Ambiente të qeta dhe programe leximi

Fethullah Gylen: Ambiente të qeta dhe programe leximi

Pyetje: Njeriu i ditëve të sotme, që mbytet brenda njëmijë e një zhurmërash e ngarendjesh gjithandej, ndjen shpesh nevojën për të gjetur një qoshe të qetë e të vetmuar për të kaluar disa çaste të qeta. Edhe zemrat besimtare duan që t'i vlerësojnë siç duhet këto vende në të mirë të jetës së tyre shpirtërore. Në cilat çështje duhet treguar kujdes në mënyrë që nga këto programe, të organizuara pikërisht me këtë qëllim, të përfitohet në mënyrën më të përsosur?

Përgjigje: Gjithsecili prej nesh ka disa detyra shoqërore që duhet t'i realizojë. Zaten, një zemër që beson, nëse dëshiron që të jetë e vyer për shoqërinë, që t'i drejtojë bashkëbiseduesit e tij drejt horizontesh të caktuara, duke përçuar vlerat e veta në shpirtrat e tyre, është i detyruar që të gjendet në mes të njerëzve. Po, një njeri që beson me të vërtetë në Zotin dhe në jetën e përtejme, duhet të gjendet përherë si një pikë referimi në mes të njerëzve, pikë e cila do t'u tregojë atyre të drejtën dhe të shtrembrën. Krenaria e Njerëzimit (s.a.s) na thotë se ndenjja në mes të njerëzve, duke duruar edhe vuajtjet a torturat më të rënda, është më e mbarë se sa të tërhequrit diku mënjanë për adhurim. (Tirmidhi, kijamet, 55) Prandaj, tërheqja dhe adhurimi diku mënjanë, për ne, është një braktisje e shoqërisë dhe e punëve që duhen bërë në mesin e saj. Nga ky këndvështrim, një njeri që largohet kësisoj, qoftë edhe për përsosjen apo thellimin e ndjenjave të tij personale, kryen njëfarë mëkati. Sepse thelbësore në Islam është të qenët pranë Allahut (xh.xh.), por në mesin e njerëzve, duke rendur vetëm në ndihmë të njerëzimit.

Mirëpo, ç'e do se mund të ndodhë që edhe të mbetemi në disa pozita të vështira gjersa gjendemi në mesin e shoqërisë. Asisoj, që pa e ndjerë fare mund të ndodhë që t'i ndosim fundin e pantallonave nëpër baltë. Po, pa e kuptuar fare, mund të ndodhë që në jetën tonë shoqërore të na vishen sytë, brenda veshëve të na rrjedhë ndotësia, derisa një gamë e tërë njollash të na turbullojnë botën e brendshme.

Njerëzit që përballen me të gjitha këto negativitete për hir të një synimi madhor, patjetër që kanë nevojë për t'u tërhequr diku mënjanë për t'u pastruar prej këtyre ndotësive, por edhe për t'u rikarikuar duke thithur pa reshtur prej një oksigjeni më se të pastër. Për mendimin tim, të gjitha diskutimet dhe leximet e bëra me një qëllim të këtillë, marrin vlerën e adhurimit.

Mirëpo, çështja ndaj së cilës duhet treguar kujdes këtu, është kjo: Ato vende të qeta, të cilat janë realizuar me një sërë mundimesh dhe harxhimesh, duhen vlerësuar në mënyrë maksimale, pa shpërdorimin as më të vogël; të përdoren për një lexim të disiplinuar, duke u gjallëruar edhe me përmendje të emrit të Allahut (xh.xh.). Po, brenda vetëdijes kolektive, duhen ngritur kore të atilla përmendjesh të Allahut (xh.xh.), me simfoni që do ta bënin edhe tokën të dridhej, aq sa edhe banorët e qiellit të duan të marrin pjesë bashkë me ta.

Klimë e përshtatshme për përshpirtshmëri

Mua më prekte shumë kur shihja shokët tanë, që në ato kampet e shkuara gjatë ditëve të verës, tërhiqeshin nëpër qoshe të ndryshme, sa majtas, sa djathtas, për të lexuar Kuran ose lutje nga më të ndryshmet. Njëkohësisht, gjatë atyre ditëve, ata lexonin nga 200-300 faqe prej të vërtetave të besimit nëpër vepra të ndryshme, dhe pas leximit edhe diskutonin për çështje nga më të ndryshmet. Për më tepër, edhe kushtet ishin shumë të thjeshta nëpër ato kampe. Për shembull, njerëzit flinin mbi hasra të shtrira përdhe. Ushqimin e përgatisja dhe ua shërbeja unë. Një mik i veçantë që na pati vizituar atë vit, kur vuri re atmosferën shpirtërore në ato kushte modeste, pati thënë se: "Në tokë nuk ka vend tjetër që të jetë kaq i mbështjellë me përshpirtshmëri.", dhe kësodore erdhi sërish vitin tjetër për të marrë pjesë.

Nga njëra anë duhet të përballemi me vetveten, të bëjmë një vetëgjykim, duke parë edhe njëherë më mirë mangësitë tona në mendimin për shërbim; të bëjmë krahasimin mes vendit ku gjendemi dhe atij ku duhet të jemi, e nga ana tjetër të braktisim truporen, të largohemi prej kafshërores, të lëmë mënjanë mbeturinat njerëzore, për t'u hapur në një udhëtim nëpër boshtin e jetës së zemrës dhe të shpirtit drejt përshpirtshmërisë. Lermëni të ndaj me ju një mendim timin në lidhje me çështjen: Më vinte shpesh ndërmend që t'u thosha shokëve, që gjatë natës të falnin nga njëqind rekate namaz. Mirëpo edhe mendoja se kjo mund të ishte një kërkesë e papërballueshme për ta. Sepse kur sheh nëpër jetëshkrimet e njerëzve të lartë, sheh se ata, edhe kur kanë qenë të vegjël kanë pas falur nga njëqind rekate namaz gjatë një nate. Kështu që, ata që mund ta bëjnë diçka të këtillë nëpër këto programe, le të falin çdo natë nga njëqind rekate, ndërsa çastet më të magjishme dhe të trishtueshme të natës, le t'i kalojnë me përmendje të vazhdueshme të emrit të Allahut (xh.xh.).

Vepra flijuar ambientimit dhe lexime me diskutime

Nga ana tjetër, në mënyrë që të përfitohet sa më shumë prej programeve të çlodhjes, le të lexohen nga treqind faqe libër në ditë. Nëse realizohet ky program, atëherë një njeri që ka qëndruar për pesëmbëdhjetë ditë në këtë vend, do të ketë lexuar 4500 faqe libër. E nëse gjatë vitit realizohen dy të këtilla, çdokush do të ketë përfunduar një sërë veprash me vlerë të veçantë.

Përveç kësaj, edhe leximi me krahasime me vepra të tjera do të ishte gjithëpoaq i dobishëm, për t'u larguar disi edhe prej rutinës dhe monotonisë së përditshme. Veçse realizimi i këtyre planeve duhet bërë me pëlqimin e të gjithëve. Nga ky këndvështrim, derisa të largohemi prej mënyrave dhe veseve të vjetra, të gjithë duhet ta dinë se do ta kenë pak të vështirë për të sendërtuar një lexim me diskutime. Poaq nuk duhet harruar edhe se njerëzit mbajnë qëndrim ashtu siç shohin prej prijësve. Nëse njerëzit që gjenden në krye, duken të shqetësuar për t'i realizuar sa më mirë këto programe, duke u treguar edhe të përpiktë në zbatim, atëherë edhe ata që u vijnë nga pas do të mundohen që ta zbatojnë me përpikëri. Fatkeqësisht, këto vepra të bukura nuk u kuptuan mjaftueshëm, pasi neve na kaploi një mënyrë leximi sa për t'i lexuar, e ende nuk ishte zhvilluar një stil leximi i bazuar në metoda krahasuese dhe diskutimi. Andaj edhe mendoj, se tërë ato visare brilante, diamanti e smeraldi u bënë fli të monotonisë dhe ambientimit me gjendjen aktuale të kohës.

Fusha të ndihmesës dhe mbrojtjes hyjnore

Le t'ju them edhe një çështje të fundit: Arritja e një pastërtie dhe qashtërsie në këto vende të qeta, qofshin ato të përkohshme, në të ardhmen e jetës së shoqërisë kanë për t'u kthyer në fusha mbrojtëse për të. Sepse një e vërtetë e pashmangshme është fakti se shoqëria jonë, që prej kohës kur është nderuar me Islamin, nuk është ndotur asnjëherë kaq shumë. Rruga është e ndotur, pazari i ndotur, e po ashtu edhe avllia e faltores. Pikërisht, largimi prej një ndotjeje të këtillë drejt pastërtisë, për ta ndjerë edhe njëherë ajrin e pastërtisë, është shumë e rëndësishme që edhe më pas, njeriu ta vazhdojë jetën e tij po në këtë linjë.

Veç kësaj, përmendja e Allahut (xh.xh.) është një burim i magjishëm fuqie që do ta marrë njeriun brenda një mbrojtjeje hyjnore. Siç përmendet edhe në ajetin "Përmendmëni Mua, që edhe Unë t'ju përmend juve." (Bakara, 2/152), nëse ne e përmendim Allahun me tërë lavdet e mundshme, kur të ngelemi përballë ndonjë problemi a vështirësie, atëherë edhe Ai do të na vijë saora në ndihmë. Ne mund ta kuptojmë edhe kështu këtë ajet. "Drejtomuni ju Mua, me atë pafuqinë dhe dobësinë tuaj, që edhe Unë t'ju mbështes me forcën Time.". Në këtë fjalë-marrëveshje kuptohet pasqyrimi i një mirësie hyjnore karshi drejtimit kah Allahu. Domethënë, Allahu sikur na pranon neve pjesëmarrës në një marrëveshje me Të, duke na thënë "Ju bëjini këto, që edhe unë t'ju ndihmoj në punët tuaja."

Me pak fjalë, çdokush ka nevojë për një pastrim të organeve si syri, veshi apo gjuha, e kësodore edhe për një jetë të veçuar. Mirëpo, në këto veçime të përbashkëta, mendjet duhet të kyçen në lexime dhe përmendje të përshpirtshme; të mos flitet asnjë çështje vulgare përveç çështjeve të larta, pa u bërë pjesëmarrës nëpër biseda të pavlera.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.