Si duhet t’i kene marredheniet me njeri-tjetrin personat dhe grupimet qe i sherbejne fese?

1) Rrugët e ndryshme[1] janë ndryshimi botëkuptimor mbi detajet e të njëjtës së vërtetë. Duke e patur fjalën veçanërisht për sot, duhet të theksojmë se, krahas synimit dhe qëllimit të përbashkët që kanë bashkësitë, grupimet ose organizatat, institucionet dhe fondacionet e ndryshme që zhvillojnë veprimtari në shërbim të besimit, fesë, Kur’anit, atdheut dhe popullit, rrugët, metodat dhe mjetet që përdorin ato janë të ndryshme.

2) Ekzistenca e rrugëve të ndryshme është domosdoshmëri e të vërtetës së krijimit. Të thuash se pse ka më shumë se një rrugë (mënyrë, metodë, mjet) veprimi, do të thotë të mos e njohësh krijimin e njeriut, të mos i kuptosh dot të vërtetat krijimore, njerëzore, historike dhe ideore. Ndërkaq, duhet bërë menjëherë e qartë se të kërkosh të ketë mendime të ndryshme është tjetër gjë dhe të ketë mendime e gjykime të ndryshme si rezultat i domosdoshëm i materies dhe dukurive është krejt tjetër gjë.

Ekzistenca e mendimeve të ndryshme është përfundim i kuptimshëm i krijimit dhe natyrës së njeriut si dhe i vitalitetit ideor të tij. Si dhe gjallesat e tjera, njerëzit nuk ecin gjithnjë në të njëjtën vijë. Edhe kafshët kanë mënyra të ndryshme lëvizjeje e sjelljeje që janë të posaçme për botët e tyre. Dihet se amebat shumëzohen me anë të ndarjes. Amebat bija të krijuara nga një ndarje, largohen nga njëra-tjetra, bashkohen me ameba të tjera “të huaja” dhe formojnë koloni me to! Këtu unë dëshiroj t’ju kujtoj një realitet që përbën shembull referimi për ne. Në kohën e Profetit vëmë re se shumë sahabe, shokë të Profetit, duke përfshirë këtu edhe kalifët rashidinë[2], paraqesin krijime dhe natyra të ndryshme. Mendoni një herë Omerin dhe, pastaj, Ebu Dherin. Ndërsa ishin unikë në besim dhe në rrugë, Profeti nuk pati kërkuar prej tyre të mendonin njëlloj. Si do ta shpjegojmë se nuk janë katër fraksione juridike-fetare, por, ndoshta, njëqind e katër dhe po kaq imamë e ideatorë?[3] Ne jemi të detyruar t’i pranojmë të vërtetat historike. A është e mundur t’i hedhim poshtë me një të rënë dore përvojën e grumbulluar e të sjellë nga sa e sa imamë e ideatorë të mëdhenj duke nxjerrë nga deti i Hz. Muhammedit (s.a.v.) ujë me kova e me qepshe?

Gjithashtu, duke përfaqësuar një të vërtetë në fushën e vet, çdo rrugë zhvillon dhe zbaton një drejtim të caktuar. Për shembull, nëse penat e Egjiptit trajtojnë dhe zhvillojnë çështjet që kanë lidhje me jetën shoqërore, mendimtarët e vendeve të tjera punojnë mbi çështje të tjera. Çdo bashkësi dhe grupim ka strategjinë e vet të veçantë.

Veçanërisht, çdo individ dhe bashkësi ka një mjedis dhe një strukturë kulturore të vetën dhe kjo është kështu jo vetëm për ne, por edhe për të gjithë popujt dhe bashkësitë apo grupimet e tjera.

Krahas këtyre, çdo udhëheqës që del në një popull, komb, apo grupim, del me një sërë mendimesh dhe pikëpamjesh të ndryshme, njihet me to dhe i udhëheq përkrahësit e vet me to. Po kështu, dalin në shesh edhe natyra të veçanta e përjashtuese përsa i përket botëkuptimit fetar dhe mënyrës së të menduarit, të cilët parashtrojnë vlerësime të tjera dhe gjëra mjaft të ndryshme nga botëkuptimi i epokës. A nuk pati thënë Profeti se në çdo shekull ka për të ardhur një ideator? Ja, Imam Gazaliu, Imam Rabbaniu, Bediuzzamani, Hasan el-Benna e shumë të tjerë!

A ka gjë më të natyrshme për njeriun se puna dhe përpjekja në raport me madhësinë e suksesit dhe shpërblimit, se gara në gjëra të mira, të bekuara e të dobishme? Kush nuk dëshiron ta mbajë flamurin në luftë ose të marrë medaljen e artë në një garë? Në është kështu, do të thotë se rrugët dhe mendimet do të paraqesin ndryshime nga njëra-tjetra. Të kërkosh ta kundërshtosh këtë, do të thotë të kundërshtosh krijimin, natyrën dhe të vërtetat historike. Ndërkaq, esenciale është të mos bëhet presion mbi muret ndarëse të së drejtës dhe së vërtetës e të mos goditen e dëmtohen ato, që dallimet në mendime dhe metoda të mos rrafshohen gjer në thjeshtëzim dhe unifikim me bazat, që në synimet dhe qëllimet të mos ndodhin shmangie e devijime dhe që të mos braktisen pretekstet dhe mjetet e vërteta duke u kapur ndaj preteksteve të shtrembra e perverse. Brenda deklaratës së një miku të Allahut, rrugët që shkojnë për te Allahu janë sa frymëmarrjet e krijesave. Para jush, njëqind piktorë po pikturojnë njëqind tabllo të veçanta pranvere me elementë të ndryshëm arti. Çdo tabllo reflekton vështrimin, ndjenjën dhe vlerësimin e piktorit të saj, por, si përfundim, të gjithë piktorët kanë pikturuar të njëjtën gjë: pranverën! Dhe ajo pranverë është brenda kornizës së shenjtë të përvijuar nga i Dërguari i Allahut dhe sahabet, shokët e tij!

3) Mes ecurive nuk ka ndryshime në çështjet themelore. Mes rrugëve, në çështjet themelore dhe në metodë, jo vetëm që s’ka ndryshime, por pikat e përbashkëta janë jo një, por një mijë! A mos ka kontradikta në besimin monoteist te Allahu si Zoti i vetëm i gjithësisë, te profetësia dhe ringjallja? A mos ka kontradikta në lidhje me qenien e engjëjve dhe xhindeve? A mos ka kontradikta për librin tonë të shenjtë dhe për orientimin (kiblen) tonë? A mos ka kontradikta për detyrimin e namazit, zeqatit, agjërimit dhe haxhit, madje, për reqatet e namazeve, masën e zeqatit dhe personat që u jepet? Ezanin që lartësohet nga minaret në të katër anët e botës, e kemi të njëjtë, idealin dhe shpresën, të njëjtë! Po, një mijë e një gjëra të përbashkëta!

4) Duke i lënë çështjet që përbëjnë hollësi, duhet qëndruar në unitet ndaj rreziqeve që vijnë prej jashtë. Si duhen parë çështjet që kanë të bëjnë me hollësitë për të cilat nuk kemi mundur të jemi në një mendje? Para së gjithash, ndërsa kemi kaq gjëra të përbashkëta të rëna nga qielli e që na e rrethojnë botën tonë, të preokupohesh me çështje mbi hollësira e imtësira që s’bëhen as sa një farë fiku, do të thotë të merresh me gjëra të kota, të pakuptim. Nuk duhet mbajtur çështja në rend të ditës duke u kapur pas imtësirave pa rëndësi dhe ata që përpiqen ta mbajnë, duhet t’i paralajmërojmë. Sot janë dy tipa njerëzish që e stërmadhojnë ndryshimin mes mendimeve, që e bëjnë këtë çështje dhe që, për pasojë, e thellojnë ndarjen mes bashkësive dhe grupimeve: tipi i parë, njerëzit që veprojnë kështu me qëllim të keq, me prapamendim dhe tradhëtisht; tipi i dytë, me shprehjen dhe cilësimin më të butë për ta, njerëzit që e bëjnë këtë nga injoranca. Si rezultat i kësaj pune përçarëse, brezat që s’munden ta kuptojnë e konceptojnë çështjen me fytyrën e saj të vërtetë, e shohin botën islame të copëtuar. Kurse të gjithë njerëzit që i qëndrojnë besnikë deklaratës La ilahe il’lallah, Nuk ka zot tjetër veç Allahut, do të jenë së bashku në xhennet, parajsë! Prandaj askush nuk duhet nxirë me hollësira. Allahu do të na ringjallë dhe mbledhë ditën e ringjalljes dorë për dorë, do të na i fshijë të gjitha pakënaqësitë e zemrave dhe, pastaj, do të ulemi në frone përballë njëri-tjetrit e do të bisedojmë. (Hixhr, 15:47)

Shërbimi ndaj popullit i ngjet bartjes së një thesari të madh e të rëndë. Sa më shumë njerëz t’i vënë supet, aq më lehtë dhe shpejt bartet. Ja, kështu do ta shohim ne çështjen dhe do të përpiqemi gjithmonë për ta ruajtur këtë këndvështrim. Edhe vëllezërit e një shtëpie mund të ngatërrohen me njëri-tjetrin, por e rëndësishme është ta harrosh menjëherë ngatërresën dhe të bashkohesh dorë për dorë ndaj rreziqeve që vijnë prej jashtë!

5) Kokat që mendojnë dhe zemrat që derdhen nga ndjenjat, duhet të bashkohen dhe njësohen përreth një fryme. Në ditët tona, fjalët dhe ankesat e tipit “jemi bërë copa-copa, duhet të bashkohemi, pse s’bashkohemi”, etj., janë fjalët dhe ankesat më të zakonshme e më të shumta që hasen në të gjitha shtresat dhe nivelet dhe që të gjithë i kanë në majë të gjuhës! Në fillim, besimtarit që flet me këtë gjuhë, në atmosferën e një bisede të ëmbël, i duhen bërë pyetjet: “Ç’kupton ti me bashkimin dhe unitetin dhe si e mendon bashkimin e njësimin? Cilat janë shkaqet e copëtimit tonë?” Pastaj i duhet bërë ky propozim: “Në fillim ta njohim dhe diagnostikojmë dukurinë, pastaj të shohim se cila është zgjidhja!” Ky qëndrim dhe kjo mënyrë trajtimi gjithsesi është më e suksesshme.

Sëmundjes së padiagnostikuar nuk i shkruhet recetë! Veç kësaj, kur i pyesim besimtarët që i kanë në majë të gjuhës këto fjalë sot në këto kushte, se cila është diagnoza dhe cili është mjekimi i kësaj, marrim si përgjigje jo diagnozën dhe mjekimin e gjendjes së keqe sipas tyre, por mendime e ide të tjera të tyre që u shtohen mendimeve e ideve “copa-copa” sikur këto të mos ishin mjaft! Dhe nuk është aspak e tepruar po të thuhet se dalin aq formula bashkimi sa ç’është numri i njerëzve dhe i mendimeve që kërkojnë të thonë mendimin e tyre duke pretenduar se ai është më i drejti!

Megjithëkëtë, le të themi se çdo njeri me mend, arsye e logjikë gjeti një formulë bashkimi e uniteti të përshtatshme sipas tij. Në këto kushte, do të dalin ose do të nxirren një nga një individë ose liderë që do të pretendojnë duke thënë: “Edhe unë kam idenë dhe logjikën time, diturinë dhe kulturën time, mënyrën time të të menduarit dhe kriteret e mia”! Jo, jo kështu! Gjithsesi, më e drejtë do të ishte të trajtohej çështja brenda realiteteve natyrore dhe jetësore dhe, ashtu siç rrotullohen mijra njerëz rreth Qabes me të njëjtat ndjenja e mendime, të bëheshin përpjekje që mijra koka që mendojnë dhe zemra që ndjejnë të bashkohen dhe njësohen rreth një “Njëshi”!

6) Trazimet shoqërore do të qetësohen në bregun e Islamit. Zemrat ngopen duke u kthyer dhe orientuar plotësisht nga Allahu që është “ehad”, i vetëm, dhe arrijnë në tevhid, besimin monoteist në Allahun si Zoti i vetëm i gjithësisë. Po qe se në mendjet dhe zemrat do të sundojnë ndjenjat dhe lidhja ndaj Profetit (s.a.v.), atëherë, pa dyshim, do të vijë një ditë që të gjithë rrugët të afrohen dhe bashkohen në një pikë, në portën e tij! Do të vijë një ditë që, të zhvilluara e zgjeruara në gjuhë e degë të ndryshme, dituritë dhe shkencat të thonë me një zë: “Kur’ani!” Dhe trazimet shoqërore do të kërkojnë zgjidhje, do të kërkojnë dhe, më në fund, do ta gjejnë te Islami dhe do të qetësohen.

7) Për një vëllazëri ku zemrat rrahin së bashku, kriteret e Allahut dhe të Profetit duhet të jenë pika jonë orientuese. Kur’ani na urdhëron: “O ju që keni besuar, kini frikë Allahun ashtu siç duhet, kapuni pas Kur’anit (që është litari i fortë e pacopëtueshëm i Allahut) e mos u copëtoni!” (A. Imran, 3:102-103) Dhe pas kësaj bën fjalë për këshillimin për të mirë dhe pengimin e të keqes. Gjithashtu, Kur’ani urdhëron: “Bindiuni Allahut dhe të Dërguarit e mos u shtyni me njëri-tjetrin se pastaj dobësoheni, ju zë frika e humbisni fuqinë!” (Enfal, 8:46) “Besimtarët janë vëllezër, pajtojini vëllezërit!” (Huxhurat, 49:10) Dhe, në vazhdim të kësaj, na këshillon: “Mos u tallni me njëri-tjetrin, mos e nënvleftësoni, mos e dënoni dhe mos e turpëroni njëri-tjetrin dhe mos i ngjitni nofka njëri-tjetrit!” Gjithashtu, me ajetin si më poshtë, Kur’ani tregon se kush i bashkon zemrat: “Edhe sikur ti të shpenzoje gjithçka ndodhet mbi tokë, nuk do të mundje t’i bashkoje zemrat e tyre, kurse Allahu i bashkoi ata!” (Enfal, 8:63)

Në veprat bio-bibliografike shohim se si u realizua kjo çështje në jetën e ndritshme dhe praktikën e Profetit. Këtu do të mjaftohemi vetëm me nja dy shembuj.

Në ngjarjet Buas, fiset Evs dhe Hazrexh patën sulmuar njëri-tjetrin, lufta për jetë a vdekje mes tyre pati vazhduar për vite, prandaj këto dy fise që do të bëheshin më vonë dy mbrojtës së fuqishëm të Islamit, ishin bërë armiqtë më të mëdhenj të njëri-tjetrit. Por pastaj, pas hixhretit, këto dy fise u bashkuan e u bënë vëllezër me dorën e ndritshme të Profetit në mënyrë të tillë që mund t’ia jepnin me gjithë dëshirë njëri-tjetrit gjysmën e mallit dhe pasurisë, një pjesë të kopshtit, njërën dhomë të shtëpisë, që mund të luftonin së bashku sup më sup e të vdisnin për njëri-tjetrin, që e fusnin dhe nxirrnin lugën bosh nga ena e supës me mendimin që të ngopej vëllai besimtar, që mund t’i binin ndër këmbë njëri-tjetrit për t’i kërkuar falje dhe që, në fushën e luftës, duke vdekur vetë për një pikë ujë, t’ia linin vëllait enën e ujit...

Atëherë, për të arritur bashkimin, unitetin, aleancën dhe një vëllazëri ku zemrat të rrahin së bashku, në vend të qindra mendjeve, ideve dhe filozofive, duhet të kemi për orientim kriteret e Allahut dhe të Dërguarit të Tij! Në vend që të pyesim pse jemi bërë copa-copa, të shmangemi nga fjalët, sjelljet dhe veprimet që çojnë në copëtim dhe, në vend të këshillave për bashkim, të themi fjalë e të bëjmë veprime që çojnë në bashkim.

Prandaj duhen duartrokitur të gjithë ata që zhvillojnë veprimtari orientuese e kumtuese dhe duhet bërë lutje për ta. Sigurisht, çdo njeri që i do Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe që flet për ta, duhet të miratohet, të duhet dhe të nderohet për hir të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij. Njeriu s’duhet të pretendojë se vetëm rruga e tij është e drejtë dhe, kështu, të mos u njohë të drejtë jete të tjerëve. Besimtari mund të thotë se rruga e tij është e drejtë, e bukur, e mirë, e pëlqyeshme, e goditur, por nuk mund të thotë se vetëm e tija është e drejtë dhe e vërtetë. Eshtë mjaft e natyrshme që njeriut t’i duket më e mirë dhe më e bukur rruga e tij sepse e ka me zemër dhe njeriu bëhet i suksesshëm dhe rezultativ në një punë me aq sa e bën të vetën dhe e dashuron atë!

Eshtë gabim t’i nxish të tjerët, t’i damkosësh ata si të metë dhe të shëmtuar. Duhet të dish se si të ulesh e bisedosh me çdo njeri, zemra e të cilit rreh me dashurinë për atdheun dhe popullin, ta miratosh dhe përgëzosh atë pa i dhënë rast hapjes së portës së kritikës dhe t’u përgjigjesh gjërave të bukura me fjalë të bukura.

Kushdo që thotë se vetëm rruga e tij është e drejtë dhe e vërtetë, kurse të tjerat, të shtrembra e të gabuara, pavarësisht se kush është, u hap rrugë pakënaqësive dhe dasive serioze. Jo rrugën, por edhe veshjen dhe makinën t’ia krikosh dikujt do të thotë ta bësh të pashmangshme ftohjen me të. Ndërsa edhe në çështje të zakonshme e të thjeshta, të mos i njohësh të drejtën e fjalës tjetrit çon në armiqësinë me të, mendoni ju se sa do ta dëmtonte besimin e dikujt cilësimi negativ i parimeve dhe metodave të cilave ai u ka kushtuar jetën, se ç’ftohje, armiqësi dhe mëkate do të shkaktonte!

Besimtari duhet të jetojë me dashurinë për rrugën dhe profesionin e tij dhe s’duhet të merret me gabimet dhe të metat e të tjerëve. Në vend të përpjekjes për ta nxjerrë gabim tjetrin, për ta mundur, për ta hedhur poshtë, duhen bërë përpjekje për të nxjerrë në pah anët e mira e të bukura të tij, në pastë.

Ai që merret me të metat e të tjerëve, nuk i sheh dot të metat e veta dhe nuk i tregon dot bukuritë e veta. Ndodh shpesh që kritika e shpejtuar ndaj edhe një gabimi të thjeshtë të japë si rezultat kundërveprim me të njëjtën monedhë.

Të përpiqesh për ta rrëzuar dhe shembur tjetrin dhe, pastaj, për të ngritur mirëqenie mbi gërmadhat e tij është punë dhe mjeshtëri jo e profetit, por e faraonit. Profeti ynë është përpjekur gjatë gjithë jetës vetëm për t’i rregulluar zemrat dhe mbushur ato me bukuri, ndërkaq që, edhe ndaj armiqve të tij më të egër, madje, s’ka treguar asnjë përpjekje për t’i goditur duke përdorur dobësitë e tyre personale. Sa domethënëse janë fjalët që pati thënë Profeti për Halidin në një kohë kur ky tundte shpatën kundër tij: “... si ndodh që një njeri si Halidi ngul këmbë kaq shumë në politeizëm!” Kur dikush nga sahabet, shokët e tij, i pati folur keq për një shok tjetër që kishte pirë disa herë, Profeti i qe përgjigjur me këto fjalë: “Hesht! Ai i do Allahun dhe të Dërguarin!..” Kur i biri i dikujt që pati shpifur për Hz. Aishenë duke intriguar rëndë me këtë veprim mes muslimanëve, dhe i biri i pati kërkuar Profetit ta lejonte ta vriste me dorën e vet të atin, Profeti i pati thënë: “Unë nuk lejoj që të tjerët të thonë se Muhammedi i vret shokët!” Fjalët që pati thënë Profeti për Ebu Sufjanin që s’patën ç’t’i bëjnë vitet, për birin e Ebu Xhehlit, Ikrime, për Vahshiun që ia pati copëtuar trupin Hamzait, ungjit shumë të dashur të Profetit, për Hindin e të tjerë duke u shprehur për ta ditën e triumfit të Mekës, “për ju sot s’ka qortim”, duke shpalosur një mirëkuptim dhe falje të gjerë, duhet të jenë parim për ne!

Puna jonë nuk është t’i shembim zemrat, por t’i rregullojmë. Zemërimi dhe qortimi ynë drejtohen jo ndaj të tjerëve, por ndaj vetes sonë. Jo të kapemi pas të metave të të tjerëve, përkundrazi, t’ua pastrojmë ato. Ne kemi për parim jo t’i ekspozojmë shëmtitë e të tjerëve, por t’i përhapim mirësitë dhe bukuritë tona. Armiqësi i duhet bërë armiqësisë, jo besimit dhe besimtarit. Edhe pse njerëzve u jepet vlerë sipas atributeve, ne nuk mundemi ta dimë vlerën e vërtetë që kanë ata te Zoti. Atëherë, në gjokse duhet të bartim zemra të pastruara veçanërisht nga komplekset ndaj zemrave të tjera!

Muslimanit s’i ka hije as të bëjë armiqësi, as të bëhet viktimë armiqësie. Sigurisht, besimtarit musliman i cili duhet të jetë përfaqësues i dhembshurisë dhe dashurisë, urrejtja nuk i përshtatet aspak. Por nëse duhet treguar urrejtje, duhet treguar jo ndaj muslimanëve, por ndaj mendimit të armiqësisë që na e mbështjell shpirtin, ndaj neverisë dhe urrejtjes, mosmarrëveshjes, paaftësisë për mirëkuptim, ndaj mohimit dhe herezisë, ateizmit, armiqve të besimit dhe Kur’anit. Ndërkaq, është e pamundur të kuptohet se si mund të ushqehet armiqësi ndaj muslimanëve ndërsa lihen mënjanë ose u tregohet mirëkuptim mijra e miliona armiqve të besimit dhe Kur’anit!

Jo vetëm që s’duhet të tregojmë armiqësi ndaj muslimanëve, por edhe në armiqësinë ndaj mohuesve, madje, duhet të kemi një masë, një kriter. Urrejtja e kuptuar kështu do të na nxisë dhe shtyjë ne për punë të mira dhe do të bëhet pretekst dobish, do të bëhet pretekst që edhe në zemrën më të nxirë të mbijë trëndafil!

Shenja dalluese e besimtarit musliman është jo urrejtja, por dashuria dhe miqësia: “Allahu i do ata, edhe ata e duan Allahun. Para besimtarëve janë kokulur, kurse ndaj mohuesve, kryelartë e të ashpër. Ata luftojnë në rrugën e Allahut dhe nuk kanë frikë nga urrejtja e urrejtësit!” (Maide, 5:54)

Të zësh me top frontin e besimit nuk ka asnjë kuptim dhe vlerë. Kjo s’ka asnjë ndryshim nga kthimi i grykave të topave kundër reparteve të tua në fushën e betejës!

Nëse një ditë përballemi me një musliman që bën armiqësi kundër besimtarëve muslimanë, i dalim para me Kur’anin dhe, siç e kërkon urdhri i tij, “ti fto në rrugën e Zotit tënd me urtësi e fjalë të mirë” (Nahl, 15:125), përpiqemi ta bindim me fjalët më të mira dhe, nëse ai përsëri nuk merr vesh, vazhdon me thashetheme, armiqësi dhe tund grushtin, ne, duke iu bindur ajetit që thotë se “e keqja nuk barazohet me të mirën..., ti mbrohu ndaj të keqes në mënyrën më të mirë” (Fussilet, 41:34), sillemi ndaj tij sipas parimit “pa fjalë atij që shan dhe pa dorë atij që godet”, por ftohtë dhe duke u lutur për të mirë për të. Ndërkaq, me qëllim që të mos i sjellë dëm anës sonë, nuk i kundërpërgjigjemi të keqes së tij, nuk merremi me të dhe zbatojmë urdhrin hyjnor, “ktheju shpinën injorantëve” (Araf, 7:199).

Dëmi i kundërpërgjigjes i mbetet nëntëdhjetë e nëntë përqind atij që kundërpërgjigjet dhe vjen një largim i tillë që është shumë i vështirë për t’u rikthyer në pikën e bashkimit.

Po, ne jemi duke u ngjitur në një të përpjetë. Ngarkesën e kemi shumë të rëndë dhe në majë, një sërë armiqsh që s’na durojnë dot. Në këto kushte, jemi të detyruar të jemi të paqëtuar me vëllezërit, ta mbyllim në vetvete çdo mosmarrëveshje e grindje dhe kurrë të mos kundërpërgjigjemi.

Me të gjithë muslimanët kemi një sërë gjërash të përbashkëta të rëndësishme dhe në shumë specifika jemi të njëri-tjetrit, në unitet me njëri-tjetrin, jo të huaj për njëri-tjetrin. Ne kemi Zotin, Profetin, Kur’anin, Qaben, historinë dhe shumë vlera të tjera që na lidhin e bashkojnë, të cilat është e pamundur të gjenden në bashkësi apo grupime të tjera. Dhe, ndërsa puna qëndron kështu, si mund ta quajmë normale që, duke i nënvleftësuar shumë e shumë gjërat e përbashkëta, të zhvillojmë armiqësi kundër njëri-tjetrit për gjëra të vogla e të parëndësishme?

Ndërsa bota krishtere dhe ateiste ka bërë gjithmonë përpjekje për t’u bashkuar mes vedi dhe ka arritur të bashkohet, ne, muslimanët, jemi prirur për t’u ndarë dhe për të dalë secili me flamur, në vend që, duke hequr dorë nga gjërat që na ndajnë, të bashkoheshim rreth vlerave që na bashkojnë.

Prandaj, besimtarët muslimanë duhet të përpiqen për t’u bashkuar me vëllezërit e tyre rreth bindjeve dhe ideve të përbashkëta dhe për t’i ruajtur ato. Kështu, duhen bërë përpjekje që fusha e veprimit të përbashkët jo të ngushtohet, por të zgjerohet dhe në asnjë mënyrë të mos shmanget nga vija e paqes.

Besimtari i mençur e i pjekur nuk ngrihet të bëjë duel me vëllain besimtar. Ndërsa jemi duke e bartur bjer e ngrihu thesarin që përpiqemi ta bartim së bashku duke u qëndruar besnikë vlerave të përbashkëta, çdo besimtar duhet ta kuptojë dhe e kupton se nuk është aspak koha për të bërë duel!

Të ftosh për bashkim, unitet dhe aleancë, t’ua sugjerosh të tjerëve këto dhe ta tharmosh këtë ndjenjë në shpirtra, është gjë e bukur, por e pamjaftueshme. Esenciale është, siç u theksua në vendin e duhur, të thuash fjalë e të bësh veprime që çojnë në bashkim. Ndërkaq, në emër të aleancës, t’i ftosh të tjerët për aderencë[4], do të thotë që, në vend të zbatimit në praktikë të këtyre koncepteve kaq të larta, të mos bësh gjë tjetër veç apostolizmit dhe llafazanërisë së bashkimit dhe unitetit!

Kur themi “të bashkohemi”, s’duam të themi aspak që të gjithë të bashkohen nën çatinë tonë, të hyjnë nën çadrën tonë, të aderojë në sektin ose rrugën tonë. Mendime dhe synime të tilla jo vetëm që s’kanë për të sjellë kurrë bashkim, por thirrja “eja” do të gjejë si përgjigje gjithmonë një “jo” të fortë e të vendosur. Eshtë jashtëzakonisht e gabuar të mendosh dhe shpresosh se njerëzit do t’i braktisin aq lehtë idetë, mendimet dhe ndjenjat që kanë ushqyer për vite me radhë e që u janë bërë natyrë e dytë. Një bashkësi nuk është ndërtesë që ta shembësh e, në vend të saj, të ndërtosh një të re! Ndërkaq, bashkësia ndryshon, por përmes ideve, mendimeve dhe ndjenjave të njerëzve që e përbëjnë atë, gjë që është një proces i i ngadaltë e i gjatë. Prandaj, t’i ftosh të tjerët që të aderojnë tek ti duke i braktisur menjëherë idetë, mendimet dhe ndjenjat e ushqyera për vite me radhë, të bësh përkrahës me anë të presionit ideor, nuk jep asnjë rezultat tjetër veç largimit më të madh dhe përçarjes. Ftesa për bashkim duhet të bëhet për hir të Allahut, pra dhe duhet të jetë vëllazërore, duke respektuar idetë, mendimet dhe ndjenjat e tjetrit. Kjo është rruga e bashkimit të vërtetë.

Ndërkaq, nëse nuk arrihet bashkim dhe aleancë, përse duhet të pasohet, kjo, nga kontradikta dhe zemërimi? Pse duhet t’i kundërvihem dikujt vetëm e vetëm se nuk mendon si unë? Dhe pse duhet të zemërohem me të ngaqë s’më ndjek mua?

Bashkimi dhe uniteti janë një specifikë e varur nga pjekuria jonë dhe, në dashtë Zoti, një ditë do të bëhen realitet, mjafton që ne, duke respektuar parimet që u përpoqëm t’i parashtrojmë si dhe shumë parime të tjera të bukura, të lutemi çdo ditë për bashkimin dhe unitetin tonë si pretekste të përkrahjes hyjnore dhe t’ua hapim zemrën të gjithë besimtarëve me dashuri e respekt!


[1] Në origjinal: meshreb.
[2] Kalifët rashidinë (të rrugës së drejtë), me radhë, janë: Ebu Bekr, Omer, Osman, Ali.
[3] Në origjinal: muxhtehid, ideator dhe novator i fushës së të dejtës besimore e juridike islame.
[4] Në origjinal: iltihak.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.