Shpirti: Ekzistenca, Natyra dhe Argumentet Specifike

1. Shpirti është një qenie e vetëdijshme që vjen nga bota e urdhrit[1].

Shpirti nuk është qenie lëndore; ai është një qenie e vetëdij­shme me prejardhje nga bota e urdhrit ose e ekzistencës së pa­kushtëzuar. Së pari, le të përpiqemi t'i shpjegojmë pak a shumë këto dy botë.

Bota lëndore ose konkrete (e dëshmisë) është bota që e sho­him, përgjithësisht, e përceptojmë dhe bëhemi dëshmitarë të ek­zi­stencës së saj. Në këtë botë, Allahu, Zoti i gjithësisë, jep vdekje dhe jetë, krijon forma dhe trajta të ndryshme, shpik dhe strukturon. Trupat e krijuar marrin forma dhe trajta të ndrysh­me duke u zbukuruar e stolisur. Bimët, kafshët dhe njerëzit janë gjallesat që e përbëjnë këtë botë ose këtë gjithësi. Nga molekula te trupat qiellorë e gjer te të gjitha sistemet qiellore, çdo qenie lëndore që përceptohet e që zë një vend të caktuar në hapësirë, përfshihet në këtë gjithësi.

Bota e urdhrit ose e ekzistencës së pakushtëzuar është një botë që nuk futet në masat lëndore dhe, më shumë, një botë e përbërë nga ligjet. Esenciale në këtë botë nuk është lënda, por kuptimi. Meqë kuptimi është i papërceptueshëm, ne shohim ve­tëm zgjatimet funksionare të kësaj bote në botën lëndore dhe vetëm me këto përpiqemi ta kuptojmë atë. Për ta bërë çështjen të kapshme nga arsyeja, duhet ta konkretizojmë.

Për shembull, le të marrim një farë bime. Fara që është e kë­saj bote, për shkak të fuqisë mbirëse që bart, ka lidhje edhe me botën e urdhrit. Fuqia mbirëse e farës[2] ndodhet në embrionin e saj, por është e padukshme. Kur plotësohen kushtet e caktu­ara, embrioni plas, hapet, sythi çel, bëhet filiz, bimë e rritur dhe jep frut. Të gjitha këto kryhen për shkak të ligjit të mbirjes, i cili është i papërceptueshëm. Pra, ne nuk mundemi ta shohim vetë ligjin, i cili i përket botës së urdhrit, por vetëm pasojat e tij, të cilat i përkasin botës lëndore të dëshmueshme. Për këtë arsye, ne e pranojmë ekzistencën jolëndore të ligjit si dhe botën e ur­dhrit të cilit ai i përket. Por anën e padukshme të këtij ligji e pranojmë edhe sepse shkaqet lëndore nuk mund të japin kurr­sesi një rezultat të tillë. Ndryshe, do të duhej që një grimcë dheu dhe një molekulë ajri të zotëronin mjete zhvillimi të posaçme për çdo lloj fare veç e veç, gjë që do të ishte e pamundur.

Edhe veza në mitrën amësore zhvillohet po me anë të të njëjtit ligj.

Çdo muaj, mitra zbrazet. Ky është një ligj. Pastaj, muret e saj përgatiten si depo vitaminash për spermatozoidin mik që ka mu­ndësi të vijë. Edhe ky është një ligj. Nga miliona sperma­to­zoide që përmban sperma, vetëm njëri e fiton garën, pra, arrin te veza dhe hyn brenda saj nëpërmjet membranës dhe me­njëherë mbyllen portat. Ja dhe një ligj tjetër. Pastaj, siç pohohet edhe në Kur'an, e izoluar brenda tri errësirave (cipave), veza kalon etapat e qelizës, indit dhe organeve duke u ushqyer në mënyrë mrekullore. Edhe ky është një ligj. Të gjitha këto i qu­ajmë ligje embriologjike. Me anë të pajisjeve teknologjike, sot mund të vëzhgohen të gjitha këto etapa, por jo ligjet që i urdhë­rojnë zhvillimet përkatëse.

Në të njëjtën mënyrë, megjithëse graviteti universal është një çështje e njohur dhe e pranuar nga të gjithë, përceptimi i tij si ligj është i pamundur. Ajo çka përceptojmë ne, janë funksionet ose pasojat e tij në botën tonë lëndore.

Edhe shpirti është një ligj i llojit të ligjeve që u përpoqëm t'i shpjegojmë me anë të shembujve, por vetëm me një ndryshim: ndërsa ligjet e tjerë janë të pavetëdijshëm, shpirti i njeriut është një ligj i vetëdijshëm.

Allahu e ka dërguar shpirtin nga bota e urdhrit "bëhu!"[3]. Në Kur'an, duke iu shpjeguar profetit Muhammed shpirti, i është thënë: "Thuaj: "Shpirti është nën urdhrin e Zotit tim!" (Isra, 17/85) Fakti që është thënë Zoti dhe jo Zoti i gjithësisë, është argument i faktit që shpirti i përket botës së urdhrit e jo botës lë­ndore.

2. Shpirti jo vetëm nuk mund të përshkruhet, por as të kuptohet me anë të informacionit njerëzor.

Shpirti është i thjeshtë, jo i përbërë. Meqë lënda është e për­bërë prej atomeve dhe atomet prej grimcave më të vogla, zbër­thimi dhe shpërbërja e saj është e paracaktuar dhe e pashma­ngshme. Por gjendja e shpirtit nuk është kështu. Ekzistenca e shpirtit është e fiksuar, konstante dhe permanente[4], ai nuk jo­nizohet, nuk zbërthehet e nuk shpërbëhet. Pse ka këtë natyrë, nuk mund ta shohim ne shpirtin siç shohim lëndën, dhe nuk mund ta shqyrtojmë në laborator. Ekzistencën e shpirtit e pra­nojmë vetëm duke vëzhguar shfaqjet e tij në botën tonë, me­gjithëkëtë, natyrën nuk mund t'ia njohim. Fundja, pranimi i ek­zistencës së diçkaje me njohjen e natyrës së saj janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra.

Për ta parë një gjë, kemi nevojë për sy, por syri nuk është i mjaftueshëm, sepse ai s'e kryen dot funksionin e shikimit po s'funksionoi truri në mënyrë të pandërprerë e të patëmetë. Se­pse syri është një shteg, kurse shikimi është një operacion tru­nor. Kështu qëndron puna edhe me vetë trurin. Edhe truri, për t'i vënë në punë të gjitha fakultetet e strukturës së vet, ka nevojë për një fuqi qëndrore shtytëse dhe drejtuese.

Kurrë truri nuk mund ta kapërcejë vetveten për t'i thënë shpirtit që e komandon, "unë nuk mund ta njoh natyrën tënde, prandaj ti nuk je"! Sepse, për ta kuptuar fuqinë e përsosur që sundon mbi të, truri duhet të përdorë të gjitha pajisjet që ka du­ke kapërcyer ndijimet materiale me karakter të kufizuar, gjë që është e pamundur për këtë botë lëndore.

Meqë nuk mund t'i kuptohet natyra, shpirti as nuk mund të përkufizohet. Njëri qëndrim skajor ndaj kësaj çështjeje, është mohimi i shpirtit, kurse tjetri, tentativa për ta përkufizuar atë si një lëndë.

Shpirti nuk mund të përkufizohet sepse njeriu që do të donte ta përkufizonte atë, shpesh nuk është i aftë për t'i përkufizuar as gjërat dhe dukuritë e botës së vet. Bie fjala, një njeriu që s'ka ngrënë kurrë mjaltë në jetë, nuk mund t'ia përshkruani dhe përkufizoni shijen dhe kënaqësinë që jep mjalti me fjalë abstrakte, edhe sikur të jeni një mjeshtër i fjalës. Edhe një njeriu që kurrë s'u ka marrë erë trëndafilit dhe karafilit, është e pamu­ndur t'ia bëni të njohur aromën e këtyre dy luleve me anë të përshkrimit dhe përkufizimit.

Edhe sikur t'ia lexoni një libër të tërë një njeriu që s'jua merr vesh gjuhën, s'ka për të kuptuar qoftë edhe një shkronjë!

Në këto kushte, e vërteta që na del para është kjo: çfarëdo që të thuhet për shpirtin, as është e mundur të bëhet një për­shkrim dhe përkufizim i shëndoshë për të, as është e mundur të kuptohet ai me anë të informacionit njerëzor!

3. Tek ne, elementi që flet kur hesht lënda jonë, është shpirti ynë.

E dimë të gjithë se llojet e të folurit në botën tonë janë të shu­mta. Këtu, me të folurit e kemi fjalën për çdo lloj tingullimi dhe komunikimi.

Kështu, tingulli që del nga përplasja e dy gurëve është i ndryshëm nga tingulli që del nga përplasja e dy shkopinjve apo drurëve. Tingulli i ujit që del nga një burim nëntokësor është i ndryshëm nga tingulli i ujit që rrjedh i qetë. Sa e butë i vjen njeriut fëshfërima e zefirit apo flladit ndaj zhurmës gjëmuese të furtunës apo ciklonit. Bubullima është një zë tronditës, kurse në zhurmën magjepsëse të shiut është e fshehur një qetësi, një efekt qetësues.

Edhe banorët e pyjeve nxjerrin zëra që janë të posaçme për ta. Zëri i dikujt ta gërvisht veshin, kurse i dikujt tjetër është kë­naqësidhënës. Zogjtë, fëmijët e blusë qiellore, nxjerrin tinguj dhe zëra të ndryshëm. Bilbili këndon, kurse sorra krakëllin.

Ashtu siç ka kjo botë lëndore forma dhe mënyra të ndry­shme tingëllimi dhe komunikimi me anë të zhurmave, tingujve, fjalëve e fjalive, gjë që duhet të jetë më e mirë se një tingëllim dhe komunikim monoton, edhe Zoti bisedon dhe komunikon me botë të ndryshme në forma dhe mënyra të ndryshme. Ndër­sa bisedon ndryshe me engjëjt, ndryshe me profetët, ndryshe me të urtët e ngarkuar me frymëzim, Allahu bisedon me njerëzit e zakonshëm me anë të librit, kurse gurit, malit dhe qiellit u flet me një gjuhë tjetër. Kurse frymëzimi me të cilin i drejtohet ble­tës, është krejt tjetër!

Ashtu siç bota e varrit ka një gjuhë të veçantë komunikimi, kuptohet se edhe gjuha e komunikimit në grumbullimin pas ri­ngjalljes, në parajsë dhe ferr do të jetë e ndryshme.

Dhe tani le të kthehemi pak te vetja jonë. Edhe mënyrat e të folurit, komunikimit dhe bisedës mes njerëzve janë të ndryshme e të shumëllojshme. Në tokë ka me mijëra gjuhë. Përtej kësaj, edhe brenda një gjuhe, duke e shoqëruar fjalën me mimikë dhe gjeste, i japim asaj nuanca të reja shprehjeje. Brenda një kombi, format dhe mënyrat e komunikimit të mendimeve dhe ndje­njave të fiseve, krahinave dhe popullatave janë të shumë­lloj­shme. Fundja, edhe shumëllojshmëria e zakoneve dhe traditave na japin të kuptojmë shumë gjëra mbi këtë çështje.

Njeriu komunikon me kompjuterin me një gjuhë të veçantë që ndryshon krejt nga gjuha e zakonshme e të folurit të tij. Ndo­shta në të ardhmen njeriu do të bisedojë dhe komunikojë me robotët me një formë dhe mënyrë tjetër. Sidomos biseda tele­patike mes njerëzve na tregon ne se në botë të tjera ka forma dhe mënyra të tjera komunikimi. Krejt e ndryshme është edhe gjuha e spiritistëve, hipnotizuesve dhe thirrësve të shpirtrave.

Eshtë edhe biseda e njeriut me vetveten ose biseda në vet­vete. Në fakt, kur themi të folur dhe bisedë, e kemi fjalën për komunikimin me tinguj, fjalë dhe fjali, për formulimin dhe pro­dhimin e të cilave marrin pjesë disa organe nga truri gjer te bu­zët, si dhe për dëgjimin e të cilave ka mjete të ndryshme si veshi i njeriut dhe mjetet teknike dëgjuese e regjistruese. Por në bise­dën në vetvete, gjuha dhe buzët nuk lëvizin. Bashkëbiseduesi ynë mund të jemi vetë ne ose një tjetër. Përfytyrimi dhe ima­gjinata mund të na çojnë në botë krejt të tjera dhe ne të bise­dojmë edhe me qenie që nuk kanë ardhur kurrë në botën tonë!

Edhe ëndrrat kanë gjuhën e tyre të veçantë. Ç'ngjarje përje­tojmë ne, me kë dhe ç'gjëra bisedojmë në gjumë kur organet e trupit janë gjysmë të vdekura! Disa herë gjëmojmë në të qeshur, disa herë qajmë me ngashërime. Ndërkaq, pranë nesh mund të ndodhen zgjuar njerëz që s'marrin vesh asgjë nga ç'po ndodh me ne, që s'preken as nga të qeshurat, as nga të qarat tona!

Po, kur lënda jonë pushon, është një element tek ne që flet e bisedon, që i themi shpirt. Po qe se dikush i vë një emër tjetër, natyra e tij nuk ndryshon. Veçanërisht, edhe ndjenjat kanë gju­hën e tyre të veçantë.

4. Shpirti ka një formë dhe trup precedencial[5] të posaçëm.

Shpirti ka një formë, një këllëf që është i posaçëm për të. Meqë çdo gjë është krijuar çift, trupi ynë fizik (material) ose, siç i themi ndryshe, kurmi ynë, duhet ta ketë të kundërtën e tij. Ja, pra, ky është trupi ynë i dytë, i kundërt me kurmin fizik, mate­rial, prandaj dhe ideal, i posaçëm në vetvete, domethënë prece­dencial. Ky trup i tejdukshëm dhe i rrjedhshëm (si lëngjet apo gazet), shërben, në të njëjtën kohë, si formë, këllëf ose rrobë për shpirtin. Pas vdekjes sonë, ai nuk e lë shpirtin lakuriq. Pasi shpirti e lë trupin, forma vazhdon ta shoqërojë. Shpirti e hedh këllëfin material por e ruan atë ideal.

Siç bëhet fjalë në burimet islame dhe siç vërtetohet nga spiri­tistët, te njerëzit që iu është prerë ndonjë gjymtyrë, ndjehet ekzi­stenca e formës ose trupit precedencial të shpirtit të gjymtyrës së prerë.

Në librin "Kthimi te Zoti në Rusi" ka shpjegime të gjata li­dhur me këto çështje. Për shembull, një grup mjekësh thonë tekstualisht kështu: "Krahas trupit fizik te të gjithë gjallesat, të përbërë prej atomesh dhe molekulash, ekziston edhe kopja e tij, trupi prej energjie..."

5. Thuhet se janë bërë fotografi të trupit preceden­cial me anë të metodës cirliane.

Metoda fotografike cirliane nxjerr në pah trupat preceden­cialë me anë të fotove të bëra në frekuenca të larta. Krahët e prerë të dikujt të dukura në një foto të tillë duhet të jenë pamje të formës precedenciale që mbështjell shpirtin. Në Kazakistan, në universitetin Kirov të Alma Atës, nën harkun elektrik të fre­kuencës së lartë është dukur dublanti i gjallë i lëvizshëm i një organizme.

Në vitet 1968 u botua një libër me titullin "Bazat biologjike të metodës cirliane". Në fotot, në vendet e gjymtyrëve të prera, dukej trupi i dytë (trupi bioplazmik).

Edhe mjeku amerikan Watters dalloi trupin e dytë në dho­mën e dilatacionit me anë të grumbullimit dhe përqëndrimit të avullit të ujit mbi jonet. Ai mbështolli rreth pesëdhjetë karkaleca me pambuk me eter dhe i vendosi në dhomën e dilatacionit. Kur mendoi se kishin ngordhur, lëshoi në dhomë avull uji dhe bëri fotografitë e tyre. Si rezultat, në pllakat fotografike u mbre­suan hijet e trembëdhjetë karkalecave të ngordhur.

6. A mundet trupi precedencial të ndahet nga trupi fizik për të udhëtuar dhe a mund të duket duke u she­mbëllyer në të njëjtën kohë në disa vende?

Në numrin e marsit 1963 të revistës franceze Le Monde La Vie – nëse nuk bart qëllime propagande krishtere – tregohet se ç'i ka ndodhur një herë një prifti. Ai kishte shkuar me një grup fëmijësh për ekskursion në malet e Zvicrës. Diku, në rrugë e si­për, e kishte zënë gjumi dhe, kur ishte zgjuar, kishte vënë re në mënyrë të vetëdijshme se ishte larguar nga trupi dhe nuk mu­ndej t'i lëvizte krahët. Pasi ishte mësuar brenda një kohe të shkurtër me gjendjen, kishte nisur të fluturonte mbi male. Ndër­kohë i kishin shkuar ndërmend fëmijët që kishte shoqëruar, ki­shte dëshiruar të shkonte pranë tyre dhe kishte shkuar. Pastaj i ishte kujtuar gruaja dhe e kishte parë veten në qytet pranë saj. Pas këtyre ndodhive, kishte ndjerë një shqetësim të menjë­hershëm dhe e kishte parë veten në trupin e vet. Më në fund, ishte kthyer pas. Pastaj ua kishte treguar të tjerëve një e nga një ç'i kishte ndodhur dhe dëgjuesit kishin mbetur të habitur. Ngjar­ja ishte hetuar dhe ishte kuptuar se kishte ndodhur me të vër­tetë ashtu.

Në kohën e Bashkimit Sovjetik janë bërë hetime dhe kërki­me mbi jogit që munden të bëjnë udhëtime jashtë trupit. Në gjendjet e krizës, komës apo nën veprimin e anestezisë, njerëzit i hedhin jashtë trupat e dytë në formë energjie.

Në fakt, shembëllim[6] do të thotë dukje (shfaqje) në një cilësi çfarëdo. Edhe engjëjt, edhe xhindet mund të shembëllehen. Në ëndrra na shembëllehen të vërtetat, kurse në varr, punët që ke­mi bërë. Edhe kur shpirti shembëllohet me anë të trupit prece­dencial që ka, ne vërejmë që ai i ngjan vetes, domethënë nje­riut që i përket. Prandaj meqë në ëndrra, personat që njohim, shembëllohen me anë të shpirtrave të tyre dhe se ai që duket është shpirti, na bëhet sikur i shohim dhe njohim me format e tyre fizike.

Në vetvete, shpirti ka një këllëf si kurm dhe një tjetër, ideal ose precedencial. Kështu tregohet për njerëz të gjallë apo të vdekur që janë dukur në të njëjtën kohë në disa vende. Për she­mbull, tregohet për njerëz që, ndërsa kanë qenë në burg, janë dukur në xhami në namazin e mëngjesit. Tregohet për persona që, megjithëse dihet se s'kanë qenë në haxh, janë dukur duke kryer haxh. Madje kemi dëgjuar të thonë se kanë qëndruar apo fjetur në aksh vend, etj.



[1] Në origjinal: alem-i emr, bota e urdhrit, e shpirtrave, bota hyjnore ose bota e ekzis­tencës së pakushtëzuar.
[2] Në laboratorët bujqësorë, fuqia mbirëse e farës përcaktohet në mënyrë të tërthortë duke e vënë farën në kushte mbirëse optimale dhe duke analizuar, pastaj, gjithë treguesit e procesit të mbirjes dhe rezultatet e mbirjes.
[3] Në origjinal: Kun.
[4] Në origjinal: sabit (thabit).
[5] Në origjinal: misalí, shembullor, ideal, precedencial.
[6] Në origjinal: temessul.
Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.