I Pari, i Fundmi, i Dukshmi, i Padukshmi në Thellësi

I Pari, i Fundmi, i Dukshmi, i Padukshmi në Thellësi

Pyetje: Në veprën e tij “Mesnevia e Dritës”, Bediuzaman Said Nursiu shprehet se froni hyjnor është përmbledhje e emrave të Tij “Euuel-I Pari”, “Ahir-I Fundmi”, “Dhahir - I Dukshmi” dhe “Batin – I Padukshmi në Thellësi”. A mund të na e shpjegoni se cila është përmbajtja e thellë e këtyre emrave hyjnorë?

Përgjigje: Allahu (xh.sh.) ka pafundësisht emra. Mirëpo janë katër emra kryesorë rreth të cilëve mund të shtillen gjithë të tjerët. Këta janë emrat Euuel, Ahir, Dhahir dhe Batin. I pari prej tyre është emri “Euuel”, që do të thotë se nuk ka asgjë përpara Tij; mirëpo është edhe një i Fundmë Ai që nuk mund të ketë më asgjë tjetër pas Tij, pra është I pafillim dhe i pambarimtë. Mirëpo Ai është aq i Padukshëm në Thellësi, sa nuk ka asgjë tjetër përtej Tij, por është edhe aq I Dukshëm, saqë nuk ka asgjë tjetër përpara Tij. Mirëpo ndërsa meditohet mbi këto çështje për Allahun, i Cili është më I Epërmi, rreziku për të gabuar në konceptim është shumë i lartë. Shfaqja e emra të Allahut në sytë e njeriut shfaqet permes krijimeve të Tij. Për shembull, kur shohim shfaqjen prej parajse që na paraqet stina e pranverës ai që shohim më së shumti dhe me tërë cilësitë e Tij është emri “Dhahir” i Allahut (xh.sh.). Mënyra se si marrin jetë gjithë gjallesat e panumërta të tokës, duke nisur nga bimët te zogjtë, nga zogjtë te kandrrat, sikur të kishin veshur uniformat dhe të ishin duke realizuar një paradë përpara Krijuesit të tyre për t’i shprehur gatishmërinë në bindje dhe në adhurim, sikur të duan që me gjuhën e tyre të gjendjes t’i thonë “Ja tek jemi, gati!”, duke përmendur emrin “Ja Hajj – O Jetëdhënës” të Allahut (xh.xh.), apo të dëshmojnë emrin e Tij “Ja Hak – O i Vërtetë!” duke provuar ekzistencën e Tij, janë të gjitha pasqyra të emrit Dhahir të Allahut (xh.sh.).       

Kur sheh thjesht në pjesën e dukshme të një çështjeje, mund të mbytet brenda zinxhirit të shkakësive. Dhe, për të mos u mbytur aty, atij i duhet që të drejtohet e ta vijojë udhëtimin e tij brenda qerthullit të urtësisë dhe lidhjes së fortë që çdo gjë ka me çdo gjë tjetër dhe kjo është treguese pikërisht e emrit Batin të Allahut (xh.xh.).          Për shembull, një mollë, ashtu siç ajo tregon për emrin Dhahir të Allahut me bukurinë e saj të jashtme, me planin, programin dhe me sistemin e mrekullueshëm që funksionon brenda saj, urtësia në krijimin e saj, vitaminat dhe ndikimi pozitiv që ato kanë në trupin e njeriut, ajo ofron njëherazi shenja të emrit “Batin” të Allahut (xh.sh.). po njëlloj, për shembull një peshk, ashtu siç tregon emrin “Dhahir” me hijeshinë e tij të jashtme dhe me konstruktin fiziologjik të tij, me proteinat që fsheh brenda vetes, duke u kthyer në lëndë jete për njeriun, ai tregon njëkohësisht edhe për emrin “Batin”. Ja kësisoj janë të ndërthurura me njëra-tjetrën të qenët njëkohësisht i dukshëm dhe i padukshëm thellësisht, sikur të bëhej fjalë për hallka të brendashkruara te njëra-tjetra.           

Argumenti se gjithçka që gjendet në gjithësi mbështetet tek Allahu (xhel’le xhelaluhu), do të thotë se mbështetet tek Ai, sepse Allahu është Një i Vetëm, Ai ështëduke Një edhe si Edukues dhe Zotërues, e për rrjedhojë është i pastër e i patëmetë, krejt e kundërta e gjendjeve në të cilat mund të gjendemi ne njerëzit. Kësisoj, njësoj siç është Një i Vetëm në njëjësinë e Tij, Ai nuk ka se si të ketë nevojë për ortak apo ndihmës në krijim, sepse i duhet që ta bëjë gjithçka Vetë. Edhe ato gjëra që duken si ndihmëse apo mëkëmbës/e, nuk kryejnë asnjë detyrë tjetër pos duartrokitjes karshi madhështisë së aktit të krijimit në çdo çast. Kështu që është e pamundur që ta shtrish gjer në pamundësi zinxhirin e shkakësive të ekzistencës së diçkaje, pasi në krye të çdo gjëje tjetër qëndron pikërisht Ai, Allahu (xhel’le xhelaluhu). Gjithçka që ekziston, si për nga ekzistenca, ashtu edhe për nga krijimi i tyre, mbështetet prej emrit “Euuel” të Tij. Argumenti që ato e vijojnë ekzistencën e tyre në këtë formë, apo që çdo gjë që fillon të ekzistojë do të ketë edhe kohën e zbehjes dhe të humbjes së vetisë së të ekzistuarit, rrënimi i çdo gjëje që e ka provuar ekzistencën e saj, zbehja e dritës së gjithçkaje që ndriçon, apo rijetësimi i diçkaje që e ka humbur njëherë gjallërinë e saj, duke qenë se tregojnë për cilësinë e të qenit pasqyra të Tij, na tregon neve se Ai që i ka dhënë këto, duke qenë i pafillim, duhet të jetë edhe i përjetshëm. Ja kështu bashkohen pandashmërisht nga njëri-tjetri emrat “Euuel” dhe “Ahir” të Allahut (xh.sh.).

Secili nga këta emra, të cilët ne i shohim vetëm si rezultat i një meditimi dhe studimi të thellë brenda zinxhirit të shkakësive, është njëherazi vendimmarrës në një “fron” të epërm. Për shembull, shfaqja në dukje e gjithçkaje është njëfarësoj froni i emrit “Dhahir”. Për shembull, ajri, uji ose atmosfera në rrafshin (botën) e jetës; toka në botën e rregullit; apo elementet e një tjetër bote, atomet dhe  molekulat po ashtu janë njëfarësoj fron i emri “Dhahir”. E megjithatë kjo nuk do të thotë se ato janë Froni i Madhërishëm. Ndërsa planet dhe programet e paracaktimit hyjnor që gjenden në fytyrën e brendshme të ekzistencës
janë fron i emrit “Batin”. Çdo gjë e ka fillimin prej Tij; ky është froni i emrit “Euuel”. Rrezatimi i diellit  mbi bulëzat e ujit dhe vijimi i ekzistencës së diellit edhe pas avullimit të tyre, do të thonë se çdo gjë është kalimtare dhe zhdukja në një kohë të caktuar e tyre argumenton pikërisht përjetësinë e Tij; është froni i të Pafundmit që nuk Mbaron asnjëherë. Por asnjëra syresh nuk është Froni i Madhërishëm. Froni i Madhërishëm është një ekzistencë e panjohshme, të cilën ne e kemi të pamundur që ta konceptojmë përmes ndërthurjes së këtyre katër emrave (Dhahir, Batin, Euuel, Ahir).

E nëse do ta shtjellonim pak më tej këtë çështje, Kurani Fisnik është Libri i Madhërishëm. Por prej këtij Libri të Madhërishëm ka sa e sa libra që nxirren prej tij, të llojllojshëm, të cilët i lexoni edhe ju. Të gjithë këta libra e kanë burimin prej atij libri të madh dhe secili tregon veçse një pjesë të Tij. Ju i grumbulloni këta libra dhe kur rrekeni që t’i bashkoni të gjithë bashkë në konceptimin e botës, atëherë arrini të keni edhe një ide më të qartë rreth Tij. Vetëm atëherë mund të quheni se keni filluar ta kuptoni atë libër. Po kështu, edhe froni i ajrit, froni i tokës dhe froni i ujit etj., janë veçse reflektime të Fronit të Madhërishëm dhe prej Tij e kanë burimin. Aty gjen zbatim plani dhe programimi i kryer në Fronin e Madhërishëm.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2021 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.