[4] Në traditën popullore, i zoti i kafshës i vë shumë rëndësi mënyrës së ngarkesës së barrës në mënyrë që ajo të shpërndahet njëlloj në të gjitha pikat e samarit; kur barra ka formën e hejbeve, thasëve, druve, përgjithësisht objek­teve që nuk vihen mbi samar por varen anash, populli i vë shumë rëndësi shpërndarjes krejtësisht të barabartë të peshës në të dy anët në mënyrë që kafshën të mos e hajë ana e të mos e vrasë samari. Edhe ngarkesa e lehtë mund ta mundojë dhe vrasë kafshën nëse vendoset keq, kurse një ngarkesë e rëndë por e vendosur drejt dhe që nuk e vret, bartet lehtësisht prej saj. Nga ana tjetër, peshorja e ekuilibruar dhe e saktë që peshon drejt dhe nuk e dëmton asnjërën palë, është e pranueshme pavarësisht nga humbja që mund të pësojë shitësi ose blerësi për shkak të çmimit. Në përgjithësi, kur gjërat ve­ndosen dhe vlerësohen me drejtësi, priten me pëlqim dhe pranohen me leh­tësi. Sa për peshoren, dihet se ajo simbolizon drejtësinë. Këto gjëra ka dashur të thotë autori më sipër me dy-tre rreshta.
[5] Selimija: xhami e famshme në Edrene të Turqisë europiane, e projektuar dhe ndërtuar nga arkitekt Sinani.
[6] Siç mund të vihet re lehtë në këtë paragraf, autori del në mbrojtje të pa­surisë së vënë me rrugë dhe mjete të drejta e legjitime, me djersën e ballit, pa cënuar të drejtat e të tjerëve.
[7] Profeti Muhammed.
Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.