E drejta e fqinjit/fqinjësisë

Fethullah Gylen: E drejta e fqinjit/fqinjësisë

Pyetje: Në kohën që jetojmë shihet se, ashtu si shumë të drejta të tjera, po shkelet edhe e drejta e fqinjëve. Cila është rëndësia që i jep Islami fqinjësisë, dhe cilat janë të mirat që do të sjellë plotësimi i të drejtave të fqinjëve në formësimin e shoqërisë?

Përgjigje: Një tjetër çështje shumë e rëndësishme të cilës Kurani dhe Suneti i kushtojnë një rëndësi të veçantë, përveç mirësjelljes karshi nënës dhe babait, ruajtjes së marrëdhënieve të mira farefisnore, është ruajtja e të drejtave të fqinjëve. Në lidhje me këtë, Kurani shprehet kësisoj në suren Nisa: “Adhurojeni Allahun, duke mos i bërë shok Atij. Silluni mirë me nënën dhe babanë, kushërinjtë, jetimët, ata që janë në nevojë, fqinjët e afërt dhe ata të largët, shokut që keni pranë, udhëtarit dhe kujtdo që gjendet nën juridiksionin tuaj. Allahu nuk i do ata që u pëlqen vetja, e fillojnë të mburren.” (Nisa, 36)

Këtu, menjëherë, me të kaluar urdhri për adhurimin e Allahut dhe mospraninë e një shoku të Tij në krijim, Allahu urdhëron mirësjelljen karshi nënës dhe babait. Në fakt, në një kuptim të parë, dashuria, respekti dhe lidhja e sinqertë, pas Allahut, është e drejta e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Sepse ne sajë Tij e mësuam edhe Allahun, dhe vetëm në saje të Tij ia arritëm që të mund ta interpretonim gjithësinë. Me mesazhet që na paraqiti Ai arritëm të kuptonim se u krijuam pikërisht për një jetë të amshueshme, të cilën na duhet që ta fitojmë. Ne, për ç’i përket së vërtetës, prej Tij e mësuam. Dhe për këtë, na takon që ta ndjejmë veten debitorë karshi Tij. Mirëpo në ajet, ngase gjërat nuk shpjegohen në mënyrë sipërfaqësore, por me urtësinë e veprave, e drejta e dytë që përmendet është ajo e nënës dhe babait. Dhe, duhet të kini kujdes, se ajo që përmendet e para nuk është besimi tek Allahu, por adhurimi i Tij.

Në ajet, pas saj vjen mirësia që duhet treguar karshi të afërmve, jetimëve dhe njerëzve në nevojë, dhe pas saj thuhet se duhet treguar mirësi edhe ndaj fqinjëve, qofshin ata të largët apo të afërm, duke e tërhequr sakaq vëmendjen pikërisht tek e drejta e tyre.

Një rrugë për të arritur besimin e përsosur

Për të kuptuar rëndësinë e ruajtjes së të drejtave të fqinjëve, është shumë i rëndësishëm ky hadith, i cili gjendet në veprat serioze të hadithit, si te Buhariu dhe Muslimi: “Xhebraili më këshilloi aq këmbëngulshëm për relatat ndaj fqinjëve, saqë mendova se fqinji do bëhej pjesëtar i trashëgimisë së fqinjit.” (Buhari, edeb, 28; Muslim, birr, 141) Megjithëse ata që janë pjesëtar të vërtetë të trashëgimisë janë nëna, babai, djali, vajza, motra, vëllai, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), me anë të kësaj fjale, që mund të konsiderohet si shpallje e paartikuluar, ka dashur të na tregojë rëndësinë që i karakterizon të drejtat e fqinjëve. Në të vërtetë, ne nuk e dimë se cilat ishin në të vërtetë këmbënguljet e Xhebrailit (a.s.) teksa e këshillonte të Dërguarin e Allahut, mirëpo mund ta kuptojmë rëndësinë e veçantë pikërisht prej shprehjes profetike, se “saqë mendova se do të na e bënte fqinjin pjesëtar të trashëgimisë.”

Në një tjetër hadith, duke e lidhur çështjen më fort me parimet e besimit, thuhet: “Ai që beson në Allahun dhe ditën e gjykimit, le të bëjë mirë karshi fqinjit të tij. Kush i beson Allahut dhe ditës së gjykimit ta presë mirë mikun e tij. Ai që i beson Allahut dhe ditës së gjykimit, ose të flasë gjëra të mbara, ose të heshtë.” (Muslim, iman, 74; Buhari, edeb, 31)

Pra, siç e shihni, një prej kushteve për të qenë një besimtar i përsosur është edhe bërja mirë ndaj fqinjëve. Një tjetër çështje e rëndësishme, mbi të cilën duhet qëndruar veçanërisht te ky hadith, është edhe fakti, se besimi tek Allahu i përfshin brenda vetes edhe besimet në faktorët e tjerë. Kështu që brenda vetes përfshin edhe besimin në jetën e amshueshme. Mirëpo këtu ky kusht është përmendur veçanërisht. Ngase ai është posaçërisht vendi ku njeriut do t’i kthehen të mirat që ka bërë ndaj të tjerëve. Çdo e mirë që njeriu e ka bërë kësoane, atje do t’i jepet e shumëfishuar. Prandaj, që të mirat të marrin trajtën e një hauzi, dhe që farat e mbjella të japin fryte, aty është përmendur veçanërisht edhe besimi në ditën e gjykimit.

Fqinj të mbarë: çelësa drejt lumturisë së përjetshme

Nga ana tjetër, i Dërguari i Allahut thotë se besimtari që bie në gjumë i ngopur, teksa fqinji i tij bie i uritur, nuk mund të jetë besimtar i vërtetë, (Hâkim, Mustedrek, 2/15) madje edhe paralajmërimin se ai fqinj, prej të cilit fqinji tjetër nuk është i sigurt, nuk ka për të shkuar dot në Xhenet. (Buharî, edeb 29; Müslim, iman 73)

Nëse e drejta e fqinjit vihet kaq shumë në pah në Kuran dhe Sunet, atëherë duhet kuptuar edhe rëndësia e saj e veçantë. Ju e dini, zekati jepet vetëm ndaj myslimanëve, mirëpo prej kontributeve të tjera mund t’u jepen edhe atyre që nuk janë myslimanë. Të gjithë fqinjët, të afërt apo të largët, mund të ndihmohen materialisht, pasi kjo është edhe një prej nevojave më parësore të njerëzve. Sidomos në periudhat më të vështira ekonomike, nuk duhet lejuar kurrsesi që fqinjët të përpëliten prej urisë, por duhen ndihmuar. Mandej, duke përdorur të gjitha mundësitë tuaja, të përpiqeni që t’u gjeni punë, duke kryer kësodore një të mirë akoma më të konsiderueshme.

Megjithatë, nuk duhet ta kufizoni ndihmën tuaj vetëm me gjëra materiale, pasi kjo nuk është as një qasje e pëlqyeshme. Përveç kësaj, sa herë që të takoheni, ju duhet t’i pyesni ata se si janë, t’i vizitoni, t’i ftoni, duke i dhënë jetë ambientesh të përshtatshme, të cilat i hapin rrugë njerëzve që të duan njëri-tjetrin, ose i bëjnë të mendojnë ndryshe prej mendimeve të këqija që mund t’i kenë kapluar për njëri-tjetrin.

Për shembull, për dikë që është i huaj në një vend, është shumë e rëndësishme që t’i vizitojë dhe t’i lumturojë shpesh fqinjët e tij që e rrethojnë, madje edhe duke u dhuruar nga ndonjë dhuratë në ditë të veçanta. Kësodore, këta besimtarë do të kenë fituar zemrat e fqinjëve të tyre, do t’u kenë hapur vetes rrugën për t’u shpjeguar atyre diçka prej Islamit, apo edhe ndoshta edhe për t’i bërë të ndërrojnë mendim nëse mendojnë negativisht për të, apo tekembramja një mundësi sado të vogël për t’i njohur me ndonjërën prej vlerave të tyre. Ma merr mendja, se nëse e shohim nga ky prizëm, do ta kuptojmë më mirë se e drejta e fqinjëve nuk duhet kufizuar vetëm brenda një rrethi ngushtë të veç një ndihme materiale.

Mjedise mëkati të kthyera në fatkeqësi

Në hadithe kur flitet për imoralitetin, i cili është kategorikisht i ndaluar në çfarëdolloj praktike të tij, në rastet kur kryhet me fqinjin, mëkati i kryer shumëfishohet disa herë; dhe kjo është një çështje që ia vlen të qëndrojmë mbi të. Është e ditur, se edhe gjërat e ndaluara dhe të pahijshme kanë nivelet e tyre. Për shembull, t’i bashkëngjisësh Allahut disa veçori njo të hijshme, është një vepër e pahijshme, asisoj që Kurani madhësinë e këtij mëkati e shpreh kësisoj: “Prej saj edhe qielli duket sikur do të copëtohet, toka sikur do të çahet, e malet do të thërrmohen.” (Merjem, 90).

Njëkohësisht, janë disa gjëra të ndaluara, që edhe toka, edhe qielli bëhen copë e çikë përballë tyre. Ashtu siç kryerja e imoralitetit karshi të afërmve përfshihet brenda kësaj kategorie, edhe kryerja e tij ndaj fqinjit është përmendur po aq, ndoshta edhe më tepër e keqe se ajo. Sepse ndjenjat që duhet të ekzistojnë me të afërmit, ose me fqinjët, janë besimi dhe siguria e ndërsjellë. E në kohën që një e keqe të vjen prej një njeriu të besuar e të sigurt, atëherë ajo nuk ngelet si një e keqe e çfarëdoshme. Madje ajo shumëfishohet, fryhet, aq sa merr përmasat e një të keqeje shumëdimensionale.

Ura miqësie të ngritura mbi një tas ashureje

Fatkeqësisht, është një e vërtetë e hidhur, që ne po jetojmë një thyerje të konsiderueshme në marrëdhëniet me fqinjët, duke rënë edhe vetë në një gjendje amullie të pakontrollueshme. Asisoj, që edhe sot gjenden familje brenda gjeografisë islame, të cilat jetojnë të kufizuara me muret e disa shtëpive kuti shkrepëseje. Fqinjët trokasin te njëri-tjetri vetëm sa për të lajmëruar apo ankuar se janë të shqetësuar prej zhurmës. Andaj, duhet t’i përdorim të gjitha mundësitë që kemi në duar, për t’i dhënë fund këtyre sëmundjeve kronike. Vetëm se nuk duhet harruar, se heqja e një vesi, sjelljeje a bindjeje të një njeriu, nuk është një veprim i lehtë dhe i shpejtë sa heqja e një rrobe prej trupit. Andaj duhet këmbëngulur në përpjekje, duke mos u lëkundur përballë asnjë vështirësie. Një ditë mund të merrni një tas ashureje e të shkoni t’ua çoni fqinjëve që keni sipër, e në një ditëlindje mund të hyni në bisedë me ta, madje duke përdorur edhe ndonjë ditë, e cila është e shënuar për ta. Nuk duhet harruar, se njeriu është krijuar si një krijesë fisnike, e cila është rob i të mirës. Andaj, të mirat që bëni ju, kanë për ta gjetur vendin e tyre një ditë. Ndoshta ata do t’ju testojnë për një kohë të gjatë, por pasi ta shohin se ju nuk keni asnjë përfitim prej këtyre, ata do t’jua hapin portat, duke bërë që edhe vajtje-ardhjet tuaja të shtohen ndjeshëm.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e përngjason lidhjen e besimtarëve me njëri-tjetrin me lidhjen e tullave me njëra-tjetrën në një ndërtesë të shëndoshë. Që kjo lloj shoqërie të fillojë të ekzistojë, fillimisht duhen ndjekur të drejtat e prindërve, siç u përmendën edhe në hadithin e mësipërm, të përforcohen lidhjet farefisnore, të shtohet ndihmesa karshi njerëzve në nevojë, dhe së fundi të ndiqen fije e për pe të drejtat e fqinjëve.

Ngase marrëdhëniet ndërfqinjërore janë dobësuar ndjeshëm me zbatimin e mënyrave moderne të jetesës, përpjekjet e para mund të ngelen pa rezultate të prekshme. Por nuk duhet harruar, se përpjekjet e mira të vazhdueshme, e të karakterizuara nga durimi, qoftë edhe për të fituar një zemër të vetme, një ditë kanë për t’i shkrirë akujt, e ato zemra do të afrohen aq shumë, e lidhja do të forcohet aq ndjeshëm, sa shoqëria do të perçinoset prej zinxhirësh të fortë, përjetësisht të pandashëm prej njëri-tjetrit. Kësodore, njerëzit do ta mbështesin njëri-tjetrin pa ushqyer ndërvarësi, që kur njëri të rrëzohet, tjetri të jetë i gatshëm për ta ndihmuar, aq sa të gjithë do ta ndjejnë veten të përfshirë në një garë veprash të mira. Zaten një shoqëri ideale, e përbërë prej individësh që nuk sulmojnë njëri-tjetrin, por që jetojnë në harmoni, vetëm prej lidhjesh të këtilla mund të realizohet.

Veç kësaj, siç shprehet edhe Said Nursiu, është e pamundur që të ndërtohet një shoqëri e shëndoshë prej organesh a molekulash të sëmura prej mëkateve. Andaj, që të ndërtohet një shoqëri e shëndoshë, është një detyrë shumë e rëndësishme që individët e saj të ndihmojnë dhe të mbështesin njëri-tjetrin për t’u larguar prej veprave të pahijshme dhe të ndaluara. Tevona, Allahu (xh.xh.), ndërsa tregon përgjegjësitë që kanë besimtarët karshi njëri-tjetrit, urdhëron: “Ju, ndihmojeni njëri-tjetrin për të bërë mirë, apo për t’u ruajtur prej të këqijave. Mos ndihmoni njëri-tjetrin në mëkate, apo armiqësi për të sulmuar ndokënd.” (Maide, 5/2).

Andaj, për t’i dhënë jetë kësaj fryme të ndihmës dhe mbështetjes së ndërsjellë, marrëdhëniet me fqinjët janë një rast, i cili duhet vlerësuar sa më mirë, e njëkohësisht një përgjegjësi që nuk duhet çuar dëm.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.