Rrethi i Zjarrtë

Reth zjarrtë m'është dhe nata
dhe dita;
Në zemër vojtja më e imtë se e imta.
Emri i të dashurit
fjalët ka pushtuar;
Përfytyrimi i tij,
vende-vende, nga nata në natë,
në ëndrra përvijuar.

Brenda vetes më tingëllon
melodia e vetmisë;
Kubeja e ndjenjave lëkundet gjithandej;
Që larg zëri i ndarjes
më vjen si fërfëllizë
dhe përplaset në shpirt
nga qeliza në qelizë.

Vera m'u zverdh,
në vjeshtë u shndërrua;
Mu në çastin e takimit, edhe drita m'u shua.
Faqehënë duke shkuar,
me drojtje u mbështoll
dhe s'i duket më fytyra
perçe-perçe e mbuluar.

Dhe çdo vend duket se gjak pikon,
bota e shkretë;
Lulet u thanë,
kordelet e buqetave u këputën vetë.
Vjeshtë fryn,
erë malesh më fryn në zemër;
Gonxhe trëndafilet
m'u shkoqën fletë-fletë...